Komisioni i Disiplinës “lë rehat” Superligën, ndëshkime vetëm për ligat e tjera

466
Sigal

Dje, Komisioni i Disiplinës pranë FSHF doli me vendimet në lidhje me shkeljet e bëra nga çdo kategori e futbollit shqiptar, por këtë radhë asnjë vendim nuk është marrë në dëm të skuadrave të Superligës.

Tërbuni pa Lorenc Markun në ndeshjen ndaj Adës

Një ndeshje pezullim për futbollistin e pukjanëve, Lorenc Marku, vendim që u mor pasi futbollisti shfaqi sjellje jo sportive, duke u dënuar nga Disiplina. Takimi në të cilin nuk do të përfshihet Marku është ai ndaj Adës, që për hir të së vërtetës nuk është se përbën ndonjë rrezik të madhe për kryesuesit.

Burreli nga keq, në shumë keq

Sikur të mos mjaftonin rezultatet e dobëta në, dënimet e trajnerëve me heqjet e rrogave, vjen tani edhe dënimi i futbollistit Edison Puka me 4 ndeshje pezullim nga aktiviteti, pasi ofendoi zyrtarin e ndeshjes. Kjo vjen si një shuplakë tjetër për burrelasit që nuk po arrijnë të kalojnë ngërçin e rezultateve.

Veleçiku vazhdon dhe humbet ndeshje në tavolinë

Duket se është bërë një ritual për Veleçikun që të humbasë ndeshjet në tavolinë, e arsyeja është e njëjtë, mosparaqitje. Por, këtë herë është vendosur edhe që Veleçikut t’i zbriten edhe 3 pikë nga renditja. Kjo situatë sigurisht që nuk është aspak e mirë për skuadrën nga Kopliku, që fushën e lojës e ka zëvendësuar me vendimet e Komisionit të Disiplinës.

 Sopoti dënohet me gjobë, ofenduan zyrtarin e ndeshjes

Një periudhë aspak e mirë e Sopotit, që përveç të gjithave i shtohet edhe vendimi i KD që e dënon me 10 mijë lekë gjobë, për ofendim të zyrtarit të ndeshjes.

 Luis Figo: Plani im? Një Kupë Bote me 48 ekipe

Si kandidat për vendin shumë të lakmuar të presidentit të FIFA-s, Luis Figo ka parashtruar platformën e tij me pikat përkatëse. Në fakt, ajo që bëri më shumë përshtypje dhe bujë gjatë shtrimit të këtij programi, ishte edhe ideja që Kupa e Botës të kishte më shumë shtete, aq sa numri të mbërrinte në 48. sipas Figos, shtetet që do të përfshiheshin nuk do të ishin europiane, duke qenë se Europa ka përfaqësues të mjaftueshëm, por të jenë nga kontinente të tjera.“Mendoj se duhet të marrim në konsideratë shtimin e numrit të vendeve pjesëmarrëse në Kupën e Botës, nga 32 që është aktualisht ta çojmë në 40 ose 48 skuadra përfaqësuese. Të dyja këto opsione janë të mundura dhe do ta shtynin turneun me vetëm tre ose maksimumi katër ditë më shumë. Nëse diçka e tillë do të ndodhë atëherë jam i mendimit se ekipet pjesëmarrëse duhet të jenë nga shtete jashtë Europës”. Deklaratë pikante kjo e portugezit, që mbetet për tu parë nëse do të merret në diskutim apo jo, por më parë Figos i duhet që të dalë i fituar ndajpresidentit aktualBlatter, Michael van Praag dhe Prince Ali Bin Al-Hussein në zgjedhjet që do të mbahen me 29 maj.

 F1, jo më ndryshime kaskash për pilotët

Një lajm i keq për Sebastian Vettel dhe Ljuis Hamilton vjen nga komisioni i Formula 1, pasi është vendosur që mos të lejohen më ndryshimet e kaskave, ndryshime që bëhen qoftë për dedikime, për ndryshime të rastit apo edhe thjesht për teka të pilotëve pasi duan të ndihen ndryshe. Si shembull konkret është Vettel, që gjithmonë pasi fitonte një garë, kaskën e përdorur gjatë garës nuk e vinte më. Ky vendim i FIA-s vjen në të  mirë të publikut, që këta ta kenë më të thjeshtë që t’i dallojnë pilotët e të njëjtës skuadër nga njëri-tjetri. Në fakt, ky vendim nuk është pritur edhe shumë mirë nga tifozët, pasi ku i dihet, ndoshta FIA do të ketë pretendime edhe për modelin e flokëve.

 Parma drejt shpalljes së falimentit, çdo gjë shkon keq për italianët

 Një situatë aspak e mirë për ekipin e Parmës në Itali, ku për shkak të borxheve të shumta që ka si skuadër, pritet të shpallë falimentin. Pak kohë më parë, në krye të këtij ekipi, si president erdhi Rezart Taçi, por që kjo histori nuk ishte shkruar për të zgjatur dhe kjo falë borxheve të mëdha që kishin mbuluar klubin. Aktualisht, nga mediat italiane bëhet me dije se arka e tyre nuk i kalon 40 mijë euro, çka është diçka skandaloze për një ekip futbolli që pretendon të vazhdojë garën në Serie A, në një nga kampionatet më të forta të Europës. Aktualisht nuk dihet e ardhmja e klubit, vendimet që do të merren, e nisur nga kjo nuk dihet e ardhmja as e futbollistëve, diçka që sigurisht lë të pakënaqur edhe futbollistin e Kombëtares Shqiptare, Andi Lila, që u bashkua me Parmën në dhjetor të 2014-ës.

 Shorti i Kupës së Shqipërisë hidhet në mars, ndeshjet luhen në prill

Ndeshjet e Kupës së Shqipërisë, që u luajtën të mërkurën, dhanë edhe rezultatet mbi katër skuadrat që do të luajnë në dy gjysmëfinalet e 2015-ës. Ekipet e Kukësit, Skënderbeut, Laçit dhe Tiranës do ta marrin vesh se si do të shortohen vetëm në muajin mars, duke qenë se shorti nuk do të hidhet tani, në shkurt. Është vendosur që takimet do të luhen në muajin prill, por deri atëherë ekipet kanë shumë rrugë për të bërë që të “shtrojnë” rrugën e tyre në kampionat, e në këtë rast diskutimi shkon për tre nga këto katër ekipe, duke përjashtuar vetëm Laçin.