Francezët nuk zënë mend, ngatërrojnë përsëri himnin para ndeshjes

155

Me sa duket në Francë kanë një problem shumë të madh me himnet e vendeve të tjera para aktiviteteve të rëndësishme kombëtare. Pasi u bënë gazi i botës në ndeshjen Francë Shqipëri për kualifikueset e Europianit, francezët e përsëritën këtë bëmë në një tjetër ndeshje të rëndësisë së veçantë, në kualifikuesen e Ligës së Kampioneve për hokej.

Klubi i Grenoble priste zviceranët e SC Bern dhe në aktivitete të tilla, edhe pse bëhej fjalë për klube, para ndeshjes luhen himnet kombëtare të vendeve përkatëse. Për çuditë e të gjithëve, në pallatin e sportit ku zhvillohej ndeshja u shpalos në ekran flamuri suedez dhe u dëgjuan notat e himnit të Suedisë, mes çudisë të lojtarëve, trajnerit të Bernës apo edhe vetë tifozëve vendas të cilët kuptuan gafën e rëndë dhe filluan të vërshëllenin kundër organizatorëve.

Megjithatë, lojtarët e SC Bern e morën me sportivitet dhe ndryshe nga ajo që ndodhi në ndeshjen e futbollit ku kuqezinjtë kërkuan të dëgjonin himnin e tyre para se të fillonte ndeshja, ata vazhduan lojën normalisht dhe fituan 3-1 duke kaluar në turin tjetër. Të nesërmen, klubi i dërgoi homologëve të Grenoble një kartolinë nga majat e maleve në Bernë.

“Nuk ju vëmë faj për ngatërresën. Kjo mund t’i ndodhë edhe komshinjve më të mirë, Suedia është një vend shumë i bukur, padyshim. Por edhe Zvicra ka gjithashtu disa vende të bukura. Na vizitoni dhe do të bindeni. Ne jemi të lumtur të ftojmë lojtarët, stafin dhe stafin teknik të pallatit të sportit që të vizitojë Jungfaujoh në pjesën e sipërme të Bernës”, ishte ftesa që klubi zviceran i bëri atij francez duke e kaluar me shumë sportivitet këtë incident.