Ndeshje me autogola, por kryesfida “big” Partizani-Skënderbeu bën diferencën

593
Nga Agron KAJA
KATEGORIA SUPERIORE/ Të shtunën dhe të dielën, java e 12-të ndaloi Flamurtarin dhe riktheu Kukësin te tri pikët
Java e 12-të e Kategorisë Superiore u shtri në tri ditë, duke nisur të shtunën e për të përfunduar sot në “Selman Stërmasi”, në kryesfidën Partizani-Skënderbeu. Ishte Kukësi ai që çeli këtë javë me fitoren në Laç, duke i ulur kurbinasit me këmbë në tokë, pas disa rezultateve që edhe vetë nuk i kishin menduar. Me golin e vetëm të Shametit që në nisje të takimit, Kukësi tregoi se ende nuk e ka forcën e sezonit të kaluar, edhe pse e mbajti rezultatin në favor deri në mbyllje. Ndërsa në Laç, veç humbjes, u shfaqën edhe elementët e dhunës, ku tifozeria vendase i ngujoi homologët kuksianë për disa minuta në rrëzat e murit rrethues të stadiumit. Duke hedhur sende të forta drejt tyre, laçianët treguan se ende e shohin bardh e zi aktualitetin e tyre në elitën e futbollit shqiptar. Ndërsa ndeshja tjetër e së shtunës kishte edhe zhgënjim edhe sukses, njëherësh edhe drita të fikura, një problematikë kjo që në Vlorë nuk ndodh për herë të parë. Gjithsesi, të zhgënjyer mbetëm vlonjatët, të cilët pretenduan se arbitri Enea Jorgji u kishte mohuar një gol të rregullt në limitin e ndeshjes, ndërkohë që për Teutën, ky barazim u jep më shumë moral për daljen nga gjendja e dobët në fazën e parë. Të veçantat e kësaj jave vazhduan edhe dje me dy ndeshjet e mesditës, të cilat si për koincidencë fiksuan të njëjtin rezultat 2-1. Kamza mposhti Lushnjen, e ndihmuar edhe nga autogoli i Metos, e kështu futet në grupin e skuadrave që do të kërkojnë një vend në zonën e Evropës për sezonin e ardhshëm. Humbja e pësuar në Kamzë, i mba të palëvizur “Lagunarët” nga vendi i fundit në tabelën e renditjes, që sipas trajnerit të tyre Hysen Dedja, duhet të mposhtë frikën me çdo kundërshtar. Për Vllazninë, tri pikët e marra dje ndaj Luftëtarit, për të më shumë mbetet një fitore mbijetese, pse jo, edhe një pikë kthese pas uljes në bankinë të Anesti Gjokës, ku në tre ndeshje i ka provuar të tre rezultatet: humbje-barazim-fitore. Luftëtari nuk po del nga ngërçi, dhe këtë ata ia faturuan drejtorit teknik Vangjel Çavo, me anë të një statusi në Facebook, duke kërkuar largimin e tij. Për trajnerin Hasan Lika, duket se detyrat po vështirësohen, pasi me kalendarin e fazës së dytë gjirokastritët do të kërkojnë edhe fatin e munguar, kryesisht për ndeshjet në stadiumin e tyre. Në katër ndeshjet e luajtura, janë shënuar 7 gola, një mesatare e dobët kjo, kur kemi parasysh se 2 prej tyre janë shënuar me autogola. Por, kjo javë veçohet edhe për dhunën në Laç, njëherësh edhe për disa momente të dyshimta të gjykimeve me gola të pa dhënë e të anuluar.
Në Laç, veç humbjes, u shfaqën edhe elementët e dhunës, ku tifozeria vendase i ngujoi homologët kuksianë për disa minuta në rrëzat e murit rrethues të stadiumit. Duke hedhur sende të forta drejt tyre, laçianët treguan se ende e shohin bardh e zi aktualitetin e tyre në elitën e futbollit shqiptar
SOT PARTIZANI-SKËNDERBEU
Të kuqtë superiorë në shifra, por pa Starovën ndaj korçarëve
Ndeshja e sotme Partizani-Skënderbeu, e cila do të luhet në “Selman Stërmasi”, për skuadrën e Partizanit ka disa të veçanta. E para dhe më aktualja, është dënimi i trajnerit Sulejman Starova, që nuk do ta drejtojë skuadrën nga stoli në këtë sfidë të vështirë, dhe më pak e rëndësishmja në raport me aktualitetin është historia. Në bilancin mes tyre, Partizani është superior ndaj Skënderbeut, por skuadra korçare aktualisht është më e mira e Kategorisë Superiore e, mbi të gjitha, kryeson renditjen me 27 pikë, ndërsa Partizani renditet në vendin e 7-të me 14 pikë. 
NDESHJET-Java e 12-të
Të shtunën, 25.11.2017 
Laçi-Kukësi 0-1
Shënues: Shameti 4’
Flamurtari-Teuta 0-0
Dje, 26.11.2017 
Kamza-Lushnja 2-1
Shënues: Plaku 16’, 
Meto (aut) 41’/ Canka 7’
Vllaznia-Luftëtari 2-1
Shënues: Ramadani 8’(aut), 
Lika 82’ / Bregu 42’
Sot, 27 nëntor 2017 
Partizani-Skënderbeu 17:00
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Skënderbeu 11 27
2.Kukësi 12 22
3.Flamurtari 12 21
4.Kamza 12 20 
5.Laçi 12 15
6.Teuta 12 15
7.Partizani 11 14
8.Vllaznia 12 12 
9.Luftëtari 12 9
10.Lushnja 12 5
GOLASHUESIT
7 gola: Bakaj (3p) (Kukësi)
6 gola: Bushiç (Flamurtari)
5 gola: Lilaj (5p) (Skënderbeu), Plaku (Kamza) 
4 gola: Soue, Taku (Skënderbeu), Rexhinaldo (1p) (Laçi), Dediç (Teuta), 
3 gola: Guri, Kale, Ailijev (Kukësi), Abazaj, Bregu (Luftëtari), Raçiç (1p) (Kamza), Muzaka (Skënderbeu)
2 gola: Çyrbja, Amadu, Lena (1p), Hila (1p) (Teuta), Trashi, Sukaj (1p) (Partizani), Atsina, Gocaj (Vllaznia), Xhixha (Laçi), Sefa, Meto (1aut) (Lushnja), Bicaj (1 aut) (Flamurtari)

1 gol: Gjoni, Nika, Uzuni, Lushkja, Kallaku, Eskuedra (Laçi), Shkodra, Muzaka, Dita, Jashanica, Xhejms, Gavazaj (Skënderbeu), Shehaj, Dosti, Latif (Teuta), Alvesh, Liçaj, Hoxhaj (Flamurtari), Et’hemi, Shameti (Kukësi), Hasani, G. Lika (Vllaznia), Gava, Marku, Canka (Lushnja), Rezi (Kamza), Bardhi, Basrak (Partizani)… 

Autogola: Gava (Lushnja), java e parë Lushnja-Vllaznia; Fangaj (Laçi), java e tretë Kukësi-Laçi; Frashëri (Kamza), java e katërt Kamza-Teuta; Soza (Laçi), java e pestë Skënderbeu-Laçi; A. Meto (Lushnja), java e 12-të Kamza-Lushnja; Ramadani (Luftëtari), java e 12-të Vllaznia-Luftëtari
Sigal