De Biazi: “Kualifikimi i Shqipërisë në “Euro 2016”, historik, sfida e radhës për ne mbetet Franca”

608
Gerti – Zoti Xhani, mirëmbrëma dhe faleminderit që jeni sërish këtu në këtë studio, pranë meje, pranë publikut.
De Biazi – Faleminderit, mirëmbrëma të gjithëve! Jam i kënaqur që jam këtu pasi më jepni mundësinë që t’i uroj të gjithëve vitin e ri 2016.
Gerti – Atëherë, si nis ky vit 2016 për ju?
De Biazi – Nis si gjithmonë, duke menduar të programosh sa më mirë këtë Europian ku dhe do të përballemi këtë verë. Të bëjmë kujdes në detajet më të vogla, në mënyrë që të arrijmë në kondicionin më të mirë në këtë manifestim europian të futbollit. 
Gerti – Por, ajo që është më shumë e rëndësishme për ty mbetet gjendja e lojtarëve, brenda atyre 35 lojtarëve që ju keni përsëritur shpesh që do të nxirrni më pas 23-shen zyrtare për Europian. Kushtet e tyre dhe dëshira për të qenë në fushë?
De Biazi – Po. Por jemi pak herët tashmë të flasim për ata që do të vijnë në Francë, ose jo. E rëndësishme është që grupi me të cilin arritëm këtë objektiv, sipas meje objektiv i jashtëzakonshëm, pak a shumë do të jetë në Francë për të bërë të mundur performimin sa më të mundshëm në mbrojtjen e ngjyrave kuqezi. 
Gerti – Çfarë doni të thoni me këtë, pak a shumë…?
De Biazi – Sepse, deri në Europian janë edhe 6 muaj dhe kështu kohë kemi. Kërkojmë dhe mendojmë të bëjmë zgjedhjet më logjike për lojtarët, natyrisht në vijimësi edhe të asaj që ka prodhuar skuadra këto 2 vjet eleminatoresh. Dhe kjo do të vlerësoshet shumë nga ana jonë. 
Gerti – Mendon të jesh në një presing, sa i përket emrave që do të grumbullosh?
De Biazi – Absolutisht jo. Nuk është se më krijojnë probleme zgjedhjet që bëj. Unë gjithmonë zgjedh lirshëm së bashku me stafin tim. Natyrisht nuk thërrasim lojtarë për nga simpatia, por funksionalë, të cilët komportohen mirë me grupin për të prodhuar më pas rezultatin. 
Gerti – Për të prodhuar rezultatin, siç edhe thoni, por në Francë do të shkojnë vetëm 23. 
De Biazi – Nëse do ti mund të thërras edhe 25…23 është numëri i mjaftueshëm për të përballuar një Europian, mjafton të jenë mirë fizikisht, të motivuar, dhe që të kenë dëshirën për të shpërhthyer sërish në sukses, sikundër bënë edhe këto eleminatore. 
Gerti – Duke qenë se do të shkoj në 23, frika qëndron te fakti që të jenë fizikisht gati dhe jo në infermieri, por për të patur edhe minuta më shumë. Nga ana juaj gjykoni se lojtarët që do të kenë më shumë minuta më shumë në fushë me skuadrat e tyre do të kenë më shumë shanse për grumbullim?
De Biazi – Shumë pyetje po më drejton këtë moment. Si gjithmonë mendoj se do të bëjmë vlerësimet që janë të lidhura me kualitetin e lojtarëve, kompaktësinë mes tyre, si dhe faktit që të kenë gjendje optimale. Por, nuk është e thënë që ai që ka luajtur më pak është më i freskët se sa ata që kanë luajtur më shumë në këto 6 muaj. Duhen bërë vlerësime shumë korrekte në këtë pikë, në mënyrë që të mos kemi surpriza kur të jemi në Francë. 
Gerti – Kjo e vlerësimit i përket një momenti tjetër kohe?
De Biazi – Po, edhe pse vlerësimi do të jetë në vijimësi të ecurisë së tyre respektive me klubet ku luajnë në çdo kampionat. Më pas, edhe njohja me kualitetin mental të tyre me lojën, me përfshirjen në tërësi të grupit, si dhe me dëshirën e të qënurit pjesë të një skuadre që në Francë duhet të mbrojë me nder objektivin që ka arritur. Dhe asgjë më shumë. Nuk ndryshon asgjë. Do të bëjmë vlerësimet si përherë nga ana strategjike. 
Gerti – Megjithatë, ndonjë, apo më shumë lojtar do të jenë të rëndësishëm për përfshirjen e merkatos së janarit, tashmë të hapur?
De Biazi – Po. Shpresoj se futbollistë si Gashi, Xhimshiti, apo ndonjë tjetër të gjejnë ndonjë skuadër që të gjejnë mundësinë e aktivizimit, por edhe në rritjen e nivelit taktik. E nëse kjo do të ndodhë, atëherë do të jetë më mirë për ne, sepse do të kemi më shumë mundësi që të zgjedhim. 
Gerti – Sa shanse ka ndonjë lojtar për Europian, nëse mbetet pa skuadër?
De Biazi – Nëse mbetet pa skuadër? Zero. 
Gerti – Ju vazhdoni të mendoni që nuk do të ndieni ngarkesën e zgjedhjeve, duke qenë se do të duan të gjithë të shkojnë në Francë?
De Biazi – Puna ime është kjo, që të zgjedh ata që i përkasin mënyrës time së të konceptuarit futboll, apo lojës në grup, dhe të gjithë asaj që lidhet me emrin skuadër. Ne arritëm të merrnim këtë rezultat të jashtëzakonshëm, sepse arritëm të ishim një skuadër kompakte, ku kemi luftuar shumë për të arritur aty ku shkuam. Sepse besuam shumë, dhe ky është një aspekt shumë i rëndësishëm. Dhe nuk ndryshon asgjë në mënyrën time për të vlerësuar, sepse nuk vendos ti, por vendos unë. Rri i qetë për këtë sepse mendojmë ne. 
Gerti – Natyrisht vendos dhe do të vendosësh ti, por, kohët e fundit je parë shumë nervoz. Përse?
De Biazi – Por, kush nuk ishte? Ti e di shumë mirë që të arrish një rezultat të rëndësishëm, nervozë bëhen të gjithë nga pak. Sepse gjëndesh fare pak hapa larg një arritje historike dhe presioni rritet për të gjithë. Dhe është normale që të jetë një tension superior tek mediat. Por, unë fatkeqësisht jam gatuar si një person që shoh shumë detajet, të perfeksionoj më shumë gjërat jo në 100%, por në 200%. Kështu që i jap shumë rëndësi gjërave më të vogla. Dhe kur konstatoj që kjo nuk shkon kështu, atëherë bezdisem kështu, dhe nuk arrij ta kamufloj dot. 
Gerti – Nuk ia del?
De Biazi – Jo, sepse jam spontan, flas atë që mendoj shpesh me shumë dëshirë, edhe pse në jetë kjo nuk të ndihmon shumë. Por në fund, jam i bindur që, të jesh më i drejtpërdrejtë është më e rëndësishme se sa të rrëfesh e tregosh idiotësi. 
Gerti – Vijmë pak te historia e kontratës tënde, shumës, shifrave. Ju ka bezdisur kjo gjë?
De Biazi – Po. Shumë. Jam ndjerë i bezdisur nga njerëz që hidhnin në publik shifra abstrakte, që nuk kanë as fillim e as mbarim dhe ku shpikin çdo gjë. 
Gerti – Po, mirë pse je bezdisur?
De Biazi – Sepse kur njerëzit flasin pa ditur asgjë, është një nga gjërat që më jep shumë bezdi, shumë. Unë zakonisht jam mësuar të flas pak dhe kur them, them ato që janë të miat, dhe jo të dëgjuara nga të tjerët. Unë gjithmonë jap mendimin tim, dhe jo të të tjerëve. Jam i predispozuar të them gjëra për të cilat besoj shumë. Në këto 3-4 vjet që jam këtu shpesh kam parë tituj gazetash në lidhje me kontratën time, idiotësi pa fund. Sinqerisht mund t’ju them që gjithmonë, shifrat kanë qenë inferiore në raport me atë që është shkruar, apo publikuar. Në një pikë të kontratës ka një klauzolë për të qenë të rezervuar për shifrat dhe më duket e çuditshme që ndokush në FSHF mund ta nxjerrë dhe nuk e ka nxjerrë si shifër. Apo i bezdisur nga ndonjë tjetër që i përket të sajojë, të shpikë gjëra që nuk qëndrojnë. 
Gerti – Kush ka shpikur?
De Biazi – Nuk di, ndonjë gazetar që natyrisht ka thënë e shkruar gjëra që natyrisht nuk janë të vërteta. 
Gerti – Nuk janë të vërteta…?
De Biazi – Flitet për miliona euro, që unë marr 2, marr 1 milionë euro. Në Shqipëri, ju batutën e merrni gjithmonë për të vërtetë absolute dhe unë realisht kam mbetur i manhnitur dhe pa fjalë më pas. Marrin për bazë një frazë që unë mund të kem thënë duke qeshur. Unë di që kam bërë një punë të jashtëzakonshme nga ana sportive për të arritur atë që arritëm. Nga ana ekonomike, mund t’ju them që mes meje dhe Shqipërisë kemi patur reciprokisht një avantazh të madh për një rezultat të tillë. Unë për faktin e prestigjit personal, sepse drejtova një skuadër që për herë të parë shkoi në një fazë finale Europiani. Dhe besoj që ishte një diçka shumë e rëndësishme. Për presidentin Duka, qëndron merita sepse është presidenti i parë që ka arritur një objektiv historik, dhe që ka besuar fort në zgjedhjen time si traineri i kësaj kombëtareje. Dhe për këtë e falenderoj publikisht, pasi gjatë kohës që i duhej të vendoste kontaktoi edhe 8 trainerë të tjera para se të më zgjidhte. Dhe këtu meritë ka edhe ai që besoi në zgjedhjen që bëri. 
Gerti – Por, si shkojnë raportet e tua me Dukën?
De Biazi – Të shkëlqyera. 
Gerti – Do të thotë që përtej atyre që prodhon media, nuk reflekton asgjë…?
De Biazi – Të themi që përveç hajvanllëqeve që shkruhen jo shpesh, ndonjëherë, unë dhe presidenti kemi një raport shumë të mirë. Unë kam mundur të bëj punën time në një autonomi të plotë. Dhe kjo nuk është një gjë e lehtë në botën e futbollit. Dhe pikërisht për këtë motiv, raporti mes meje dhe Dukës është shumë i mirë. Por është e qartë që, nëse do të ulemi në tavolinë për të rishikuar kontratën, ai do të bëjë ç’është e mundur për të paguar sa më pak të mundet, unë do të bëj ç’është e mundur të paguhem dhe të arrij sa më shumë të mundem. Kjo është normale sepse është pjesë e lojës. Por, kjo nuk do të thotë që nuk ka respekt për pozicionet përkatëse. Ky është një raport besimi dhe vlerësimi reciprok. 
Gerti – Ka ndodhur ndonjë moment brenda teje, për arsye të tuat të thuash: Mjaft më, kështu nuk mund të vazhdohet?
De Biazi – Në këto vite në FSHF? Absolutisht, JO. Edhe pse e di fare mirë që futbolli është pjesë e fitoreve dhe e humbjeve. Nuk më pëlqen fare të humbas, për këtë jam i sinqertë. Pas një humbjeje në një ndeshje, për një moment mblidhem me veten, por shumë shpejt e hedh pas dhe gjej rrugën e rikarikimit për ndeshjen tjetër. Dhe kjo të themi bën pjesë në qënien time si një person që ka luftuar fort në çdo kohë e moment të jetës. Duke shtrënguar dhëmbët në momentet më delikate, por duke bërë gjithmonë punën me shumë determinazion dhe me shumë nder. Si në anën time, por edhe në atë të stafit, apo lojtarëve që kam patur në dispozicion. 
Gerti – Ndeshja më e keqe për De Biazin në eleminatoret që mbyllëm, kë veçon?
De Biazi – Natyrisht, ajo me Serbinë, ndeshja e ndeshjeve. Dhe gjëja më e hidhur, është humbja këtu brenda në Elbasan. Një ndeshje që donim ta fitonim për të shkuar në Armeni edhe me opsionin për të mos fituar domosdoshmërisht. Por në total arritëm të mbyllnim në mënyrëm më të mirë të mundshme këtë fazë. Ndeshja me Serbinë, e cila mund të them që ndoqëm instiktin dhe jo të qënurin racionalë. 
Gerti – Dhe këtë gjë e ke ripërsëritur shpesh…?
De Biazi – U nervozova jashtëzakonisht shumë pas ndeshjes me Serbinë, shumë. Sepse, nuk është e mundur që një skuadër si e jona, e cila në 5 ndeshje nuk mundej, në dy ndeshje radhazi humbet, një herë me Portugalinë në minutën e fundit dhe më pas me Serbinë në minutat e fundit. Një diçka aspak normale. Sepse, skuadra duhet të jetë në fushë, e mirëpërqëndruar dhe aspak e tërhequr nga publiku që kërkonte me çdo kushte fitoren me Serbinë. Duhej të kishim ekuilibrin në fushë, për të arritur rezultatin. Një diçka shumë thelbësore. 
Gerti – Natyrisht një fakt që ju e keni evidentuar më parë. Po prezantimi më i mirë i kësaj kombëtareje, përtej Armenisë në fund cili ka qenë?
De Biazi – Shiko, unë besoj se në këto eleminatore kemi bërë shumë ndeshje të mira. Mendoj që në Portugali, sipas meje kemi bërë diçka të jashtëzakonshme, kundër një skuadre shumë të fortë ku arritën të fitonim. Natyrisht edhe ndeshja në fushën tonë me Armeninë që dukej si një ndeshje e mallkuar ku nuk arrinim të shënonim, godisnim shtyllëm, pësuam në fillim me goditjen e tyre të parë në portë, por qëndruam aty, kompaktë deri në fund dhe përmbysëm atë që duhej. Të fitonim një ndeshje që ishte e rëndësishme për atë moment. 
Gerti – A mund të thuhet tashmë, në këtë moment, pas kaq viteve punë, që ju njihni mirë mentalitetin e futbollistëve shqiptarë?
De Biazi – Besoj se po, por duhet të përmirësohemi shumë nga kjo pikëpamje. Jemi rritur dhe kemi bërë disa hapa shumë të rëndësishëm përpara. Por, kemi ende shumë rrugë për të bërë. 
Gerti – Vazhdon ti mbetesh idesë që shfaqur në një konferencë shtypi kohë më parë teksa the: Kur fiton, ju shqiptarët të ngrini në qiell, kur humbet të shkelni me këmbë…
De Biazi – Përtej gjykimeve nëse fiton apo humbet, për mua është e rëndësishme që arritëm të përmbysëm mentalitetin e të mjaftuarit me aq sa kishim arritur. Dhe ky është aspekti që më zhgënjeu pak në dy vitet e mia të para si trainer në eleminatoret e Botërorit. Ishim të dytët në një moment, dhe më pas gjithçka shkoi si shkoi. Luajtëm mirë në raundin e ndeshjeve të para, pastaj luajtëm shumë keq në ndeshjet e mbetura të kthimit. Pse? Sepse në mendësinë tonë kishim të fiksuar faktin se ishim më të mirë, dhe u kënaqëm me atë që kishim bërë deri në atë moment. Por në fakt duhet të bënim ende shumë e shumë. Ndërsa në 2-vjeçarin e dytë ishte tërësisht një diçka tjetër, duke patur edhe kundërshtarë me të vështirë, situatë më të vështirë. Por, jemi përmirësuar si grup, jemi përmirësuar si mentalitet, si lojë, dhe unë këtu mbaj mend dy ndeshjet me Francën. Këto janë skuadra që nuk futen në fushë për të humbur. Franca nuk zbret në fushë me Shqipërinë për të humbur. Por, duke luajtur një futboll të bukur, ne merituam atë që u dha në fushë. Në Francë në barazimin 1-1 kemi bërë një nga ndeshjet më të bukura, dhe më të mirën absolutisht që nga momenti që unë kam drejtuar këtë skuadër. Aty kemi luajtur vërtetë një lojë futbolli. 
Gerti – A ka futbollistë të paprekshëm kjo kombëtare?
De Biazi – Askush nuk është i paprekshëm. Ka lojtarë të rëndësishëm, por aspak të paprekshëm. 
Gerti – Je i sigurtë për këtë? Nuk është askush?
De Biazi – Natyrisht
Gerti – As kapiteni, as portieri, as…?
De Biazi – Nuk i kuptoj gjëra të tilla. Eshtë e qartë që nuk shoh motiv për t’i prekur. Në këtë moment janë lojtarë të rëndësishëm për ne, por edhe persona seriozë. Janë shembuj nga këndvështrimi teknik, komportues si dhe nga përvoja që ata kanë. Kështu më duket diçka aluçinante të bësh pa lojtarë të tillë, në këndvështrimin tim thelbësorë.
Gerti – Por, po kaq i rëndësishëm është pozicioni i Tramexanit…
De Biazi – Ok, por jo në çdo moment duhet të lidhim fiongon e pakos. Tramexani është një bashkëpunëtor imi i jashtëzakonshëm. Një mik shumë i mirë imi dhe për fatin e keq që nuk e kam hasur më parë në karrierën time. Besoj se bashkë krijojmë gjëra interesante. Por, edhe të tjerët që janë pjesë e stafit, që njihen pak, por që në realitet janë të rendësishëm që skuadra të funksionojë. Sepse edhe ata janë të rëndësishëm. Sepse prezenca e tyre në hotel kur jemi të grumbulluar lidhet me seriozitetin e disiplinën e orarit, dhe të gjithë anëve të tjera të skuadrës. Në mënyrë që grupi të funksionojë dhe të mos jetë një gjendje kaosi. 
————
Gerti – Mendoni se pa dashur ratë në një kurth, sa i përket çështjes së meritave për kualifikimin?
De Biazi – Në çfarë sensi?
Gerti – Një kurthi le të themi mediatik, ndërmjet jush e federatës, për meritat e atij ose atyre që sollën kualifikimin…
De Biazi – Besoj se kjo këtu ishte një idiotësi. Shpërtheu një diçka e tillë, ndoshta për moseksperiencë apo mos të mësuarin me fitoren, apo triumfin. Nuk arritëm plotësisht ti kënaqeshim edhe ngjarjes thellësisht historike dhe me shumë rëndësi. Unë mendoj që në fund të fundit, ajo që kishte më shumë rëndësi ishte arritja e objektivit. Kush ka dhënë më shumë, kush më pak, unë besoj se të gjithë kemi pjesën tonë për këtë objektiv. Avantazhet lidhen me popullaritetin, prestigjin tim personal për këtë arritje, për federatën në anën ekonomike sepse inkason më shumë në arkat e saj. Sa i përket garave, ai meriton më shumë, apo më pak, merr më shumë a më pak, mendoj që duhet ti lëmë jashtë vëmendjes, sepse nuk prodhojnë gjë. 
Gerti – Megjithatë fjalë që kanë mbërritur deri tek ty…
De Biazi – Por që kanë hyrë nga një vesh dhe kanë dalë nga tjetri. Për mua më shumë e rëndësishme ishte arritja e objektivit dhe jo kush merr më shumë merita. Së bashku me federatën, apo, falë federatës unë kam arritur të siguroj së bashku me stafin tim një objektiv shumë të rëndësishëm. Natyrisht së bashku me lojtarët. Pa këta nuk shkojmë kurrkund. Ky është një detaj me shumë rëndësi, ndërsa meritat janë histori pa lidhje. 
Gerti – Mister, shpesh na je drejtuar dhe iu je drejtuar gazetarëve: Ju lutem bëni kujdes dhe më shumë respekt për lojtarët…
De Biazi – Saktë. Unë mendoj që është shumë thelbësore dhe e domosdoshme të vlerësosh kontributin e madh të lojtarëve për këtë që përjetuam dhe arritëm. Nga të gjitha këndvështrimet. Por, thelbësisht, të atyre që kanë luajtur më pak në fushë. Sepse ti bën një skuadër me 23 lojtarë dhe ku 12 janë jashtë. Ata që luanin ishin të lumtur, por ata të pankinës nuk është se gëlonin nga kënaqësia, por reflektonin energji pozitive. Ishin të parët që mbështesnin shokët në fushë dhe kjo sipas meje është një sinjal shumë i fortë. Ne jemi një skuadër që duhet të rrijë në ekuilibra të qëndrueshëm, dhe ku natyrisht traineri duhet të jetë në gjendje të ruajë dhe mbajë këto ekuilibra në grup. 
Gerti – Sa i përket një vendimi tuaj të mundshëm, për të mos qenë pjesë më e drejtimit të Shqipërisë. Sa mund të ndodhë kjo?
De Biazi – Nuk di kur do ndodhë. Shpresoj sa më vonë të jetë e mundur. 
Gerti – Presidenti theksoi këtu në këtë studio, pikërisht aty ku jeni ulur, që De Biazi nuk ka arësye të largohet nga Shqipëria…
De Biazi – Dhe në fakt jam këtu dhe nuk kam asnjë qëllim dhe ide të largohem. Madje duhet të vazhdoj të punoj mirë dhe të programoj edhe të ardhmen e afërt, për një strategji të re të punës në të gjitha nivelet e ekipeve kombëtare. Kjo, për të kërkuar edhe talentet e ardhëshëm të futbollit shqiptar. Në ditët e fundit të dhjetorit të kaluar me presidentin folëm pikërisht për këtë projekt. Dhe nga ky muaj ku jemi do të fillojmë edhe seleksionimet e para për të rinjtë për të bërë të mundur të gjejmë pasuesit e Salihit, Berishës, Canës, apo edhe të tjerëve. 
Gerti – Dhe kjo do të thotë që pas Europianit, dhe para një shorti të frikshëm me Spanjën e Italinë në grup…
De Biazi – Të frikshëm për ata…për Italinë e spanjën…
Gerti – Mundet…Xhovani do të vazhdojë të jetë trainer?
De Biazi – Xhovani do të vazhdojë, me shpresën që nuk do të bëjmë një Europian katastrofik, duke bërë që të mos krijohen më pas kushtet për të mos qëndruar më. Por, unë dua dhe qëllimi im është që të vazhdoj gjatë me këtë skuadër. 
Gerti – Kryeministri ka theksuar që nuk ju lëshojmë…
De Biazi – Më shumë se kaq, më ka marrë edhe pashaportën. Jam i kënaqur që prezenca, afrimiteti i tij dhe suporti afër kombëtares është i përhershëm dhe për këtë jam i kënaqur. 
Gerti – Mister, sinqerisht besoni te tre sfidat që do luajmë në Europian?
De Biazi – Në Europian… po, po.
Gerti – Sepse formula e re mund të na japë një dorë edhe për të kaluar grupin…
De Biazi – Mbi të gjitha më duhet të them që në fazën finale të Europianit duhet të mbërrijmë me bateritë e karikuara. Më pas të gjitha ndeshjet, përpos faktit si skuadra e 4-tët në atë grup, nisim të gjithë sfidën në kushte të njëjta. Më pas do të varet gjithçka prej nesh, çfarë potenciali mental do të kemi për të qenë më superiorë me të tjerët në grup. 
Gerti – Ishit në të njëjtin krah me Dukën që donte në short Francën dhe jo Zvicrën?
De Biazi – Unë e kam thënë edhe para shortit që, një skuadër vlen sa tjetra. Dhe duke qenë në vazon e katërt, të gjitha skuadrat që do të binin në grup do të kishin minimalisht diçka më shumë se ti në aspektin teknik. Por unë mendoj që në jetë gjithmonë duhet mbërritur i bashkuar dhe si një skuadër determinante kur je në takime të tilla. Këtë e kam thënë shpesh. Të gjitha ndeshjet nisin 0-0 dhe nuk është se e nisim ndeshjen të mundur. Më pas, nëse ne do jemi më të zotët dhe do të kemi në ato tre ndeshje aftësi më të mira në fushë, pse jo, mund të vëmë në vështirësi skuadrat kundërshtare, siç në fakt edhe kemi bërë. 
Gerti – Sa shanse kemi?
De Biazi – Shiko, mendoj të flasësh tani për shanse është e kotë. Nuk di t’ju them për shanset, sepse varet se si do të vijë Zvicra në këtë fazë finale, si do të vijë Franca, apo edhe Rumania. Nëse do të jetë mirë fizikisht, apo do të vijnë me të gjithë lojtarët më të mirë që kanë. Unë nuk jam mësuar të flas herët. Nuk është mënyra ime e të menduarit. S’mund të prognozoj. Jam mësuar të jem shumë racional dhe i bazuar në aspekte konkrete. Kjo është një skuadër që ka patur një përqëndrim të madh, një moment vështirësie gjatë eleminatoreve, por kur ka ardhur momenti të japim atë që duhej e kemi bërë. Të fitosh jashtë 3-0 me çdo lloj kundërshtari nuk është aspak e thjeshtë. Kemi fituar pastër dhe me meritë, neto, pavarësisht dy humbjeve që pësuam që mund të kishin çuar në një epilog të pakëndshëm. Ajo që realisht më ka nervozuar pafund me ju është fakti i hamendësimeve të vazhdueshme që ne kemi humbur vetë me Serbinë që më pas…gjëra tërësisht anormale. Sinqerisht dhe realisht, unë vetëm këtu tek ju dëgjoj gjëra të tilla abstrakte. Ne luajmë ndeshjen e jetës dhe e humbasim vetë? A mund të mendohet kjo. Njerëzit me minimumin e logjikës dhe inteligjencës nuk di si mund të çojnë ndër mend një diçka të tillë. Kjo është pyetja ime. Përgjigja jote?
Gerti – Shpesh të tilla gjëra janë produkte të stilit shqiptar. Apo më saktë të importuara nga media, sikur është fiksuar humbja me Serbinë, gjëra tërësisht që nuk duhen marrë në konsideratë. Në lidhje me lojtarët, është ende dyqani i kombëtares i hapur?
De Biazi – Varet, varet, varet. E kuptova edhe pa ndërhyrjen tënde. 
Gerti – Natyrisht, ti gjithmonë e bën këtë…
De Biazi – Unë mendoj nga ana ime, por kam bindjen edhe nga ana e tifozëve të jemi mirënjohës për ata që na çuan dhe çuan Shqipërinë në Francë. Por ka ende edhe thuajse 6 muaj kohë, e theksova edhe më parë. Kush nuk luan nuk do të vijë, kush dëmtohet rëndë natyrisht s’ka se si vjen. Uroj që të mos ndodhë. Por në vija të përgjithëshme nuk do të distancohemi shumë nga grupi i lojtarëve që arritën këtë sukses. 
Gerti – Por, do të kesh një komunikim direkt edhe me ata që nuk do të mund të vijnë?
De Biazi – Unë mendoj se secili do të pranojë dhe do të mirëkuptojë zgjedhjet. Edhe pse, ai që mund të mos grumbullohet e ndien veten më të mirë se të tjerët, por secili futbollin e shikon me sy dhe secili ka idenë e tij. Unë nisem nga ky pozicion dhe nuk do të bëj zgjedhje që varen nga simpatitë, apo antipatitë e mia. Do të përpiqem të bëj zgjedhje për një skuadër sërish shumë më të fortë, dhe që mund ta dhurojë sërish sadisfaksion. 
Gerti – Por natyrisht, është edhe një përgjegjësi e madhe për këto zgjedhje?
De Biazi – Mama Mia, është e njëjta përgjegjësi si në çdo ndeshje tjetër. 
Gerti – Nuk më duket njësoj si të tjerat se tani kemi të bëjmë me një fazë finale Europiani…
De Biazi – E kuptoj, por çfarë ndryshon këtu, më thuaj. 
Gerti – Sepse luajmë një fazë finale. 
De Biazi – Por kur thërras lojtarët kundër Serbisë, apo Portugalisë, ndryshon përgjegjësia? Natyrisht është hera e parë dhe uroj të mos jetë e fundit si pjesëmarrës në një fazë finale Europiani. Por, nëse do të rritesh si skuadër duhet kuptuar që futbolli avancon tek profesionizmi, tek ata që duhen grumbulluar dhe ata që nuk duhen. Unë e di dhe e marr me mend që kur të vijë lista finale do të nisin pyetjet, pse nuk more x-lojtar, pse ka ardhur ky, pse nuk thërrite atë, pse? Sepse kështu zgjodhëm ne. 
Gerti – Në një mënyrë, ose tjetër, gjatë këtyre muajve, së bashku me stafin do të ndjekësh të gjithë këtë 35-she lojtarësh si listë e parë preferenciale?
De Biazi – 35 natyrisht që jo sepse bëjnmë pjesë te lista e gjërë, por sigurisht shumë më pak se kaq do të mund ti ndjek. Natyrisht nëse do të jetë një lojtar tjetër që shpërthen në këto muaj, natyrisht nuk kemi pse të mos e shohim, vlerësojmë apo analizojmë. 
Gerti – Nëse kthehemi edhe një moment te shorti, kishe brenda teje një dëshirë për Italinë ta kishe në grup?
De Biazi – Jo, shiko e preka edhe më parë. Nuk më bënte ndonjë impresion të veçantë. Natyrisht do të desha skuadrën më të lodhur të shortit, por më thuaj kush ishte? Asnjë në atë nivel aty. Në fashën e parë ishin më të fortat, në vazon e dytë disi më pak, në të tretën ndoshta nuk do të desha Rumaninë në grup, ndodhi. Eshtë skuadra me ngjitje në rankingun FIFA, dhe këtu nuk është se kishim ndonjë fat. Por, edhe kur mësuam shortin e eleminatoreve të këtij Europiani të gjithë mendonim të haeshim me Armeninë për të përfunduar të 4-tët, por ndodhi që u kualifikuam. Fusha foli krejtësisht ndryshe. Dhe jam i bindur që mbi bazën e këtyre aspekteve duhet të vazhdojmë të prezantohemi. 
Gerti – Mendon që Mavraj mund t’ia dalë?
De Biazi – Për momentin nuk është duke luajtur me skuadrën e parë, dhe uroj të rikuperojë shpejt, sepse është një lojtar i rëndësishëm për ne. Duhet të rikapë ritmin e aktivizimit dhe të vazhdimësisë, dhe jo vetëm me Këlnin, por pse jo edhe me ndonjë skuadër të Bundesligës 2 që kërkon të ngjitet, mjafton që të luajë. Kjo është shumë e rëndësishme për të, dhe për ne. 
Gerti – Janari kështu mbetet një muaj shumë domethënës…
De Biazi – Shumë, sepse lojtarë sikundër e thashë, Gashi e Xhimshiti duhet të gjejnë skuadër, Mavraj po e po, edhe pse te rasti Mavraj është edhe alibia që vjen pas një dëmtimi. Eshtë muaji që këta duhet të gjejnë një zgjidhje për të siguruar vazhdimësinë në fushë. Nuk di çfarë do të ndodhë me Manajn që ka pak hapësirë te Interi dhe që në janar mund të gjejë një zgjidhje tjetër. Por, edhe ai ka mundësinë të jetë në qëndër të vëmendjes. Shpresoj që të rekuperojë Kukeli, apo të gjithë ata lojtarë që kanë patur probleme fizike, dhe ku kanë qenë shumë të rëndëishëm në rrugëtimin tonë të kualifikimit. 
Gerti – Manaj?
De Biazi – E thashë. Nëse Interi i jep hapësirë ok, por nuk besoj. Nisur nga fakti se kush është në vijën e sulmit te Interi. Zgjidhja edhe për të është një skuadër tjetër për të kapur aktivizimin, shumë të rëndësishëm. 
Gerti – Mister, keni marrë ofertë konkrete nga klube apo kombëtare? Mos më thuaj jo…
De Biazi – Po, shumë. Nga kombëtare po, por edhe nga klube, ofertat në të cilat në këto të fundit ishin shumë të leverdisshme nga ana ekonomike. Shumë shumë interesante në parametrat e tyre. Por kisha dhe kam një impenjim me federatën dhe e kam respektuar dhe dua të vazhdoj ta bëj këtë. Edhe në edicionin e kaluar kisha të tilla oferta, madje njera prej tyre thuajse nuk duhej ta refuzoje, por megjithë këto mbeta dhe Shqipëria më rinovoi edhe për dyvjeçarin tjetër. 
Gerti – Mister, duke qenë se jeni ende nën kontratë, dhe ku vetë presidenti Duka e theksoi që Xhani do ta respektojë atë. Varet prej teje, apo prej federatës rinegocimi i shifrës aktuale tuajën me FSHF?
De Biazi – Unë kam dhe jam në një kontratë dhe do e respektoj. Sido që të jetë kjo kontratë. Presidenti e di që unë do të qëndroj. E di gjithashtu që Shqipëria, falë këtij kualifikimi trefishon të ardhurat në arkën e saj. Dhe pres që, nëse presidenti dëshiron të më lëvizë diçka në kontratë, diçka më shumë, mund ta bëjë qetësisht. Nëse jo, nuk ka asnjë problem, gjërat janë të shkruajtura, jemi miq si më parë. Nëse do të më japë diçka më shumë do të jem i kënaqur, nëse jo atëherë jeta vazhdon dhe unë do të respektoj klauzolat në kontratë deri në përfundim të saj, dhe kështu pra, secili në rrugë të tij. 
Gerti – Që do të thotë?
De Biazi – Do të thotë që vazhdoj…
Gerti – Kush do të ishte rruga juaj?
De Biazi – Shiko këto janë gjërat tona në lidhje me rrugët tona. De Biazi qëndron. Kam folur me presidentin për projektin e gjatë të ekipeve kombëtare. Të ristrukturimit të ri të punës së këtyre ekipeve me një metodë të re trainimi në punën e tyre. Për të patur kështu një vazhdimësi të projektit dhe të punës sonë. Që puna dhe metodika të jetë e njëjtë për të gjitha kombëtaret e moshave deri te A-ja. Pastaj qëndroj dhe nuk kam se çfarë të sqaroj më shumë. 
Gerti – Pra mbetesh në pritje të presidentit…
De Biazi – Nuk jam në pritje të asgjëje. Duka është me pushime dhe është mirë aty mesa kam parë.
Gerti – Edhe mund të jetë kthyer… Por, ajo që dua të them është që, nëse kombëtarja jonë do të bëjë bashkë me ty një fazë finale të mirë të Europianit, atëherë pas nis një tjetër histori?
De Biazi – Qartë. Disa pika i kishim qartësuar edhe para këtij edicioni. Premio apo gjëra të tilla, nëse do të kishim kaluar më tej, apo kritere të tjera. Kontrata ishte e shkruajtur më parë dhe u rinovua automatikisht. Dhe kaq mjafton. Të gjithë kënaqemi me këtë. 
Gerti – Për çfarë do ta sakrifikonte De Biazi kombëtaren?
De Biazi? Unë? Për këtë moment, për askënd dhe për asgjë. Në këtë moment dua të bëj Europianin tim me skuadrën time, me djemtë e mi që janë për mua pjesa më e rëndësishme me të cilët kam një raport të bukur që shpesh arrijnë të më japin 101% të asaj që kanë brenda. Dhe kjo për mua është më shumë se sa e mjaftueshme që unë të ndalem këtu. 
Gerti – Përtej Shqipërisë, kush janë për ty favoritët e këtij Europiani?
De Biazi – Sinqerisht nuk di ç’të them për këtë. Nuk di për momentin. Mund ti them unë, faleminderit. Këto lloj lojërash prognoze bëhen në bar zakonisht, por, ka skuadra të forta me kualitete të forta dhe të jashtëzakonshme si Gjermania, Spanja, apo Belgjika. Pse jo edhe skuadra që luan në shtëpinë e saj, Franca që me këtë rast është edhe në grupin tonë. Mendoj që Italia nuk është skuadra më e mirë nga ana teknike, por është skuadra që kur duhet të bëj më të mirën e nxjerr në fushë dhe e arrin. Ka një trainer të mirë, që di të motivojë dhe të punojë mirë me grupin dhe besoj se Italia së bashku me të tjerat mund të ketë më shumë shanse se sa mund të kemi ne. 
Gerti – Grup ferri për Italinë…
De Biazi – Sinqerisht një grup mjaft i vështirë. Kur Italia në 2010-tën, në Botërorin e Afrikës së Jugut me Lipin nëse nuk gaboj Italia kishte një grup të lehtë dhe në atë kohë isha një profet i keq për atë që ndodhi. Sepse në një grup të lehtë mund të gabosh më shumë. Dhe ndodhi që Italia u eleminua që në grup atë Botëror. Ky i Francës është një grup motivues që nuk mund të japë Italisë asnjë moment relaksues dhe ku duhet të luajnë të gjitha ndeshjet me 110% të mundësive. Dhe aty mendoj që do të duket edhe puna e Kontes. 
—————— 
Gerti – Disa pyetje shkurt. Për Krishtlindje, sërish protagonist në kuzhinë?
De Biazi – Jo, këtë vit jo. Pushova pak sepse ndihesha i lodhur. Kam rikuperuar shumë këtë periudhë, por duhet të vazhdoj ende të rikuperoj nga lodhja e kënaqshme e kualiafikimit. 
Gerti – Zonja dhe vajza, një përshtypje ndryshe nga laureimi juaj në UET?
De Biazi – Shumë. Të kënaqura dhe krenare që ky Universitet më akordoi Dr. Honoris Causa, që më dha një kënaqësi shumë të madhe. Mund të them që viti 2015 që kaloi ishte vit për tu vënë në kornizë. Shpresoj që edhe 2016-ta ku jemi tashmë, ti ngjajë pak. 
Gerti – Ndonjë xhelozi nga trainerë të tjerë në Itali për suksesin tënd?
De Biazi – Besoj që jo. Por them, që kur ndodh një diçka e tillë me trainerët italianë jashtë Italisë, është një sukses për këtë fushë në këtë shtet si Italia. 
Gerti – De Biazi, apo Panetta…?
De Biazi – Nga kjo pikëpamje, do ta marrim vesh shpejt hahaha.
Gerti – Dhurata më e bukur që pate në 2015-tën, përveç kualifikimit, them në aspektin e festave
De Biazi – Dhurata më e bukur, ajo që kalova Krishtlindjet me familjen time, me nënën time, me motrën, vëllezërit dhe me bashkëshorten dhe vajzën time. Ishte shumë e bukur, sepse kemi shumë pak mundësi të rrimë bashkë. Unë kam nënën që mbushi 80 vjec, 31 dhjetorin që shkoi, dhe më jep kënaqësi qëndrimi dhe përjetimi me të i momenteve të tilla. 
Gerti – Mbase tashmë nuk ke kohë për pasionin tënd të madh, biçikletën…
De Biazi – Jo, tani bën ftohtë, plus faktin që po udhëtoj jo pak për anën logjistike të periudhës para dhe qëndrimit në Francë. Natyrisht për të parë sa më mirë situatat e ndryshme që nuk duhen anashkaluar. 
Gerti – Do të vijë zonja me vajzën në Francë?
De Biazi – Besoj se po. Nuk e kemi vendosur ende, edhe pse bashkëshortja ime nuk është ndonjë e apasionuar e fortë e futbollit. Eshtë e apasionuar pas meje, apo punës, po nuk është se shkul flokët për futbollin. Unë besoj që në Francë, për përvojën që do të përjetojmë do të jetë patjetër. 
Gerti – Mes bavarezëve të Bajernit dhe bardhezinjve të Juventusit, kë do të zgjidhje për kalimin e turit?
De Biazi – Unë shpresoj që të kalojë Juvja jonë e çmendur. Dukesh që je i lumtur me këtë përgjigje. Eshtë e vështirë, shumë, edhe pse në të tilla vështirësi, fryma dhe forca e kësaj skuadre mund të jetë shumë e fortë dhe t’ia arrijë. Besoj shumë në impostimin e skuadrës nga ana e trainerit Alegri që në momente të tilla di të jetë edhe spekulative. 
Gert – Dhe në mbyllje Mister, 2 mesazhe të shkurtra, një për kolegët e mi mediatikë dhe një për tifozët
De Biazi – Për kolegët e tu gazetarë që mund të shkruajmë gjithmonë akoma më mirë për futbollin në Shqipëri. Por edhe të jenë të kujdesshëm në momente të veçanta të situatave të ndryshme. Dhe një përkujdesje e veçantë për skuadrën tonë kombëtare në Europian në fazën finale. 
Gerti – Mister faleminderit. Takimi ynë i ardhshëm, pas 10 vitesh?
De Biazi – Jo, me ty mbetet i përmuajshëm.
Sigal

Orari i ndeshjeve:
Data Vendi Ndeshja 

07.09.2014 20:45 Lisbonë Portugali 0 : 1 Shqipëri
11.10.2014 20:45 Elbasan Shqipëri 1 : 1 Danimarkë
14.10.2014 20:45 Beograd Serbi 0 : 3 Shqipëri
14.11.2014 20:45 Rennes Francë 1 : 1 * Shqipëri
29.03.2015 18:00 Elbasan Shqipëri 2 : 1 Armeni
13.06.2015 20:45 Elbasan Shqipëri 1 : 0 * Francë
04.09.2015 20:45 Kopenhagë Danimarkë 0 : 0 Shqipëri
07.09.2015 20:45 Elbasan Shqipëri 0 : 1 Portugali
08.10.2015 20:45 Elbasan Shqipëri 0 : 2 Serbi
11.10.2015 18:00 Yerevan Armeni 0 : 3 Shqipëri
Tabela:
Ekipi N F B H +/- Pikë
1 Portugalia 8 7 0 1 +6 21
2 Shqipëria 8 4 2 2 +5 14
3 Danimarka 8 3 3 2 +3 12
4 Serbia 8 2 1 5 -5 4
5 Armenia 8 0 2 6 -9 2
——– 

Ndeshje miqësore
Data Ndeshja

14-11-2014 Francë 1 – 1 Shqipëri
18-11-2014 Itali 1 – 0 Shqipëri
13-06-2015 Shqipëri 1 – 0 Francë
13-11-2015 Kosovë 2 – 2 Shqipëri
16-11-2015 Shqipëri 2 – 2 Gjeorgji

Ndeshjet
Data Ndeshja

2016-06-10 21:00 Franca – Rumania
2016-06-11 15:00 Shqipëria – Zvicër
2016-06-15 18:00 Rumania – Zvicër
2016-06-15 21:00 Franca – Shqipëria
2016-06-19 21:00 Zvicër – Franca
2016-06-19 21:00 Rumania – Shqipëria


Përgatiti për Botim në Gazetën Telegraf Engjëllush MUSA (Drejtor i Gazetës Telegraf)