Një Shqipëri e re po lind

92

Kamerun-Shqipëri 0-0. Kuqezinjtë luajnë si të barabartë me “luanët” e Afrikës. De Biazi, i kënaqur

Shqipëria bëri një paraqitje dinjitoze në barazimin pa gola me Kamerunin, në Gjenevë të Zvicrës, i dyti me këtë rezultat në ndeshjet miqësore, pas asaj me Moldavinë në muajin gusht, në Tiranë. Më i kënaquri ishte trajneri Xhani De Biazi, eksperimenti i radhës i të cilit mund konsiderohet i suksesshëm, kjo edhe për shkak të emrave që hodhi në fushën e lojës. Shqipëria luajti kundër Kamerunit të Samuel Etosë me skemën 4-4-2, pra me dy sulmues të deklaruar në fushë. Përpara Etrit Berishës, në qendër ishin dyshja Cana-Mavraj dhe nga krahët Andi Lila e debutuesi Renato Arapi, ndërsa në mesfushë Sabien Lilaj e Ervin Bulku mbështeteshin nga e majta nga Vila e nga e djathta nga Roshi. Sadiku e Çani përbënin vijën e parë të sulmit. Ndeshja në “Stade de Geneve” u ndoq nga shumë tifozë shqiptarë me banim në Zvicër, çka krijonte përshtypjen se luhej në Tiranë. Kjo ishte miqësorja e pestë e De Biazit, që koleksionon kështu dy fitore (Katar, Iran), dy barazime (Moldavi, Kamerun) dhe një humbje (Gjeorgji). N

PJESA E PARË

Edhe pse ishte një miqësore, ritmi i lojës është i lartë, pavarësisht se rastet e pastra për shënim ishin të pakta nga të dyja skuadrat. Fillimi ka qenë më i mirë për kamerunasit, të cilët rrezikojnë dy herë portën e Berishës, por gjithsesi pa goditur në kuadrat. Në një prej tyre Eto’o tregon klasin e tij, ku pasi kombinon me një shokun e tij të skuadrës gjuan me të djathtën, por jashtë kuadratit të portës së mbrojtur nga Etrit Berisha. Minutat e mëpasme rrisin lojën e kuqezinjve, që bëhen zotëri të mesin e fushës dhe mendojnë më tepër për sulmin. Sulmusi Edgar Çani me fizikun e tij mban ekipin përpara dhe vë nën presion kundërshtarin, ndërsa Sadiku lëviz më tepër taktikisht, për të krijuar hapësira për mesfushorët e krahut Roshi e Vila. Sulmuesi elbasanas ka një rast të mirë, ku i ndodhur në harkun e zonës së 16 metrave nuk koordinohet në gjuajtje dhe vonesa e tij nxjerr në pozicion jashtë loje Çanin. Evidentohet dhe një gjuajtje e Bulkut, që përplaset në murin e ngritur nga afrikanët. Janë minuta të mira për Shqipërinë, ndërsa rastet e fundit evidentojnë Çanin dhe Sadikun.

PJESA E DYTË

Gjysma e dytë e lojës nis me një ndryshim taktik të italianit, i cili ndoshta edhe ka qenë i detyruar për shkak të dëmtimit të Sabien Lilajt. Vendin e korçarit në mesfushë e ka zënë Lorik Cana që spostohet përpara, ndërsa për të mbyllur boshllëkun në qendër të mbrojtjes futet Debatik Curri. Rasti i parë në këtë pjesë loje është për tanët, ku në minutën e 49-të Vila gjuan keq nga distanca, kur kishte mundësi të vazhdonte t’i afrohej portës. Vetëm 60 sekonda më pas në një rrëmujë në zonën e Kamerunit një mbrojtës e prek topin me dorë, por gjyqtari vazhdon lojën, me gjithë protestat e kuqezinjve. Dominimi i djemve të De Biasit është i dukshëm, Cana nis Sadikun nga e majta që kroson në zonë, por asnjëri nuk e devijon drejt portës, gjithsesi topi fitohet sërish dhe Vila tenton nga jashtë zone, por jashtë. Presioni rritet dhe menjëherë vijnë dy momente të arta, ku fillimisht Bulku gjuan nga distanca dhe grushton portieri kamerunas, i cili shpëton përsëri pa kaluar as një minutë, ku gjuajtjen e Çanit e devijon për në goditje këndi. De Biazi bën dy ndryshime: Vila i lë vendin Bakajt dhe Dallku për Bulkun. Në momentin për të mirë të kuqezinjve shfaqet Eto’o, i cili pasi shmang dy mbrojtës në zonë gjuan me të majtën, por është Berisha që bën mrekullinë, duke shpëtuar një gol mëse të sigurt. Minuta e 74-t është e pafat për Çanin, i cili kërcen me kokë duke i fituar kohën portierit kundërshtar që del keq, por topi nuk i bindet dhe përfundon ngjitur me shtyllën pingule. Ka disa minuta lojë në fund për Vajushin, Balën e Vangjelin. Dy shkodranët kombinojnë bukur mes tyre në të 83′, ku Vajushi kroson nga e majta dhe Bala me kokë detyron portierin kamerunas të grushtojë me vështirësi, duke e dërguar topin e korne. Sërish është Vajushi që ka një rast të artë, ku pasi merr një pasim të saktë nga Bakaj, i vetëm brenda zone e dërgon sferën mbi tra.

DE BIAZI: “PO RRITEMI!”

Trajneri i Shqipërisë, Xhani De Biazi, tha se skuadra zhvilloi një ndeshje të kënaqshme. “Kjo tregon se po rritemi vazhdimisht. Sipas meje sot (dje) duhet të fitonim. Në fillim të takimit vuajtëm, pasi ata janë një skuadër që janë të fortë fizikisht. Patëm pak frikë nga kundërshtari dhe e luajtëm pak topin. Më tepër luajtëm me topa të gjatë, por kjo nuk solli rrezikshmëri. Në pjesën e dytë në u munduam të ndryshojmë diçka, ia arritëm dhe për nga mënyra se si luajtëm duhet të shënonim të paktën një gol. Të gjithë u paraqitën shumë mirë. Mund të them se jam shumë i kënaqur me lojtarët që kam grumbulluar për herë të parë. Kjo është e rëndësishme, pasi ky test më shërbente pikërisht për të sjellë elementë të rinj në skuadër. Në të gjitha ndeshjet që kemi zhvilluar kemi shënuar nëntë gola dhe kemi pësuar tetë”.

KAMERUNI SHTYN 5 MINUTA FILLIMIN E LOJËS

Takimi mes Shqipërisë dhe Kamerunit shte programuar të zhvillohej në orën 20.45, por ka filluar pesë minuta me vonesë. Shkak është bërë skuadra afrikane, e cila e ka zgjatur pak më shumë seç duhej nxehjen. Kuqezinjtë dolën në kohë dhe ishin rreshtuar në mesin e fushës në pritje në këndohej himni kombëtar i të dy shteteve, por kamerunasit janë vonuar për të dalë nga dhomat e zhveshjes e si rrjedhojë edhe fillimi i takimit ka nisur pesë minuta me vonesë.