Sigal

Vllaznia është skuadra më në formë në Kategorinë e Parë, gjatë këtij sezoni, me shkodranët që kryesojnë bindshëm renditjen e kategorisë A, me 6 fitore në 6 takimet e para.

Megjithatë një aspekt negativ tek skuadra e Hasan Likës, janë dëmtimet e shumta gjatë këtij sezoni. Vllaznisë nuk i janë ndarë problemet në këto javë të luajtura deri më tani, e sidomos mungesat e lojtarëve titullarë. Ka pasur shumë ndeshje, ku skuadra kuqeblu nuk ka pasur në dispozicion nga dy deri në pesë titullarë.

Me sa duket, e njëjta gjë do të ndodhë edhe në transfertën delikate që shkodranët do të luajnë me Shënkollin, në fushën e këtyre të fundit këtë fundjavë. Nga sa bëhet e ditur, mbrojtësi Renato Malota ka një dëmtim dhe nuk do të jetë si titullar në Shënkoll. Trajneri Hasan Lika, krahas Gilman Likës që është në rikuperim e sipër, me sa duket nuk do të ketë as Malotën që është një nga pikat e forta të skuadrës së tij. Megjithatë, edhe pse me dy mungesa shumë të rëndësishme, shkodranët kanë si synimin e vetëm marrjen e 3 pikëve, duke mos u ndalur as në Shënkoll dhe për të vijuar të ruajnë diferencën me ndjekësit e tyre që me sa duket këtë sezon do të jenë Dinamo dhe Erzeni.