Ngërçi në skuadrën Flamurtari, Idrizi hedh dyshime për rroga në të zezë

174

Flamurtari është mbërthyer nga një ngërç, i cili ka paralizuar skuadrën si nga ana sportive ashtu edhe nga ajo financiare.

Ultimatumi i Federatës Shqiptare të Futbollit për mospagimin e 3 lojtarëve, Sakaj, Arbrit dhe Veliut ka skaduar një ditë më parë, me 4 nëntor dhe në bazë të vendimit të disiplinës, nga mbledhja e ardhshme skuadrës vlonjate duhet t’i zbriten 6 pikë.

Më 14 nëntor pritet skadenca e afatit të trajnerit Gjoka për të cilin ka një tjetër ultimatum. Për këtë administratori Sinan Idrizi sqaron qartë duke hedhur dritë sipas tij mbi skemat e pagesave në të zezë, në të shkuarën tek Flamurtari. 

“Ne nuk kemi asnjë borxh me ish-punonjësin tonë Gjoka. Ne të gjitha detyrimet e zotit Gjoka i kemi shlyer. Zoti Gjoka ka qenë një i punësuar me një pagë 1 milion lekë të vjetra, ka paguar detyrimet si qytetar i ndershëm për këtë rrogë 1 milionë, të tjerat…”, thotë administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi.

Ndërkohë, sipas Idrizit pagesat në të zezë janë çështje e sistemit të futbollit shqiptarë dhe për këtë ai ashpërson më tepër fjalorin, pasi thekson edhe një herë se FSHF nuk i njeh atij asnjë kontribut që ka derdhur në tatime për të tre lojtarët në fjalë. Sipas tij detyrimet janë, por shifrat e kërkuar nga FSHF janë abuzive.

“E kam thënë edhe më parë. Pranoj të jem pjesë e ndershmërisë dhe i ndëshkuar, sesa të bëhem pjesë e prostitucionit dhe i pandëshkuar. Federata Shqiptare e Futbollit, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe për shkak të rregullave të brendshme të saj të pashkruara, mua më bën ftesë që të jem pjesë e ekonomisë së saj ilegale”, shton Idrizi.