Prof. Alfred Uçi/ Rikardi III – hero apo dështak?

677
Për atë përvojë historike që kish pasur Noli deri më 1926, Shekspiri qe i mjaftueshëm me katër tragjeditë e përkthyera prej tij. Dhe vetëm pas 38 vjet, Noli ndjeu se vepra e përkthyer për ta njohur Shekspirin ishte e mangët dhe, kështu, i lindi mendimi e dëshira për të dhënë në shqip edhe disa kryevepra të tjera të tij. “Unë mund ta bëj këtë, – shkruante Noli. – Jam ende i ri. Jam vetëm 82 vjeç”. Por mosha bën të sajën dhe ai nuk e kreu këtë premtim të bukur; sidoqë të jetë, ai përshëndeti, ndërkohë, përkthyesit “e rinj shqiptarë, që po e vazhdojnë punën për përkthimin e Shekspirit”. Midis këtyre, ai fuste, pa dyshim, edhe mikun e tij të vjetër, Skënder P.Luarasin, “fanolistin rilindas”, të përkushtuar si asnjë tjetër për të ecur gjurmëve të F.Nolit, idealeve demokratike, kombëtare e shoqërore të atij. Këtu përfshihen patjetër edhe përkthimet e Shekspirit prej S. P. Luarasit .
S.Luarasi e vazhdoi punën e nisur nga Noli, duke qenë i frymëzuar jo vetëm nga ato qëllime, por edhe po nga ato kritere përzgjedhjeje, që kish pasur Noli. Ai iu vu kësaj pune për ta plotësuar njohjen e lexuesit shqiptar me veprën e Shekspirit dhe për ta ndërsuazuar në përvojat më të reja historike të mesit të shek.20. Ai ishte i bindur se Shekspirit i mbetej t’i thosh edhe shumë gjëra të tjera interesante e të mençura lexuesit shqiptar, si për epokën e Rilindjes europiane, ashtu edhe për kohët moderne. Profesor Luarasi në ligjëratat e tij për Shekspirin në Universitetin e Tiranës tërhiqte gjithnjë vëmendjen e studentëve në një paralelizëm midis epokës, frymën e së cilës e shprehu Shekspiri, dhe epokës së ndritur të Skënderbeut ; por ai e afronte edhe më pranë kohës sonë, këtë paralelizëm.
Ç’mbetej për të bërë, që të pasurohej më tej Shekspiri në shqip? Cilat vepra të tjera të tij duheshin përkthyer më me ngut? S.Luarasi zgjodhi, ashtu si mësuesi i tij, tragjeditë. Ai mendonte se kuadri shekspirian në shqip do të bëhej më i plotë dhe zëri i tij do të tingëllonte më bashkëkohor në qoftë se tragjeditë e përkthyera nga Noli do të ndërsuazoheshin midis kronikave historike me subjekte tragjike (prej tyre përktheu “Rikardin III” dhe “Rikardin e II”) dhe tragjedisë “Mbreti Lir” . Kronikat tragjike historike Shekspiri i pat shkruar në periudhën e parë të krijimtarisë së tij dhe pa përkthimin qoftë edhe të ndonjërës prej tyre nuk do të kuptohej edhe evoluimi i krijimtarisë së tij e sidomos ai hap i rëndësishëm përpara që shënuan dramat e periudhës së dytë, që u përkthyen nga Noli. Vendosja e tragjedive shekspiriane brenda harkut, që kërkonte t’i fuste S.Luarasi, do të ndihmonte, veç të tjerash, për të kapur më mirë edhe kuptimin e “Hamletit”, “Jul Cezarit”, “Otellos” e “Makbethit” ‘ domethënë për të njohur më mirë edhe thelbin e konceptit shekspirian të tragjikes.
Ç’i sillnin lexuesit të viteve 50-të të shek.20 kronikat historike të Shekspirit? Ç’mesazhe aktuale shihte në to përkthyesi?
Shumë studiues kanë theksuar, si një nga meritat më të mëdha të gjenisë së Shekspirit, realizmin historik, që spikat me forcë edhe në dramat-kronika me përmbajtje konkrete, domethënë shprehjen me vërtetësi artistike të frymës së epokës, gjatë së cilës jetoi e krijoi Shekspiri. Na ka tërhequr vëmendjen edhe parathënia e botimit shqipt të “Rikardit II”, të botuar më 1982, pas vdekjes së përkthyesit, në të cilën autori e absolutizon këtë tipar të dramaturgjisë shekspiriane, kur shkruan: “Shekspiri i qëndron besnik veçanërisht esencës së kohës dhe në këtë historicitet të epokës së tij qëndron edhe aktualiteti i tij, i cili nuk mund të kuptohet jashtë kuadrit të kësaj historie”. Ka pasur edhe mjaft studiues të huaj, sidomos sovjetikë, të cilët, duke vlerësuar lart historizmin e dramaturgjisë shekspiriane, janë përpjekur ta mbajnë larg kohëve më të reja; ata dashur t’i mbështjellin sentimentalisht këto kohë me një cipë iluzionesh të ëmbla, të pakrahasueshme me thelbin tragjik të kronikave historike të Shekspirit. Si djallin nga temjani disa kritikë kësish i janë trembur çdo paralelizmi me kohën e sundimit të diktaturave totalitare të shek.20. Edhe teatri ynë nuk guxoi ta vinte në skenë “Rikardin III”, veçse më 1992, kur e realizoi Teatri Kombëtar, ndonëse “Rikardi III” ishte i përkthyer prej kohësh. Më 1992 regjisor A.Qirjaqi e vuri në skenën e Teatrit Kombëtar “Rikardin III” në një interpretim modern.
Eshtë e vërtetë se dramat e Shekspirit, jo vetëm ato që janë ngjizur me lëndë jetësore nga historia e Anglisë, por edhe ato që kanë përthithur material nga mitologjia ose historia e lashtësisë, përçojnë ndjeshëm frymën e epokës elizabetiane të Anglisë dhe të periudhës së fundit të Rilindjes europiane. Këtu qëndron një nga meritat më të mëdha të realizmit shekspirian, por do të ishte gabim që, prapa historizmit, të harrohej universaliteti, vlera mbihistorike e dramaturgjisë shekspiriane. Shumë të vërteta e pohime të Shekspirit janë konkluzione, që sintetizojnë përvojën globale të historisë njerëzore. Kjo gjë e bën të mundur që në veprat e tij, si para një pasqyre, shihen jo vetëm disa segmente të historisë së atëhershme, por edhe të çdo kohe tjetër, dhe disa ligjsori të përgjithshme të jetës, që përsëriten në çdo kohë e në çdo vend. S.Luarasi besonte se vendosja e “Hamletit”, “Makbethit” e “Jul Cezarit” brenda ekstremeve të harkut “Rikardi III” dhe “Mbreti Lir” ndihmonte që të kapej si fryma historike, edhe ligjsoritë e përgjithshme të qenies e të ekzistencës njerëzore në përgjithësi, të mishëruara artistikisht në dramaturgjinë shekspiriane.
Dramat historike kronikale të Shekspirit
Dramat historike kronikale të Shekspirit përfshijnë një grup të tërë pjesësh, që frymëzohen nga jeta politike e Anglisë të asaj kohe, kur zhvillohej lufta për krijimin e konsolidimin e shteteve kombëtare, domethënë në shek.14-15. Në këtë grup bëjnë pjesë “Henriku i VI” (trilogji), “Rikardi III”, “Mbreti Johan”, “Rikardi IT’, “Henriku IV” (dilogji), “Henriku IV” dhe “Henriku VIII”. Kronikat iu referohen ngjarjeve e personave historikë realë. Këtë e ka vënë në dukje vetë Shekspiri, kur njërën prej tyre e pat quajtur: “Tragjedia e vërtetë e Rikardit III”. Kronikat historike janë tragjedi me emra të përveçëm konkretë, realë: Johani, Rikardi, Henriku… Ato rrëfejnë për luftrat që zhvilloheshin për kurorën e Ang1isë. Përse bëjnë fjalë kronikat historike tragjike? Në “Rikardi II”, ka një fjali që zbulon përmbajtjen e tyre: “Le të rrëfejmë histori’të e mallëngjyera për vdekjen e mbretërve”. Ato janë ca rrëfime për mbretër, trashëgimtarë, uzurpatorë, princër, kontër e fisnikë të lartë, që vrasin e vriten, që hipin e zbresin nga froni, që vënë e heqin kurora nga koka mbretërore. Krime, dhunë, vrasje, lufta për pushtet mbushin hapësirat e pallateve e të kështjellave të Anglisë të asaj kohe, ndonëse nuk arrinin ta fshihnin se po afrohej koha e ndarjes nga mesjeta. Nga njëra kronikë në tjetrën duket sikur kemi një dramë të vetmë që përsëritet: një monark rrukulliset me kokë të prerë, një tjetër i zë vendin në fron; duket sikur historia mbyllet në një rreth vicioz; rifillon veprën e saj aty ku pat përfunduar në ciklin e mëparshëm me koka të prera monarkësh.
Historia Shekspirit i interesonte e lakuriqtë, pa kurrfarë paragjykime mistike e hyjnizime, e vrazhdë dhe e pamëshirshme; ai ka patur parasysh vetëm historinë njerëzore si të tillë, të barabartë me vetveten, por që punon me një mekanizëm të tmerrshëm, i cili përcakton rrjedhën e saj dhe ia jetërson synimet. Magjistricat e “Makbethit”, fantazma e “Hamletit” nuk ndryshojnë gjë, sepse janë konvencione artistike, që nuk e tjetërsojnë njeriun si subjekt të historisë. Në kronikat historike Shekspiri e tregon veprimin e njeriut në histori në një mënyrë më të kulluar e më konkrete: historia e Anglisë aty gatuhet pa perëndi, pa mistere; aty ka vetëm njerëz. Shekspiri përpiqet ta çmistifikojë Fronin, Kurorën, Skeptrin, pra, Pushtetin, rreth të cilit janë zhvilluar luftrat politike. Ai e dinte se Froni, Kurora, Skeptri nuk e durojnë zbrazësinë, të cilën gjenden gjithmonë pretendentë të shumtë që turren ta mbushin, edhe duke rrezikuar kokën.
Njeriu-Pushtet, sipas Shekspirit, aq sa është krijues i Historisë, është edhe viktimë e saj, sepse si njëri dhe tjetri ndodhen gjithmonë në situata historike-sociale. Pushteti, pavarësisht nga trajtat e larmishme të aktualizimit të tij, priret ta hyjnizojë veten, ta paraqitë si vendstrehim forcash e aftësish të jashtëzakonshme, të mbinatyrshme, edhe bartësve të tij ua ka ënda t’i marrin për perëndi, t’iu veshin forcë e liri të pakufizuar deri n’atë shkallë sa zenë t’i besojnë edhe vetë këtij miti, domethënë këtij iluzioni (forcën e pushtetit e konsiderojnë si forcë personale). Gabim i thjeshtë logjik i shkak-pasojës në histori, por me pasoja të rënda fatale për të. Monarku përfshihet në situatën e Pushtetit, të Monarkisë dhe kjo nuk ia lejon të jetë absolutisht i lirë në zgjedhjet që bën (edhe kur është nën ndikimin e këtij iluzioni) ose që duhet të bëjë; në këtë situatë kurora e froni ruhen vetëm, duke shtrënguar fort në dorë skeptrin e Pushtetit. Në këtë kuptim për Shekspirin nuk ka mbretër të mirë apo të këqinj, ka thjesht mbretër dhe situatë mbretërie – mbretër që e përballojnë me të gjitha mënyrat këtë situatë dhe mbretër që s’e përballojnë, mbretër tiranë dhe mbretër kërthinj. Njëri prej tyre e ruan pushtetin duke prerë koka dhe tjetrit ia presin kokën se s’është i zoti ta mbajë mbi supe. 
Në kronikat e Shekspirit historia është e hapur; në to realizohen kalime nga njëra tek tjetra, dhe priten në të ardhmen ndryshime të tjera.
Në kronikat Shekspiri zbulon se mekanizmi i zemrës njerëzore nuk është në sintoni me zembrekun e Historisë. Prandaj rrokullisja e kokave në tragjedinë shekspiriane nuk është thjesht një thertore, një kasapanë, por një dramë shpirtërore e njeriut, që s’gjen qetësi në këtë botë të turbullt e mizore, është një tragjedi që flet edhe për disfata synimesh e pasionesh të papërmbajtura njerëzore, por edhe për ngadhnjimin e tyre.
Për ta afruar lexuesin shqiptar me këto mendime të Shekspirit mbi historinë, përkthyesi S.P. Luarasi zgjodhi për t’i shqipëruar midis kronikave historike, “Rikardin III” dhe “Rikardin II”, në të cilat spikat më mirë e më qartë filozofia shekspiriane mbi historinë politike të njerëzimit. Drama “Rikardi III” bën fjalë për rrugën e dukës së Glostërit drejt kurorës mbretërore, kur legjitimisht nuk i përkiste. Në bazë të rregullave të trashëgimisë, atij i zinin rrugën gjashtë pretendentë; për t’i mënjanuar gjithë këta, i duhej të tregohej i pamëshirshëm. Ai nuk shikonte asgjë anormale si në rrugën që kish zgjedhur, ashtu edhe në mjetet që kish ndërmend të përdorte, sepse atë e rrethonte një botë e prishur, e degjeneruar, ku rendi i gjërave ishte shkelur. Në këtë botë s’kish më njeri që të mbështeste kokën në jastëk e të flinte i qetë ose të priste agimin e ditës së re i gëzuar. Këtu ligësia pillte ligësinë, padrejtësia lindte gjakmarrje të pamëshirshme, çdo krim bëhej sebep për krime edhe më të rënda. Historia ishte e mbuluar nga nata; nga kjo natë e anarkisë feudale del në skenën e historisë Rikardi, që ka vendosur ta urdhërojë dhe t’ia nënshtrojë vullnetit e dëshirave të tij.
Përkthyesi S. Luarasi mendonte se kronikat historike të Shekspirit, nga njëra anë, do të ndihmonin për ta plotësuar në shqip kuadrin e konceptit shekspirian të tragjikes dhe, nga ana tjetër, do ta orientonin lexuesin shqiptar për t’u thelluar në kuptimin edhe të ngjarjeve të historisë bashkëkohore, sidomos të prirjeve që pati lufta politike për pushtet në shek. 20, rregullat e trajtat e së cilës tregonin se ajo nuk ish zbutur, nuk ish bërë më e qytetëruar e më humane. Përvoja jetësore e kish bindur përkthyesin e “Rikardëve” se gjatë shek. 20 ingranazhet mizore të mekanizmit të Historisë punonin me kapacitet të plotë dhe prodhonin tragjedi të reja…
Veprat e plota anglisht, të Shekspirit Përkthyesit ia pat dhuruar në një rast Kryeministri, dikur ish nxënës e bashkëluftëtar, që ecte prej kohësh në një rrugë tjetër nga udha e mësuesit. Me sa duket, dhuruesit nuk i hynte më në punë Shekspiri, kurse Përkthyesit, i hapte sytë të shikonte edhe zhvillimin e dramës “shekspiriane” midis Diktatorit të pamëshirshëm dhe Kryeministrit të tij. Edhe kjo dramë ishte pushtuar nga “dialektika tragjike” e historisë. Kryeministri që i kish ngjitur shkallët e Pushtetit sipas rregullave të përgjithshme të tragjedive shekspiriane, po bënte një gabim, të përsëritur shumë herë në histori; ai besonte se kish arritur në një pikë, kur Pushteti i duhej për ta gënjyer historinë, për ta mashtruar, për ta futur atë, me në fund, në një rrugë, ku nuk do të kishte më nevojë për gjakderdhje. Kjo ishte një grackë për të. “Ruaju se duan të të zhdukin!” – i lëshoi njëherë brengën që e mundonte Përkthyesi. Ai iu përgjigj: “Mos ki merak, di të ruhem vetë!” dhe si me të qeshur, shtoi: “Jam mjeshtër në këto punë!”. Dhe Përkthyesi pyeste vazhdimisht veten: “Për cilat punë? Për cilat punë je mjeshtër?”. Përkthyesi e dinte se historisë nuk i pëlqen ta heqësh për hunde; parapëlqen të bëjë të sajën. Krijuesit e historisë ajo i shndërron në viktima.
Numëronte Përkthyesi emrat e shumë heronjve të Luftës Nacionalçlirimtare, ish-nxënës të tij, e të shumë gjeneralëve fitimtarë, që kishin përfunduar në viktima tragjike. Përkthyesi vinte re se dhe mjaft nga ata që tregonin zell të tepëruar për t’i shërbyer Diktatorit, përfundonin, gjithashtu, në viktima të metodave të tyre. Ky fat e priste edhe Kryeministrin në atë kohë, kur besonte se lufta për pushtet ish qetësuar. Rivalin kryesor e kishte rrëmbyer vdekja natyrore, pa gjak. Diktatori po drobitej, dvarej i plakur e i sëmurë pa shpëtim; dukej se edhe ky po bëhej gati të largohej nga kjo botë pa gjak. E atëhere udha drejt Fronit e hapur, nuk do të kërkonte viktima të tjera. Në këtë mënyrë Kryeministri shpresonte se ia kish hedhur, e kish mashtruar historinë. Por ndërkohë, historia kish vendosur Magjistricat e “Makbethit” në Tiranë, në vilën e porsandërtuar, ku përgatiteshin dasma trashëgimtarësh. Ajo vilë ishte kthyer në skenë, ku po luhej një tragjedi e re “shekspiriane”. Historia edhe kësaj here i respektoi ligjet e saj. Magjistricat, si erinitë e antikitetit, arritën t’ia turbullojnë edhe një herë shpirtin Diktatorit të merakosur për trashëgimin e pushtetit. “Kujt do t’i binte dardha në dorë?” – pyeste. Ai dëshironte ta kish për vete, edhe kur shpirti do t’i dergjej në skëterrë. Dhe një natë të zezë makbethiane, i çmendur si Mbreti Lir nëpër shkretëtirë, në një gjendje deliri të llahtarshëm, i dërgoi lajmin: “Ma dorëzo kokën!”. Dhe Kryeministri-Mjeshtër, që loste me historinë, u shtri në krevat dhe ia ktheu vetes. Historia e mposhti, e mbyti në gjak. Me sa duket, lufta për pushtet e kish lodhur, raskapitur shpirtin e tij, ndonëse jo aq sa të paraqitej vetë para skuadrës së pushkatimit.
Historia jonë kombëtare eci më tej me zakonet e saj, gjithsesi për të qeshur e për të qarë, sipas formulës së Shekspirit. Vazhduesit-Kërthi, as që i shkonte në mendje se kish për t’u ndeshur ballëpërballë me kuçedrën histori; ai besonte se kish arritur ta zbutëte me magjinë e zërit të dobët, me hilet dhe me frikën që kish nga gjaku. Vetëm me këtë shpjegohet përse vendosi të strehohej në vilën e Mjeshtrit-Merhum. Atij i mungonte krejtësisht ajo cilësi, që Shekspiri e vinte re në natyrat e mirëfillta heroike, të madhërishme historike, ndjenja e shqetësimit tragjik, e alarmit, e trazimit të brendshëm tragjik. Ajo që duam të dimë është: A ishte i qetë, i gëzuar, i lumtur aty? A nuk i shihte në korridoret e kthinat e saj si endeshin hijet e Magjistricave që paralajmëronin kobe të tjera? A mund të të zinte gjumi aty? Vazhduesi-Kërthi nuk e shihte muzgun, natën që po afrohej.
I ish dashur të lexonte përkthimet e “Rikardëve”, që të kish kuptuar sadopak ngjashërinë e vendimeve të Diktatorit me ato që merrte Rikardi netëve të Londrës për t’i ndarë ca njerëz nga kokat e tyre. Asgjë e jashtëzakonshme nuk ndodh, sipas Shekspirit. Rikardi kërkon të respektohet zëri i historisë, radha për t’u larguar nga koka.
Për ç’kohë vallë po tregon Shekspiri? Për Kohën tonë, o Zot?! Sa shumë u përsëritkan gjërat në histori, sa s’të besohet! Të duket sikur je në qelitë e hetuesive të kohëve moderne.
Urdhëri për të prerë kokat përzihet me urdhërin: “Më sillni luleshtrydhe!”. Ky është ndoshta urdhri më i shëmtuar, më i keqi. Kështu veprohej edhe në Këshillin e Fashios, në Byronë Politike, në Këshillin presidencial e mbretëror të Zogut: në intervalet midis seancave, ku merreshin vendimet për të prerë kokat, servireshin fruta, ujë mineral e kafe! Çfarë koinçidence! Për këto, a nuk i gjeti fajtorë gjykata “demokratike”?! Ironi tragjike e historisë.
Shekspiri e dinte se ç’thuhet në të tillë raste në Këshillin e Lartë të… “Cili e ka radhën?”. Në kronikën e Shekspirit kur bëhet kjo pyetje, të gjithë pjesëmarrësit ulin kokën përdhe dhe heshtin të pushtuar nga ankthi; salla zbrazet, mbeten vetëm dy xhelatët. S’ka kohë për gjyq. Në ajër qëndron i varur urdhri “nga lart”. Xhelatët bëjnë punën e tyre të rëndomtë: ekzekutohen dy fëmijët, trashëgimtarët legjitimë. Kjo është historia e Rikardit III, që Përkthyesi desh t’ua rrëfejë bashkëkombasve.
Dhe neve na shkon në mendje pyetja: Përse ndodhin gjithë këto tmerre? Shekspiri na përgjigjet: Sepse gjithë ata që marrin pjesë në betejat e ndyra të luftës për pushtet vonohen ose shpejtojnë, nguten për t’u ulur në fron. Në këtë udhë s’ka, sipas Shekspirit, ngadhnjimtarë të lumtur në amëshim. Edhe ata që ecin tani ose që do të ecin në t’ardhmen korridoreve e kthinave të selive, vilave e pallateve, nuk iu bën keq ta lexojnë e rilexojnë Shekspirin që do t’i këshillonte të mos i harrojnë, të mos i zgjojnë e të mos i ngacmojnë Magjistricat e Historisë se me to nuk bëhet shaka. N’emër të Historisë ato janë në përgjim të përhershëm.
Sigal