Kategoria e Parë/ Sopoti për “ringjallje” ndaj Pogradecit

452
Sigal

Një situatë aspak e mirë ka kapluar ekipin e Sopotit, ku pas një nisjeje shumë të mirë të kampionatit, tani duket se rezultatet pozitive janë “bllokuar”. Humbjet që kanë kapluar këtë ekip e kanë dërguar në vendin e 6-të, në kuotën e 19 pikëve, 6 pikë më pak se vendi i parë që mbahet nga Lushnja. Duke marrë për bazë fazën e parë, Sopoti ishte një skuadër që ndante kreun me ekipet që aktualisht ndodhen në krye, por deri më tani, në këtë fazë të dytë, nuk ka arritur që të tregojë me forcë pretendimet e fazës së parë. Sigurisht që kjo mund të jetë një periudhë “vështirësie” për Sopotin, por duke marrë parasysh se ekipet e tjera vazhdojnë përpara që të marrin rezultate pozitive, duke lënë pas në renditje edhe disa nga ekipet që u cilësuan në fillim si pretendente të forta. Ndeshja me Pogradecin është sa e vështirë aq edhe e nevojshme që të arrihet një rezultat pozitiv, në mënyrë që të tejkalohet humbja e shkuar me Bylisin, por edhe të kalojë në pikë Pogradecin, pasi ndajnë të njëjtin numër pikësh. Po në këtë grup, grupi B, ndeshja e javës luhet mes Lushnjës dhe Butrintit, ku lushnjarët presin në shtëpi sarandiotët për të zhvilluar ndoshta një nga takimet më të forta të këtij sezoni, nisur edhe nga fakti se Butrinti është një rival direkt për titull dhe me vetëm 3 pikët që kanë diferencë, fitorja e këtyre të fundit mund të ishte shumë e rrezikshme për pritësit e këtij takimi. Një 25-pikësh që nuk jep shumë garanci për Lushnjën, duke parë që nga afër e ndjekin si Dinamo ashtu edhe Butrinti e nisur nga ky fakt, Lushnja duhet që të arrijë fitoren në mënyrë që të mbajë kreun, nëse jo, janë disa ekipet që janë të gatshme për të t’i zënë vendin. Lufta për titull sa vjen dhe ashpërsohet në këto javë, ku sigurisht skuadrat që do të kenë skuadrat më të plotësuara por edhe “nerva të çelikta” do ia dalin që të shkojnë deri në fund si pretendente, pasi sa i përket titulli do edhe shumë rrugë për tu bërë. Ndërkohë, po në këtë grup Bylisi luan shansin e vet ndaj Tomorit, kur ndodhen vetëm dy pikë larg, situatë kjo që e bën çdo ndeshje në këtë grup pothuaj si një finale. Ndërkohë në grupin A është vendosur një pozitë shumë e favorshme për tre vendet e para, ku e kanë kundërshtarë vetëm veten e tyre, ku këtë javë Tërbunin e favorizon edhe kalendari në ndeshjen ndaj Adës. Ndërkohë që Mamurrasi do të ketë përballë Veleçikun e 1001 problemeve, ku akoma nuk i është dhënë zgjidhja situatës së fushës ku do luhen ndeshjet, e ndërkohë vjen edhe pas dënimeve të Komisionit të Disiplinës. Besëlidhja mbyll siparin e tre të parave me takimin që ka ndaj si motrës në emër, Besës së Kavajës, ku fitorja është një detyrim nëse do të vazhdojë që të jetë pjesë e ndjekjes për titull.

 

Ndeshjet e javës së 15-të

Grupi A

Ada-Tërbuni

Besëlidhja-Besa

Veleçiku-Mamurrasi

Burreli-Kastrioti

Iliria-Kamza

Grupi B

Shkumbini-Dinamo

Lushnja-Butrinti

Naftëtari-Luftëtari

Bylis-Tomori

Pogradeci-Sopoti

Superliga fillon me thumbat, Kukësi i përgjigjet Skënderbeut

 Kryendeshja e javës së 23-të të Superligës, ajo mes Skënderbeut dhe Kukësit ka filluar shumë ditë para datës zyrtare, e në këtë rast me deklarata nga të dy kampet, duke filluar nga presidenti Takaj e deri tek portieri Halilaj, që në fakt parapëlqen të mos kundërpërgjigjet me “thumba”. Takaj deklaroi për mediat pas fitores me Flamurtarin se radhën e ka Kukësi, që do duhet të hapë rrugën për kreun e renditjes. Ndërkohë, nga ana tjetër, portieri i Kukësit, Halilaj u shpreh se nuk i takon futbollistëve tu përgjigjen presidentëve.“Neve futbollistëve nuk na takon t’u përgjigjemi presidentëve, ne përgjigjen tonë do ta japin në fushë dhe në fushë do të fitojë Kukësi.”

Te Kukësi besojnë se eksperienca e akumuluar në dy sezonet paraardhëse në kategorinë superiore do t’i ndihmojë nënkampionët që të ngrenë lart trofeun e titullit.

“Vijnë nga një seri rezultatesh pozitive dhe besojmë se do t’i fitojmë të dy trofetë. Për dy sezone radhazi jemi shpallur nënkampionë të Shqipërisë dhe tani presim që ta ngremë lart trofeun e titullit”.Halilaj nuk e përjashton Partizanin nga gara për titullit, pavarësisht se të kuqtë kanë grumbulluar 6 pikë më pak në këto 22 javë.

“Nuk do ta përjashtoja kurrsesi Partizanin nga gara për titull. 6 pikë nuk janë shumë, mendoj se do të ketë garë të fortë deri në fund, por titulli do të jetë i Kukësit”. Ky takim është shumë i rëndësishëm për renditjen, ku Skënderbeu, në rast fitoreje ka një mundësi shumë të mirë që të bëjë përpara, pasi t’i ketë “hapur rrugë” Kukësi, por nisur nga forma e kuksianëve diçka e tillë do të jetë jashtë mase e vështirë dhe prandaj kjo ndeshje ia vlen për tu parë.