Bedri ALIMEHMETI/ REFIK RESMJA, emër i madh i futbollit shqiptar

3196
Sigal

Dossier/ Rruga e suksesshme e një sulmuesi “bomber” të papërsëritshëm

Skeda
Emri: Refik
Mbiemri: Resmja
Vendlindja: Tiranë
Datëlindja: 18 maj 1931
Arsimi: Universiteti i Sporteve, dega mësuesi (1973)
Roli: Gjysmësulmues i majtë
Numri në fanellë: 11
Futbollist në skuadrat me të cilat është aktivizuar: SK Tirana (1947-1950), Partizani (1951-1963) si përforcues në disa ndeshje ka luajtur edhe për Dinamon.
Kampionati i parë: 1948 Tirana
Kampionati i fundit: 1962-1963 Partizani
Ndeshja e parë me Tiranën: 28 shkurt 1948 ndaj Vllaznisë (portier)
Ndeshja e parë me Partizanin: 14 janar 1951 ndaj Puna e Vlorës (sulmues)
Trofe:
Kampion 6 herë me Partizanin: 1954, 1957, 1958, 1959, 1961 dhe 1962-1963
Kupa të Shqipërisë 3 me Partizanin: 1957, 1958, 1961
Trofe ndërkombëtarë: Medalje e argjendë në Laipcig të RDGJ më 1958 dhe në Hanoi të Vietnamit më 1963 në lojnat e ushtrive të bllokut të lindjes.
Në kampionatet shqiptare ka shënuar: 450 gola
Golashënuesi më i mirë i kampionatit: 1951 (59 gola), 1952 (19), 1953 (16), 1954 (24), 1955 (23), 1956 (17), 1957 (11), 1958 (14)
Mbetet ndër më të mirët “bomber” në Botë: Me tetë herë radhazi në krye të listës së golashënuesve nëpër kampionate.
Shënuesi më i mirë në një vit: 1951 me 59 gola e shënuar renditet i katërti në Botë në ranklistën e golashënuesve në një kampionat, renditje kjo mundësuar nga IFFHS (Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe Statistikave të Futbollit). Me vendet II e III e ndan vetëm një gol (60) dhe me të parin dy (61).
Me ekipin Kombëtar aktivizuar në 5 ndeshje: Çekosllovakinë 29.12.1952 (3-2) dhe 07. 01.1953 (2-1), Poloninë 29.11.1953 (2-0), Kinën 15.09.1957 (2-3), RDGJ 01.05.1958 (1-1)
Gola: 1 ndaj Polonisë
Takime ndërkombëtare: 114 ndeshje
Në takime ndërkombëtare ka shënuar: 63 gola
Skuadra që ka drejtuar: Partizani 1967-1968, Lokomotiva e Durrësit (sot Teuta) 1971-1973, kombëtarja Shpresa 1971-1974 dhe kombëtarja e të rinjve 1974
Futbollisti më i mirë i vitit: 1957, 1958, 1959 (sipas anketës së gazetës “Sporti Popullor”)
Fitues i anketës “11 më të mirët e vendit”: Me rastin e 25, 45 dhe 55 vjetorit të [lirimit të atdheut.
Fitues i anketës “11 më i mirë i shekullit”: Viti 2000
Fitues i anketës “11 më i mirë në 100 vjet pamvarsi: Viti 2012
Tituj që mban:
“Mjeshtër Sporti”, “Mjeshtër i Merituar”, “Nderi i Sportit Shqiptar”, “Mirënjohje e qytetit të Tiranës”
Dekoruar:
Medalje e Artë “Naim Frashëri”, Urdhëri “Naim Frashëri” kl. I, Urdhëri “Ylli i kuq” kl.III, Medalje e Punës.
U nda nga jeta: 7 shtator 1997

Refik Resmja, numri 11 i KS Tirana, i Partizanit dhe i ekipit kombëtar është padyshim një nga emrat më të mëdhenj në historinë e topkëmbës shqiptare, Me futbollin që shpalosi nëpër fushat e blerta të vendit tonë, por edhe nëpër stadiumet e shumë vendeve të Botës si në Berlin, Budapest, Sofje, Lajpcig, Bukuresht, Stamboll, Moskë, Pragë, Hanoi, Pekin, Varshavë, etj., u duartrokit dhe u përshëndet për nivelin e lartë të futbollit dhe korrektesën e pazakontë që demonstroi në fushën e lojës. Shtatdrejtë, elegant, futbollist me përgatitje të gjithanshme atletike e tekniko taktike dhe mbi të gjitha golashënues i jashtëzakonshëm me një goditje të veçantë të topit me të majtën për të mos u harruar kurrë. Një “sallake e thatë” e papërsëritshme në llojin e goditjes së topit, një “predhë e vërtetë” e destinuar për të “pushuar” në rrjetën e portës kundërshtare, sidomos në goditjet standarde ku “sfera” kishte për destinacion gjithnjë dy trekëndëshat e portës, ky është përcaktimi që i bëhej goditjes së tij të famshme gjithnjë vetëm me të majtën. Kështu ka mbetur Refik Resmja në kujtesën e të gjithë futbolldashësve shqiptarë, që patën fatin ta ndjekin në gjysmën e dytë të viteve 40-të, komplet në dhjetëvjeçarin e viteve 50-të dhe thuajse deri në mesin e viteve 60-të. Një rrugë tejet e suksesshme mbi katërkëndorin e “qilimit” të gjelbërt me arritje të pazakonta për t’u patur zili nga çdo futbollist. Gjashtë herë kampion kombëtar dhe tri herë fitues i Kupës së Shqipërisë me fanellën e kuqe të Partizanit, dy herë fitues i medaljeve të argjendta në Lojërat e ushtrive të bllokut të lindjes (Traktati i Varshavës) në Lajpzig (1958) dhe Hanoi (1963), disa herë radhazi golashënuesi më i mirë në kampionatet shqiptare, fitues për vite me radhë në anketën e përvitshme të “10 sportistëve më të mirë të vitit” të gazetës “Sporti Popullor” të asaj kohe. Kjo është karriera sportive e “Mjeshtrit të Merituar” Refik Resmja. Kjo është rruga e suksesshme e një sulmuesi “bomber” të papërsëritshëm në historinë e futbollit shqiptar.
Refik Resmja u lind më 18 maj 1931 në një familje qytetare tiranse. Bashkë me moshatarët i vrau e i copëtoi së pari gjunjët e gishtërinjtë e këmbëve duke rendur pas topit prej lecke nëpër rrugicat e sheshet e lagjes “Xhamija Sherif” (sot “Ali Demi”), apo te fusha e “Rrapave” (sot ATSH) i magjepsur pas rrokullisjes së atij lëmshi, pa e ditur që nuk do t’i ndahej gjatë gjithë jetës. Në atë kohë kur Resmja i vogël kishte nisur të hidhte shtat, Riza Lushta, Naim Kryeziu, Adem Karrapici, Foto Janku, Rudolf Gurashi, Niko Dovana etj., po bënin epokë në futbollin shqiptar, që sapo kishte luajtur kampionatet e parë. Pra kishte kë të imitonte, kë të merrte si shembull për t’i ngjasuar, ndaj me shokët gjithnjë e më shpesh do të gjendej në fushën e Shallvares, sidomos në ditët kur luante Sportklub Tirana skuadra e qytetit të tij.
Dhe shumë shpejt ai do të inkuadrohej në ekipin e të rinjve të Sportklubit Tirana. Madje, sapo i kishte mbushur pesëmbëdhjetë pranvera, Resmja do të zbresë në vitin 1946 në fushën e lojës në roje të portës së këtij ekipi. Këtë rol kishte ëndërruar prej shumë vitesh të kryente në radhët e një skuadre futbolli. Donte t’i gjasonte portierit të Tiranës Rud Gurashit, donte të bëhej si durrsaku Niko Dovana, si Pashobeg Resuli apo Xhakomino Pozeli, që kishte ruajtur portën e kuqezinjve të Kombëtares shqiptare të saposhpallur kampione e Ballkanit. Por, një ditë në fund të një seance stërvitore gjatë një ndeshje miqësore me shokët e skuadrës preferon të luaj sulmues. Dhe i befason të gjithë me veprimet e tij. Pas kësaj Refik Resmja nuk e pa më veten kurrë mes katërkëndorit të portës. Grishja e hershme për të qenë “gardian” i saj iu shndërrua në ambicjen e një “gjahtari të pamëshirshëm” të rrjetës së saj, “silurimet” drejt së cilës nuk i ndali sa herë zbriti mbi “qilimin e blertë”.
Në Kampionatet e viteve 1947, 1948 dhe 1949 Resmja luajti për ngjyrat e Sportklubit Tirana. Ndërkohë në vitin 1950 thirret për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe bëhet pjesë e klubit Partizani, ku talenti dhe aftësitë e tij shpërthyen dukshëm në të gjitha drejtimet. Ende i ri Refik Resmja shumë shpejt arrin të bëhet një nga futbollistët më të shquar të Shqipërisë. Emri i tij është i pranishëm kudo, për të flitet në të gjithë ambjentet futbolldashës, numrin e tij 11, nisën ta mbajnë në fanelat e tyre me mijra fëmijë an e mbanë Shqipërisë. Në transmetimet radiofonike të ndeshjeve Anton Mazreku e Ismet Bellova nuk do të reshtnin: “Resmja, Resmja driblim i buikur i tij, goditje e fuqishme dhe gol. Entusiazëm i paparë në “Qemal Stafa”. Brohoritje e ovacione. Partizani ka kaluar në avantazh. Si gjithnjë për të ka shënuar Resmja”.
Në moshën njëzet e një vjeçarë më 20 nëntor 1952 vesh për herë të fanellën e ekipit kombtar. Luan që nga minuta e parë në një takim miqësor në “Qemal Stafa” ndaj Çekosllovakisë, ku ekipi ynë nën drejtimin e trajnerit Myslym Alla, me gola të Z. Gjinalit, Q. Telitit dhe S. Jarecit arrin një fitore te bukur 3-2. Një javë më pas me po të njejtin skuadër Resmja vesh sërish fanellën
e Shqipërisë. Nën drejtimin e teknikut Alla ekipi ynë kombëtar është sërish fitues 2-1, me gola të Z. Gjinalit e L. Boriçit. Të mos harrojmë në radhët e kombëtares Çekosllovale luanin emrat e njohur Hanaçek, Jira, Novak e Dvorak. Një vit më pas më 29 nëntor 1953 në një miqësore ndaj përfaqsueses së Polonisë, Kombëtarja shqiptare e teknikut hungarez Miklosh Vadash fiton në “Qemal Stafa” 2-0. Në këtë ndeshje Refik Resmja në 35′ shënon golin e tij të parë me fanellën e ekipit Kombëtar, ndërkohë që në 12′ kishte shënuar Loro Boriçi. Për Resmen ky gol ishte i pari e i fundit me fanellën e kombëtares, që në ato vite i kishte shumë të pakta takimet ndërkombëtare. Kështu pas këtyre tre ndeshjeve ai do të luaj edhe në dy takime të tjerë, ndaj Kinës në Pekin më 15 shtator 1957, ku ekipi ynë humbi 2- 3 dhe ndaj RD Gjermane në “Qemal Stafa”
1-1.
Gjatë karrierës futbollistike për ngjyrat e Partizanit ai ishte bashkëlojtar me emrat e njohur: Loro Boriçi, Besim Fagu, Rexhep Spahiu, Aristidh Parapani, Muharrem Karanxha, Fatbardh Deliallisi, Sulejman Maliqati, Miço Papadhopulli, Miço Ndini, Gani Merja, Kolec Kraja, Abdurrahman (Roza) Haxhiu, Simon Deda, Panajot Pano, Mikel Janku, Robert Jashari, Lin Shllaku, Sotir Seferi, Nikolla Bespalla, Iljaz Dingu, Ramazan Topi etj. Po kështu në vite të ndryshme me afat të shkurtër kohor, me të luajtën edhe Osman Reçi, Haxhi Arbana, Pavllo Bukoviku, Fatmir Frashëri, Galip Çaushi, Osman Mema, Luigj Bytyçi, Kristaq Gogoni, Teodor Vaso etj. Kurse veç këtyre në ekipin Kombëtar dhe në skuadrat e festivaleve të rinisë, Dinamos, Rinia e Tiranës dhe Përfaqsuesja e Tiranës, pati bashkëlojtarë :Qemal Voglin, Zihni Gjinalin, Skënder Jarecin, Qamil Hallunin, Eqerem Tallushin, Muhamed Vilën, Xhevdet Shaqirin, Enver Shehun, Shyqyri Rreli, Osman Reçin, Teofil Baçin, Leonidha Dashin, Gligor Sheshin, Ila Plakun, Bedri Stërmasin, Osman Casllin etj.
Në kampionatin e vitit 1951, kur ishte vetëm 20 vjeç në 24 ndeshje shënoi 59 gola, duke u përfshi në ranklistën e golashënuesve më të mirë të Botës
ku vazhdon të mbaj edhe sot vendin e katërt.
Pas ndërprerjes së aktivitetit futbollistik në vitin 1964, Refik Resmja drejtoi si trajner ekipin e të rinjve të Partizanit, ku përgatiti me kujdes shumë futbollistë të rinj të talentuar. Më pas drejtoi në pankinë ekipet e të rriturve të Partizanit e Teutës si edhe ekipin kombëtar Shpresa U-21 të Shqipërisë. Më pas deri sa doli në pension kreu detyrën e inspektorit të futbollit në Klubin Partizani.

Të veçanta nga jeta e Refik Resmes

Rekordmen i rrallë golash
Në një ndeshje futbolli Refik Resmja ka arritur të shënoj 3 herë nga 7 gola, 2 herë nga 6 gola, 2 herë nga 5 gola, 5 herë nga 4 gola, 10 herë nga 3 gola dhe dhjetëra herë nga 2 e 1 gol. Rekord që ende nuk është prekur nga asnjë futbollist në gjithë historinë e topkëmbës shqiptare.

Nënë Zyraja
Njeriu më i shtrenjtë për të. Një grua e dashur, e ëmbël, e nderuar dhe e respektuar nga të gjithë, Njeriu që e mbështeti dhe e nxiti pambarimisht për t’u bërë futbollist. Ashtu e urtë me atë marhamanin e bardhë borë si i thonë tirancit shamisë që mbajnë nënat në kokë, zinte vend në një nga tribunat anësore të stadiumit, nga ku ndiqte të birin tek djersinte në fushën e blertë me uniformën sportive, që ajo vetë ia kishte larë e bërë gati. Entuziazmohej për lojën e golat e tij të bukur dhe ngazëllente, kur tifozët shpërthenin në ovacione.

Dy finalet e 242 minutave lojë
Ka ndodhur në kampionatin XXIV. Java e fundit Partizanin e Dinamon i gjeti në krye të renditjes me nga 30 pikë. Sipas rregullores më 29 qershor 1961 ekipet ndeshen në një takim final për të përcaktuar kampionin. Atë ditë shikuesit në stadiumin “Dinamo” (sot “Selman Stërmasi”) përjetuan vërtet çaste magjikë. Kjo sigurisht falë lojës të të dyja skuadrave, por në mënyrë të veçantë spektaklit që dhuroi në fushë Resmja. Por, koha e rregullt u mbyll 0-0. Madje, edhe shtesa 2 X 15 drejt këtij rezultati ishte duke shkuar, por nuk mendonte kështu Refik Resmja, që në 117′ merr një top në thellësi të fushës së tij, vërsulet me shpejtësi drejt asaj të Dinamos dhe sapo futet në zonën e rreptësisë godet me të majtën, dhe gol. Stadiumi shpërthen në ovacione. Por, ende pa u shuar entuziazmi i tifozërisë së Partizanit në 118′ me një goditje jashtë zone Stavri Lubonja ka barazuar për Dinamon,1-1. I dëshpëruar keqas nga ky fakt Resmja, që kishte bërë gjithçka për ekipin, i cili vetëm pas tri minutash do të prekte titullin gati humb ndjenjat, tek bie në mes të fushës. Tri ditë më pas, më 2 korrik finalja e dytë. Edhe 90′ e saj mbeten të bardha (0-0). Madje, edhe pas 2 X 15′ shifrat nuk ndryshojnë. Për të përcaktuar kampionen duhet koha suplementare, 15 minutat e “golden goal” (goli i artë) gjatë të cilave nëse shënohet loja përfundon. Dhe pa kaluar 2 minuta pra në të 122′ , pas një rivënie ansore nga Seferaj topi përfjundon tek Pano, që sapo futet në zonën e Dinamos, godet fort dhe mposht portierin Qoshja. 1-0 për Partizanin. Kapiteni Refik Resmja ngre trofeun e 8-të për Partizanin.

Bashkëpunimi me treshet kombinative

Për nga mënyra si e shpaloste futbollin në fushë, si vraponte mes për mes lojtarëve të ekipit rival, si pasonte aq saktësisht e kombinonte përsosshmërisht me shokët e ekipit dhe i finalizonte aksionet me gola, Resmja kishte pushtuar zemrat e mijëra e mijëra futbolldashësve an e mbanë Shqipërisë. Por, mbi të gjitha në kujtesën e tyre ai ka mbetur brilant ei paarritshëm në veprimet kombinative, që arriti të kryente në periudha të ndryshme me treshet e njohura kombinative ndër vite, Kështu së pari mbahet mend ajo: Loro Boriçi, Vasif Biçaku, Muharrem Karanxha. Më pas me treshen: Kolec Kraja, Simon Deda e Panajot Pano, ai arriti përsosmërinë kulmore. Madje kjo treshe ishte befasuese, e fuqishme dhe e papërmbajtshme jo vetëm me ekipet e vendit, por edhe ndaj atyre të Ballkanit e Europës.

E majta dhe e djathta
Si golashënues Refik Resmja, ky “bomber” mjeshtër i papërsëritshme i goditjeve standard dhe i roveshatave shquhej për gjuajtje me çdo pjesë të këmbës së majtë, ngaqë të djathtën thuajse nuk e përdorte fare. Dhe një herë pyetjes së disa miqve, përse nuk e përdorte të djathtën, i dha këtë përgjigje: “Unë mendoj se jam në rregull. Këmbën e majtë e dua për të luajtur futboll, kurse të djathtën e dua për të qëndruar më këmbë. Kjo ishte përgjigja që u ka dhënë golashënuesi më i madh i Botës hungarezi Ferenc Pushkash, pyetjes së disa kolegëve. Dhe për mua kjo është përgjigja e pyetjes tuaj”.

Dëshira
“Nuk kam dëshirë të dal nga fusha e lojës pa gol”. Ka shkruar Resmja në kujtimet e tij. “Të gjithë ata, që më ndjekin nëpër stadiume, – vijon më tej ai – presin nga unë, që me aftësitë e mija individuale të gërshetuara me ato të kolektivit, t’i kënaq ata. Dhe unë në fushën e lojës, atë mundohem të bëj, sidomos me driblime, pasime, depërtime, improvizime e iniciativa shoqëruar me gjuajtje të forta e të sakta, të gjitha pra në funksion të GOLIT, atij që u sjell më shumë emocione e gëzime”.

Dorën kundërshtarit
Ndërhyrjet e rënda ndaj tij nga futbollistët e skuadrave rivale edhe pse falë përgatitjes së shkëlqyer atletike që zotëronte, arrinte t’i shmangte, gjithsesi në më të shumtën e rasteve bëhej pre e tyre. Dhe në çdo brutalitet të tepruar ndaj tij, gjithnjë pas rrëzimit, i pari që ngrihej dhe i zgjaste dorën kundërshtarit, ishte pikërisht ai, futbollisti i cili gjatë gjithë karrierës sportive, jo nuk u ndëshkua nga gjyqtarët, por në fushë nuk shkaktojë asnjë faull ndaj të tjerëve. Kujtojmë që në ato vite nuk përdoreshin kartonët. Për ndërhyrje të rënda gjyqtari të paralajmëronte një herë, dy dhe në rastin tjetër të dëbonte nga fusha. Refik Resmja, jo vetëm nuk është paralajmëruar, por edhe as është këshilluar nga gjyqtarët.

Kanë thënë për Refik Resmen
STEFAN BOSHKOV – Futbollist i shquar legjendar i Bullgarisë në vitet 50-të: “Resmja është i madh midis të mëdhenjve”.
GUSTAV SHEBESH – Trajner i njohur hungarez, në vitet 50-të kur pa Refik Resmen gjatë një ndeshje, teksa vetë në atë kohë kryente detyrën e zv-Presidentit të FIFA-s u shpreh: – “Resmja është i denjë për të luajtur përkrah Ferenc Pushkashit të madh”.