Finalja e dytë me Tiranën, një fitore edhe për tifozerinë durrsake

648
Nga Agron KAJA
BASKETBOLL FINALET/ Flet për “Telegraf” zëvendës trajneri i Teutës, Kristi Gorea, ja si e kanë përgatitur ndeshjen e dytë kundër Tiranës, sot në Durrës
Kampionati Kombëtar i Basketbollit për Meshkuj, po luan ndeshjet finale për përcaktimin e skuadrës Kampione të sezonit 2017-2018. Në finale kanë dalë Tirana e Teuta, të cilat kanë luajtur mes tyre takimin e parë në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, takim të cilin skuadra durrsake e fitoi me rezultatin e ngushtë 73-76. Sot do të luhet finalja e dytë, dhe për këtë takim, për gazetën “Telegraf”, zëvendës trajneri Kristi Gorea deklaroi se finalja e parë e fituar në Tiranë, ka qenë një ndeshje shumë e vështirë, por e merituar. “Tri ditë më parë ne luajtëm finalen e parë, të cilën me meritë e fituam me 3 pikë diferencë: 73-76. Veç fitores, në atë finale ne testuam edhe mundësitë tona përballë një kundërshtari të vështirë si Tirana, njëherësh, studiuam edhe lojën e saj në të gjitha drejtimet”, kështu theksoi dje zëvendës trajneri i Teutës, Kristi Gorea, i cili më pas tregoi edhe përgatitjet që janë bërë për finalen e dytë, e cila do të luhet sot në ora 17:00 në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” në Durrës. “Ndërsa përgatitjet tona për finalen e dytë, janë komplet ndryshe nga ndeshja e parë që ne fituam në Tiranë. Në raport me atë finale, ne kemi aplikuar skema të reja me skuadrën tonë gjatë këtyre dy ditëve përgatitje, kryesisht për mbrojtjen nga sulmi i kundërshtarit. Por, në këtë finale të dytë do të shohim një Teutë që sulmit do ti japë shumë prioritet, sepse nuk do të jetë një ndeshje ku duhet të presim se çfarë do të bëjë kundërshtari”. Dhe për ndeshjen e sotme që do të luhet në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” në Durrës, zëvendës trajneri i Teutës, Kristi Gorea, deklaron se ajo është përgatitur e vlerësuar vetëm për tu fituar prej tyre. “Ne kemi synimin e vetëm fitoren në ndeshjen e dytë finale nesër (sot) me Tiranën. Jo vetëm se kemi fituar takimin e parë, por edhe për faktin e rëndësishëm se ne këtë ndeshje e luajmë para tifozëve tanë, të cilët do të jenë adrenalina jonë në këtë sfidë”, përfundoi deklarimin e tij Kristi Goga, lidhur me finalen e sotme në basketboll për meshkuj, Teuta-Tirana, e cila do të luhet sot në ora 17:00 në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala”. Kujtojmë se, skuadra e Teutës në këtë sezon fitoi edhe Kupën e Shqipërisë, trofe ky që u rikthye në Durrës pas 53 vitesh, që nga viti 1965.
Përgatitjet tona për finalen e dytë, janë komplet ndryshe nga ndeshja e parë që ne e fituam në Tiranë. Në raport me atë finale, ne kemi aplikuar skema të reja me skuadrën tonë gjatë këtyre dy ditëve përgatitje, kryesisht për mbrojtjen nga sulmi i kundërshtarit 
Ndeshjet finale
Është luajtur
Datë 29 prill 2018 
Tirana-Teuta 73-76
Do të luhen
Sot, datë 3 maj 2018 
Teuta-Tirana 17:00
Datë 6 maj 2018
Tirana-Teuta 17:00
Datë 10 maj 2018 
Teuta-Tirana 17:00
Datë 13 maj 2018 
Tirana-Teuta 17:00
RREGULLORJA
Për të përcaktuar skuadrën fituese të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për të Rritur, dy skuadrat e kualifikuara nga ndeshjet Play-off, luajnë ndeshjet finale mes tyre. Në kalendar parashikohen 5 ndeshje finale, por ato edhe mund të mos luhen, nëse rezultati shkon 3-0 ose 3-1 në favor të njërës skuadër finaliste. Nëse në 4 ndeshjet e para, numri i fitoreve barazohet 2-2, atëherë luhet finalja e pestë. Katër skuadrat e renditura të parat në Superligë, zhvilluan ndeshje play-off, sipas shortit. Kështu, në dy ndeshje Play-off, Tirana eliminoi Kamzën me rezultatet 93-78 dhe 76-79, ndërsa Teuta në dy ndeshje eliminoi Partizanin, me rezultatet 77-79 dhe 74-75. 
Sigal