Sigal

Pas barazimit në Beograd, Napoli do të presë nën-kampionët e Europës në ndeshjen e dytë në grupet e Champions League. Trajneri Carlo Ancelotti ka folur para ndeshjes duke u shprehur optimist për një rezultat pozitiv, ndërkohë që nuk e fshehu faktin se ka mbetur i befasuar nga vendimi për t’u arbitruar ndeshja nga një gjyqtar që ka një precedent aspak të mirë, si Kassai, duke kujtuar eliminimin ndaj Realit kur ishte pjesë e Bayernit.

“Jam i surprizuar nga vendimi i gjyqtarit të ndeshjes, pasi kam kujtime të këqija nga ekipi i kaluar. Koha shëron të gjitha plagët, por shumë pak kohë ka kaluar. Liverpool ka një sulm të rrezikshëm, kështu që nëse duam të fitojmë, duhet të menaxhojmë kundërsulmet.

Kjo është një lojë e rëndësishme, por jo vendimtare, ne duhet të përpiqemi dhe t’i sjellim në shtëpi tre pikët. Liverpool është një ndër skuadrat më të mirë përreth, arritën në finalen e Champions League sezonin e kaluar dhe këtë vit kanë bërë një fillim shumë të mirë. Ekipet e Klopp kanë një identitet të qartë: shumë dinamik, agresiv dhe të drejtpërdrejtë kur sulmojnë”, deklaroi Ancelotti.