Legjenda e Manchester United, Eric Cantona, do të jetë trajneri i ardhshëm i Manchester United, ndërsa pjesa tjetër e stafit do të shpallet më vonë.
Ky është mesazhi që ish-lojtari i “Djajve të Kuq”, shpërndau me ndjekësit e tij në Instagram, këtë të enjte. Shumë ndjekës janë shprehur mosbesues, për shkak se nuk ka asnjë konfirmim nga klubi për këtë shpallje të francezit.
Por sipas Cantona, kërkimet kanë marrë fund. “Përshëndetje miq”, thotë francezi në videon e postuar. “Do të doja t’ju thoja ekskluzivisht se trajneri i ri i Manchester United jam unë. Shihemi së shpejti”.
Cantona vlerësohet si një prej lojtarëve më të mëdhenj në historinë e klubit, me të cilin ka luajtur në periudhën 1992-1997, duke shënuar 82 gola në 185 ndeshje. Ai ka fituar 4 herë kampionatin dhe 2 herë Kupën e Anglisë nën drejtimin e Sir Aleks Ferguson.
Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse mesazhi i tij është thjesht një shaka, apo ka diçka të vërtetë.






















