Majlinda KETA*/ Shtetformimi dhe kërcënuesit e tij në këtë 100-vjetor të Pavarësisë

559
Sigal

Tashmë është një tezë e njohur dhe e shumë diskutuar ajo e aftësive shtet formuese e jona si komb por dhe e gjithsecilit prej nesh  në historinë 100 -vjeçare të shtetit shqiptar. Gjithsesi, pas 100 viteve ne kemi një tip shteti ende të paqartësuar në cilësitë e shprehura shtet formuese e  që për mua mund të quhet ende tranzitiv drejt shtetit demokratik. Pohoj këtë cilësi shteti pasi nga analiza të brendshme por dhe atyre nga jashtë përsa kohë kemi problem me efikasitetin e sistemit gjyqësor ku merr formën finale vlera e drejtësisë dhe përfitimi i publikut prej saj, me korrupsionin dhe krimin e organizuar në cilësitë qeverisëse apo që jemi ende në nevojë të reformave në administratën publike  ne realisht mund të quhemi ende shtet tranzitiv drejt demokracisë. Ky lloj përcaktimi i shtetit nga unë vjen edhe si reflektim personal ndaj  pohimit  Weberian kur shprehej se, ishte i vetëdijshëm se të tre dimensionet e shtetit atij si një institucion, një imazh dhe një praktikë sociale jo domosdoshmërisht përputhen. Momenti që ne po përjetojmë si raport shtetas – shtet – shtet formim është domethënës në referencë të 3 dimensioneve.  Falë filozofisë së zgjedhur për zhvillimin e vendit pas viteve 90-të, atë të përfshirjes në proceset e integrimit europian të vendit në familjen e madhe të BE-së. Shqiptarët mbajnë dhe përdorin një imazh shtet formues të vlerësueshëm i cili është shumë më cilësor se 2 dimensionet e tjera, atë të shtetit si një institucion apo si praktikë e përditshme e jetës së gjithsecilit. Në favor të pohimit të shtetit si imazh, fatmirësisht ne  jemi një popullatë që edhe në kushtet e krizës europiane mbetemi në 86% tonën (rënie e lehtë nga mbështetja në vite rreth mbi 90%) mbështetës të rrugës për integrimin europian të vendit, si një rrugë pa kthim dhe e domosdoshme për t’u kry nga ne shqiptarët përmes cilësive shtet formuese, përshtatur me standardet e BE-së. Ky është fakt që lexohet e interpretohet lehtësisht nga vetë ne por që tashmë u ripohua nga Komisioneri për Zgjerimin  Stefan Fyle ndërsa shprehej për mundësitë për përfitim që ka Shqipëria në se ne arrijmë të marrim statusin e radhës “Për disa vite, qytetarët shqiptarë kanë treguar mbështetje të fortë për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ata e dinë se jeta e tyre do të përmirësohet teksa vendi të ecë përpara drejt integrimit në BE”.  Fatkeqësisht, brenda këtij ideali imazh shtet për shqiptarët në këtë 100 vjetor të shtetit shqiptar bashkëjetohet edhe me “kërcënuesin”  ende ekzistent në veprim edhe në këto ditë shumë kritike, politikën konfliktuale,  atë që ambasadori amerikan Arvizu, nga Elbasani në 18 shtator 2012,  ndërsa mbështeste lëvizjen “Vepro tani”  në analizë të situatës shprehej : “Me lejoni që të them se nuk ka arsye që Shqipëria të jetë në fund të vendeve që aspirojnë anëtarësimin në BE. Kjo nuk është një kritikë ndaj Malit të Zi, Maqedonisë apo Serbisë, por nuk ka asnjë arsye pse Shqipëria të jetë në fund të tyre. Pse ndodh kjo? Sigurisht, që jo për shkakun tuaj, por për shkak të disa rrethanave të caktuara dhe sistemit në Shqipëri. Dhe a kanë drejtuesit politikë një farë përgjegjësie për këtë ? Sigurisht që kanë. Politikanët si kudo kanë disa karakteristika të caktuara. Ata përqendrohen shumë në procesin zgjedhor në mënyrë që të zgjidhen, por nuk shpenzojnë kohë mjaftueshëm në qeverisjen dhe administrimin e vendit” . Kjo lloj analize por dhe edukimi ende shtet formues për klasën politike shqiptare nuk dallon nga ato që Noli i madh ndërsa shprehej në foltore “Me kanun, me ideal, me punë” kur  drejtohej klasës politike shqiptare dhe qeverisjes të viteve 30-të: “… kam frikë se do ta tronditni shtetin gjer në themel se shoh që ju ka zënë nervoziteti i zgjedhjeve të afërme… Ku do ta shpini Shqipërinë e mjerë me këto metoda? Natyrisht në njërën nga të dyja: A në skllavërim më të zi, me një parodi zgjedhjesh e me një parlament besnik e të disiplinuar, pa gjurmë heterodokse dhe heretike, apo Perëndia mos e dhëntë, në ngatërrimin me të dhe shkatërrimin final”. Në kushtet e një politike konfliktuale shtetit shqiptar si imazh, me ideal BE-në, i kërcënohet lehtësisht cilësia shtet formuese  pasi është një tradhti e klasës politike shqiptare ndaj moralit filozofisë së zgjedhur nga shqiptarët e viteve ’90-të dhe që në përkeqësim të mosmarrjes ende të përgjegjësive për realizimin e  standardeve të vëna nga BE na duhet ta sjellim në vëmendje publike si një situatë kërcënuese , të njëjtë me Shqipërinë e 1924-ës kur Konica i madh tek “Komedia e partive dhe rreziku që qëllon në derë” shprehej: “…Po në qoftë se e papritura ngjet, në qoftë se Shqipërija- fjalë fatale – vdes- ahere munt pa çpifje të shkruajmë këto fjalë në gur të varrit të saj:

U ngjall nga idealistët,

U ruajt nga rastet, U VRA nga politikanët

Po. S’ka dyshim se politikanët – turma e errët e njerëzve që e përdorin politikën jo si një udhë po si jë qëllim – kanë zënë t’i vënë kazmën Shqipërisë”.

Politika edhe e këtyre ditëve të prag 100 -vjetorit të shtetit po tregon aftësi diletante shtet formuese përmes papërgjeshmërisë së tyre për të votuar 3 ligjet kusht për marrjen e statusit të radhës për në BE, status kontributor në cilësitë shtet formuese të Shqipërisë me 100 vite shtet të pavarur. Grupeve të veçanta të politikanësh brenda 2 partive të mëdha që gjenerojnë konfliktin peng të shtet formimit por dhe atyre mbështetësve mediatikë  që i hedhin benzinë ngërçit të vendit nga ky konflikt  kërcënues i shtet formimit do t’ju sillja në vëmendje një këshillë të Nolit të madh “… ta zbutni forcën me moderatë, me ment, me kanun (LIGJ), me ideal e punë”. Ky bashkëpunim  me bazë vlerat integruese do t’i largonte ato cilësime të partive të viteve 30-të që Konica i përshkruante si “…një grup njerëzish që nuk i lidh asnjë e shkuar e përbashkët, as dashuria për një ideal të përbashkët, por vetëm ca inate e ca interesa të çastit”.

Cilësitë e shtet formimit  në këtë 100- vjetor  të Pavarësisë së shtetit shqiptar duhet të ishin fuqizuar nga cilësitë e politikës dhe përgjegjësive të saj ndaj shtet formimit pas 100 viteve. Ne ende mbetemi në po ato sëmundje të politikës shqiptare të viteve 30-të ndonëse jemi larg prej tyre por kurrsesi ne nuk duhet të lejojmë apo t’i japim oksigjen politikës konfliktuale që është “kërcënuese” e shtetit shqiptar të pas 100 viteve si imazh dhe ideal i shqiptarëve drejt BE-së. Bashkohem me zj. Hilari Klintoni që nën nota besimi në fjalën e saj në Parlamentin Shqiptar në ditën e parë të këtij MUAJI  HISTORIK të shtet formimit deklaroi “Shqipëria dhe populli shqiptar meritojnë një vend në familjen europiane të kombeve.” E mbi këtë të drejtë të një populli ne nuk mund të lejojmë “kërcënues” të shtet formimit por na duhet publikisht t’i bërë të qartë e më zë të fortë klasës politike shqiptare edhe një herë mesazhin e Znj. Klinton “…Dhe si udhëheqës të demokracive në shekullin e 21-të, është detyrimi ynë solemn për t’i dhënë këto rezultate për njerëzit që na kanë dhënë besimin”. Kjo mendoj se duhet të ishte gjuha Konferencave dhe mediumeve pa fund në këtë 100- vjetor të shtet formimit  dhe refleksioneve mbi kërcënuesit e tij dje dhe sot, larg elozheve për politikën dhe politikave të këqija për të “kontribuar” në këtë përvjetor të shtet formimit.

*Lektore e Filozofisë së Integrimit Europian Universiteti i Tiranës