Kupa e Shqipërisë, “rrëshqet” Skënderbeu, Flamurtari bën goleadë  

472
Sigal

U luajtën dje ndeshjet e para të turit të dytë eliminator në Kupën e Shqipërisë, ku u vu re në fakt një vështirësi e skuadrave të Superiores, sidomos skuadrat më në formë, që nuk arritën të mbyllnin çdo gjë që në ndeshjen e parë. Ndeshjet u zhvilluan të gjitha në të njëjtin orar, por rrjedha e ngjarjeve ishte e ndryshme në të tëra takimet. Nga të gjitha, pati vetëm një barazim mes Tërbunit dhe Skënderbeut, takimet e tjera ishin të gjitha fitore, nga të cilat vetëm një fitore e skuadrës pritëse, siç ishte Apolonia ndaj Teutës. Në ndeshjet e djeshme zhgënjen Skënderbeu, që pas goleadës në fazën e parë, e ka lënë veten vetëm me një barazim pa gola ndaj Tërbunit, në Pukë. Kjo ndeshje kaloi jo pa vështirësi për korçarët që e pretendonin më të lehtë në dukje kundërshtarin e tyre por pukjanët ia dolën në fakt që të mbroheshin shumë mirë dhe të mos lejonin Skënderbeun që t’u shënonte, çka ishte edhe synimi i tyre kryesor. Skënderbeu duket se ishte tërë sy e veshë vetëm në ndeshjen e të shtunës, ku do të përballet me Partizanin për kampionat. E ashtu si korçarët, të njëjtën lojë bënë edhe “demat” e Superligës që nuk shënuan më shumë se një gol ndaj Lushnjës, në një ndeshje shumë të luajtur nga të dyja palët. Edhe Partizani, ashtu si Skënderbeu, duket se u ruajt duke hedhur në fushë një formacion të dytë, për të lënë futbollistët të pushojnë në atë që shumë mirë mund të quhet ndeshja e sezonit për këtë klub. Skuadra që u rikthye tek fitorja, dhe bindshëm madje, ishte Vllaznia që fitoi 4-0 ndaj Kastriotit në Krujë, në një ndeshje shumë të mirë për ta dhe një fitore që vinte pas 5 humbjesh rresht në një situatë shumë kritike për ta si skuadër. Një rezultat tjetër pak i pa pritur ishte edhe fitorja e Apolonisë ndaj Teutës, nga ku edhe në këtë ndeshje fierakët nuk ngurruan që ta tregonin edhe një herë veten si skuadër fushe, duke marrë një fitore të vyer 2-1. Sigurisht që në ndeshjen e kthimit, Teuta do ti bëjë një tjetër interpretim ndeshjes, por deri atëherë e kualifikuara, me këtë rezultat, vazhdon të jetë Apolonia. Flamurtari është skuadra që ka shënuar më shumë gola, ku e mbylli takimin me rezultatin 6-1 ndaj Veleçikut. Kjo ndeshje nuk pati asnjë vështirësi për vlonjatët, që edhe pse duhej të luanin në transfertë, nuk e bënë një gjë të tillë pasi fusha e Veleçikut nuk i plotësonte kushtet duke bërë që ndeshja të luhej në Vlorë. Kjo fitore i jep më shumë besim skuadrës së Flamurtarit që ndodhet në një gjendje aspak të mirë në Superligë. Veleçiku nuk ishte asnjëherë një rrezik për kundërshtarët, duke e lënë ndeshjen të luhej vetëm në ritmin që impononin futbollistët vlonjatë. Tirana nga ana tjetër arriti të merrte një fitore minimale ndaj Bylisit në fushën e këtyre të fundit, por që përsëri mjafton që në një farë mënyre të sigurojnë kalimin në turin tjetër, pasi edhe ndeshjen e kthimit do ta luajnë në shtëpi. Ndeshje tjetër që ka parë fitoren e një skuadre të Superiores ka qenë edhe takimi mes Pogradecit dhe Kukësit, ndeshje që ka përfunduar me fitoren e kuksianëve 2-0. E çuditshmja ka qenë se Pogradeci vendosi të luante ashtu siç luajtën të mëdhatë, me formacionin e dytë, duke dashur të kursente futbollistët për ndeshjen e fundjavës në kategorinë e parë. Nisur nga kjo, edhe fitorja për kuksianët ishte edhe më e thjeshtë, duke siguruar në një farë mënyre edhe kalimin në fazën tjetër. Ndeshja e fundit e këtij turi ishte ajo mes Elbasanit dhe Laçit, takim që u mbyll me fitoren e laçjanëve, në një ndeshje ku nuk munguan golat dhe loja e bukur. Laçi vendosi që të jepte maksimumin në këtë ndeshje duke mos i kursyer lojtarët kryesor ndërkohë që ecuria negative e Elbasanit vazhdon të ndjekë të njëjtën udhë, ku humbjet janë bërë pjesë e pandarë në të gjitha kompeticionet. Me rezultatet e arritura, vetëm në pak ndeshje ka ngelur diçka për tu thënë, pasi në shumicën e tyre fjala është thënë që në ndeshjen e parë. Takimet e kthimit do të luhen të gjitha në datë 19/11/2014, ku edhe do të shihen skuadrat që do të bëjnë më tej në këtë kompeticion.

Rezultatet e djeshme

 Grupi A

Tërbuni 0-0 Skënderbeu

Elbasani 2-3 Laçi

Lushnja 0-1 Partizani

Veleçiku 1-6 Flamurtari

 Grupi B

Pogradeci 0-2 Kukësi

Apolonia 2- Teuta

Kastrioti 0-4 Vllaznia

Bylis 0-1 Tirana