Dinamo, nga lufta për titull në luftën për mbijetesë

487
Sigal

Në fokus, nga dorëheqja e trajnerit deri tek dënimi i FIFA-s

 Një Dinamo me dy fytyra, kjo është ndoshta më e sakta që mund të thuhet për skuadrën dinamovite, ku në fazën e parë ishin ekipi pretendent për tu shpallur kampion, e të arrinin kështu të riktheheshin në Superligë, në elitë. Por faza e dytë ka rezultuar shumë e dëmshme dhe e paqartë për kryeqytetasit që nuk e gjejnë më veten në luftë për kreun, por në luftë për mbijetesë, duke humbur terren ndeshje pa ndeshjeje. E në këto rezultate negative kanë të bëjnë shumë faktorë, ku kujtojmë që Dinamo akoma nuk ka vendosur për një trajner të ri, pas dorëheqjes së Dritan Mehmetit në fillim të  marsit.

Faza e parë– Dinamo, gjatë fazës së parë ishte një nga ata ekipe që rivalizon denjësisht për një vend në Superligë, duke të dhënë përshtypjes se më në fund do të rikthehej në elitë, pas tre vitesh mungesë. Fitoret, barazimet, e më pak humbje, krijuan përshtypjen se rruga ishte ajo e duhura duke mbajtur kështu edhe vendin e parë në renditjen e përgjithshme të grupit B.

Faza e dytë– Një situatë e kundërt këtë herë, ku ndonëse e nisi mbarë fazën e dytë, të paktën duke mos lëshuar shumë terren në drejtim të ekipeve të tjera, mbyllja ishte për tu harruar, ku në takimin e fundit të luajtur ndaj Pogradecit humbën, duke humbur edhe shansin për përmirësim.

Mungesa e trajnerit– Dorëheqja që dha Dritan Mehmeti ishte për shkak të rezultateve të këqija, por deri më tani, akoma nuk është gjetur zëvendësi i tij, ku aktualisht ekipin e trajnon Rodenc Asllani. Deri më tani, akoma nuk është bërë zyrtar një emër që do të zëvendësojë trajnerin e ikur, duke e bërë akoma edhe më të vështirë situatën e ekipit.

Dënimi i FIFA-s– Një -3 pikë që luajti shumë rol tek situata e klubit, ku kaluan nga vendi i dytë në vendin e pestë. Që nga ai vendim, situata nuk është përmirësuar për Dinamon, që duket se janë shumë larg synimit për të ndërruar kategorinë e synuar. Rifillimi i fazës së tretë ndoshta do të sjellë një tjetër “fytyrë” të Dinamos, që për tu gjendur përballë rezultateve më pozitive, kanë nevojë për një trajner të ri, për rezultate pozitive dhe padyshim humbje në vazhdimësi të kundërshtarëve.

 Sot ndeshjet vendimtare për fazën e 1/4-ve në Ligën e Kampioneve

Rikthehen edhe një herë në vëmendje ndeshjet e Ligës së Kampioneve, e këtë herë takimet janë në një fazë vendimtare ku do të zbulohen edhe ekipet që do të kalojnë më tej, në fazën e tetësheve. Në fakt ka shumë enigma sa i përket ekipeve që do të kalojnë më tej, pasi në katër takimet që do të luhen sot dhe nesër, janë 3 rezultate që janë ndarë në barazim, duke zgjatur edhe më tej “agoninë” e kualifikimit. Në tërësinë e gjithë takimeve, Reali i Madridit duket më afër kualifikimit, duke qenë se arriti të korrte një fitore 2-0 në Gelsenkirshen, ndërkohë që të gjitha ekipet e tjera do e thonë fjalën e fundit në takimet e dyta, ku Bazeli barazoi në fushën e vet me Porton dhe luan një ndeshje për rekord sot në Portugali. Nga ana tjetër, nesër e kanë radhën dy barazimet tjera, ku Bajerni i Mynihut pret në shtëpi ukrainasit e Shaktar, në një ndeshje që trajneri i bavarezëve e ka quajtur si një finale. Ndërkohë e fundit ndeshje e kësaj jave në Ligën e Kampioneve është takimi mes Çelsit dhe PSG, ku ai barazim favorizon në parim londinezët, por gjithçka mund të pritet në një ndeshje ku futën shumë nga futbollistët më të mirë të botës.

 Ndeshjet  sot dhe nesër

Bazel – Porto  (1-1)

Schalke – Real Madrid  (0-2)

Shaktar – Bajern Mynih (0-0)

Çelsi – PSG  (1-1)

Tifozë-Flamurtari, Telushi mban të “lidhur” të dy palët

Ngado që ta marrësh, situata tek Flamurtari është kaotike, që nga drejtuesit, trajneri, futbollistët dhe tifozët. Një “termet” ra për Flamurtarin pas ndeshjes me Partizanit, por akoma ndihen dridhjet dhe pasojat e atij “fenomeni”, pasi situata vazhdoi edhe me një tjetër humbje të vlonjatëve, pikërisht ndaj Skënderbeut, skuadër që historikisht e kanë mundur në shtëpinë e tyre, por që mesa duket këtë herë çdo gjë doli jashtë kontekstit të të zakonshmes. Një humbje që i vë kështu një farë vule gjendjes aktuale të skuadrës, duke sjellë përsëri një acarim të marrëdhënieve mes tifozëve dhe klubit, por në këtë rast është Telushi, kapiteni, që mendon për të vënë “paqe” mes palëve, ku u ka kërkuar falje tifozëve për humbjen ndaj Skënderbeut, humbje që erdhi edhe pse ekipi dha maksimumin.

Deklarata– “U kërkoj falje të gjithë tifozëve të skuadrës time të Flamurtarit dhe të gjithë atyre që e ndiejnë vërtetë këtë, që nuk arritëm ta mbanim rekordin që kemi ndaj Korçës. Ju them me shpirt që dhamë maksimumin”. Këto kanë qenë fjalët e Telushi, që sado pak kanë ndikuar tek tifozët, duke e mbrojtur në një farë mënyre kapitenin e tyre. Humbja ndaj Skënderbeut ishte e dhimbshme jo aq shumë për kampionatin sesa ishte për shkak të historisë, ku në më shumë se 40 vjet kanë qenë një fortesë e pamposhtur për korçarët, e humbja e ditës së diel sigurisht që e bën situatën akoma edhe më të koklavitur për klubin e Flamurtarit.

Zhvillimet-Kujtojmë që ndeshja ndaj Partizanit vazhdon të japë pasojat e veta, ku së fundmi edhe trajneri Ramela nuk u paraqit të jepte deklaratë për shtyp pas humbjes me Partizanin, ndërkohë nga ana tjetër administratori Idrizi deklaronte se trajneri nuk del të flasë më për shtypin pasi nuk pyetet për anën taktike të ndeshjes, por për të tjera situata që nuk i përkasin atij. Sigurisht që situata në të cilën ndodhet ekipi nuk është aq e mirë sa çdo të duhej, duke e bërë edhe më të vështirë takimin që do të ketë me Laçin këtë të enjte, ku është ndeshja e prapambetur që nuk u luajt  për shkak të shiut të rrëmbyer që e bëri shumë të vështirë terrenin në fushën e Vlorës.

 Federata e Futbollit të Kosovës aplikon zyrtarisht për pranimin në UEFA

Dje, FFK ka dërguar dokumentet zyrtare pranë UEFA-s për tu pranuar në Federatën Europiane të Futbollit. Ky dokumentacion i dorëzuar nga Fadil Vokrri dhe Eroll Salihu është dorëzuar edhe në departamente të tjera të UEFA-s në Departamentin ligjor, Departamentin e Licencimit të klubeve të tjera, Departamentin e Garave etj. Ky dorëzim është bërë pas takimit që kanë pasur këta përfaqësues të FFK me Mishel Platininë. Nga ana tjetër, FFK ka deklaruar se ky aplikim është vlerësuar shumë:  “Dokumentacioni i dorëzuar është vlerësuar lartë dhe të cilin para mediave e lavdëroi edhe vetë z. Platini. Aplikacioni do t’i dorëzohet KE të UEFA-s në mbledhjen e radhës ku do të procedohet më tutje në instancat e UEFA-s deri në pranimin e plotë të FFK-së në UEFA”. Pra çdo gjë do të zbulohet në mbledhjen e radhës, ku nëse Kosova pranohet në UEFA, sfida e radhës quhet FIFA.