Myslym Alla, strategu i brezit “të Artë” të Tiranës. 100-vjetori i trajnerit që la gjurmë të pashlyeshme në futbollin Shqiptar

51

Një qind vite më parë erdhi në jetë trajneri që la gjurmë të pashlyeshme në futbollin shqiptar

Myslym Alla, strategu i brezit “të artë” të bardhebluve

Nga Bedri Alimehmeti

Kanë kaluar vite që ai nuk është më midis nesh, por në kujtesën e tiranasve figura e Myslym Allës me atë hapin e qetë, të matur, gjithnjë stoik, paksa i menduar e si gjithmonë me cigare në buzë kur, pasi linte rrugën e “Fortuzit” kalonte Bulevardit “Zogu I”, për të zënë vend në Kafe “Tirana” ose më vonë te “Çaplini” (sot “UFO”), ku preferonte të pinte kafen, ka mbetur ende e gjallë. Dhe nuk ka sesi të ndodhë ndryshe. Myslym Alla ishte strategu që ndërtoi “17 Nëntorin” e paharruar të viteve 60-të, që në sfond njihej gjithmonë si Sportklub Tirana dhe u brohorit nga tifozeria vetëm me emrin “Tirona”. Ai qe profesori që ndërtoi skuadrën e paharruar të atij brezi “të artë” futbollistësh, që falë punës e përkushtimit të tij dhe pasionit të atyre djemve të talentuar, bëri epokë në topkëmbën shqiptare. Në të njëjtën kohë shembi hegjemoninë e skuadrave ushtarake “Partizani” e “Dinamo”, që prej vitesh kishin dominuar në kampionatet tona. Madje me këtë arritje Tirona e asaj kohe dhe Myslym Alla mbetën përjetësisht nostalgjikë në kujtesën e të gjithë atyre që patën fatin të shohin e shijojnë futbollin e tyre. Po cila qe jeta e tij?

Myslym Alla si futbollist

Si e të gjithë bashkëmoshatarëve të viteve 20-të të shekullit të kaluar, ajo nisi me rendjen pas topit prej lecke në “fushën e druve” të Tiranës së asaj kohe pranë Teqesë së Dervish Hatixhes, ku ndodhet edhe sot përqendrimi i familjes Alla. Aty në atë shtëpi karakteristike trianse u lind, më 15 prill 1919 Myslym Alla. Ndërkohë me bashkëmoshatarët shpesh herë shkonin edhe në fushën e Shallvares për të parë ndeshjet e Tironës. Dhe që në atë kohë ëndërronte dhe ziente nga dëshira për të luajtur me fanellën bardheblu të skuadrës së qytetit të tij. Dëshirë që nuk do të vononte për të iu plotësuar

Dy herë kampion me Tiranën

Ende i njomë në moshë, vetëm 17-vjeç, ashtu hollak e i gjatë, pasi qe kthyer nga Italia, ku nga 1933-1936 pa iu ndarë futbollit kishte kryer shkollën “Inferiore bujqësore” për pemëtari, bëhet pjesë e formacionit bardheblu në kampionatin VI në një ndeshje (6 prill 1936) në Pogradec ndaj Dragoit vendas. Në atë ndeshje pati zëvendësuar të madhin Selman Stërmasi. Myslym Alla u aktivizua në rolin e sulmuesit të djathtë, ku shënon edhe golin e parë për Tiranën, që fiton thellë 5-0. Pas kësaj ai do të jetë pjesë e pandarë e formacionit bardheblu, krah emrave të njohur: Karapici, Lushta, Kryeziu, Kusi, Mirdita, Jakova, Gurashi, Hajnali, Hobdari, Janku, Petrela, Çoku, Hima etj., me të cilët fiton titullin e parë kampion dhe shënon 6 gola, duke u bërë njëherësh kampioni më i ri si futbollist në historinë e kampionateve tona. Një vit më pas fiton titullin e dytë dhe largohet sërish për në Itali për të plotësuar studimet, që për shkak të Luftës nuk arrin t’i përfundojë.

Student i trajnerit Ljubisha Broçiç

Pas çlirimit është një ndër organizatorët e Lojërave Ballkanike të vitit 1946. Dhe po atë vit nis studimet e larta në Beograd për kulturë fizike, ku pati fatin të ishte student i trajnerit Ljubisha Broçiç, që e kishte bërë Kombëtaren shqiptare Kampione të gadishullit. Dhe është po ky trajner që pak vite më vonë, në sezonin 1957-1958 e bën Juventusin Kampion të Italisë. Të qenit student i një pedagogu të këtij niveli i dha mundësi Myslym Allës të akumulojë vlera e të rrisë aftësitë tekniko-taktike, aq të domosdoshme për një trajner futbolli duke i harmonizuar ato me autoritetin e pedagogut. Por, për shkak të prishjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me Jugosllavinë studimet e larta i përfundon ,më 1951 në Sofje të Bullgarisë, dhe kthehet në Shqipëri si i pari trajner i diplomuar.

Trajner i Tiranës dhe i kombëtares

Nga ai vit e deri më 1953 drejton Tiranën e ndërkohë në krye të bankinës së ekipit Kombëtar, arrin tri fitore, që deri tani kanë mbetur unikale në historinë e futbollit shqiptar. Kështu nën drejtimin e profesor Allës, Shqipëria triumfon dy herë radhazi ndaj Çekosllovakisë 2-1 e 3-2, më 29 nëntor dhe 7 dhjetor 1952 dhe ndaj Polonisë 0-2, më 29 nëntor 1953.

Në krye të bankinës së Partizanit

Viti 1954 e gjen në krye të bankinës së Partizanit, që pas vitit 1949 nuk kishte arritur të fitonte asnjë titull tjetër kampion, por falë drejtimit profesional të Myslym Allës, Partizani gjen titullin duke i ndërprerë vargëzimin e sukseseve Dinamos. Dhe duhet thënë se skuadra e kuqe, atë sezon nuk njohu asnjë humbje. Nga 44 pikë të mundshme grumbulloi 43. Kampionatin e ardhshëm sërish nën drejtimin e trajnerit Alla paraqitja e Partizanit ishte dinjitoze, por ndërhyrjet e shumta të gjeneralëve të Ministrisë së Mbrojtjes në ndërtimin e formacionit bën që ai ta braktisë skuadrën dhe në vitin 1956 të marrë “timonin” e bardhebluve.

Sërish në “timonin” e skuadrës bardheblu

Ishte koha kur në kampionatet tona ligjin e bënin dy skuadrat e veshura me pushtet Partizani e Dinamo. Kushtëzuar nga rrethanat ai qe i prerë në vendimin e tij për të kryer reformë të thellë në ekip. Çka donte të thoshte që domosdoshmërish duhej bërë ndërrimi i brezave në radhët e futbollistëve. Për këtë ai gjeti përkrahjen e mirëkuptimin e drejtuesve të klubit. Nga ekipi i të rinjve që drejtohej nga Xh. Demneri në vitin 1958 ai tërhoqi në skuadrën e parë: S. Halilin, P. Panon, P. Bukovikun, F. Frashërin, O. Memën, G. Saraçin, A. Memën, L. Bytyçin, A. Verrinë, B. Ishkën, N . Xhaçkën, T. Gjokën etj., të cilët jo vetëm do bënin emër në futbollin shqiptar, por me nivelin e lartë dhe klasin sipëror do të linin gjurmë të papërsëritshme në historinë e tij. Një vit më pas me këta djem profesor Alla fiton trofeun e parë, kupën XV Vjetorit të Çlirimit.

Merita e veçantë e Myslym Allës konsiston në faktin që arriti t’ia përshtatë e harmonizojë ansamblit të djemve bardheblu tiparet e futbollit total me grintën e pandalshme sulmuese. Dhe ndonëse ia sabotuan jo një herë formacionin e asaj skuadre fantastike, që po bëhej gati të shpërthente me të gjitha ngjyrat e arsenalit të saj sportiv, profesor Alla arriti t’ia dalë mbanë misionit që i kishte ngarkuar vetes; ta ngrinte Tiranën aty ku kishte qenë në podin e Kampiones së Shqipërisë, teksa dy vite më parë më 1963 pati fituar kupën e Shqipërisë në finalet e paharruara me “Besën”. Dhe më pas titujt kampionë vargëzohen: 1964-1965, 1965-1966, 1968 dhe 1969-1970. Por, nuk mbaron këtu. Më Myslym Allën në bankinë në kompeticionin e Kupës së Kampioneve, bardheblutë prekin tri barazime me ekipe me emër në futbollin evropian. Me Kilmanokun e Skocisë 0-0 (23.09. 65), me Standard të Liezhit (Belgjikë) 1-1 (01.10.69) dhe me Ajaksin e Amsterdamit, 2-2 (16.09.70). Të mos harrojmë që Ajaksi i asaj kohe, që drejtohej nga Rinius Mishels ishte në pragun e shpërthimit të triumfit të pandalshëm. Pas atij barazimi spektakolar të bardhebluve, të cilët ishin në dizavantazh 0-2, në korridoret e “Qemal Stafës” teksa largohej me ngut Mishels do të shprehej: “Këtu në Tiranë pashë një ekip të madh”. Ndaj nuk duhet harruar kurrë që kënaqësinë e asaj ndeshje dinjitoze ku bardheblutë luajtën të barabartë me emra të tillë sugjestionues që më pas do të tronditnin stadiumet e botës si Hulshov, Vasoviç, Surbier, Kruiff, Krol, Neskens, Stuit, Rep etj, na e dha profesor Myslym Alla trajneri i madh brezit të artë të bardhebluve, të cilin e përkujtojmë sot në 100-vjetorit e ditëlindjes.