Moisi Dalipi: Ilir Përnaska, “mbreti” golave blu

183
Sigal

Moisi Dalipi

Mjeshtër i Madh


Në historinë e klubit të futbollit të “Dinamos”, pa asnjë dyshim sulmuesi Ilir Përnaska është në podin e më të mirëve përsa i përket shënimit të golave të shumtë në vitet që u aktivizua tek kjo skuadër. Se është një futbollist i tillë, me një “thesar” plot vlera për golat e shënuar, ndaj shpesh specialistët dhe dashamirërësit e skuadrës dinamovite e kanë vlerësuar këtë sulmues si “mbretin” e golave blu. Mjafton fakti për t’u bindur, se me “Dinamon” e tij të dashur si pak kush tjetër Përnaska ka qënë 6 herë golshënuesi më i mirë i kampionateve shqiptare. Dhe lidhjet me futbollin për këtë djalosh me trupin “robust” nisin që në vitet e fëmijërisë së tij me djemtë e “Rrugës Elbasanit” në Tiranë , ku papritmas një ditë kur ishte vetëm 13 vjeç është gjendur tek ekipet e moshave të 17 “Nëntorit”.

Trajneri i njohur në ato vite tek klubi bardheblu “ustai” talenteve Xhavit Demneri nuk i dha hapësirën e duhur për t’u aktivizuar dhe shfaqur talentin e tij. Kjo gjë solli pakënaqësi tek djaloshi, që shpejt bëri zgjidhjen duke kaluar tek ekipi para të rinjve të “Dinamos” me trajner Leonidha Dashin. Në moshën 15 vjeçare bëhet pjesë e ekipit të rinjve të klubit dinamovit , ku bie në sy si një sulmues golëshënues. Pamvarësisht nga mosha e re Ilir Përnaska është shfaqur si një “gjuetar” i pamërshirshëm në shënimin e golave. Dhe kur ishte vetëm 15 vjeç në vitin 1966, do bëhet kalimi i tij tek ekipi i parë i “Dinamos. Në fillim të vitit 1967 në një ndeshje kampionati ndaj “Traktorit”në Lushnjë do t’i besoj vendin e titullarit në skuadër përkrah kapitenit Iljaz Çeço. Fiton bukur “Dinamo “ me rezultatin 3-1 , ku dy gola mbajnë autorësinë e sulmuesit të ri Ilir Përnaska. Ilir Përnaska do të kthehej shpejt në një “mbret” të golave të shënuar dhe jo vetëm për “Dinamon”, por dhe tek ekipi kombëtar. Edhe pse askush nuk jep një shifër të saktë të golave që ka shënuar në karrierën e tij në vitet 1966-1982, ky sulmues “race” që është e vështirë të përsëritet për të qenë pjesë e futbollit shqiptar.

I ndjeri Din Zhega dhe Ilir Pernaska: të dy mjeshtër të golit, të dy që sakrifikonin edhe kokën për një gol më shumë, i thotë Dini dinamovitit: “O Pernaskë, sa gola mund të kesh shënuar gjithsej?”. Iliri u habit nga pyetja që mbërriti krejt papritur dhe pastaj reagoi: “Nja 200 gola, më duket”. Dini, duke qeshur me stilin e tij, i kishte thënë: “Sidoqoftë, unë kam bërë më shumë se ty!”… Kur pyet Pernaskën për “golin e jetës”, atë që i shënoi Jani Kaçit pasi kishte marrë takat në fytyrë, ka një përgjigje që vlen si një gol: “Më pëlqenin golat që shkaktonin dhimbje”. Nga një përllogaritje e bërë rezulton se Përnaska ka shënuar 265 gola në kampionat, Kupë dhe ndeshje ndërkombëtare. E jashtëzakonshme do të jetë karriera e tij në fushën e lojës kur tek “Dinamo” do vijnë dy miqtë e tij Ballgjini dhe Zëri. Kështu kjo trio, Përnaska –Zëri –Ballgjini do vinte përpara çdo kundërshtar me gola dhe lojë të bukur. Tek sulmuesi Përnaska me trupin e tij plot muskuj, me një shkathtësi që të habiste ai ju “rrëshqiste” me lehtësi mbrojtësave kundërshtar, “gjalpëronte” me topin mes tyre, duke u shndërruar në një sulmues të tmershëm dhe të pagabueshëm përpara portës. Kishte raste siç tregojnë bashkëlojtarët që ka luajtur , që Përnaska të kthehej në “fantazëm” për mbrojtësit dhe me golat që shënonte i detyronte sportdashësit të duartrokisnin gjatë.

Edhe pse shënonte shpesh në fushën e lojës dukej i “pakënaqur” me vetveten. Në momentet kur skuadra e tij nuk arrinte të shënonte golin, krejt papritur do shfaqej Përnaska. Për atë pak rëndësi kishte se me çfarë mënyre realizohej goli, me driblim, gjuajtje nga vendi apo në ecje e sipër, me këmbën e majtë apo me të djathtën, me kokë apo rroveshjatë, mjaftonte që topi të prekte rrjetën e portës. Ky ishte sulmuesi Ilir Përnaska,i pagëzuar dhe vlerësuar si “mbreti” i golave blu, që për 6 sezone mbajti kurorën e golshënuesit më të mirë të kampionatit shqiptar. Dhe janë pikërisht sezonet 1971/1972 me 19 gola të shënuar , 1972/1973 me 17 gola, 1973/1974 me 12 gola, 1974/1975 me 19 gola të shënuar, 1975/1976 me 17 gola të shënuar dhe 1976/1977 me 18 gola të shënuar. Dhe gazeta italiane “Guerrin SPORTIVO “ me  100 vjetorin e golshënuesve më të mirë evropian do t’i japi vendin e nderit Ilir Përnaskës që me 6 herë fitues si golshënues do rreshtohej pas Nordahl (9 herë golëshënues), Kajfos dhe Pushkak ( 8 herë golëshënuës) Imre Schlosser dhe Gerd Myler (7 herë golëshënues”. Kështu Ilir Përnaska ka lënë pas austriakun Krankl, spanjollin Di Stefano, ukrahinasin Bllohin, hollandezin Van Basten dhe argjentinasin Maradona.

Me Dinamon e tij në vitet 1966-1982 ai do të fitojë 6 herë titullin kampion në sezonet 1966/1967, 1972/1973, 1974/1975, 1975/1976,1976/1977 dhe 1979/1980. Plot 4 herë fitues i Kupës në vitet 1971,1974,1978 dhe 1982, si dhe 2 herë fitues në Spartakiadat Kombëtare në vitet 1974 dhe 1979. Ai çdo sukses e ka ndarë me shokët e skuadrës me Sejdinin, Çeçon, Zërin, Ballgjinin, Targaj, Makon, Çobanin ,Dautin, Bregun, Çirakun, Çurtën, Xhafën e tjerë dhe të tjerë. Më i plotë bëhet portreti i tij me 15 ndeshjet ndërkombëtare me ekipin tonë kombëtar ku ka shënuar dhe 5 gola. E ka nisur “aventurën” e tij me fanelën kuqezi më 14 nëntor 1971 në ndeshjen Shqipëri –Turqi, ku ai shënon dhe 2 gola në atë fitore 3 me 0. Por “mbreti” i golave Ilir Përnaska ka dhe një rekord tjetër , që nuk e ka thyer asnjë futbollist shqiptar deri tani. Ai ka shënuar 4 gola në një ndeshje zyrtare ndërkombëtare, pikërisht në vitin 1975 si pjesë e ish 17 “Nëntorit” në ndeshje e fituar për Kupën Ballkanike me rezultatin 6 me 0 kundër grekëve të “Panionos”. Dhe e veçanta me këtë sulmues ka qënë dhe fakti tjetër, që ai sa herë shënonte gol gjithçka ja dedikonte skuadrës së tij Dinamos. Ndodhte kështu, sepse siç thotë dhe vet :’’Pa atë Dinamo, unë nuk do isha shënuesi i golave të shumtë”. Një arsye më shumë kjo, për ta thënë në tërë kuptimin e fjalës se Ilir Përnaska,është “mbreti”i golave blu !

Skeda e Ilir Përnaskës

Lindur. në Tiranë më 7 Maj 1951.
Karriera sportive: Me “Dinamon” në vitet 1966/1982.

Roli në skuadër: Sulmues me numërin 7.

Gola të shënuar: rreth 265 gola të shënuar në ndeshje kampionati, Kupe dhe ndërkombëtare . 6 herë golëshënuesi më i mirë i kampionateve shqiptare.

Ndeshje me ekipin kombëtar: 15 ndeshje me 5 gola të shënuar.

Trofe të fituara: Me Dinamon 6 herë titullin kampion, 4 herë fitues Kupe dhe 2 herë fitues i Spartakiadave Kombëtare.

Vlerësime: Gazeta italiane “Guerrin SPORTIVO “, me 100 vjetorin e golshënuesve më të mirë evropian do t’i japi vendin e nderit Ilir Përnaskës që me 6 herë fitues si golshënues do rreshtohej pas Nordahl (9 herë golëshënues), Kajfos dhe Pushkak (8 herë golëshënuës) Imre Schlosser dhe Gerd Myler (7 herë golëshënues”).

Titull sportiv “Nderi Sportit Shqiptar “dhe “Mjeshtër i Madh”.