Bajram Mane/ Shkolla  Ushtarake “SKËNDERBEJ”, legjenda e formimit te gjithanshëm të oficerëve tanë

1378
Sigal

Me 28 shkurt 2015, në Qendrën Kulturore të Ushtrisë, u mblodhën ish skënderbegas, me moshë e profesione  të ndryshme, por që i bashkonte të gjithë një emër i madh, që e gëzoi secili prej tyre, emri “Skënderbegas”, duke i çuar në rininë e tyre të hershme, kur ishin 14-18 vjeç. Me plot emocione, të rinuar seriozisht në shpirt e në zemër, zhvilluan  këtë sesion jubilar, për të kujtuar e festuar 70 vjetorin e shkollës ‘Skënderbej’ dhe për të hedhur vështrimin në vite mbi jetën, mësimet dhe edukatën që morën breza të tërë skënderbegasish nga ajo shkollë legjendare, shumë e dashur dhe e shtrenjtë për ta. Në këtë salle ishin vetëm një pjesë e skënderbegasve. Të tjerët janë shpërndarë anë e mbanë atdheut e jashtë tij. Por me shpirt e zemër ishin pranë nesh, për të kujtuar me mall shkollën e dashur dhe stafin pedagogjik të admirueshëm dhe shumë të dashur për të gjithë skënderbegasit. Kush nuk i kujton ato vite. Vinim nga të katër anët e vendit. Dikush me rroba të reja e dikush me rroba të vjetra. Mendja na shkon në 28 marsin e vitit 1945, kur shkolla hapi dyert e saj e pranoi nxënësit e parë që zbrisnin nga mali, nga fronti i luftës, me nivele shkollimi e diferencë moshe. Por iu futën me pasion e me vrull luftarak të partizanit dijes e kulturës, kapërcyen çdo  pengesë, duke u bërë shembull i shkëlqyer për të gjithë skënderbegasit që erdhën më pas. Kush nga ne nuk i kujton ditët e fillimit e të mbarimit  të shkollës. Shkolla na hapi krahët dhe gjoksin e na mbështolli me dashuri prindërore. Ajo na veshi bukur me uniformen e ‘begasve’, spaleta të kuqe me dy germa  të florinjta, SK. Me gushore të verdhë e me shirita të kuq në dy anët e pantallonave. Kush nuk na kishte zili e nuk na adhuronte nga shkollat e kryeqytetit. Shkolla na miqësoi e na dashuroi me njëri tjetrin. Na bëri të ditur e me mjaft kulturë, na edukoi, na stërviti, na disiplinoi e na dha virtyte të çmuara, na kaliti vullnetin e dashurinë për profesionin  e ushtarakut. Na dha kode e norma të tilla  që na shërbyen në jetë dhe na bënë mjaft mirë për të ecur përpara. Dy drejtime madhore kishte për ne shkolla Skënderbej. Se pari, ajo ishte shkollë e mesme si gjithë shkollat e tjera të kryeqytetit. Së dyti, na formonte e na përgatiste si ushtarakë të ardhshëm. Si gjimnaz ai shkëlqente. Baza mësimore u rrit bashkë me ne. Kabinetet e fizikes, kimisë, anatomisë, këndet e edukimit fizik, të argëtimit, këndet sportive e fushat e stërvitjes rriten në mënyrë të ndjeshme nivelin e mësimit, duke u bërë mjaft tërheqës për ne. Pjesëmarrja në mjaft olimpiada, si ato të matematikes e fizikës,  në të cilat mjaft skënderbegas  u vlerësuan me medalje ari dhe argjendi, e rriti edhe më shumë prestigjin e shkollës ‘Skënderbej’ duke nxjerrë atë në krye të shkollave të mesme të të gjithë vendit. Si shkollë ushtarake ajo dallohej nga emri (Skënderbej), nga  uniforma, nga organizimi e struktura e saj si skuadra, toga, kompania e deri te komanda e shtabi i shkollës. Rreshtorja, rreshti na ndiqte kudo që shkonim, në mësim, në studim, në mensë, fjetinë, në gjimnastikë e kudo. Aty merrnim elementet e pare të disiplinës ushtarake, aty e dëgjuam për herë të parë se në ushtri: “do te flesh kur nuk të flihet dhe do të hash kur nuk të hahet”. Në çdo veprim që kryenim vihej re një organizim i përsosur ushtarak. Rreshtimi dhe parakalimi çdo ditë të hënë, marshimet pas malit të Dajtit, pjesëmarrja në stërvitje me trupa, në spartakiada e manifestime, në parada, vizitat në uzinat e fabrikat ushtarake, në regjimentet e aviacionit të flotës, në brigadat e tankeve e në reparte të tjera ushtarake, na formonin dhe na shtonin edhe më shumë dashurinë për karrierën ushtarake. Kudo punuam dhe kontribuuam në ndërtimin e veprave të 5 vjeçarëve, në hapjen e rrugëve, në veprat energjetike, në ndërtimin e hekurudhave, në ndërtimin e liqenit artificial të Tiranës, në tarracimin e rivierës së Jonit etj., etj. Kudo ku kemi qenë, kudo ku kemi mësuar e jemi stërvitur kemi pasur dorën tënde të ngrohtë. Kudo kemi pasur kujdesin tënd o nënë e dashur. Më shumë se nëna jonë biologjike je interesuar ti për ne, deri sa na nxore në jetën e bukur e plot privacione të ushtarakut. Ti o nënë e dashur, disa nga bijtë tuaj, sipas nevojave që i paraqiteshin ushtrisë, i nxore gjithëarmësh, artilerë, ndërlidhësa, kimistë, xhenierë, tankista, zbulues, pilotë, marinarë, diplomatë, sportistë, mjekë, poetë e shkrimtarë të zot. Shumë nga djemtë e tu morën fatet e ushtrisë në dorë. Ata drejtuan e komanduan ushtrinë shqiptare në vite, duke qenë komandantë e komisarë regjimentesh, brigadash, komandantë e komisarë korpusesh e divizionesh deri në piramidën drejtuese të ushtrisë, si shefa të Shtabi të Përgjithshëm të Ushtrisë, z/shefa shtabi, drejtorë në drejtoritë e rëndësishme, z/ministra  të Ministrisë së Mbrojtjes, etj. Ne jemi krenarë për ty, por edhe shkolla ‘Skënderbej’ është krenare për bijtë e saj se nuk e kanë turpëruar, por e kanë  nderuar dhe  kanë dhënë maksimumin e mundshëm në funksionet dhe detyrat qe kanë pasur. Të gjitha këto suksese e arritje nuk mund të siguroheshin pa kontributin e pazëvendësueshëm të stafit pedagogjik të shkollës. Atyre u takon çdo sukses i arritur. Çdo meritë e jona e ka bazën tek mësimet që morëm nga mësuesit tanë të mrekullueshëm. Kë të kujtosh më parë nga pedagogët e mësuesit tanë. Profesor Eftimiadhi i viteve 1950-1954 e të tjerë, që Danten e recitonin në italisht, Bajronin në anglisht, Volterin në frëngjisht, drejtorin legjendë të shkollës Stavir Angjelin, njeriun e dashur për të gjithë, një prind e kujdestar i veçantë si ai. Viron Cinxo e Ali Neviri me një autoritet absolut, që shkruanin aq bukur e njëlloj me të dy duart dhe na jepnin mësim në katër lëndë, matematikë, gjeometri, trigonometri e stereometri, e me të drejtë ne i quanim komandantë e drejtorë të shkollës. Kështu ishte edhe Kozma Vasili, që na jepte psikologji. Ishte një psikolog i veçantë. Në sytë tanë kuptonte çdo shqetësim a problem qe ne kishim në jetën dhe aktivitetin mësimor dhe ushtarak të shkollës. Gjylizari dhe Sadete Kasa  në letërsi, e plot e plot të tjerë, që të më falin që nuk po ua përmend emrat. Çdo njeri prej tyre ishin të mrekullueshëm. Mësuesit tanë ishin nga më të zgjedhurit, nga më të mirët në Tiranë e më gjerë. Ata nuk ishin vetëm mësues, pedagogë, por, si thotë populli, me plot kuptimin e fjalës, ata ishin shpirt njeriu. Edhe pse nuk u pëlqente çdo capkënllëk e sjellje jo korrekte e jona me ta, ata kurrë nuk inatoseshin me ne. Sa bukur i administronin ata ndjenjat tona dhe inatin e tyre. Nuk na mbetet gjë tjetër veç tu themi një mijë herë faleminderit o njerëz të ditur e të mirë, o prindër të vërtetë për ne . Reforma në ushtri i mbylli dyert e shkollës ‘Skënderbej’. Skënderbegasit e dalë në vite, me paturpësinë më të madhe u quajtën jeniçerë. Mbylljen e shkollës ne e përjetuam shumë keq. Ne humbëm një legjendë, që deshi vite të tera të behej ikona e arsimit shqiptar. Ti dyert i ke të mbyllura dhe ne nuk na lejohet të vijmë në gjirin tënd, por shoqata ‘Skënderbej’ me në krye zotin Mikado Shakohoxha, t’i ka hapur dyert e dritaret dhe vazhdimisht ka organizuar aktivitete te rëndësishme për oficerë, nënoficerë, për sportiste, për mjekë e diplomatë që e kanë prejardhjen nga kjo shkollë. Prandaj ne kërkojmë qe shoqata e skënderbegasve të mos venitet kurrë dhe skënderbegasit që vijnë pas nesh, t’i festojnë edhe 100 vjetorin e shkollës ushtarake ‘Skënderbej’ që, me kontributin e të gjithë brezave që kaluan aty, u bë ikona e arsimit të mesëm dhe fidanishtja e përgatitjes së kuadrove ushtarake të ushtrisë sonë.

*Ish z/ministër i Mbrojtjes

Skënderbegas i viteve 1958-1962