Hysen Dedja: “Futbolli është jeta ime”

1192
Sigal

Flet për “Telegraf”, ish-kampioni i Vllaznisë, si lojtar e trajner: “Ndeshjen e parë e luajta më 16 tetor, ishte si një dhuratë për ditëlindje”

Kampioni i Ballkanit: Ju tregoj pasionin e Azem Hajdarit për futbollin. Si na morën në Doganën e Kakavijës gjërat që sollëm nga Malta

Hysen Dedja është një nga ish-lojtarët më të njohur të futbollit shkodran dhe atij shqiptar. Ish-mbrojtësi i shquar dhe kapiten i Vllaznisë ka fituar pesë trofe me kuqeblutë: dy kampionate (në sezonet 1982-1983 dhe 1991-1992) dhe tri Kupa të Shqipërisë (1978-1979, 1980-1981 dhe 1986–1987), ndërkohë që si trajner i saj ka dalë kampion në sezonin 1997-1998). Ai ka fituar dhe titullin Kampion Ballkani me Shpresat në vitin 1981, si dhe është Hyseni rrjedh nga një familje me tradita futbollistike, pasi dhe vëllai i tij, Menduh Dedja, ka luajtur për 13 vjet me Vllazninë, duke dalë dy herë kampion. Si trajner, Hysen Dedja, përveç Vllaznisë ka drejtuar edhe Bylisin, Lushnjën, Teutën, Luftëtarin, Egnatian dhe Erzenin. Si trajner, Hysen Dedja ka zhvilluar disa ndeshje ndërkombëtare në Kupën UEFA (1999-2000) me Bylisin, ku u eliminua nga sllovakët e Interit të Bratislavës dhe me Teutën në Kupën Intertoto (2002) me Valetën e Maltës si dhe Kupën UEFA (2007-2008) kundër kroatëve të Slaven Belupos. 53-vjeçari Dedja, në një rrëfim të gjatë për gazetën “Telegraf” tregon rrugëtimin e tij sportive, si futbollist e trajner, por dhe disa nga personazhet e njohur të jetës politike me të cilët ai ka pasur rastin të njihet apo të bashkëpunojë, një ndër ta ëshrë dhe ish-deputeti i Partisë Demokratike, Azem Hajdari, me këtë të fundit që në vitet 1996-1997 ka qenë President i Vllaznisë.

 – Zoti Dedja, ju jeni një nga futbollistët e trajnerët më të njohur jo vetëm në qytetin tuaj të lindjes, Shkodrën, por dhe në të gjithë Shqipërinë. Familja njihet për tradita futbollistike. Cilat kanë qenë lidhjet e para të tuat me këtë sport?

– Unë vij nga një familje futbollistësh, ku vëllai im madh, Menduhi, Një lojtar mjaft cilësor e që ka kontribuar për 13 vjet te Vllaznia, ku ka fituar kampionate dhe Kupa të Shqipërisë me fanellën e Vllaznisë. Unë kam qenë i vogël atëherë. Kam qenë shumë sportdashës ndaj ekipit tim të zemrës, edhe për shkak se me atë luante vëllai im. Ai u largua nga futbolli në vitin 1974, ndërkohë që fitoi kampionatin në sezonin 1971-1972 dhe 1973-1974.

Ka qenë një ndër grupet me të mira që ka pasur Vllaznia. Kanë punuar me trajnerin Xhevdet Shaqiri.

– Kur nisën kontaktet e para me topin?

Kur unë isha 12 vjeç, edhe nisa të kuptoja futbollin pak, Vllaznia mori edhe kampionatin edhe Kupën e Shqipërisë në vitin 1972, dhe qysh atëherë unë nuk jam larguar nga ekipi i fëmijëve me trajnerë si Tonin Kraja dhe Selami Dani në shkollën sportive. Më pas ka vazhduar me Xhelal Jukën me paratërinjtë, një trajner shumë i madh, që për mua, ai ka hedhur themelet e futbollit në Shkodër. Esat Rakiqi ka pasur merita me ekipin e të rinjve.

– Kur u përfshitë në ekipin e parë?

– Ia di për nder të ndjerit Xhevdet Shaqiri, që më afroi në ekipin e parë në vitin 1978, në kohën kur Vllaznia merrte pjesë në Kupën e Kampioneve kundër Austrisë së Vjenës. Gjeta një grup shumë i mirë lojtarësh, që nga Medin Zhega, Sabah Bizi, Astrit Hafizi, Luan Vukatana, Fatmir Paçrami, Millan Vaso, etj..

– A e mbani ndeshjen tuaj të parë?

– Po, e kam të fiksuar. Kjo dhe për faktin, se ajo përkoi me datëlindjen time, më 16 tetor 1978, kur u bëra 18 vjeç. Ishte një ndeshje kundër Flamurtarit në Vlorë. Kam luajtur kundër futbollistit të madh të Vlorës, të ndjerit Pano Xhaho, i cili atë ditë më shënoi dy gola. Pata një stimulim të madh nga trajneri Xhevdet Shaqiri që, më lavdëroi në analizë, duke më thënë se “ti do të luash përsëri”. U aktivizova dhe ndeshjet pasuese, si ajo kundër Tiranës, një ekipi të madh. Shaqiri ishte një trajner shumë i mirë dhe tepër motivues.

– Ju keni qenë pjesëtar i ekipit Shpresa, i cili doli Kampion i Ballkanit në vitin 1981. Si e kujtoni atë kohë?

– Kemi dalë Kampionë të Ballkanit në Vollos të Greqisë. Ishim një ekip mjaft i mirë me trajner Shyqyri Rrelin dhe ndihmëstrajner Ramazan Rragamin. Kishim dy përforcime nga ekipi Kombëtar A: Perlat Musta dhe Muhedin Targaj. Me të vërtetë kemi qenë një ekip shumë cilësor. Mundëm 4-1 Rumaninë në takimin e parë. Dolëm në finale me Bullgarinë, që kishte ardhur me një grup lojtarësh të cilët pas një viti të gjithë ishin në Kombëtaren e Bullgarisë. Fituam 2-1 në finale dhe fituam Kupën, duke dalë Kampionë të Ballkanit. Kjo ishte hera e dytë që Shqipëria fitonte Kampionatin Ballkanik për Shpresat, pas atij të vitit 1979.

– Sa ndeshje keni luajtur me ekipin Shpresa?

Me ekipin Kombëtar Shpresa kam luajtur 17 ndeshje, ndërkohë që edhe pse u grumbullova me ekipin e parë Kombëtar (A) në vitet 1982-1984, por nuk e pata asnjëherë shansin të luaja. Kam luajtur me ekipin Shpresa në eliminatore Europiani. kur sipas formatit, ekipi Kombëtar dhe Shpresa luanin më të njëjtët ekipe nga vendi kundërshtar.

– Si ju pritën kur u kthyet në Shqipëri?

– Na bënë një pritje madhështore në Tiranë. Na priti vetë Ministria e Arsimit e asaj kohe, Tefta Cami. I gjithë ekipi mori titullin “Mjeshtër Sporti”.

– Kur e fituar titullin e parë kampion si lojtar?

– Ka qenë sezoni 1982-1983 me trajner Ramazan Rragamin. Në ekip kishim lojtarë të tillë si Ferid Rragami, Faslli Fakja, Fatbardh Jera, Azis Gruda, Luan Vukatana, Ferid Borshi, Astrit Hafizi, Seit Çanga, Ardian Bushati.

– Sa vite keni luajtur për Vllazninë?

– Për ekipin e Vllaznisë kam luajtur 17 vite me radhë. Kam fituar Kupën e Shqipërisë në vitin 1987, kemi kaluar ture në Kupën UEFA në vitin 1987 ndaj Sliema Uonderers, të cilën e eliminuam pas dy fitoreve 2-0 dhe 4-0, por në turin e dytë ndaj finlandezëve të Rovanienimin, me thënë të drejtën nuk hymë edhe shumë të motivuar pavarësisht se unë besoj se, e kishim forcën për t’i eliminuar ata.

– Përse?

– Na ndodhi e njëjta gjë, që i ndodhi edhe ekipit të Flamurtarit, kur ai u kthye nga Serbia pas eliminuan Partizanin e Beogradit. Kontrolli i rreptë në doganë, duke na mbajtur të gjitha gjërat që ne kishim blerë në Maltë. Kishin urdhër. Flamurtarit ia mbajtën gjërat në doganën e Hanit të Hotit, ndërsa neve të Vllaznisë në Kakavijë. Kështu që, s’kishim fare mendjen për kalimin e tyrit tjetër. Pasi në atë kohë, në vitet 1980, ajo ishte kënaqësia jonë të sillnim ndonjë gjë materiale nga jashtë.

– Kur i varët “këpucët në gozhdë”?

– Unë kam luajtur futboll nga viti 1978 dhe deri në vitin 1995, pra 17 vjet. Kam qenë kapiten i Vllaznisë, për një periudhë tetëvjeçare, 1988-1995. Jam shpallur kampion në sezonin 1991-1992 me trajner Astrit Hafizin, me lojtarë të tillë si A.Dani, E.Bilali, A. Noga, A. Bushati, B.Gruda, Z.Shpuza, etj.. Menjëherë sa lashë futbollin mora detyrën e inspektorit të klubit Vllaznia, ku sekretar klubi ishte Selami Dani dhe trajner skuadre ishte Sabah Bizi.

– Në vitin 1996, Vllaznia zhvilloi Asamblenë zgjedhore të saj, ku presidenti u zgjodh deputeti i Shkodrës në atë kohë, i ndjeri Azem Hajdari ndërsa ju morët drejtimin e skuadrës…

– Po, është e vërtetë, Azem Hajdari u zgjodh Presidenti i Klubit të Futbollit Vllaznia, ndërsa në kryesi ishin Floren Kalidhopulli, zëvendëspresident, ndërsa anëtarë bordi ishin Ali Kazazi, Nikolin Thana. Këshilli i trajnerëve vendosi që, unë të merrja drejtimin e Vllaznisë.

– A ishte i pasionuar i ndjeri Azem Hajadari pas futbollit?

– Jashtëzakonisht! Ka kontribuar shumë. Ai ka ndikuar në lidhje me donatorët, duke ofruar disa biznesmenë të cilët kontribuuan financiarisht në klubin e Vllaznisë. Ata i afroi Azemi. Ai vinte në çdo takim që luante Vllaznia. E ndiqte nga afër skuadrën. Sigurisht, lojtarët nuk merrnin atëherë pagat që marrin sot, por për aq sa ishin mundësitë e asaj kohe, Azemi dhe donatorët që solli ai bënë shumë për Vllazinë.

– Kjo periudhë përkoi edhe me vitin 1997, një vit i zi për Shqipërinë…

– Më kujtohet se, kisha folur me çdo lojtar, për të vazhduar të luanin. Me gjithë situatën e vështirë që u krijuar, populli i Shkodrës mori një lloj argëtimi nga futbolli. Futbollistët luajtën edhe pa rroga, ndërkohë që stadiumi ishte plot.

– Ju i kenë dhënë Vllaznisë titullin e tetë në historinë e saj, duke e shënuar emrin te trajnerët më të suksesshme në Shkodër. Si e kujtoni atë?

– Në sezonin e parë si trajner (1996-1997), Vllazninë nga vendi i 10-të i edicionit të kaluar (1995-1996) e çova në të dytin, në një kohë që kishte një rënie të dukshme të pranisë së spektatorit në stadium. Arritëm ta mbushnim stadiumin, falë dhe një punë të mirë të ndihmësve të mi, Ferid Borshi, Seit Çanga, Paulin Ndoja. Një sezon më pas, në atë 1997-1998, dolëm kampion. Kisha një grup t mirë lojtarësh të tillë si: Armir Grima, Alban Noga, Luan Zmijani, Suat Lici, Safet Osja, Armando Cungu, Elvin Beqiri, etj.. U shpallëm gjashtë javë përpara se të përfundonte kampionat, me fitoren 1-0 në Shkodër.

– Duket e habitshme, por ju u larguat menjëherë nga Vllaznia. Si ndodhi?

– Në fakt, u detyrova të largohesha. Kjo dhe për shkak të xhelozive të të tjerëve, pasi skuadra po ecte. Ndoshta në Shkodër kjo ishte më e theksuar. Do t’i quaja njerëz të vegjël. Gjithçka erdhi pas një gabimi në protokoll me gjeorgjianët e Dinamos së Tbilisit. Është një histori e gjatë, por dhe fanellat i kemi blerë te tregu i “Gabit”: bluzat ishin firmë tjetër, të mbathurat të një firme tjetër, ashtu sikundër edhe getat. Patëm një problem në protokoll. Humbëm takimin e parë 1-0 ndërsa në Tiranë fituam 3-1, por me gabimin në protokoll që u bë nga zëvendëstrajneri Ferid Borshi, trajnerët dhe njerëzit e tjerë xhelozë që nuk dëshironin që unë të qëndroja në stolin e Vllaznisë, më larguan nga drejtimi.

– Karriera juaj si trajner ka kaluar në disa ekipe, Bylisi, Lushnja, Teuta…

– Po, pas largimit të padëshiruar nga Vllaznia, nisa të drejtoja shumë ekipe të rretheve të tjera. Fillimisht me Bylisin, në sezonin 1998-1999, ku jam përfaqësuar në Kupat e Europës. Pak javë përpara përfundimit të kampionatit, ne pretendonim titullin së bashku edhe me Tiranën e Vllazninë, por në mbyllje të tij doli kampione Tirana me 61 pikë, ndërsa Bylisi doli në të tretin me 59 pikë dhe Vllanzia, e dyta me 60. Në Kupën UEFA luajtëm me Interin e Bratislavë.

– Pas largimit nga Bylisi ju shohim trajner te Lushnja…

– Po, ndërtova një grup të mirë lojtarësh dhe arritëm deri në finalen e Kupës së Shqipërisë 2000, ku humbëm me penallti 5-4 nga Teuta, pasi koha e rregullt dhe shtesat përfunduan 0-0.

– Drejtimi i Luftëtarit nuk vazhdoi gjatë. Çfarë ndodhi në Gjirokastër?

– Po, drejtova Luftëtarin, ku arrita ta çoja ekipin midis tre vendeve të para, por pas disa mosmarrëveshjeve të Presidenti Grigor Tavo pati me Federatën Shqiptare të Futbollit, për shkak të padrejtësive që ai shihte te Federata, e shpërndau skuadrën në fazën e dytë, duke na lënë të lirë, mua si trajner ashtu dhe skuadrën. Kështu, që mora drejtimin e Lushnjës për herë të dytë. Ishte në vendin e nëntë, duke rrezikuar rënien nga kategoria, por me punë ia dolëm të ishim në mesin e renditjes.

– Teuta, stacioni i radhës…

– Qëndrova vetëm gjashtë muaj në Lushnjë, pasi Presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu më ofroi drejtimin e skuadrës. Në përfundim të fazës së parë ishim në vend të parë, por për shkak se u prish terreni i stadiumit për vendosjen e tapetit të ri, të gjitha ndeshjet e fazës së dytë i bëmë jashtë Durrësit, ndërkohë që stërvitjet i bënim në Qerret, Shijak ose në ambientet e Hotel Floridës. Skuadra pati një rënie dhe zumë përfundimisht vendin e katërt, duke marrë pjesë në Kupën Intertoto ku eliminuam në turin e parë Valletën e Maltës dhe u eliminuam nga rumunët e Gloria Bistricës.

– Sërish rikthimi te Vllaznia. Si e përjetuat?

– Te Vllaznia shkova sërish në sezonin 2002-2003, kur president ishte i ndjeri Myftar Çela. Pata një grup të mirë lojtarësh me një ambicie të madhe, për t’u shpallur kampion. U largova 4-5 përpara përfundimit të kampionatit, kur isha në vendin e dytë. Humbëm me Tiranën në Shkodër dhe u largova menjëherë nga drejtimi. Më pas, kam drejtuar skuadra të tjera si Laçi, Egnatian e Rrogozhinës, Erzenin e Shijakun. Në sezonin 2007-2008 u ktheva në Ballsh te Bylisi, me një skuadër e president me ambicie siç ishte Besnik Kapllanaj. E mora në javën e katërt, ecëm shumë mirë, por për shkak të disa probleme u largova. Që nga ai moment unë jam shkëputur nga futbolli në rolin e trajnerit. Kjo edhe për shkak të disa kushteve familjare. Gjithsesi, sportin e ndjek gjithmonë, përmes medias së shkruar e asaj televizive, veçanërisht skuadrën time të zemrës, Vllazninë.

  “Pres një kampionat të fortë”

 Kampionati shqiptar i futbollit është në prag të nisjes së edicionit 2014-2015. Është një sezon me dhjetë skuadra, ku dy bien direkt. Ekipet kanë bërë merkato të fuqishme, çka premton edhe rivalitet e cilësi. “I shoh shumë serioze në përgatitje, Flamurtarin, Partizanin, Tiranën, deri diku Teutën, Laçin, kështu që mendoj se, do të kemi një kampionat të mirë”, – tha Dedja.

 “De Biazi u tregua i sinqertë”

 Trajneri i Kombëtares shqiptare, italiani Xhani De Biazi, deklaroi se kampionatit të Superligës i mungon cilësia. “Deklarata e De Biazit nuk është një përbuzje ndaj kampionatit tonë, por një sinqeritet nga ana e tij. Çdo trajner dëshiron që, lojtarët e tij të jenë në skuadrat më të mira. Mos harrojmë se, disa rezultatet të kampionatit tonë merren vesh një javë para, atëherë çdo të mendojë një trajner për lojtarët e tij?”

 “Patëm rritje në Europë”

 Rezultatet e katër skuadrave tona në Europë, ku dy prej tyre, Flamurtari e Laçi, kaluan nga një tur tregoi edhe forcën e futbollit tonë. “U treguam disi më seriozë këtë vit, patëm një rritje në përfaqësimin tonë në Europë. Për mua, më mirë ishte Skënderbeu, që me pak kujdes mund të kualifikohej, pasi nuk humbi asnjë prej dy takimeve. Skënderbeun mund ta ketë më të vështirë këtë vit në Superligë me përforcimin e skuadrave”.

  “Vllaznia, e vonuar për kampionatin”

 Vllaznia do të menaxhohet gjatë këtij sezonin nga një shoqëri zvicerane, “Gea Sport”, e cila ka sjellë edhe trajnerin italian Baldo Ranieri. Por, si e sheh Dedja këtë risi? “Të them të drejtën, nuk e njoh kush është kjo shoqëri zvicerane, por më duket gjithçka false. Ajo ishte sezonin e kaluar te Teuta dhe u nda prej saj. E kam ndjekur me vëmendje shtypin, dhe te Vllaznia më shumë ka pasur çështje emërimi administratorësh e kapitenësh, sesa punë për ngritjen e skuadrës. Kur skuadrat e tjera janë duke përfunduar fazat përgatitore jashtë shtetit, në Austri, Maqedoni, Bullgari, Vllaznia po merret me probleme që kanë të bëjnë pak me futbollin. Mendoj se, ato probleme do të reflektojnë gjatë kampionatit. Për të qenë i sinqertë, unë do të do isha që Vllazninë ta merrnin biznesmenë shkodranë siç është për shembull Valter Fushaj, i cili së bashku edhe me familjen e tij ka kontribuar shumë për atë skuadër. Do të isha dakord ta merrte ai. Jam pjesërisht dakord me Rudi Vatën që, janë disa drejtues sahanlëpirës në Shkodër që nuk kanë dhënë asnjë kontribut për Vllazninë, nuk kanë asnjë ego të vogël që Vllaznia të ecë, por të përfitojnë prej saj. Shoh një të ardhme shumë të keqe, që nuk e uroj, por e shoh me ardhjen e atyre zviceranëve në drejtim”. Trajneri i njohur e sheh me pozitivitet bashkëpunimin e Flamurtarit me dy kompanitë turke, “TKR” dhe “Atlasjet”. “Kanë afruar lojtarë të mirë, përfshirë sulmuesin gjeorgjian Galazhvili, shoh rregullimin e ambienteve. Ka seriozitet”.

 Dash FRASHËRI