Fatmir Efica: Historia çerekshekullore e Ilirisë së Fushës Krujës

893
SPECIALE/ Në 25-vjetorin e krijimit të tij, ja si erdhi ekipi modest që ka provuar një sezon luajtjen në Kategorinë Superiore 
Data 10 qershor 1992, do të mbetet një ngjarje madhore për futbollin në qytezën e vogël të Fushë Krujës. U krijua e para skuadër futbolli, dhe ajo u quajt “Iliria”, një emër që nuk e ka ndryshuar më kurrë. Në këtë ekip ku u përfshinë djem pasionantë, dhe ata do ti jepnin shumë gëzim qytetit. Kujtim Kaziu, së bashku me Afrim Kurtin e Jonuz Lalën që drejtonte ekipin e të rinjve U-19, paralelisht me punët intensive për fushën e stadiumin, bënë në mënyrë “rrufe” edhe ndërtimin e skuadrës, e cila në tre sezonet e para u përfaqësua në Kategorinë e Dytë. Kujtesa e trajnerit të parë për sakrificat e jashtëzakonshme që bënë futbollistët, drejtuesit, biznesmenët, tifozët e qytetarët futbolldashës së Fushë Krujës, që mbështetën aq shumë skuadrën e parë, vlen shumë për të kuptuar se çdo skuadër futbolli ka të drejtë të “mburret” me historinë e saj. Sa do modeste qoftë ajo, brezat e ndryshëm te Iliria Fushë Krujës në 25 vjetorin e themelimit, dinë ta evidentojnë këtë histori. E tillë madje që ia vlen të kthesh edhe tani “kokën prapa”, kur ekipi ka arritur të përfaqësohet deri në elitën e futbollit shqiptar në sezonin 1994-1995, ku luajti për herë të parë e të fundit deri më sot, në Kategorinë Superiore. Për nostalgji, ky çerekshekull i parë futbolli për Ilirinë, sjell performancë gjithnjë në rritje. Skuadra mori jetë dhe zhvillimin e duhur në Fushë Krujë vetëm në vitet e Demokracisë, por loja magjike kishte nisur më herët, tek ekipet e grupmoshave që u shfaqën pas vitit 1970. Atëherë kishte një brez njerëzish pasionantë, të cilët u rritën dhe e përjetuan fuqishëm ëndrrën e krijimit, organizimit e përfaqësimit të Ilirisë në kampionatet kombëtare. 59 vjeçari Kujtim Kaziu, ka qenë trajneri i parë. Pavarësisht mënyrës se, për motive politike, segmentet e dikurshme e detyruan të lërë shpejt e në mënyrë të pavullnetshme pozicionin e drejtuesit të parë të Ilirisë, ai sjell posaçërisht për “Telegraf” këtë rrëfim unikal. 

Nostalgjia e Kujtim Kaziut, ja si i tregon 25 vitet e Ilirisë
Ndjehemi krenar për sakrificat e mëdha të të gjithë atyre që luajtën, drejtuan dhe morën emocione të mëdha te ky ekip. S’ka qenë aspak e lehtë kjo punë çerekshekullore. Konkretisht nga stadiumi aktual “Redi Maloku” që 25 vite më parë ngjante një livadhi, te rrethimi i fushës brenda e jashtë, ndërtimi i ambienteve për skuadrat gjyqtarët, prapavijën, që kanë mbetur edhe sot thuajse po të njëjta, kërkuan sakrifica. Ishte ngjarje me përmasa të paharruara përfaqësimi i Ilirisë në kampionatet kombëtare nga viti 1992 e deri sot. Të jashtëzakonshme e çmoj dhe sot iniciativën mbi ngritjen e ndërtimin e ekipit. Nismë që u mbështet fort nga populli sportdashës që do falënderuar me shpirt. Madje edhe biznesi. Bedri Ziri që ka punuar edhe si drejtues klubi për disa vite ishte iniciatori që afroi të tjerë dashamirës. Njerëz që nuk iu “dridh” asnjëherë dora të mbanin në këmbë ekipin. Janë Kujtim Miri, Sulo Ganaj, Pëllumb Koka, Mehmet Mavriqi, i paharruari Abaz Ulliri që financuan gjithçka në vitet e para. Këta njerëz më shpirtmadhësinë e tyre dhuruan gjithçka për futbollin në Fushë Krujë. Ndihmesë të rëndësishme në vitet e para kemi pasur nga KF.Partizani, drejtuesit e atëhershëm z.Bujar Labinoti dhe i paharrueshmi Gjergji Thaka. Si trajner i parë, kujtoj për debutim e Ilirisë në futbollin shqiptar fatin që në këtë periudhë FSHF-ja organizoi një kurs një mujor për trajnerë futbolli te ish-kompleksin Dinamo. U regjistrova me një frymë ngaqë merrnin pjesë edhe specialistë zvicerianë. Po edhe shumë emra të njohur të futbollit shqiptar si Mexhit Haxhiu, Millan Baci, Shkëlqim Muca, Fatmir Hima, Luan Deliu, Apostol Fështi, Edmond Gëzdari, Ilir Luarasi Ferit Rragami. U pajisëm më dëshmitë përkatëse dhe përvoja e ndërsjellë e fituar më ndihmoi të isha në krye të Ilirisë. 

Brezi që la kujtime të pashlyeshme, jo vetëm në Superiore 
Në memorien time si trajner i parë dua të sjell në vëmendje me kënaqësi ish-futbollistët e brezit të parë. Janë konkretisht: Gëzim Kuqi, Agim Prushi, Qemal Prushi, Arben Cypi, Nazmi Doku, Marim Haxhia, Lulëzim Disha, Ilir Backa, Festim Lusha, Bashkim Selmani, Shyqyri Sadiku, Indrit Gjokeja, Guxim Sorra, Pëllumb Ymerllari, Pëllumb Babasi, Skënder Maloku, Ilir Cypi, Nazmi Selmani, Ramadan Shima, Jul Thaçi, Sulejman Dema, Ivan Bardhi, Shkëlqim Saliu, Blerim Cela, Hamit Vathi. Stafin teknik përbëhej nga Kujtim Kaziu, Afrim Kurti e Jonuz Lala. Ka shumë gjëra për t’u veçuar nga ndeshjet e para, por e paharruar ka mbetur fitorja në Krujë, në prill 1994. Fituam një takim që kishte vlerën thuajse si të një finaleje, pasi krutanët luanin për dy rezultate, ndërsa Iliria ngjitej vetëm nëse fitonte. Ndodhi pikërisht ajo që askush se kishte menduar, dhe fitorja e Ilirisë pati vlera përcaktuese duke triumfuar brenda në stadiumin fqinjë të “Kastriotit”. Ngjitja në kampionatin elitar solli një tjetër fitore në start me Vllazninë 1-0, me një gol të mrekullueshëm nga Shkëlzen Rustami. Atmosfera e mobilizimit bëri të mos ndikonte fakti që, ky takim u luajt dhe u fitua në Laç. Ndonëse për shkak të përvojës së pakët, skuadra nuk arriti të rezistojë, pasi zbriti sërish në Kategorinë e Dytë, krijoi megjithatë një bazament të mirë falë pasionit të Fatmir Salës, njeriut më të pasionuar që ka mbajtur gjallë tërë këto vite futbolli në Fushë Krujë, duke bërë sakrifica të papara. Nga brezi i parë, e deri tek më i fundit, janë disa futbollistë të spikatur për talentin e mjeshtërinë e tyre, si: Florenc Shahini, Saimir Gjokeja, Pëllumb Ziri, Saimir Maloku, Pëllumb Demiri, Dashamir Çangu, Afrim Deliu, Festim Lusha, Shkëlzen Rustami, Besnik Hasa, Durim Caca, Besnik Zeka, Ledio Doçi, etj, dhe pa diskutim, trajner më i suksesshëm, Fatmir Sala. Mrekullia e ngjitjes në Kategorinë Superiore 1994-1995 (Atëherë quhej Kategoria e Parë), konsiderohet ndër më të bukurat e futbollit në Fushë Krujë. U kalua një ndeshje historike që Iliria kreu me Kastriotin në stadiumin Krujës, dhe në fushë u fitua burrërisht 2-1. Pas ndeshjes dhe në tërë aksin që zbret Kruja, festa shpërtheu. Qyteti i priti futbollistët si heronj, dhe atë natë askush nuk fjeti, pasi sheshi dhe lokalet e qytetit të vogël u mbërthyen nga festimet. Ishte më shumë se një mrekulli ngjitja në Kategorinë Superiore dhe luajtja për herë të parë e të fundit për Ilirinë në sezonin 1994-1995 në elitën e futbollit shqiptar.
Pas rënies nga Superiorja, riorganizimi u bë i domosdoshëm
Pas eksperiencës së vetme në superligë, ndodhi ashtu pa pritur vdekja e biznesmenit Abaz Ulliri, një financues ky që pati dhënë shumë për futbollin. Skuadra “rrëshqet”. Bie në kategorinë e dytë e madje për disa vite iu desh të luante dhe në kategorinë e tretë. Thuajse për një dekadë (1999-2009) pati “krizë” në shumë aspekte. U desh afrimi e mbështetja që dhanë një grup tjetër sponsorësh si Ndriçim Babasi, Kiço Gjonçi, Met Hida, Nazmi Selmani dhe ish-Bashkia Fushë Krujë, e tani ajo e Krujës nga varet Iliria, që skuadra në tre sezonet e fundit luan dhe përfaqësohet denjësisht në Kategorinë e Parë. Ky përvjetor i 25-të tregoi se Iliria po rritet vit pas viti. 
Rezultatet e sezonit 1994-95, historia në elitën e futbollit shqiptar
Ka mbetur historik dhe i paharruar përfaqësimi i parë dhe i fundit i Ilirisë së Fushë Krujës në Kategorinë Superiore që i përket sezonit 1994-1995. Gazeta “Telegraf” ekskluzivisht po boton të plota të gjitha rezultatet me çdo skuadër sipas fazave. 

Me Tiranën 0-5 dhe 1-2 
Me Tomorin 0-1 dhe 0-0
Me Teutën 3-2 dhe 0-2 
Me Apoloninë 3-5 dhe 0-2
Me Partizanin 1-3 dhe 1-2 
Me Vllazninë 1-0 dhe 0-1
Me Flamurtarin 0-5 dhe 1-0 
Me Elbasanin 0-2 dhe 1-0
Me Luftëtarin 1-0 dhe 1-4 
Me Beslidhjen 1-1 dhe 0-2
Me Dinamon 0-1 dhe 1-8
Me Albpetrol 0-1 dhe 4-3 
Me Laçin 2-1 dhe 0-2
Me Shkumbini 0-3 dhe 0-4 
Me Besën 0-1 dhe 0-1
Bilanci në total/ vendi i 16-të
Nd 30, F 7, B 2, H 21, Golat 22:64
STATISTIKAT/ Ja pjesmarrjet dhe renditjet e Ilirisë në kampionatet kombëtare:
Skuadra e Ilirsë zë një vend modest në futbollin shqiptar. “Telegraf” publikon për herë të parë, rrugën e të gjitha përfaqësimeve në 25 vite jetë të saj.

Nr. Sezoni Kat. Vendi Nd. Pikë Fit. Bar. Humb. Golat
1. 1992-93 2 5 13 13 5 3 5 18:16
2. 1993-94 2 1 14 22 10 2 2 28:12 
3. 1994-95 S 16 30 16 7 2 21 22:64
4. 1995-96 2 9 27 13 4 1 22 18:66 
5. 1996-97 2 7 11 13 4 1 6 19:18
6. 1997-98 2 5 10 6 1 3 6 6:17 
7. 1998-99 2 6 15 5 1 2 12 10:33 
8. 1999-00 Skuadra e Ilirisë përfaqësohet në ndeshje të Kategorisë Tretë
9. 2000-01 Skuadra e Ilirisë përfaqësohet në ndeshje të Kategorisë Tretë
10. 2001-02 Skuadra e Ilirisë përfaqësohet në Kategorinë e Tretë
11. 2002-03 2 4 20 31 9 4 7 36:24
12. 2003-04 Skuadra e Ilirisë përfaqësohet në ndeshje të Kategorisë Tretë
13. 2004-05 Skuadra e Ilirisë përfaqësohet në ndeshje të Kategorisë Tretë 
14. 2005-06 Skuadra e Ilirisë përfaqësohet në ndeshje të Kategorisë Tretë
15. 2006-07 Skuadra e Ilirisë përfaqësohet në ndeshje të Kategorisë Tretë
16. 2007-08 Skuadra e Ilirisë përfaqësohet në ndeshje të Kategorisë Tretë 
17. 2008-09 2 7 22 30 8 6 8 25:31 
18. 2009-10 2 6 24 36 11 3 10 34:29
19. 2010-11 2 2 26 58 19 1 6 45:20
20. 2011-12 1 11 30 36 11 3 16 38:45 
21. 2012-13 1 14 30 37 10 7 13 35:37 
22. 2013-14 2 1 24 63 20 3 1 56:15
23. 2014-15 1 4 27 33 9 6 12 25:25 
24. 2015-16 1 8 27 28 8 4 15 34:45
25. 2016-17 1 8 28 20 7 6 12 22:36
Sigal