Sigal

Dita e nesërme vë përballë në ligën e kampionëve dy skuadra që dhurojnë ndoshta futbollin më të bukur në Evropë, Napolin dhe Liverpulin. Kjo sfidë është edhe një përballje mes dy trajnerësh me shumë eksperiencë në kupat e Evropës.

Në deklaratat para ndeshjes trajneri i Napolit është munduar të krijojë një avantazh të vogël duke i thurur elozhe Liverpulit. Nga ana e tij tekniku Klop e ka quajtur këtë një taktikë e një “dhelpre” të zgjuar si Ançeloti.

“Më pëlqen shumë Karlo, e respektoj jashtë mase,” shprehet Klop për gazetarët. “Ai ka qenë një lojtar i klasit botëror dhe padyshim që është një trajner i klasit botëror. Por siç themi ne në Gjermani, ai është një dhelpër e zgjuar. Duke thënë vetëm gjëra pozitive për ne përpara ndeshjes, është diçka e bukur. Por është një taktikë, ai ka aq shumë eksperiencë dhe kërkon të nxjerrë anën time më të mirë. Por unë jam këtu gati për betejë. Nuk më intereson se çfarë thonë njerëzit për ne në këto situata. Mendoj se do të jetë një ndeshje fantastike ndaj Napolit në një stadium shumë të zhurmshëm”- u shpreh Klop.