Shpërthen bomba në fushë, tmerrohen Bulku dhe Sukaj

493
Sigal

Ngjarja e frikshme ndodhi gjatë ndeshjes Sepahan-Al Ahli për Ligën e Kampioneve të Azisë

Dy lojtarët shqiptarë, mesfushori Ervin Bulku dhe sulmuesi Xhevair Sukaj, përjetuan momente tmerri, kur një bombë shpërtheu në pistën e stadiumit “Foolad Shahr”, gjatë ndeshjes së parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve të Azisë, midis skuadrës së tyre iraniane, Sepahan dhe Al Ahlit nga Arabia Saudite. Lajmi u përcoll gjerësisht nga mediat ndërkombëtare, pasi dhe vetë ngjarja ishte e pazakontë, për më tepër në një ndeshje zyrtare të nivelit të lartë.

NGJARJA

“Përballja e Ligës së Kampioneve të Azisë midis formacionit iranian, Sepahan, dhe atij nga Arabia Saudite, Al-Ahli, nuk prodhoi gola, por në ‘Foolad Shahr’ shpërtheu eksplozivi”, -shkruan “Ny Daily Neës”. Ndeshja e parë çerekfinale u ndërpre për disa minuta, kur gjyqtari vrapoi drejt një prej pistave për të inspektuar një objekt të hedhur nga tifozët. Mesfushori 40-vjeçar i Sepahanit, Adel Kolohakaj, mori në dorë objektin e vogël me një mbështjellje të zezë dhe e flaku atë jashtë fushës, në afërsi të flamurit të këndit. “Ai ishte një lloj minigranade apo zjarrshpërthyes, i cili shpërtheu menëjeherë sapo ra në tokë, duke u shkaktuar frikë të jashtëzakonshme gjyqtarit kryesor (Liu Kuok-Man nga Hong-Kongu) dhe ndihmësve të tij të cilët vrapuan si të ishin sulmuar në një xhungël, ndërkohë që eksplozivi vazhdonte të shpërthente”, – thekson portali i madh në internet, Yahoo.com. Për fat të mirë, askush nuk u dëmtua nga incidenti, dhe loja, e cila u ndërpre për disa minuta, vazhdoi sërish, ndërkohë që gjyqtari ndryshoi të mbathurat e tij. “Huffning Post” shkruan se, mesfushori Kolahkaj mezi i shpëtoi rrezes së shpërthimit, pasi mund të kishte humbur ndonjë gjymtyrë, ndërkohë që të gjithë lojtarët dhe gjyqtarët i qëndruan larg skenës tymuese. Objekti i hedhur u përshkrua nga burime t ndryshme si një minigranadë, madje pati media që shkruan se ishte një bombë që shpërtheu herët. Individi apo personat që hodhën eksplozivin në fushë ende janë të identifikuar.

SHQIPTARËT

Mesfushori 31-vjeçar i Kombëtares shqiptare, Ervin Bulku, luajti gjatë gjithë takimit dhe ishte shumë afër kur shpërtheu objekti, ndërkohë që trajneri kroat, Zllatko Kranjçar, e futi në lojë shkodrani Sukaj në minutën e 78-të. Bulku u transferua gjatë kësaj vere te Sepahani (përfiton 400 mijë euro në sezon), pas eksperiencave në Ukrainë, Kroaci dhe Azerbajxhan. Sukaj është në sezonin e dytë më kampionët e Iranit, duke fituar gjithmonë e më shumë minuta. Gjatë këtij sezoni, ish-sulmuesi i Vllaznisë, i cili ka luajtur edhe në Turqi, Egjipt dhe Kroaci, ka shënuar tre gola në kampionat, ndërkohë që la lënë emrin e tij edhe në Ligën e Kampioneve të Azisë, me dy golat e tij, kundër Al Nasri dhe Al Ahli (në fazën e grupeve).

PRECEDENTËT

Tifozët e futbollit janë të mirënjohur në sulmin ndaj lojtarëve me të gjitha llojet e objekteve. Në Amerikën Latine, ekipi i futbollit të Shteteve të Bashkuara u sulmua me bateri, monedha, qese urine, madhe dhe me gjak kafshësh të therura. Në viti 2009, në Superligën turke, gjatë derbit midis Gallatasarajit dhe Fenerbahçes, lojtarët e këtij të fundit u sulmuan me shishe, gota, dhe gjithçka tjetër që mund të shkulej dhe hidhej nga tifozët. Gjatë Kampionatit Europian 2012, tifozët kroatë i hodhën sulmuesit të Italisë, Mario Baloteli, një banane, ashtu siç kishin bërë në Rusi, tifozët e Zenitit ndaj Roberto Karlosit të Anzhit.