Etika pa etikë, dënon lojtarë që s’kanë luajtur

485
Komisioni i Etikës në Federatën Shqiptare të Futbollit duket se dje ka qenë tërësisht pa etikë, teksa ka dënuar një lojtar, i cili nuk ka luajtur në një ndeshje të caktuar. Me akuzën “për komplotim në influencimin e rezultatit”, Komisioni i Etikës në Federatën Shqiptare të Futbollit ka dënuar gjashtë muaj portierin e Flamurtarit, Ilion Lika, kapitenin e Elbasanit, Ganiol Kaçuli, si dhe futbollistin e Partizanit, Arben Muskaj. Portieri i kuqezinjve është akuzuar për ndeshjen Partizani – Flamurtari 2-1, luajtur më 4 mars 2015, si dhe për ndeshjen Kukësi – Flamurtari 4-0, e cila është zhvilluar më 16 mars 2015. Ndërkohë Muskaj është dënuar gjashtë muaj për ndeshjen e Kupës së Shqipërisë, Laçi – Partizani 3-0, e cila është zhvilluar më 18 shkurt 2015. E vërteta është se janë thirrur disa prej futbollistëve të dënuar, por jo të gjithë, ndërsa skandali është se dënohet Lika gjashtë muaj për një ndeshje në të cilën ka qenë në stolin e rezervave dhe nuk ka luajtur asnjë minutë. Për rrjedhojë duket si një dënim e kjo jo vetëm për Likën, por dhe për të tjerët, për t’i bërë nder presidentëve, të cilët kështu do të kenë kënaqësinë për të mos i paguar lojtarët e kontraktuar. E jo vetëm kaq, të gjithë në Komisionin e Etikës, kur më parë janë dënuar me të njëjtën akuzë po gjashtë muaj edhe Alfred Osmani i Teutës dhe Arjan Pisha i Elbasanit, merren me zbatuesit e urdhrave të atyre që qëndrojnë lart në tribunën VIP. Të cilët për një, apo disa arsye, me çfarëdolloj rezultati në kurriz të cilësisë së futbollit janë të kënaqur, sidomos për nga ana financiare. Parë kështu ajo që duhet të kishte bërë Etika ishte marrja dhe me ata që shkaktojnë trukimin, apo influencimin në rezultat. Sepse nuk janë vetëm këto futbollistë shkaktarët e gjithçkaje, ndërsa në fakt jo rrallëherë nën zë janë etiketuar drejtuesit e klubeve të futbollit si produkt i asaj që tifozët jo pak e kanë vërshëllyer nëpër stadiume. Dhe në botë ndodh, por ama drejtësia si në rastin e Juventusit është marrë dhe me presidentë klubesh, ndërsa ajo që nuk po reagon prej vitesh është prokuroria, e cila dhe kur ka pasur raste të denoncimit të trukimeve e ka mbyllur çështjen për mungesë faktesh. Aq më shumë që as Kodi Penal nuk parashikon asnjë penalitet. Shkurt, e djeshmja dhe dënimi gjashtë muaj i një lojtari që nuk ka luajtur është njollë për Etikën e Federatës Shqiptare të Futbollit, që është e sigurt se më vonë do të rishikojë e do të bëjë ndryshimin e këtyre vendimeve absurde.
Partizani kundër Etikës: Dënimi Muskajt, i padrejtë
Vendimi i Komisionit të Etikës ka sjellë reagimin e klubit të Partizanit, që ka reaguar për dënimin e futbollistit Muskaj për influencim të rezultatit të ndeshjes Laci-Partizani 3-0, e 18 shkurtit të këtij viti. Zëdhënësi i klubit të kuq, Olsi Ranxhi, ka theksuar se është njohur për këtë vendim nëpërmjet mediave, ndërsa klubi, sipas tij, e cilëson një padrejtësi dënimin ndaj Muskaj. Klubi i Partizanit është i vendosur për t’i vajtur deri në fund kësaj çështjeje dhe do ta apelojë vendimin e Etikës. Gjithashtu zëdhënësi i Partizanit ka bërë me dije se Komisioni Etikës nuk ka kërkuar asnjëherë nga Muskaj që të dëshmojë lidhur me këtë çështje, ndërkohë që në dy raste kur dy futbollistë të tjerë të Partizanit janë thirrur nga Etika, dëshmia e tyre ka qenë për një tjetër ndeshje dhe jo për sfidën e Kupës mes Laçit dhe Partizanit.
Reagon Ganiol Kaçuli: I zhgënjyer nga ky vendim
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kapitenit të Elbasanit, Ganiol Kaçuli, i cili është dënuar gjashtë muaj për komplotim dhe influencim të rezultatit në ndeshjen e 16 marsit 2015 mes Partizanit e Elbasanit, 4-1 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Sipas Kaçuli, vendimi i Komisionit të Etikës në FSHF jo vetëm që është absurd, por mbi të gjitha të zhgënjen kur në fakt kapen të gjithë mbas atyre që janë në fushën e lojës. “Më duket shumë absurd si vendim – thotë Kaçuli – sepse ne po mundohemi të luajmë me forcat tona, teksa jemi skuadra më e re në moshë në Kategorinë Superiore. Të gjithë u duket çudi se si mund të na mundin skuadrat e kreut të elitës së futbollit shqiptar. Që do të thotë se tani kemi frikë jo vetëm të luajmë, por dhe të lëndohemi, apo të dëmtohemi, sepse na dënojnë direkt. Më vjen keq që kështu kapen vetëm pas lojtarëve për këto gjëra”. Ndërkohë Kaçuli pranon që e kanë thirrur në Komisionin e Etikës, ndërsa ka dhënë shpjegimet e tij në lidhje me ndeshjen Partizani – Elbasani 4-1. Në fakt në atë ndeshje në pjesën e parë verdheblutë kanë qenë në avantazh 1-0 e më pas në të dytën janë shthurur dhe kanë pësuar katër gola. Dhe për këtë gjë që ka ndodhur në atë ndeshje, Kaçuli për Gazetën “Telegraf” do të deklaronte: “Ne në atë ndeshje kemi hyrë që në minutën e parë e deri në fund të motivuar për të arritur rezultatin pozitiv, edhe pse e dinim se përballë kishim një skuadër të fortë. Në pjesën e dytë ne kemi pësuar një gol të shpejtë, që ishte i barazimit dhe më pas skuadra u shpërqendrua për të mos thënë që u shthur totalisht. Kemi pësuar dhe dy gola të tjerë e për rrjedhojë e humbëm atë ndeshje. Mos harroni që jemi një skuadër me moshën mesatare 22-23 vjeç dhe të luash me ekipe me eksperiencë është e vështirë. Më vjen çudi me këto vendime të kota dhe absurde të Komisionit të Etikës, ndërsa jam vërtetë i zhgënjyer”. Kapiteni i Elbasani ka pranuar se do ta apelojë vendimin. “Sigurisht që po, sepse duke e ditur që jam i pafajshëm do ta kërkojë deri në fund të drejtën time. Nuk kam pse të mërzitem përderisa e di se në çfarë vendi jetojmë dhe në çfarë futbolli luajmë”, ka përfunduar Kaçuli. 
Ibrahimi: Partizani duhet ta sigurojë Europën…!
Barazimi ndaj Kukësit e ka larguar Partizanin nga kreu i klasifikimit duke ulur shpresat e të kuqve për të rikthyer titullin, i cili mungon që nga viti 1993. 15 herë kampionët tashmë e shohin veten 6 pikë larg kreut dhe duket që objektivi final mbetet pjesëmarrja në Kupën e Europës, një fakt i pranuar edhe nga trajneri Shpëtim Duro në përfundim të sfidës me Kukësin. Megjithatë duket që shpresat, edhe pse janë zbehur, nuk janë zhdukur përfundimisht tek të kuqtë, çka konfirmohet nga mbrojtësi Labinot Ibrahimi.“Sa të na lejojë matematika ne do të shpresojmë dhe të japim maksimumin. Nuk do të dorëzohemi deri në fund”, ka thënë Ibrahimi. Megjithatë edhe pse matematika i mban në lojë, 27-vjeçari e kupton që të arrish tek titulli duhet një mrekulli. Për këtë arsye mbrojtësi qëndron në sinkron me trajnerin kur evidenton si objektivin kryesor pjesëmarrjen në Kupat e Europës. “Shpresojmë të arrijmë qëllimin për të luajtur në kupat e Europës. Çdo hap fals na largon nga ky objektiv”. Fundjava rezervon një transfertë të vështirë në “Niko Dovana” të Durrësit ndaj Teutës. “Djemtë e detit” luajnë për të siguruar mbijetesën dhe një kundërshtar i tillë nuk është aspak komod. Ibrahimi lëshon apelin për skuadrën dhe tifozët duke u shfaqur optimist për rikthimin tek fitorja. “Është një transfertë e vështirë, pasi Teuta nuk ka çfarë të humbasë. Kam besim tek ekipi dhe me ndihmën e tifozëve do të marrim tre pikët.”
Sigal