Presidenti i FSHN, Agim Çiraku: Rekorde kombëtare dhe përfaqësim dinjitoz në Botërorin e Koresë

153

Agim Çiraku: Presim rekorde kombëtare nga të rinjtë dhe të rriturit siç e kemi traditë

Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit: “Koha e kualifikueseve për në Botëror ka përfunduar, por kjo nuk do të thotë që ky kampionat nuk është i rëndësishëm për sportistë e trajnerë. Duam këtu rekorde, por dhe në Botëror”

Gjergj Vyshka

Në intervistën e tij për gazetën Telegraf, presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, ka nënvizuar faktin se nisur dhe nga ajo çfarë është bërë gjatë vitit, pritet të ketë rekorde në këtë kampionat të rriturish. Së paku nisur dhe nga ajo që në kampionatin e fëmijëve, më 26-27 qershor, u thyen 10 rekorde. A është kjo garë një testim në prag të Kampionatit Botëror të Notit në Korenë e Jugut, e cila do të vijë drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar? Ishte kjo pyetja për presidentin Çiraku, përgjigja e të cilit konfirmon faktin se përzgjedhja tashmë ka përfunduar. Shqipëria dhe Kosova do të përfaqësohen në këtë Botëror, ndërsa janë të dy me ftesa. Për Shqipërinë do të jenë katër sportistë, dy djem dhe dy vajza, ndërsa pritet së paku të thyen rekordet kombëtare. Ja dhe intervista e plotë e presidentit të Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, dhënë gazetës “Telegraf” në ditën e parë të kampionatit për të rinj dhe të rritur, që përfundon të martën.

– Aktiviteti më i rëndësishëm sot, kampionati kombëtar i të rinjve dhe të rriturve. Çfarë pritet realisht të ndodhë?

– Ky aktivitet është vazhdë e të gjitha aktiviteteve që kemi pasur për vitin 2019. Natyrisht është vazhdë dhe e kampionatit kombëtar të fëmijëve. Ashtu sikurse arritëm rezultate mjaft pozitive në atë kampionat, edhe në kampionatin e të rinjve dhe të rriturve do të arrijmë rezultate të mira. Ne e kemi bërë traditë tashmë që në çdo kampionat të kemi rekorde kombëtare. Besoj se edhe në këtë kampionat duhet të kemi rekorde kombëtare, sepse në kampionatin e fëmijëve që zhvilluam para disa javësh u thyen 10 rekorde për fëmijë.

– Realisht a është ky kampionat një provë përpara vajtjes në Kampionatin Botëror të Koresë së Jugut?

– Me thënë të drejtën provat kanë mbaruar. Pra kanë mbaruar provat për Kampionatin Botëror të Koresë, sepse garat kualifikuese ishin përpara një jave dhe ato janë mbyllur tashmë. Por megjithatë kjo nuk e heq interesin e sportistëve dhe trajnerëve ndaj këtyre garave që kemi sot. Janë me shumë interes dhe shumë të mira.

– Cili do të jetë përfaqësimi i Shqipërisë në Botërorin e Koresë?

– Ne do të përfaqësohemi me katër notarë, dy djem dhe dy vajza. Them se do të kemi rezultate të mira. Megjithatë t’ia lëmë kohës dhe të shohim se si do të dalin.