Bardheblutë e SK Tirana bëjnë tris

138
Nga Bedri ALIMEHMETI 
Histori sportive/ Kampionati i tretë kombëtar i topkëmbës shqiptare
Ndryshe nga kampionati i një viti më parë, ku ekipet pjesëmarrës ishin ndarë në dy grupe, në atë të vitit 1932 morën pjesë pesë skuadra. Madje, deri një javë përpara se të ngrihej sipari i tij numri i tyre ishte gjashtë, por pikërisht në atë moment skuadra SK Vlora u tërhoq nga gara. Pra përfundimisht garuan mes tyre: SK Tirana, Bashkimi Shkodran, Skënderbeu, Teuta dhe SK Elbasani. 

Në këtë kampionat bardheblutë nuk e provuan asnjëherë shijen e hidhur të humbjes. Zhvilluan 8 ndeshje, fituan 5 e barazuan 3. Sipas kalendarit SK Tirana duhej ta luante ndeshjen e parë të kampionatit në Tiranë me Skënderbeun e Kor[ës më datën 17 prill, por nuk ka ndodhur kështu. Takimi mes tyre është zhvilluar një javë më vonë më 24 prill, dhe ka përfunduar, 2-1 për bardheblutë. Në ndeshjen tjetër të kësaj jave në atë Teuta-Elbasani, “djemtë e detit” fituan 16-0, rezultati më i thellë që është shënuar në të gjithë historinë e kampionateve shqiptare. 

Ndeshjen e fundit të kampionatit SK Tirana e ka zhvilluar në Durrës me Teutën. Në fakt ky takim ka qenë i prapambetur, dhe i përket javës së tretë të kampionatit (08.05.1932). Megjithëse kishte përfunduar 0-1, për bardheblutë për shkak të një gabimi teknik Federata Shqiptare e Sporteve pati vendosur që ndeshja të përsëritej. Ndërkohë duhet thënë se, kur kishte mbetur për t’u luajtur vetëm kjo ndeshje gjendja në kreun e renditjes ishte kjo. Kryesonte SK Tirana me 12 pikë e ndjekur nga Bashkimi Shkodran me 11 pikë dhe Teuta me 10 pikë. Pra një fitore e mundshme, aq më tepër ngaqë ndeshja do të luhej në fushën e tyre, do të bënte që ashtu si sezonin e kaluar midis SK Tiranës dhe Teutës të zhvilloheshin sërish dy takime finalë, për të caktuar ekipin kampion. Kjo ishte edhe arsyeja kryesore, që si dhe një vit më parë, tifozët bardheblu të vërshonin drejtë Durrësin. Por, në këtë ndeshje bardhebluve u mjaftonte edhe barazimi, [ka do t’u jepte mundësi të preknin për të tretën herë titullin e lartë të kampionit. Dhe faktikisht ashtu ka ndodhur. Ndeshja është mbyllur në barazim, 1-1 dhe kur kryetari i Federatës Shqiptare të Sporteve Z. Izedin Beshiri i ka dorëzuar kapitenit të SK Tirana, Adem Karrapici kupën e Kampionit të Shqipërisë ovacionet e brohoritjet e tifozërisë bardheblu kanë mbërritur kulmin. Rezultatet që arriti ekipi bardheblu në atë kampionat ishin këto: me Skënderbeun 2-1 (17 prill) dhe 4-1 (5 qershor), me SK Elbasani 6-0 (1 maj) dhe 9-2 (12 qershor), me Teutën 1-0 (8 maj, e anuluar), 6-0 (19 qershor) dhe ndeshja e prapambetur 1-1 (17 korrik), me Bashkimin Shkodran 0-0 (15 maj) dhe 1-1 ( 26 qershor). 

Shqipëria anëtare e FIFA-s
Gjatë ditëve të zhvillimit të kampionatit ka ndodhur një ngjarje e rëndësisë së veçantë për futbollin shqiptar. Në maj të atij viti Shqipëria është pranuar anëtare e FIFA-s. Padyshim, kjo ngjarje ishte një sukses i madh që shpreh më së miri realizimin e përpjekjeve të vazhdueshme për zhvillimin dhe organizimin e futbollit tonë. Kështu pra vetëm pak vite aktivitet futbollistik dhe dy kampionate të zhvilluara bënë që të realizohej anëtarësimi i Shqipërisë në FIFA. Fakt ky mjaft i rëndësishëm që hedh poshtë mediokritetin e pushtetarëve komunistë, që gjatë viteve të diktaturës nuk i njihnin kampionatet shqiptare të futbollit organizuar gjatë viteve të mbretërisë, ndonëse kishin fatin të ishin më parë se shumë shtete të tjerë madje të mëdha, anëtarë me të drejta të plota të FIFA-s organizatës botërore të futbollit, kësaj loje magjike që po “pushtonte” Botën. Ndaj në këto raste krejt natyrshëm nuk kam sesi të mos them që këto pak radhë njëherazi të shërbejnë si homazh mirënjohje të pambarimtë për të gjithë ata që iu përkushtuan zhvillimit të futbollit shqiptar në ato vite. 
Në fund të atij viti në datat 25 dhe 26 dhjetor SK Tirana ka zhvilluar në “Shallvare” dy takime miqësore me skuadrën e njohur malazeze Budushnost, që kanë përfunduar 0-2 e 1-2 për miqtë