Robert Kokalari: Ky Europian më “persekutoi”, si në diktaturë!

982
Nga Agron KAJA
Ndërsa kërkoja në listën e FSHF-së, se edhe Robert Kokalari do të ishte në Francë si shumë ish-futbollistë të tjerë shqiptarë në vite, e gjetëm në rezidencën e tij në Xhenova, me një emocion të veçantë që nuk ishte ftuar nga FSHF-ja në ndeshjen e parë premierë të Shqipërisë në këtë Kampionat Europian. “Kujtoj se unë në Kombëtare jam grumbulluar pa mundur të luaj nga biografia që kisha në kohën e diktaturës, kam qenë me biografi të keqe dhe nuk munda të shkoja jashtë shtetit, sepse në ditën e nisjes kthehesha në Berat, po ashtu edhe kur luhej në Shqipëri. Ndërsa këta të FSHF-së me këtë fyerje më persekutuan për herë të dytë. Turp!”, theksoi fillimisht Kokalari në intervistën e tij në gazetën “Telegraf”, ndërkohë që i kaloi në “skaner” të thjeshtë skuadrat e grupit A, si edhe tregoi parashikimin për skuadrën fituese të këtij Kampionati Europian. 

Ku është “fshehur” Bert Kokalari ndaj futbollit, sidomos në këto ndeshje të Evropianit?

Po të isha i fshehur, ju nuk do më kishit gjetur kaq shpejt. Gjithsesi, për lexuesin tuaj, unë punoj dhe jetoj në Itali, ndërkohë që me futbollin tonë kombëtar dhe me atë beratas, jetoj në çdo kohë. Nuk e mendoj veten pa marrë pak “erë” futbolli shqiptar, ndërsa këtu në Itali shoh kur Juventusi luan me ndonjë skuadër të madhe italiane, ose në Champions Ligë. 

Gjithsesi, në këtë bisedë ju shoh paksa të mërzitur, nga Kombëtarja apo problem jashtë futbollit?

Jo, lidhet me futbollin. Jam shumë i fyer nga FSHF-ja, e cila në Francë kë nuk kishte marrë, madje edhe ata pa lidhje me futbollin, ndërkohë që emrin tim nuk e gjeti. Me këta njerëz vetëm flamuri shqiptar më bashkon, asgjë tjetër kur të mohojnë atë djersë që e kam vënë me punë e sakrifica të mëdha. 

Pse kaq i indinjuar Kokalari me këtë rast, pse po reagoni kështu?

Nuk mund të reagoj ndryshe ndaj këtyre njerëzve jo korrektë e të papastër në përzgjedhjet e tyre. Kujtoj se unë në Kombëtare jam grumbulluar pa mundur të luaj nga biografia që kisha në kohën e diktaturës, kam qenë me biografi të keqe dhe nuk munda shkoja jashtë shtetit sepse në ditën e nisjes kthehesha në Berat, po ashtu edhe kur luhej në Shqipëri. Ndërsa këta të FSHF-së me këtë fyerje më persekutuan për herë të dytë. Turp!
Është e drejta juaj të mendoni kështu, ndërkohë që përpos kësaj gjendje emocionale tuajën, unë po ju fokusoj te Evropiani. Si po i ndiqni këto ndeshje?
Natyrisht me shumë vëmendje, sidomos dy ndeshjet e Shqipërisë, por edhe ndeshjet e tjera. Kemi marrë dy humbje, të pamerituara, pasi në dy ndeshje, do të thoja se po luhen ndeshje të mira, me pak dallime në lojë të skuadrave të mëdha ndaj atyre më të vogla. Nuk është fundi i Botës se kemi humbur një ndeshje të tillë me një Kampione Europe si Francamë e madhe se ne, por që luajtëm si të barabartë me të, ashtu edhe me Zvicrën. 

Nga Zvicra te Franca, cili është komenti juaj për të dyja këto humbje të Kombëtares sonë?

Në fakt, opinioni imë është se ende jemi të papjekur për tu përballur në të tilla evente. Si hera e parë mirë, por e pabesueshme më duket humbja me Francën, nuk kam fjalë ti përshkruaj ato tre minuta shtesë që pësuam dy gola. Nuk arrij të kuptoj atë pakujdesje e shthurje, të cilat kanë edhe arsyet e tyre: eksperiencën dhe anën fizike të dobët, për të mos thënë se kishte edhe të tjera detaje taktike e psikologjike. Ky është futbolli, por duhet të ndjehemi krenarë që si shqiptarë jemi në këtë Kampionat Evropian. 

Pa harruar edhe ndonjë detaj teknik, ju si i klasifikoni dy ndeshjet e Kombëtares sonë: 0-1 me Zvicrën dhe 0-2 me Francën?

Do ta përsëris se kemi luajtur me dinjitet dhe prej tyre na mungoi shumë fati. Nga Zvicra te Franca, skuadra jonë pati rritje në lojë. Nëse me Zvicrën luajtëm me një futbollistë më pak që nga minuta e 37-të, me Francën treguam më shumë vlera deri në minutën e 90-të. Të dyja kanë qenë ndeshje dinjitoze, por si debutues nuk mundëm të shfaqnim tërësisht vlerat tona. Meritonim më shumë në të dyja ndeshjet, pse jo nga një barazim. 

Si e shikoni situatën në Grupin A, cilat skuadra mendoni se kualifikohen direkt dhe mundet nga grupi ynë të ketë skuadër të tretë që mund të kualifikohet?

Franca me fitoren ndaj nesh e siguroi kualifikimin, ndërsa për Zvicrën do të thoja se është më afër vendit të dytë që të kualifikon për më tej, edhe pse do të luajë me Francën. Ndërsa për skuadrën tonë dhe për Rumaninë ka mbetur ndeshja e fundit mes tyre, kush fiton ka mundësinë e shpresës për kualifikim, sepse formati i Evropianit është që kualifikon dy skuadrat e para në grup dhe katër skuadrat e treta më të mira në gjashtë grupet. 

Te skuadra jonë në dy ndeshje janë aktivizuar 15 futbollistë, nga këta ju cilët i veçoni për paraqitje të mirë dhe cilët më dobët?

Jo si një ish-mbrojtës dhe duke i parë 180 minutat e luajtura me një këndvështrim specialisti, do të thoja se Hysa dhe Mavraj kanë treguar më shumë vlera, ndoshta aty afër edhe Abrashi, Lenjani dhe pak Agolli. Të tjerët nuk kanë dhënë maksimumin e tyre, ndoshta nga lodhja që kanë marrë në ndeshjet e sezonit që u mbyll në skuadrat e tyre. Për mua të gjithë ishin dinjitozë, por si eksperienca e parë nuk mundën që të kapërcenin plotësisht anën psikologjike për të shprehur vlerat më të mira. 

Dhe në këtë këndvështrim, cili është mendimi juaj për Kombëtaren sot dhe nesër?

Nëse themi Kombëtarja sot, unë mendoj se është një Kombëtare e mirëpërzgjedhur dhe e mirëpërgatitur nga De Biazi. Ndërsa për një Kombëtare nesër, unë mendoj se duhet trajneri (nëse do të qëndrojë në bankinën e Kombëtares sonë) duhet të bëjë transformime në disa tregues: përzgjedhje të reja-psikologji-taktikë-finalizim. Ka disa lojtarë që këtu duhet të ndahen nga Kombëtarja për ti dhënë mundësi rifreskimit, që duket se është mëse i domosdoshëm. 

Në 18 ndeshjet që janë luajtur, ju cilën veçoni si më të mirën, pse jo edhe ndonjë ndeshje të dobët?

Për ndeshje të dobëta unë jam pak skeptik të them, sepse të gjitha skuadrat e kanë merituar ardhjen deri këtu dhe nuk kanë mundur të tregojë vlerat e plota. Ndërsa ndeshje të mira ka patur shumë, këtu do të veçoja ndeshjen e Gjermanisë, Italisë, dy të Francës dhe pak Spanjën, nëse kam harruar edhe ndonjë skuadër tjetër. 

Kësisoj ju këto skuadra i veçoni si pretendente për ta fituar këtë Kampionat Europian?

Skuadrat e mëdha gjithmonë mbeten favorite në çdo kompeticion, por kur të mbyllen të gjitha ndeshjet e dyta në grupe, atëherë ne mund të përafrohemi në ndonjë parashikim personal. Gjithsesi, unë i mendoj këto katër skuadra si favorite për ta fituar Evropianin, pa përjashtuar edhe ndonjë skuadër surprizë, të cilat me mbylljen e ndeshjeve të turit tjetër do të shfaqen. 

Për cilën skuadër bën tifo Robert Kokalari në këtë Kampionat Evropian?

Si shqiptar është e kuptueshme që jam tifoz i Kombëtares sonë, sado që të ecë ajo, ndërsa për të tjerat, si tifoz italian do të dëshiroja shumë që Italia të jetë fituese e këtij Evropiani. Nuk do të mendoja një finale Itali-Gjermani apo Itali-Francë. Të presim 10 korrikun. 

Do të shkoni në Francë për ndeshjen e tretë të Kombëtares sonë në Lion?

Ju them të drejtën se e kam një mundësi, sepse një grup qytetarësh beratas më kanë siguruar një biletë disa muaj më parë, por humbja me Francën ma ka venitur pak dëshirën për të qenë në Lion në ndeshjen kundër Rumanisë. Do shoh, se deri më 19 qershor duhen edhe katër ditë. Shpresoj!
Sigal