Kukësi mund ‘rivalët’ në Europë, Skënderbeu humbet në miqësore

467
Për Kukësin duket se po fryn një erë e re pas dështimit në kampionat, pasi ka rritur ritmin në përgatitjet për Kupat e Europës duke zhvilluar paraqitje shumë të mira në ndeshjet miqësore. Në miqësoren e radhës, Kukësi ka mundur Neftçi Bakun me rezultatin 2-0.
Trajneri Troisi zbriti në fushë me një formacion ofensiv dhe rezultati nuk mungoi, teksa dy golat erdhën nga Moreira dhe Pejiç duke konfirmuar besimin e teknikut. Neftçi Baku është kundërshtari i mundshëm i ekipit Kukësit në Kupat e Europës.
Kjo është miqësorja e tretë për Kukësin, që po përgatitet në Austri në prag ndeshjeve të Europa Ligës, që do të nisin më 2 korrik ndaj ekipit bjellorus Torpedo Zhodino.
Skënderbeu
E ndërsa Kukësi fitoi miqësoren e djeshme, kampionët e Shqipërisë që do të na përfaqësojnë në Champions League humbën 4–1 nga rumunët e Krajovës.
Arbër Abilaliaj ka realizuar brenda zonës kundërshtare golin e vetëm për Skënderbeun në humbjen e thellë, e cila nuk është një sinjal i mirë për drejtuesit e Skënderbeut në prag të ndeshjes së Champions edhe pse përballë do të kenë një kundërshtar të lehtë.
Kjo është humbja e dytë e Skënderbeut pas asaj me Spartak Trnavën.
Partizani-Laçi
Nesër do të zhvillohet ndeshja miqësore Partizani-Laçi në orën 17:00. Dy ekipet do të testojnë forcën në prag të ndeshjeve në Europë. Më 2 korrik Laçi do të presë Inter Baku, ndërsa Partizani do të udhëtojë drejt Norvegjisë, ku do të përballet me skuadrën Stromsgodset.
Sigal