Gëzim Shinko/ Ku i ka çuar FSHF 44 milionat e arbitrave?

144
Gjatë këtyre ditëve që FSHF-ja ka publikuar Kalendarin pa data të sezonit futbollistik 2015-2016, si për ironi të realitetit në këtë institucion, vijnë në kujtesë sa e sa mangësi nga sezoni i kaluar, për të cilat nuk është belbëzuar asnjë fjalë, ti pohojnë apo edhe ti mohonin ato. Kjo sjellje arrogante e drejtuesve të institucionit të futbollit shqiptar ka vite që shfaqet e tillë, duke dhënë një imazh bardhezi, se aty punojnë e drejtojnë njerëz që shpërfillin çdo njeri që guxon të flasë kundër tyre, apo edhe çdo rregull financiar, ligjor e qytetar. Parë kështu, për çka ndodh në punët me dritëhije të shumta në FSHF, kam shkruar ditë më parë këtu në gazetën “Telegraf”, duke e quajtur presidentin e FSHF-së si ish-presidentin e FIFA-s që për raste analoge (jo të këtyre përmasave) dha dorëheqjen. Në qeverinë e futbollit shqiptar kjo po nuk imagjinohet të ndodhë, pasi ajo kështu qartësisht është kopi-paste, sikundër edhe politika qëndrore. Kësisoj, le të kujtojmë edhe një fakt tjetër sa të freskët aq edhe i vjetëruar, ku kjo FSHF i përdor arbritrat e futbollit si manekinë në fushat e futbollit. Kjo duhet kuptuar drejt, së pari në aspektin financiar të shpërblimit të tyre për gjykimet që kanë bërë në pesë muajt e parë të vitit 2015. 
Kanë bërë gjykime cilësore, të dobëta, apo edhe me erë trukimesh, kjo është analiza teknike që kjo FSHF duhet ta kishte bërë publike në mediat shqiptare, por që të dërgosh arbitra për të gjykuar ndeshje futbolli nga veriu në jugun e Shqipërisë dhe ata të mos i paguash, kjo është një çudi shqiptare në tapetin e FSHF-së. Sepse të mendosh fillimisht që një arbitër i futbollit shqiptar me statusin e Kategorisë Ndërkombëtare, që gjykon një ndeshje nga Tirana në Vlorë, minimalisht duhet të shpenzojë për udhëtimin, për fjetjen në hotel, për ushqimin etj, nevoja që janë më minimalet për ta në një ndeshje. Dhe për pesë muajt e parë të vitit 2015 ata të gjitha këto detyrime i kanë bërë me shpenzimet e tyre, sepse për shpërblimet e tyre nuk është lëvruar asnjë lekë në Union Bank, aty ku thuhet se është aksioner edhe i pari i FSHF-së. Jemi në ditët e fundit të muajit të gjashtë të vitit 2015, ditë në të cilat është shpallur edhe kalendari i sezonit të ri futbollistik dhe arbritrat ende nuk kanë marrë shpërblimet e pesë muajve të parë në të cilët futbolli ynë 
ka qenë në aktivitetin e tij maksimal.
Ky model që bën FSHF-ja me shpërblimet e arbitrave, jo vetëm që të jep imazhin e një piramide, por nga ana tjetër me këto mospagesa kanë cënuar personalitetin moral dhe financiar të atyre arbitrave, të cilët në kohë me shi dhe mot të fotohtë, në dimër e në verë, të cilët janë sjellë anë e mbanë Shqipërisë për të gjykuar ndeshje futbolli. Për këto ndeshje, FSHF-ja është organizatore e garës, që veç të tjerave ka edhe të drejtën legjitime të pagesës së tyre në formën e shpërblimit, të cilët i ka kategorizuar sipas kategorive sportive që ata kanë. Nëse më sipër përmenda një Arbitër të Kategorisë Ndërkombëtare, një matematike e thjeshtë thotë: 4 ndeshje në muaj X5 muaj = 20 ndeshje X 40.000 lekë = 8 milionë lekë të vjetra i janë mbajtur një arbitri Ndërkombëtar të futbollit. Këta sikur janë pesë të tillë, debiti i FSHF-së ndaj tyre shkon në 44 milionë lekë të vjetra. Por, llogaria është më e thellë nëse kujtojmë se ka arbitra edhe me Kategorinë e Parë, me Kategorinë e Dytë e të tjera kategori sportive, të cilët gjykojnë ndeshje të të gjitha niveleve: Superiore, Kategoria e Parë dhe Kategoria e Dytë për të Rritur dhe për të Rinj. Kësisoj, ajo matematika e thjeshtë e ka çuar debitin e FSHF-së ndaj arbitrave në një shifër të përafërt me 44 milionë lekë të reja, që edhe sot në ditët e fundit të qershorit 2015 nuk ka gjasa të shlyhet. Po, çfarë humbet futbolli me këtë peng financiar të FSHF-së ndaj arbitrave të futbollit? Le të kujtojmë apo të aludojmë si përgjigje, se një pjesë e mangësive që arbitrat e futbollit kanë shfaqur gjatë sezonit të kaluar, kanë ardhur edhe për shkak të mospagesës së tyre. Janë të paktë ata arbitra futbolli në Shqipëri që e kanë mundësinë ti kryejnë këto shpenzime nga të ardhurat e tyre personale, por këta numërohen me gishtat e njërës dorë, sepse pjesa më e madhe e këtyre arbitrave jetojnë me shpenzime operative. Që do të thotë se nëse ai shpenzon nga të ardhurat e tij personale e familjare për të shkuar të arbitrojë një ndeshje, ai e ka prishur ekuilibrin e financave të tij personale e familjare, për pasojë edhe ekuilibrin në cilësinë e standardin e gjykimit të ndeshjeve. Çudia e këtij pengu financiar që FSHF-ja është duke aplikuar me arbitrat e futbollit nuk duket se ka mbetur vetëm tek “bilbilat”dhe te “xhaketat e zeza” siç quhen arbitrat në zhargonin sportiv, pasi burimet e besueshme në FSHF kanë deklaruar se ky peng është shtrirë edhe më gjerë. 
Nga ky virus financiar janë “infektuar” edhe vëzhguesit dhe të deleguarit që FSHF-ja dërgon në ndeshjet e futbollit, dhe që duke i marrë në total të gjitha këto mospagesa, persona afër FSHF-së, nën zë e kanë pranuar si fakt, por kanë dhënë edhe shumën e frikshme prej 44 milionë lekëve që kjo FSHF u detyrohet atyre. Ta quajmë një çudi, kjo mund të mendohet vetëm për justifikim, por ta quajmë këtë realitet, atëherë veç aludimeve të tjera, mendja të shkon edhe tek korrupsioni, edhe tek vjedhja e kësaj shume, pse jo, kjo formë mospagese të çon edhe në mendimin e “keq” se këta arbitra po përdoren si manekinat e FSHF-së (se ata nuk paguhen kur nxirren në vitrina). Thënë kështu, ja vlen që të kërkosh se ku janë fshehur këto lekë, por njëherësh të mendosh se motivimi i arbitrave për sezonin e ri do të jetë në nivele të ulëta. Të mos e paragjykojmë që tani, por nëse këto lekë nuk do t’u jepen arbitrave, pse jo të shoqëruara edhe me një ndjesë publike ndaj tyre, atëherë në sezonin 2015-2016 ndoshta do të shohim “gallata” në ndeshjet e futbollit tonë. Këto, të gatuara në kuzhinën financiare të FSHF-së.