Gani Ismailati: Dhimbja ime për anijen “Gjirokastra”

1338
Investigim i “Dyrrah”-ut / Rrëfimi tronditës i konstruktorit të së parës anije mallrash metalike “Made in Albania” dhe aventura 26-vjeçare e një mjeti lundrues që u “mallkua” nga dashakeqët
Durrës, 24 korrik 2013 – Pas botimit të lajmit për tenderin e skrapit të tri mjeteve lundruese, një lexuese u interesua dhe për fatin e anijes “Gjirokastra”, nëse ekziston ende. Sipas saj me këtë anije ajo ka shëtitur kur ka qenë fëmijë. “Dyrrah”-u ka intervistuar konstruktorin e mjetit lundrues, Heroin e Punës Socialiste, Nderin e Qytetit të Durrësit, 81-vjeçarin Gani Ismailati si dhe ka bërë kërkime në internet.

Po botojmë dhe dy foto të “Gjirokastrës” me emrin e tretë “GT1”.
Gjithsesi, “Gjirokastra”, pas 26 vjetësh punë, është shitur në Turqi, në mars 2010, ku është copëtuar për skrap.
Besojmë se kjo dosje e vogël do të shuajë kureshtjen dhe nostalgjinë edhe të lexuesve të tjerë durrsakë.
“Anija “Gjirokastra” është futur në kujtesë si pjesë e krenarisë dhe dramës sime”, tregon me emocion konstruktori i famshëm i anijeve të ish-kantierit detar, Gani Ismailati. I plakur dhe më imët ai tregon me vështirësi (ka shpëtuar për mrekulli nga paraliza) për një ngjarje të bujshme të mesit të viteve 80. Atëherë kantieri detar lëshoi në det anijen e parë metalike me tonazh të përgjithshëm 2750.
Ndërkohë ka një përkim domethënës: Ismailati është një libohovas i madh dhe anija quhet “Gjirokastra”, kurse kërcënuesi për ndëshkim ishte një ministër nga Gjirokastra.

Ku të gjenim motor cilësor?
Ismailati tregon: “Unë bëra projektin teknologjik dhe ecuria ishte e mirë. Por gjithçka duhej ta përballonim vetë. Duhej të prodhonim anije për lundrime të gjata, deri në 2500 tonëshe, ndërkohë që deri në këtë kohë kishim prodhuar anije, por të tonazhit të vogël. Bëmë si bëmë dhe e prodhuam anijen “Gjirokastra”. Kërkuam gjithandej motor. Përfundimisht i vendosëm një motor çek, por e dija se nuk kishim bërë zgjedhjen e duhur, megjithatë nuk ishim ne ata që përcaktonim se ku duheshin blerë motorët. Bëmë provën. Kishte pak zhurmë e vibracion”. Konstruktori i njohur thotë se e dinte se motorët çekë jepnin zhurmë dhe dridhje, por motorët nuk i merrnin dot në perëndim.

Kërcënimi i ministrit
Anija pas disa ditësh u nis në lundrimin e parë në Detin e Zi. Ekuipazhi ishte përfshirë në panik për shkak të dridhjeve dhe ishin mbërthyer nga frika se anija do të mbytej. Për Ismailatin nuk kishte asgjë të frikshme, por kujt t’i mbushje mendjen. Ai dhe zëvendësministri i Komunikacionit, i ndjeri Llambi Leka, u kritikuan në gazetën “Zëri i popullit”. Në shkrimin kritik lihej të kuptohej se ndaj nesh ishte gati ndëshkimi dhe gjyqi. “Unë sapo isha dekoruar “Hero i Punës Socialiste” dhe kjo pasi kisha mundur të krijoja emër si konstruktor cilësor. Megjithatë, gjërat po rrokulliseshin dhe paniku nuk më la të gëzoja për prodhimin e të parës anije prej hekuri të një tonazhi të tillë”, rrëfen i tronditur dhe i përmalluar Ismailati.

Një grup shkoi në Trieste për të riparuar anijen. Ismailatin nuk donin ta dërgonin, dhe pse ishte konstruktori i anijes. Në Itali i vendosën një xhunto elastike dhe asgjë më tepër. Anija nisi lundrimet, por frika e ndëshkimit tek Ismailati u rrit. Në kantier erdhi ministri (me origjinë gjirokastrit) nergut për këtë gjë dhe dëgjoi kur i tha drejtorit të kantierit detar se Ismailati do të ndëshkohej. Këtë e tha me zë të lartë që ta dëgjonte konstruktori.

Lotët, edhe “Gjirokastra” për skrap?
Vlen të theksohet se në eksodin e marsit 1991 anijet në portin e Durrësit ishin mbushur plot me njerëz.
Fillimisht, më 5 mars lëvizi një peshkatore dhe vapori “Skënderbeu,” i cili ngeci në hyrje të kanalit, në kalatën “0”.
Më 6 mars lëvizi anija “Butrinti”.
Më 7 mars ikën me radhë anijet “Liria”, “Tirana” (kjo ishte e ngarkuar me sheqer), “Vlora”, “Gjirokastra”, 2 shallandra, ora 06.15 iku vapori “Panama” etj.
“Rastësisht po ecja në këmbë në portin e Barit, tregon Ismailati. -Nga larg pashë një anije dhe sytë m’u ngulën atje. Nuk e di, por diçka më thithi dhe më detyroi të vështroj atë anije në morinë e shumë të tjerave. U përqendrova dhe u binda se anija “Gjirokastra” kishte përfunduar në Bari. Pasi pyeta u binda, por anija nuk mbante më atë emër. Anija e parë prej hekuri e prodhuar në kantierin e Durrësit kishte përfunduar diku tjetër, ndoshta për skrap. Të them të drejtën nuk e prisja dhe sytë m’u mjegulluan nga lotët. Nuk ishte vetëm pjesë e krenarisë dhe dramës sime, por emri i saj na kujtonte shumë gjëra. Kjo anije duhej mbajtur pse jo edhe në një kënd për ta vizituar”.

Me emrin e tretë në lundrim
Por frika e Ismailatit ishte e kotë. Anija u privatizua dhe ndërroi përveç shtetit shqiptar, edhe tre pronarë (një shqiptar dhe dy) për lundrim dhe një pronar turk për skrap.
Anija “Gjirokastra” rezultoi e suksesshme dhe jo si e sulmuan dashakeqët e regjimit komunist.
Anija punoi, që nga ndërtimi në vitin 1984 deri në mars 2010, pra 26 vjet dhe ka prekur porte të ndryshme të botës. Është klasifikuar nga Regjistri Detar Shqiptar dhe nga një regjistër detar bullgar, Bulgarski Koraben Registar.
Kemi hetuar për fatin e kësaj anijeje. Në evidencën e anijeve të çregjistruara anija me emrin e parë “Gjirokastra” (viti i lëshimit në det: 1983), ishte privatizuar dhe mori emrin e dytë – “Baxha” në vitin 1996.
Ndërkohë pronari që e kishte regjistruar për herë të fundit në Durrës më 17 janar 2007, ia kishte shitur pak kohë më parë kompanisë greke Denure Holding. Kjo e fundit ia shiti kompanisë po greke GT Shipping Inc, që i vuri emrin e tretë – “GT1” me flamur panamez. Pastaj kjo e fundit e shiti për skrap.
Ish- “Gjirokastra” arriti në kantierin e demolimit në Aliaga, Turqi më 7 mars 2010, ku u copëtua nga firma Yazici Gemi Sokum Ltd.
Në Aliaga dhe Indi janë copëtuar për skrap dhe anije të tjera shqiptare, për të cilat “Dyrrah”-u do të botojë një dosje tjetër.
Info /Skeda

Lloji i anijes: Transport mallrash të përgjithshme
IMO: 8835384
Shenja e thirrjes: 3EHQ5
MMSI: 372201000
Kapaciteti bartës: 1300 t
Deduejti: 2750 t
Gjatësia: 81 m
Gjerësia: 12 m
Zhytja: 4.2 m
Viti i ndërtimit: 1983
Vendi i ndërtimit: Kantieri detar Durrës
Viti i futjes në lundrim: 28.1.1984
Emri i parë: “Gjirokastra” (28.1.1984-23.2.1996)
Emri i dytë: “Baxha” (24.2.1996-11.11 2007)
Emri i tretë: “GT1” (12.11.2007- prill 2010, përfundon informacioni)
Statusi: “Dead” (e vdekur; dërguar për skrap; arriti në kantierin e demolimit në Aliaga, Turqi, më 7 mars 2010, ku u copëtua nga firma Yazici Gemi Sokum Ltd., shih faksimilen e sajtit www.shipspotting.com/gallery/photo.php?lid=687046; konfirmohet edhe nga sajti www.robindesbois.org/english/shipbreaking20.pdf; çmimi mesatar i skrapit 183 dollarë toni, sipas files.irwebpage.com/reports/shipping/GaPohY32AN/COTZIAS%20Market%20REPORT%202010%2003%20MAR.pdf).

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/ portali DurresLajm


Sigal