Kreshnik Çipi: Kapiteni që solli rilindjen e bujshme të Flamurtarit të madh

2177
Nga Moisi DALIPI
PROFILL/ Në 60-vjetorin e lindjes së tij, ja si vjen në kujtesën e tifozerisë vlonjate dhe me gjerë, ish-qendërmbrojtësi legjendar
Nga volejbolli në futboll, Kreshnik Çipi bëri diferencën
Kur shfleton albumin fotografik për karrierën e mjeshtrit të njohur të futbollit vlonjat, Kreshnik Çipit, ndoshta si një film të kalojnë vitet e paharruara të lavdisë së Flamurtarit, kur skuadra ndeshej me klube te njohura të Evropës, dhe dilte nga fusha krenare e me dinjitet. Përpara një fotoje, sikur është përgatitur rishtas ku kapiteni legjendar mban veshur fanellën me numrin 3 në shpinë. “Unë krenohem me këtë fanellë”, thotë ai, dhe kthehet nostalgjik në ato vite të “zjarrta” të Flamurtarit. “Sa herë e shoh këtë fanellë, të cilën e kam mbajtur për 19 vite rresht, sytë më mbushen me lot. Kujtoj shokët e skuadrës nëpër vite, sakrificat dhe sukseset, tifozët e zjarrtë të qytetit tim të dashur, që edhe sot më respektojnë. Kujtoj trajnerët e mirë që më përgatitën si futbollist dhe dhanë emër te Flamurtari. Kjo fanellë është kujtimi im më i shtrenjtë, ajo dhe ngjyrën e ka simbol, atë të flamurit tonë kombëtar”, ky është prologu i një rrëfimi, ku brenda tij është karriera e fortë me skuadrën e Flamurtarit në vitet më të bukura. Dhe ky kapiten i madh që sot më 15 shkurt 2018 feston 60-vjetorin e lindjes tij, ka historinë sportive shumëvjeçare. Si të gjithë fëmijët e lagjes “Muradie” të Vlorës, edhe Kreshniku i ka lodhur këmbët në rrugët e sheshet me topin e rrumbullakët. Por, oborri i shkollës “28 Nëntori” që ishte fare pranë shtëpisë së tij, do ta mbante për shumë orë të ditës të harruar pas lojës të futbollit. Me trup të lidhur e më të lartë se moshatarët, trajneri njohur vlonjat Todi Driza, e afroi tek ekipi volejbollit. “Do bëhet si i vëllai, Vilsoni, volejbollist i mirë dhe ky”, kështu ka deklaruar atëherë mjeshtri Driza në ato vite. Por ish-trajneri futbollit te Flamurtari, Feredun Bejkosala e bindi këtë djalosh 14-vjeçar për t’ju përkushtuar futbollit. Vetëm pak muaj me të rinjtë e Flamurtarit, dhe Kreshniku do të fitonte besimin e trajnerëve tij të parë: Skënder Elmazi dhe Feredun Bejkosala. Në fillim si mesfushor i djathtë, më vonë si mbrojtës krahu (falë një stërvitjeje plot pasion e përkushtim), rritej e formohej një nga mbrojtësit që do të bënte epokë tek Flamurtari. 

Bejkush Birçe e afroi te Flamurtari kur ishte 17 vjeç
Në fillim të vitit 1975, kur Kreshniku ishte 17 vjeç, trajneri Bejkush Birçe e bën pjesë të skuadrës së parë. Ndeshja e parë do jetë në një miqësore ndaj Vllaznisë, si mbrojtës i djathtë, përkrah Cane Hametit, Kastriot Çelës, Mane Zeqirit dhe Beanin Nelaj. Por, trajneri Birçe e vendos shumë shpejt në qendër të mbrojtjes, aty ku Kreshnik Çipi fitoi lavdinë e duhur. Në dyluftimet me Muratin, Kallucin, Përnaskën, Kovaçin e Dibrën, Kreshniku do të dilte fitues. Në janar të vitit 1977, në një ndeshje në Vlorë me 17 Nëntorin Beanin Nelaj do t’i dorëzonte fanellën me numër 3, dhe pozicionin e mbrojtësit të lirë, “nxënësit” të tij Kreshnik Çipi. Dhe këtë post në skuadrën e Flamurtarit ai do mbante për 15 vjet rresht, deri ne vitin 1992, duke dhënë gjithë energjitë e tij për të bërë të mundur që Flamurtari të zërë vendin që takon në futbollin kombëtar dhe atë ndërkombëtar. I saktë, spastrues i zonës së rreptësisë në momentet më delikate, zotërues i situatave përpara portës, por edhe frymëzues e organizator i manovrës sulmuese që nga prapavija, Kreshnik Çipi do kthehej në një titullar i padiskutueshëm tek Flamurtari. Në skuadër afrohen Bubeqi, Ferko, Taho, Gjondeda, Zijai, Iljadhi, Lushaj, Kushta, Memushi etj, të cilët sjellin rilindjen e bujshme të futbollit vlonjat. Dhe Kreshniku me përvojë regjistron pjesëmarrjen e ndeshjeve të para ndërkombëtare për Kupën Ballkanike kundër AEK të Athinës dhe Mostar të Velezhit, përkrah Liçajt, Xhahos, Xhafës, Ziles dhe vëllezërve Çuri. Në vitin 1982, në drejtimin e ish-trajnerit Agron Sulo, skuadra e Flamurtarit do t’i gëzohej vendit të 2-të në kampionat, dhe finalist i Kupës së Shqipërisë, duke paralajmëruar ekipet elitare si Partizani, Dinamo, Vllaznia e 17 Nëntori, se Flamurtari do gatuhej si një skuadër me pretendime të mëdha. Në harkun e 10 viteve: 1982-1992, në drejtimit e trajnerëve Leonidha Çuri, Niqifor Thomai dhe Edmond Liçaj, ky Flamurtar do të fitonte dy Kupa Republike, 1985 dhe 1988, një titull kampion në sezonin 1990-1991, si dhe dy herë Superkupën, në 1991 dhe 1992. Në këto vite, Kreshniku me shiritin e kapitenit në krah, do të udhëhiqte skuadrën plot dinjitet, duke ngritur lart trofetë e fituara. 

Te Flamurtari, Çipi pjesë e historisë së artë në Kupat e Evropës
Në ndeshjet e zhvilluara me fanellën e Flamurtarit gjatë karrierës së tij, një vend të veçantë zënë takimet për kupat e Evropës, ku vlonjatët kanë shkruar një histori të artë. Me HJK Helsinki, Barcelonën, Partizan të Beogradit, Vismut Aue, Leh Poznanin, Olimpiakosin e Goteborg, Flamurtari tregoi vlera të pa përsëritshme. Opinioni shqiptar i ka të freskëta kujtimet e ndeshjeve të mëdha kundër Barcelonës në 1986 e 1987, kundër Partizan i Beogradit në 1987 dhe Goteborgut në 1991. “Kapiteni Çipi, së bashku me shokët e skuadrës, e detyruan shtypin e huaj sportiv të shkruante me superlativa për skuadrën e një vendi të vogël që po bënte një histori të madhe”, kështu shprehej gazetari spanjoll Françesko Agilar, në gazetën “Deportes-Barca” të datës 17 shtator 1986. Kurse komentatori jugosllav, Marko Markoviç, pas eliminimit të Partizanit të Beogradit nga turi i parë i Kupës UEFA, më 2 tetor 1987, komentonte kështu: “Goli i Kushtës, historik për skuadrën e tij. Kapiteni Kreshnik Çipi, lideri që udhëhoqi skuadrën e tij në një kualifikim të merituar”. Por, Kreshnik Çipi, kapiteni madh i skuadrën vlonjate, ishte jo me shumë fat në kombëtare. E kjo vetëm për motive të biografisë së keqe. Luajti në vitin 1980 ndaj Bullgarisë dhe Austrisë, më pas e bllokojnë për gjashtë vjet. Në vitin 1986 luan kundër Austrisë në Tiranë dhe e ndalojnë për pesë vite të tjerë. Në moshën 33 vjeçare, më 29 janar 1992, në ndeshjen Shqipëri-Greqi, trajneri Bekush Birçe i “fal” shiritin e kapitenit, por vetëm 7 ndeshje me ekipin kombëtar është arshiva e tij sportive. Dhe në shtator të vitit 1992, në moshën 34 vjeçare, ky kapiten legjendar që kishte ngritur lart trofetë dhe emrin e Flamurtarit, ndahet nga futbolli luajtur. Fanellën me numrin 3 ia dorëzoi nipit tij, Geri Çipi, që së bashku me vëllain e vet, Arnoldin, për shumë vite do të sjellin vazhdimësinë tek Flamurtari dhe ekipi kombëtar. Dhe Kreshnik Çipi ndihet i lumtur që tradita e familjes “Çipi” ka vazhduar për më shumë se tre dekada, me futbollin vlonjat dhe në atë kombëtar.
Në fillim të vitit 1975, kur Kreshniku ishte 17 vjeç, trajneri Bejkush Birçe e bën pjesë të skuadrës së parë. Ndeshja e parë do jetë në një miqësore ndaj Vllaznisë, si mbrojtës i djathtë, përkrah Cane Hametit, Kastriot Çelës, Mane Zeqirit dhe Beanin Nelaj. Por, trajneri Birçe e vendos shumë shpejt në qendër të mbrojtjes, aty ku Kreshnik Çipi fitoi lavdinë e duhur
Kreshnik Cipi
Datëlindja: 15 shkurt 1958/ Vendlindja: Vlorë
Sporti ku është aktivizuar: Futboll/ Pozicioni në fushë” Qendërmbrojtës
Arsimi: Studimet e larta në ILKF “Vojo Kushi”
Karriera: Në vitet 1974-1975 të Rinjtë e Flamurtarit, 1975-1992 te ekipi parë i Flamurtarit
Trofe të fituara: Titullin Kampion me Flamurtarin në sezonin 1990-1991; Kupën e Shqipërisë me Flamurtarin në vitet 1985 dhe 1988; Superkupën e Shqipërisë në vitet 1991 dhe 1992
Vlerësime: “Mjeshtër Sport”, “Mjeshtër i Merituar”, “Nder i Sportit Shqiptar”, Medalja “Legjenda e Futbollit Shqiptar”, “Medalje Artë për Merita në Sport”
Karriera pas futbollit: Biznesmen, Anëtar i KE të FSHF-së në periudhën 2002 -2010; Deputet i Parlametit Shqiptar në periudhën 2009-2013 
Sigal