Ramadan Ndreu: Kamza në fazën e parë, brenda synimeve dhe përtej pritshmërive

771
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” trajneri i Kamzës, vendin e katërt në renditjen e fazës së parë të Superiores e quan sukses
Keni marrë një fitore në ekstrem me Partizanin, ishte kjo në pritshmëritë tuaja?
Natyrisht që po, sepse kemi luajtur në vazhdimësi mirë, dhe fitorja, edhe pse ishte në ekstrem të ndeshjes, ishte e merituar. Edhe Partizani luftoi shumë, dhe nuk mund të them se ishte dobët, pasi kështu ia ul vlerat skuadrës sime, që gjithçka e morri me djersë dhe të merituar.

Çfarë mendoni se shkoi më mirë te skuadra juaj në këtë fitore?
Në analizën time si trajner i Kamzës, unë pashë që skuadra ime ishte më mirë fizikisht në të dyja pjesët e lojës, ishte edhe më e qartë në lojën e saj. Partizani ishte agresiv, por nuk e mbajti këtë edhe në pjesën e dytë, aty ku ne ndërtuam gjithçka të mirë në fitoren tonë.

Në këtë situatë, e kishit parasysh emrin e Partizanit, apo aktualitetin e tij në Superiore?
Të dyja bashkë, sepse nuk ka mundësi që në Kategorinë Superiore të nënvleftësosh Partizanin. Madje asnjë skuadër nuk është për tu nënvleftësuar, pavarësisht pozicionit që kanë në renditje, por unë e kisha përgatitur skuadrën me kujdes, me vlerësimin e një skuadre të fortë.

Mund ta quani kështu fazën e parë të suksesshme për Kamzën?
Natyrisht është sukses, që faza e parë na rendit në vendin e katërt dhe në grupin e kreut me pak diferencë në pikë. Por, mund të them se këto rezultate kanë qenë në pritshmëritë tona. Ne kemi në skuadër futbollistë shumë cilësorë, por gjendja e tyre ka ardhur graduale, sikundër edhe rezultatet pozitive që kemi marrë. 

Me këtë ecuri, e mendoni që Kamza këtë sezon të kërkojë një vend në renditje që të luajë në Evropë?
Ne jemi me këmbë në tokë dhe realistë për gjithçka që po kalojmë, dhe ato që synojmë në këtë sezon, jo vetëm në Superiore, por edhe në ndeshjet e Kupës së Shqipërisë besojmë se do ti arrijmë. Por, Evropa është një “kafshatë e madhe” për ne në këtë sezon.

Cili mbetet kështu synimi juaj final në Kategorinë Superiore?
Së pari, ne do të kërkojmë që të ruajmë këtë gjendje të mirë, e për këtë do të punojmë fuqimisht. Këtu kemi mbështetjen e fuqishme të Presidentit Naim Qarri, por nuk harroj edhe përkushtimin e Bashkisë, në veçanti të Kryetarit Xhelal Mziu. Ndaj do synojmë që të jemi në gjashtë skuadrat e para në fund të sezonit.

Kampionati rifillon pas 10 ditësh ndërprerje, do të ndikojë kjo pauzë në gjendjen e skuadrës suaj?
Për skuadrën e Kamzës mendoj se nuk do të ndikojë negativisht, sepse kjo është një ndërprerje e ditur për ne. Por, kjo është një kohë “pit-stop”-i që na ndihmon në rikuperimin e të dëmtuarve, njëherësh edhe në eliminimin e ndonjë mangësie që kemi vërejtur në takimet e fazës së parë. 

Faza e dytë për ju fillon me Kukësin, i cili në fazën e parë fitoi 1-0, e keni përgatitur këtë ndeshje?
Natyrisht që është shpejt për të thënë më shumë, por Kukësin e shikoj më të vështirë se Partizanin në të gjithë komponentët e lojës. Ndaj do të jetë një Kamzë e orientuar nga fitorja, edhe pse këtë do ta vendosë fusha e lojës. Ne kemi besim se do t’ia dalim. 
Në fazën e parë ne renditemi në vendin e katërt, pak diferencë në pikë nga vendi i dytë dhe i tretë. Këto rezultate kanë qenë në pritshmëritë tona, sepse ne kemi në përbërje futbollistë cilësorë, por gjendja e tyre ka ardhur graduale, sikundër edhe rezultatet pozitive
Presidenti Qarri: Jemi brenda synimeve tona
Në bisedën telefonike me gazetën “Telegraf”, Presidenti i FK Kamza, Naim Qarri, deklaroi se skuadra është brenda synimeve, por kërkon largimin e euforisë. “Nuk mendoj se futbollistët duhet të jenë euforikë për këtë situatë shumë të mirë në fazën e parë. Ne jemi brenda synimeve tona, dhe më duhet që për këtë sukses, sidomos për fitoren me Partizanin, të falënderoj gjithë skuadrën e stafin teknik. Vazhdimësia kërkon edhe më shumë se kaq”, deklaroi dje Presidenti i Kamzës, lidhur me situatën pozitive të skuadrës së tij.
15 pikë
Kaq ka luajtur Kamza në fazën e parë të Kategorisë Superiore, duke arritur 4 fitore, 3 barazime dhe 2 humbje
1 fazë
Me ndeshjet e javës së 9-të që u mbyllën këtë fundjavë, Kategoria Superiore mbyll fazën e parë të saj me 45 ndeshje
Sigal