Me 16 prill luhet ndeshja e “tavolinës” për Shqipërinë

177

29 mars është data kur Shqipëria do të luajë ndeshjen e radhës për kualifikuese të Euro 2016, në Francë. E ky takim është padyshim një ndër më të rëndësishmit sa i përket synimeve që Kombëtarja jonë i ka vënë vetes, synim ky që futet tek dëshira e çdo tifozi. Por, CAS (Gjykata e Arbitrazhit Sportiv) ka vendosur që Shqipëria të luajë edhe një ndeshje tjetër në më pak se një muaj, atë të çështjes së ngritur në këtë gjykatë sa i përket zhvillimeve shumë të bujshme dhe po aq të turpshme që ndodhen në Beograd më 14 tetor, në ndeshjen e Shqipërisë ndaj Serbisë për kualifikuese të grupit I. Më në fund, gjykata ka arritur që të vendosë një datë të saktë se kur do ta mbajë mbledhjen finale, për të dhënë edhe vendimin ndoshta më të rëndësishëm që mund të ketë marrë ndonjëherë, sa i përket drejtësisë sportive. E mira e kësaj gjykate është se ka pavarësi nga çdo institucion tjetër i UEFA-s apo i FIFA-s, duke mos e bazuar vendimin në Komisionet e Disiplinës apo të Apelit pranë UEFA-s. Në qarqe të ndryshme është shprehur ideja se vendimi do të jetë i barabartë, ku do të cilësohet si më e drejtë përsëritja e takimit, por duke qenë se vendimi do pak më pak se dy muaj që të vijë, deklarata të tilla mbeten në hije. Në fakt, nëse Shqipëria arrin që të fitojë me Armeninë dhe gjithashtu arrin (gjithmonë nëse) të marrë edhe tre pikët në tavolinë, shkojmë me të drejta të plota në kreun e tabelës, duke lënë çdo kundërshtar pas. Aktualisht është e vetmja skuadër në grup që nuk e ka provuar humbjen, duke e përjashtuar 41 minutëshin me Serbinë. Deri në dhënien e këtij vendimi, Shqipërisë i duhet që të bëjë disa hapa vetë, e e vetmja zgjidhje është fitorja me Armeninë, vendin e fundit në renditjen e grupit.