Kampionati dimëror, Agim Çiraku: Rezultatet dhe rekordet flasin vetë

Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit: “Duhet falënderuar gjyqtaria për mbarëvajtjen e aktivitetit, por dhe sportistët e trajnerët për qetësinë e krijuar në gara”

Gjergj Vyshka

Sigal

Me kampionatin dimëror të të rinjve dhe të rriturve, që këtë fundjavë është zhvilluar në pishinën e mbyllur të’ Stelës’, Federata Shqiptare e Notit i ka dhënë fund aktiviteteve dimërore. Qershori është muaji që ngre siparin e aktiviteteve verore për të cilat presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, flet më gjerë në intervistën e tij për gazetën “Telegraf”. Pasi ka uruar ekipe pjesëmarrëse në këtë kampionat, atje ku pati rezultate të mira, si dhe rekorde të thyera, Çiraku është ndalur në aktivitetet kombëtare një pjesë e të cilëve do të zhvillohen në Pishinat e Akuadromit. Bashkëpunimi me Bashkinë e Tiranës, që tashmë i ka dhënë një tjetër fytyrë atij kompleksi, është i frytshëm. “Teuta Cup”, apo Kupa Mbarëkombëtare, si dhe veprimtaritë ndërkombëtare ishin në fokusin e Çirakut. I pari i notit shqiptar ka falënderuar dhe gjyqtarët për mbarëvajtjen e aktivitetit, por dhe sportistët e trajnerët për pranimin me qetësi të rezultatit. Ja dhe intervista e plotë dhënë për gazetën “Telegraf” në përfundim të Kampionatit Kombëtar Dimëror për të rinj e të rritur.

– President ka përfunduar Kampionati Dimëror i të rinjve dhe të rriturve. Cili është komenti yt për mbarëvajtjen e aktivitetit?

– Gjithçka është brenda pritshmërive. Rezultatet e notarëve, por dhe rekordet e thyera në dy ditë kampionat, teksa janë 11 të tilla, flasin vetë dhe nuk kanë nevojë për koment. Më duhet të falënderoj gjyqtarët për mbarëvajtjen e garave, jo vetëm për këtë kampionat, por dhe aktivitete të tjera të mëparshme. Jo vetëm kaq, por një falënderim shkon dhe për sportistët e trajnerët, të cilët në qetësi të plotë pranuan verdiktet e rezultateve ndryshe nga çfarë ndodh në aktivitete të disiplinave të tjera sportive. Më duhet të them se gjithçka ishte brenda pritshmërive. Stela, Tirana, Partizani, Teuta, Vllaznia vazhdojnë të sjellin notarë dhe kjo është gjë e mirë për sportin e ujit, ndonëse me të rinjtë e të rriturit nuk e patëm numrin e pjesëmarrësve sa çfarë ishin dy javë më parë tek fëmijët. Por megjithatë, mirë…

– Kjo ishte gara e fundit për stinën e dimrit, apo do të ketë dhe të tjera?

– Kjo ishte e fundit. Mendoj se tani do të kemi shansin e përdorimit më të shpeshtë të Akuadromit, atje ku gjithçka është në rregull. Jemi në një bashkëpunim të frytshëm me Bashkinë e Tiranës, ndërsa janë marrë të gjitha masat për zhvillimin normal të aktiviteteve. Kemi Kampionatin Kombëtar të fëmijëve, të të rinjve dhe të rriturve, por dhe Kupën e Shqipërisë.

– Ndërkohë qershori sjell dhe “Teuta Cup”, apo Kupën Mbarëkombëtare.

– Aty do të ketë një numër të madh pjesëmarrësish nga Kosova. Por jo vetëm, edhe nga Maqedonia e Veriut, apo Mali i Zi. Do të kemi notarë shqiptarë nga Italia, por dhe nga Australia. E kështu që do të jetë një aktivitet i përmasave të mëdha që i bën nder notit shqiptar.

– Por si do të jetë pjesëmarrja në aktivitetet ndërkombëtare?

– Ne jemi pjesëmarrës të rregullt në Lojërat Olimpike Europiane dhe Botërore me dy apo katër notarë. Kështu që do të jemi në Krakovia të Polonisë. Pa harruar Kampionatet Europiane dhe Botërore, apo Comen Cup etj. Po kështu dhe në Lojërat Mesdhetare të Plazhit e deri tek Europiani i notit në dimër në Bukuresht. Një seri aktivitetesh në të cilat notarët tanë duhet të tregojnë veten dhe pse jo të marrin normat e kualifikimit për në “Paris 2024”.

11 Rekorde të reja nga Kampionati dimëror

Kampionati dimëror i notit i të rriturve, i zhvilluar tek Stela, ka qenë më produktiv në thyerjen e rekordeve kombëtare, krahasuar kjo me garat e fëmijëve, të cilët janë zhvilluar dy javë më parë. 11 rekorde janë thyer në këtë kampionat, të cilat kanë nisur me Greisi Koxhakun në 50 metra delfin, i cili ka fiksuar kohën e re 25”11. Rekordi i mëparshëm 25”21 dhe gjithçka përfshihet në kategorinë e të rinjve dhe të rriturve. Rekordi i dytë erdhi nga stafeta 4×50 metra stil i lirë, kjo për moshën 15-16 vjeç, atje ku Partizani ka fiksuar kohën e re 1’47”81. Rekordi i mëparshëm ishte 1’50”66. Përsëri stafetat kanë dhuruar rekord të ri, ndërsa për të reja në 4×100 metra miks Stela ka fiksuar kohën e re 5’00”38. Rezultati i mëparshëm ishte 5’02”50. Tek të rinjtë stafeta 4×100 metra stil i lirë ka dhënë një rekord të ri në kohën 3’47”90, i cili vjen nga Stela, teksa koha e mëparshme ishte 3’51”10. Në të njëjtën stafetë, po këtë herë për moshat 15-16 vjeç, Tirana ka dhënë kohën e re 4’03”78. Stela do të dhuronte përsëri dy rekorde të reja e kjo në stafetat 4×100 metra stil i lirë. Kjo si për të reja, ashtu dhe për të rritura, me kohët e reja 4’32”94 dhe 4’19”03. Për të vijuar më tej përsëri Stela e kjo në stafetën 4×50 metra stil i përzier si për të rinj, ashtu dhe për të reja e të rritura. Për të reja e të rritura ka fiksuar kohën e re 2’16”15 dhe për të rinj kohën 1’52”31. Partizani do të vendoste emrin në listën e rekordeve në këtë kampionat e kjo në stafetën 4×50 metra stil i përzier për moshën 15-16 vjeç në kohën 2’00”47. Rekordi i fundit i përkiste Stelës në 4×200 metra stil i lirë për të rritura me kohën 9’28”40.

Stela kampione, Eduard Cane: Mision i përmbushur…

Stela përsëri ka dominuar garat dimërore, ashtu sikurse ka bërë edhe dy javë më parë me fëmijët. Këtë herë të rinjtë, të rejat, të rriturit dhe të rriturat janë drejtuar nga Eduard Cane, i cili ka numëruar mbi 60 vende të para në të katër kategoritë. E jo vetëm kaq, por dhe rekordet kombëtar që notarët e Stelës kanë thyer. “Mos harroni që kishim dhe sportisten më të mirë – thotë Cane – që ishte Kaltra Meçe, e cila do të na përfaqësojet dhe në Lojërat Europiane Rinore. Nëse do të cilësoja kundërshtarin më dinjitoz mund të them Tirana, e cila me një notar si Greisi Koxhaku iu afrua vendit të parë. Kishte dhe skuadra të përgatitura mirë si Partizani, apo Teuta. Por fjalë të mira duhen thënë edhe për Vllazninë. Megjithatë mendoj se jemi brenda pritshmërive tona”. Ndërkohë fundi i majit do të shënojë dhe nisjen e përgatitjeve për garat e verës në pishina të hapura. “Ne besojmë në aftësitë e notarëve tanë, thotë Eduard Cane për të arritur normën e kualifikimit të pjesëmarrjes në Kampionatet Europiane dhe Botërore. Por sidomos për garat e të rinjve. Ne duhet të përgatitemi për të qenë kampion dhe puna jonë do të jetë me të rriturit, atje ku mendoj se rivaliteti do të jetë me Teutën. Kemi dhe turneun mbarëkombëtar, apo “Teuta Cup” në qershor, në të cilin shpresojmë që të bëjmë një paraqitje të mirë. Unë jam i kënaqur me të gjithë paraqitjen në kampionatin dimëror”. Ndërkohë kryetrajneri i Stelës, Sadik Mema, ka treguar se kanë qenë disa sportistë të tij, të cilët dolën dhe fitues, por merita më e madhe e titullit kampion të dimrit për të rriturit shkon për Eduard Canen. “Sepse ai i përgatit ato kategori moshash”, -thotë Mema.

Rezultatet teknike të kmpionatit kombëtar të të rejave, të rinjve, të rriturave dhe të riturve

Të reja

50 m stil i lirë                 Arla Dermishi (Stela)                         28”13

100 m stil i lirë                Arla Dermishi (Stela)                         1’03”13

200 m stil i lirë                Kaltra Meça (Stela)                            2’13”41

400 m stil i lirë                Kaltra Meça (Stela)                            4’37”06

50 m bretkosë                 Julia Xhako (Tirana)                          38”19

100 m bretkosë               Julia Xhako (Tirana)                          1’22”81

200 m bretkosë               Erika Lushaj (Stela)                           3’16”19

50 m shpinë                    Viki Tafrruku (Vllaznia)                    33”94

100 m shpinë                  Luna Djarmati (Stela)                        1’15”31

200 m shpinë                  Luna Djarmati (Stela)                        2’39”47

50 m delfin                     Arla Dermishi (Stela)                         29”81

100 m delfin                   Kaltra Meça (Stela)                            1’06”62

200 m delfin                   Ami Fetishaj (Stela)                           3’01”50

100 m katërnotim           Uendi Topi (Stela)                             1’23”53

200 m katërnotim           Luna Djarmati (Stela)                        2’50”18

400 m katërnotim           Uerda Jahaj (Vllaznia)                       5’57”47

Si ekip: Stela 235 PIKË

Sportistja më e mirë: KALTRA MEÇA (STELA) 1166 PIKË FINA

Të rinj

50 m stil i lirë                 Greisi Koxhaku (Tirana)                    23”71

100 m stil i lirë                Endi Kola (Tirana)                             54”72

400 m stil i lirë                Sofian Sarrag (Teuta)                         4’18”56

800 m stil i lirë                Sofian Sarrag (Teuta)                         9’02”72

1500 m stil i lirë              Rei Hazizaj (Stela)                             17’18”44

50 m bretkosë                 Toni Groshi (Teuta)                           29”38

100 m bretkosë               Toni Groshi (Teuta)                           1’06”02

200 m bretkosë               Toni Groshi (Teuta)                           2’27”63

50 m shpinë                    Greisi Koxhaku (Tirana)                    26”84

100 m shpinë                  Dion Daja (Stela)                               1’03”60

200 m shpinë                  Andi Bajollari (Stela)                         2’19”60

50 m delfin                     Greisi Koxhaku (Tirana)                    25”11

100 m delfin                   Niklas Hoxha (Stela)                          1’00”00

200 m delfin                   Niklas Hoxha (Stela)                          2’18”75

100 m katërnotim           Greisi Koxhaku (Tirana)                    1’00”16

200 m katërnotim           Endi Kola (Stela)                               2’12”97

400 m katërnotim           Niklas Hoxha (Stela)                          4’57”82

Si ekip: Stela 280 PIKË

SPORTISTI MË I MIRË: GREISI KOXHAKU (TIRANA) 1263 PIKË FINA     

Të rritura

50 m stil i lirë                 Arla Dermishi (Stela)                         28”13

100 m stil i lirë                Arla Dermishi (Stela)                         1’03”13

200 m stil i lirë                Kaltra Meça (Stela)                            2’13”41

400 m stil i lirë                Kaltra Meça (Stela)                            4’37”06

800 m stil i lirë                Sara Dande (Stela)                             9’47”63

1500 m stil i lirë              Sara Dande (Stela)                             19’24”47

50 m bretkosë                 Julia Xhako (Tirana)                          38”19

100 m bretkosë               Julia Xhako (Tirana)                          1’22”81

200 m bretkosë               Erika Lushaj (Stela)                           3’16”19

50 m shpinë                    Viki Tafrruku (Vllaznia)                    33”94

100 m shpinë                  Luna Djarmati (Stela)                        1’15”31

200 m shpinë                  Luna Djarmati (Stela)                        2’39”47

50 m delfin                     Arla Dermishi (Stela)                         29”81

100 m delfin                   Kaltra Meça (Stela)                            1’06”62

200 m delfin                   Kestrina Dande (Stela)                       2’49”25

100 m katërnotim           Uendi Topi (Stela)                             1’23”53

200 m katërnotim           Luna Djarmati (Stela)                        2’50”18

400 m katërnotim           Uerda Jahaj (Vllaznia)                       5’57”47

Si ekip: Stela 289 PIKË

SPORTISTJA MË E MIRË: KALTRA MEÇA (STELA) 1166 PIKË FINA

Të rritur

50 m stil i lirë                 Greisi Koxhaku (Tirana)                    23”71

100 m stil i lirë                Paolo Priska (Stela)                           53”60

400 m stil i lirë                Sofian Sarrag (Teuta)                         4’18”56

800 m stil i lirë                Sofian Sarrag (Teuta)                         9’02”72

1500 m stil i lirë              Rei Hazizaj (Stela)                             17’18”44

50 m bretkosë                 Toni Groshi (Teuta)                           29”38

100 m bretkosë               Toni Groshi (Teuta)                           1’06”02

200 m bretkosë               Toni Groshi (Teuta)                           2’27”63

50 m shpinë                    Greisi Koxhaku (Tirana)                    26”84

100 m shpinë                  Elio Veli (Stela)                                 1’01”00

200 m shpinë                  Elio Veli (Stela)                                 2’12”25

50 m delfin                     Greisi Koxhaku (Tirana)                    25”11

100 m delfin                   Paolo Priska (Stela)                           58”50

200 m delfin                   Niklas Hoxha (Stela)                          2’18”75

100 m katërnotim           Greisi Koxhaku (Tirana)                    1’00”16

200 m katërnotim           Endi Kola (Stela)                               2’12”97

400 m katërnotim           Niklas Hoxha (Stela)                          4’57”82

Si ekip: Stela 275 PIKË

SPORTISTI MË I MIRË: GREISI KOXHAKU (TIRANA) 1263 PIKË FINA