Dështimi i futbollit shqiptar në Europë

602
Sigal

Vetëm një fitore në 12 ndeshje. Vetëm Laçi e Flamurtari kaluan turin e parë në Ligën e Europës

Asnjë nga katër skuadrat shqiptare që, morën pjesë në këtë edicion në Europë, nuk do ta vazhdojë më aventurën ndërkombëtare. Kështu, Skënderbeu u eliminua në turin e dytë të Ligës së Kampioneve me bjellorusët e BATE Borisovit; Kukësi u eliminua qysh në turin e parë të Ligës së Europës me kazakistanezët e Kairati Almatit. Gjithsesi, sukses mund të konsiderohet kalimi i një turi në Ligën e Europës nga ana e Flamurtarit me gjeorgjianët e Sioni Bolnisit, ndërsa Laçi u kualifikua me sllovenët e Rudar Velenjës. Bilanci është i hidhur, vetëm një fitore në 12 ndeshje (6 barazime e 5 humbje). Madje dhe fitorja e vetme u arrit në transfertë (Flamurtari kundër gjeorgjianëve të Sioni Bolnisit). Futbolli shqiptar, ndryshe nga suksesi i jashtëzakonshëm i edicioni të kaluar, ku pamë Kukësin të kalojë tre ture në Ligën e Europës dhe Skënderbeun një tur në Ligën e Kampioneve, për të mbërritur deri në turin e katërt të Ligës së Europës, duket se ka bërë hapa prapa. Të paktën, kjo në këndvështrimin e statistikave. Ka shumë faktorë që, mund të argumentojnë apo të justifikojnë dështimin e skuadrave tona, përfshirë fatin apo gjykimet, eliminimet në gola në fushë kundërshtare (në dëm të Skënderbeut apo në favor të Flamurtarit), por ajo që është thelbësore ka të bëjë me cilësinë që prodhon futbollin shqiptar në ballafaqimet europiane. Le t’i marrim të katër skuadrat me radhë: Skënderbeun, Flamurtarin, Laçin e Kukësin.

SKËNDERBEU
Kampioni i Shqipërisë ia doli të përballojë një gjigant (lindor) si BATE Borisov, duke e mbyllur në barazim pa gola takimin e parë të luajtur në “Borisov Arena”. Ndeshja e kthimit në Korçë pati situata dramatike, pasi takimi u mbyll 1-1, ndërkohë që Skënderbeu e goditi dy herë shtyllën. BATE shënoi e para me anë serbit Khagush, ndërkohë korçarët barazuan me anë të një supergoli të kroatit Marko Radash, me një goditje të lirë nga rreth 35 metra. Gjithsesi, BATE Borisovi u kualifikua falë golit të shënuar në fushën kundërshtare (në Korçë), pasi rezultati i dy takimeve u mbyll 1-1.

FLAMURTARI
Në turin e parë të Ligës së Europës, Flamurtari eliminoi gjeorgjianët e Sioni Bolnisi. Fitoi 3-2 në Gjeorgji me golat e realizuar nga France Veliu (20’), Taulant Kuqi (74’) e Gilman Lika (90’). Për Sionin shënoi dy gola Isiani (27’, 30’). Në takimin e kthimit në Vlorë, Flamurtari humbi 2-1. Golin vendimtar të kualifikimit e shënoi Ardit Shehaj pesë minuta nga përfundimi i ndeshjes. Për gjeorgjianët shënuan Ugulava (56’) dhe autogoli i Taulant Kuqit (83’). Flamurtari u kualifikua me më shumë gola në fushë kundërashtare, pasi rezultati i përgjithshëm doli 4-4.
Në turin e dytë, Flamurtari humbi 2-0 në Plojesht me Petrolulin. Golat për rumunët u shënuan nga Nepomuceno (77′) dhe Tamuz (84′).
Flamurtari humbi 3-1 me Petrolul Ploeishtein, duke pësuar humbjen e dytë me rumunët. Një ndeshje aspak dinjitoze për formacionin e Ernest Gjokës, pavarësisht se shënuan të parët me anë të shqiptarit nga Maqedonia, Nijaz Lena në minutën e 37-të. Petrolul, i udhëhequr nga kapiteni Adrian Mutu shënuan me anë të Filipe Teikseira (39’), Pablo (84’) dhe Priso (90’). Vlonjatët u eliminuan me rezultatin e përgjithshëm 5-1, pasi dhe takimin e parë të luajtur në Rumani e kishin humbur 2-0.

LAÇI
Në turin e parë, Laçi eliminoi sllovenët e Rudar Velenjës, kualifikimi i vendosur nga gjuajtjet e penalltive (4-3), pasi rezultati i përgjithshëm i dy takimeve doli 2-2. Takimi në “Arena Petrol” të Celjes u mbyll 1-1: Klinar (17′) për sllovenët dhe
nigeriani Adeniyi (89′). Edhe takimi kthimit në Laç përfundoi po 1-1: shënoi Adeniyi (58′), ndërsa barazoi në minutën e 93-të Eteroviç. Në “ruletën” e penalltive, portieri i Laçit, malazezi Miroslav Vujadinoviç, priti tri penallti, me kurbinasit që fituan 4-3. Në turin e dytë, Laçi humbi 3-0 në shtëpi me Zorja Luhansk. Golat për ukrainasit mbajnë firmat e Shetës (autogol 23’), Ljubenoviç (47’), Boli (75’). Laçi humbi 2-1 me Zorja Luhansk në “Obolon Arena” të Kievit. Zorja e shënoi vetëm në minutën e 73-të me anë të Ignjatijeviçit, Valdan Nimani barazoi për Laçin në minutën e 85-të, por dy minuta më pas ishte Budkivisky që vulosi rezultatin 2-1. Zorja Luhansk e Ukrainës u kualifikua pas dy fitoreve me rezultatin e përgjithshëm 5-1.

KUKËSI
Kukësi në drejtimin e Agim Canajt nuk mundi ta përsërisë mrekullinë e sezonit të kaluar në Ligën e Europës ku mbërriti deti në turin e katërt. Kukësi humbi 1-0 me Kairatin në Kazakistan me një gol të pësuar në minutën e 89-të të shënuar nga Darabaev. Në takimin e kthimit në “Qemal Stafa”, Kukësi nuk ia doli dot të shënojë edhe pse goditi një shtyllë. Kairat i Azerbajxhanait u kualifikua me rezultatin e përgjithshëm 1-0.

NDESHJET E
EKIPEVE
SHQIPTARE

LIGA E KAMPIONEVE
Turi i dytë eliminator

SKËNDERBEU
BATE Borisov-Skënderbeu 0-0
Skënderbeu-BATE Borisov 1-1
BATE Borisov i Bjellorusisë u kualifikua me gol në fushën kundërshtare pasiqë rezultati i përgjithshëm doli 1-1

LIGA E EUROPËS

Turi i parë eliminator

KUKËSI
Kairat-Kukësi 1-0
Kukësi-Kairat 0-0
Kairat i Azerbajxhanait u kualifikua me rezultatin e përgjithshëm 1-0.

FLAMURTARI
Sioni Bolnisi-Flamurtari 2-3
Flamurtari-Sioni Bolnisi 1-2
Flamurtari u kualifikua me më shumë gola në fushë kundërashtare, pasiqë rezultati i përgjithshëm doli 4-4.

LAÇI
Rudar Velenje-Laçi 1-1
Laçi-Rudar Velenje 1-1
Flamurtari u kualifikua nga gjuajtjet e penalltive (4-3), pasi rezultati i përgjithshëm doli 2-2.

Turi i dytë eliminator

FLAMURTARI
Petrolul Ploieshti-Flamurtari 2-0
Flamurtari-Petrolul Ploieshti 1-2
Petrolul Ploeiesht i Rumanisë u kualifikua pas dy fitoreve me rezultatin e përgjithshëm 4-1.

LAÇI
Laçi-Zorja Luhansk 0-3
Zorja Luhansk-Laçi 2-1
Zorja Luhansk e Ukrainës u kualifikua pas dy fitoreve me rezultatin e përgjithshëm 5-1.

Bilanci në total
12 ndeshje, 1 fitore, 6 barazime, 5 humbje. Golaverazhi: 9-17