Intervista/ Flet për “Telegraf” ish-futbollisti i Tiranës dhe i Partizanit, veçon “derbin”Për katër javët e mbetura, presim kampionat të “egër”
Këtë mesjavë u përcaktua çifti finalist i Kupës së Shqipërisë. Cili është parashikimi juaj?
Janë dy skuadra ekstreme në histori. Tirana ka diçka më shumë, por kjo edhe nuk vendos shumë, sepse duhet të bëjë përpjekje në të dy frontet. Duhet shumë kujdes me lojtarët që do të përdorë, nuk duhen gabime. Egnatia nuk humb asgjë, është sukses për të.
Do të ndikojë kjo finale te ndeshjet e mbetura në katër javët e fundit të Superiores?
Sigurisht jo, por vetëm në derbin Tirana-Partizani. Sepse nëse Tirana fiton, është kampion, madje edhe me barazim është një hap më para Partizanit për titullin. Janë dy trofe njëherësh për Tiranën dhe ndoshta situata do vështirësohet.
Superiorja nuk i luan këtë fundjavë ndeshjet e javës së 33-të, por të mërkurën, cilin nga çiftet e mendoni si më të veçantin?
Edhe çiftet e tjerë janë interesantë për qëllimet që kanë skuadrat. Vllaznia kërkon Europën, Laçi ka ekuilibër edhe me barazim, të tjerat duan doemos fitoret. Unë i mendoj ndeshje delikate dhe nëse fitojnë më të dobëtat, e rihapin kampionatin.

Në ndeshjet e kësaj jave, mendoni se do të përcaktohet ndonjë pozicion përfundimtar në të gjitha kahjet e renditjes?
Them se do jetë një javë e “egër”. Madje unë mendoj se kampionati do jetë më i egër në katër javët e mbetura, si do që të dalë derbi Tirana-partizani. Vetë renditja e skuadrave e synimet e tyre e mbajnë në lojë kampionatin deri në fund.
Luhet derbi i 166-të Tirana-Partizani me bilanc më të mirë Partizani, ju si e parashikoni?
Unë kam luajtur mbi 10 ndeshje “derbi” me të dyja skuadrat dhe në këndvështrimin e një ish-futbollisti them se Tirana ka një diferencë 20-30%, por duhet të vendosë shpirtin në lojë. Në çdo derbi kanë avantazh ata që janë më keq në renditje.

Mund ta quajmë këtë si javën e derbit dhe të përcaktimit përfumdimtar të titullit kampion?
Nëse fiton Tirana mbaron kampionati, nëse fiton Partizani do të jetë interesante deri në fund. Në rast të një barazimi, Tirana do të jetë më e qetë në kreun e renditjes, ndërsa Partizani nuk duhet të gabojë në “derbi” për të dalë kampion.
Ku mendoni se do të ndryshojë renditja në katër javët e mbetura deri në mbylljen e kampionatit?
Them se renditja do të ketë ndryshime deri në ndeshjen e fundit, edhe pse një ose dy skuadra nuk do kenë interes për synimet e tyre. Kjo besoj se do ta bëjë edhe më të fortë luftën mes tyre, por uroj të mos kemi moment dhune e lënie ndeshjesh.
Ndërsa Kategoria e Parë e mbyll sezonin këtë të dielë, ku mund të ketë ndonjë lëvizje në renditje?
Në këtë kategori është një histori e bukur, sepse u rikthyen në Superiore Skënderbeu e Dinamo, dy skuadra me histori në futbollin shqiptar. Kështu duhet të vazhdojë me skuadrat e tjera si Flamurtari, Tomori e Apolonia që do të ndeshen në play-off.
Them se kjo do jetë një javë e “egër”, madje edhe kampionati do jetë i tillë në katër javët e mbetura! Si do që të dalë derbi Tirana-Partizani? Renditja dhe synimet i mbajnë në lojë skuadrat deri në fund.
ABISSNET SUPERIORE
Ndeshjet-Java e 32-të
Të mërkurën, datë 17 maj 2023
Erzeni-Bylis 15:00
Vllaznia-Teuta 15:00
Kastrioti-Egnatia 15:00
Kukësi-Laçi 15:00
Tirana-Partizani 18:30
BILANCI NË 166 NDESHJE
F 45, B 52, H 68, Golat 183:231
Renditja
Skuadrat Nd Pikë
1.Tirana 32 59
2.Partizani 32 57
3.Egnatia 32 49
4.Laçi 32 44
5.Vllaznia 32 43
6.Teuta 32 42
7.Erzeni 32 39
8.Kukësi 32 37
9.Bylis 32 33
10.Kastrioti 32 32
KATEGORIA E PARË
Ndeshjet-Java e 25-të
Të dielën, datë 13 maj 2023
Luzi-Dinamo 16:00
Tërbuni-Oriku (Afr.) 0-3
Lushnja-Skënderbeu 16:00
Besa-Burreli 16:00
Turbina-Tomori 16:00
Korabi-Besëlidhja 16:00
Flamurtari-Apolonia 16:00
Renditja
Skuadrat Nd Pikë
1.Skënderbeu 25 48
2.Dinamo 25 47
3.Flamurtari 25 43
4.Tomori 25 40
5.Apolonia 25 38
6.Korabi 25 36
7.Luzi 2008 25 35
8.Besa 25 34
9.Burreli 25 31
10.Lushnja 25 31
11.Oriku 25 27
12.Turbina 25 26
13.Tërbuni 25 24
14.Besëlidhja 25 17
Shënim: Tërbuni është
përjashtuar nga gara me
vendim të Komisionit
të Displinës në FSHF
KATEGORIA E PARË

Trajneri Merxha: Elbasani i ndërtuar për të fituar
Pas gjashtë sezoneve në kategori inferiore, AF Elbasani ka arritur të jetë fitues në Grupin B të Kategorisë së Dytë me një bilanc pozitiv në 22 ndeshje. Me 18 fitore, 4 barazime dhe asnjë humbje, skuadra grumbulloi 58 pikë e tashmë është gati për finalen e titullit me Vorën. Këtë sukses, trajneri Erjol Merxha e quan të merituar. “Objektivi kryesor yni u arrit, sigurimi i Kategorisë së Parë. Por nga finalja me Vorën ne synojmë të kthehemi me trofe. Ekipi është ndërtuar për të fituar dhe e meritoi ngjitjen në Kategorinë e Parë”, kështu theksoi fillimisht tekniku verdheblu, i cili tregon se në Kategorinë e Parë ekipi do të jetë dinjitoz. “Puna e mirë që bën më parë trajnerët Stojku e Ceno, i kanë dhënë siguri skuadrës, e cila edhe sezonin e ardhshëm do të jetë dinjitoze me synime për më lart”. Të enjten, takimi Vora-AF Elbasani u mbyll 2-1 për skuadrën vorake që u shpall kampione.
Avantazhet dhe disavantazhet e derbit
Tirana dhe Partizani janë dy skuadra, që luftojnë për titullin kampion në Abissnet Superiore. Në këtë situatë, Partizani ka avantazhin se është në moment të mirë psikologjik dhe me skuadër të plotësuar. Disavantazhi është se i duhet fitorja dhe nga kjo situatë edhe mund të gabojë. Avantazhi i Tiranës është se janë të qetë dhe luajnë për dy rezultate. Por edhe me barazim, Tirana mbetet 2 pikë para, ndërsa ka disavantazh humbjen e lojtarëve titullarë.
KUPA E SHQIPËRISË
Finalja Tirana-Egnatia, histori e vjetër dhe e re
GJYSMËFINALET
Ndeshjet e kthimit
E mërkurë, 10 Maj 2023
Egnatia-Vllaznia 1-0 (1-1)
Teuta-Tirana 0-0 (0-3)
FINALJA
E enjte, 1 Qershor 2023
Egnatia-Tirana Ora 20:00
Stadiumi “Elbasan Arena”
Këtë mesjavë u përcaktuan dy skuadrat finaliste të Kupës së 71-të të Shqipërisë. Ato janë: Tirana 27 herë finaliste dhe 16 herë fituese dhe Egnatia për herë të parë në finale. Kjo është Kupa e 71-të e Shqipërisë dhe fituese e parë e saj është Tirana në vitin 1939, ndërsa fituesja e fundit është Vllaznia në sezonin 2021-2022. Kupa ka nisur të luhet për herë të parë në vitin 1939, ndërsa pas çlirimit të Shqipërisë kjo është e 70-ta në histori. Këtë trofe të rëndësishëm në futbollin shqiptar e kanë fitua edhe Partizani 15 herë, Dinamo 13 herë, Vllaznia 8 herë, Flamurtari dhe Teuta nga 4 herë, Besa, Laçi, Kukësi dhe Elbasani nga 2 herë dhe Skënderbeu e Apolonia nga 1 herë. Finalja Egnatia-Tirana do të luhet më 1 qershor 2023 në stadiumin “Elbasan Arena”. Më 12 gusht 1990 është luajtur përballja e parë dhe e vetme deri më sot në Kupën e Shqipërisë mes Tiranës dhe Egnatias (7-1).
KËNDVËSHTRIM/ Dy skuadra të një qyteti të vogël dhe të një komune, me aromën e futbollit modern
Egnatia dhe Luzi, shembuj të futbollit bashkëkohor
Nga Agron Kaja
Në sezonin futbollistik 2022-2023, në dy kategoritë kryesore të futbollit shqiptar: Abissnet Superiore dhe Kategoria e Parë, veç rezultateve dhe të veçantave të ndryshme, nuk mund të mbeten jashtë vëmendjes edhe dy skuadra. Bëhet fjalë për Egnatian në Abissnet Superiore dhe për Luzin në Kategorinë e Parë. Duke qenë se jemi në fundin e këtij sezoni, natyrisht që na jepet hapësira e duhur për të gjykuar një realitet, prej të cilit duket se futbolli është duke përfituar atë që ai ka në misionin e tij. Shumëkush mund të jetë skeptik se pse duhet kaq vëmendje për dy skuadra që në kategoritë ku marrin pjesë kanë pak histori? Po, e vërtetë është në aspektin historik, por mëse e vërtetë është se çfarë kanë sjellë ato në futbollin shqiptar në aspektin real të vlerave të tyre: Me stadiumet, renditjet aktuale dhe tifozerinë.
Kështu, Egnatia është mysafire e Abissnet Superiore për herë të dytë në historinë e saj si skuadër futbolli e elitës. Më parë në sezonin 2004-2005, e tashmë në sezonet 2021-2022 dhe 2022-2023. Në fakt, në sezonin 2021-2022 rikthehet pas 16 vitesh si debutuese nga Kategoria e Parë dhe u lëkund në vendet e fundit të renditjes, por mbijetoi në sajë të ndeshjes play-off. Ndërsa në sezonin që po mbyllim, 2022-2023, renditet në vendin e tretë në 32 javë ku ka treguar stabilitet dhe lojra të bukura, ndërkohë që është finalistja e parë e Kupës së Shqipërisë. Dhe mbi të gjitha, Egnatia dallon në këtë sezon në dy tregues: Infrastruktura moderne dhe tifozeria shumë e zjarrtë. Këto dy elementë më të rëndësishëm në futboll i kanë dhënë skuadrës këtë situatë ku ndodhet sot. Dhe këto tregues nuk janë pak në futbollin e sotëm, që veç ritmikës së zhvillimit të tij ka si bashkëshoqërues edhe element, që nuk e favorizojnë, si financat e dobëta dhe infrastrukturën e mangët. Dhe Egnatia këto i ka shumë të mira.
Po Luzi, çfarë historie ka në futbollin shqiptar? Po, është skuadër e krijuar në vitin 2008 dhe deri në sezonin 2021-2022 ka qenë pjesë e kategorive inferiore në futbollin shqiptar. Në sezonin 2022-2023 është pjesë e kampionatit në Kategorinë e Parë dhe një javë para përfundimit renditet në mesin e tabelës, madje kërkon edhe një vend që të luajë ndeshje play-off për ngjitje në Superiore. Dhe veç kësaj situate suksesi, duhet thënë se Luzi ka një stadium modern, edhe pse me kapacitet të ulët. Në Luz ka një tifozeri, e cila na kujton skuadrat e mëdha të futbollit shqiptar ndër vite. Dhe së bashku me Egnatian, Luzi na kujton historinë mbi 90 vjeçare të zyrtarizmit të futbollit shqiptar (viti 1930), ku skuadra me pak traditë në futbollin tonë kanë arritur të tregojnë vlera sportive e qytetarie. Prandaj sot këto mbeten si dy shembuj të futbollit modern.

Në sezonin 2022-2023, në dy kategoritë kryesore të futbollit shqiptar nuk mbeten jashtë vëmendjes Egnatia në Abissnet Superiore dhe Luzi në Kategorinë e Parë. Ato veçohen në dy tregues: Infrastruktura moderne dhe tifozeria shumë e zjarrtë.
3 herë
Egnatia ka qenë pjesë e Abissnet Superiore në tre herë, këtë sezon po synon të renditet në zonën e Europës.
1 herë
Skuadra e Luzit luajti për herë të parë në histori në Kategorinë e Parë, në 26 javë nuk u shfaq si debutuese
FSHF ASAMBLEJA
Duka tregon politikat dhe qëllimin e tyre
Dje zhvilloi punimet Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme e FSHF-së, ku veç anëtarëve dhe delegatëve morën pjesë edhe përfaqësues nga UEFA e FIFA, Ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Evis Kushi, si edhe Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi. Presidenti i FSHF-së Armand Duka ndau çmimet e mirënjohjes për tre nga sponsorat: Vodafone, Sigal Unika Group Austria dhe Union Bank. Në fjalën e tij Duka falënderoi miqtë specialë të pranishëm për mbështetjen e vazhdueshme që i japin, ndërsa vetë zonja Kushi shprehu kënaqësinë që sporti kohët e fundit ka marrë një vëmendje të veçantë nga qeveria shqiptare dhe në mënyrë të veçantë vendimin për ndërtimin e tre stadiumeve të reja në Durrës, Vlorë dhe Korçë. Pas proçedurave zyrtare, Asamblenë e përshëndeti edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili u shpreh se politikat e FSHF-së gjatë kësaj periudhe kanë pasur vetëm një qëllim, zhvillimin e lojës së futbollit në Shqipëri, masivizimin e tij dhe sigurimin e një të ardhmeje të ndritur për këtë lojë.


















