Altin Lala, trajneri i ri Kombëtares U-19

538
Sigal

Largohet Foto Strakosha, tani është pjese e stafit te skuadrës se njohur greke Olimpiakos

Altin Lala është emëruar trajneri i ri i Kombëtares U-19. Rekordmeni i Kombëtares përsa u përket numrit të ndeshjeve (79) do të zëvendësojë në këtë detyrë ish-teknikun Foto Strakosha.. Portieri i shquar largohet nga stoli kuqezi, për të ndjekur një drejtim të ri në karrierën e tij. Ai do të jetë pjesë e stafit të skuadrës së njohur greke Olimpiakos, me të cilin Strakosha ka luajtur vite më parë (1993-1997) edhe titullin kampion në Greqi. Strakosha e mori drejtimin e Kombëtares U-19 në vitin 2011 dhe gjatë këtyre tre viteve ai ka arritur disa rezultate të mira në paraqitjet ndërkombëtare. Trajneri i ri Altin Lala do të vazhdojë të mbulojë edhe rolin e zëvendëstrajnerit në Kombëtaren A. Rritet në këtë mënyrë angazhimi i ish-kapitenit të Kombëtares në përgatitjen e futbollistëve shqiptare për ekipet e sipërpërmendura. Federata Shqiptare e Futbollit i uroi suksese trajnerit të ri Altin Lala në detyrën e tij të re dhe falënderoi  trajnerin Foto Strakosha për kontributin që ka dhënë në drejtimin e ekipit kombëtar U-19 dhe në zbulimin e shumë talenteve të cilët vazhdojnë të kontribuojnë për ekipet kombëtare shqiptare. Duke respektuar vendimin e tij FSHF i uron suksese në karrierën e tij te re. 38-vjeçari Altin Lala ka një përvojë të madhe ndërkombëtare si futbollist, pasi ka shpenzuar më shumë se 19 vjet në Gjermani, ku spikat aktivizimi i tij me Hanoverin (13 sezone, ku ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit për katër edicione). Ai e mbylli karrierën në vitin 2012 kur ish-mesfushori Lala ishte pjesë e ekipit të dytë të Bajernit të Munihut. Për Lalën kjo është hera e parë që ai do të drejtojë një ekip, për më tepër kombëtar. Kombëtarja U-19 do të luajë ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Europian. Shqipëria ndodhet në një grup (7) me Danimarkën, Portugalinë dhe Uellsin. Ndeshjet eliminatore do të zhvillohen në datat 12-17 nëntor 2014 në Portugali. Një tjetër përforcim në ekipin që punon për formimin e elementëve për përfaqësuesen është dhe Erjon Bogdani. Golashënuesi më i mirë i kombëtares ka pranuar të marrë detyrën si “scout” i ekipeve kombëtare të Shqipërisë. Bogdani do të ndjekë ecurinë e talenteve shqiptarë në të gjitha kategoritë, U-17, U-19, U-21 por dhe në ekipin kombëtar A. Afrimi i tij në stafin që drejton ekipet kombëtare shqiptare do të jetë një mundësi më shumë jo vetëm për lojtarët e talentuar, por dhe për stafet e ekipeve që do të konsultohen me ish sulmuesin.

  Besart Berisha i mbyll derën Kombëtares

 Besart Berisha i mbyll përfundimisht dyert kombëtares shqiptare të futbollit. Sulmuesi i Melbourne Viktori në A-League, deklaroi se ka biseduar me trajnerin e përfaqësueses kuqezi Xhanni De Biazi dhe deri në momentin që do të jetë duke luajtur në Australi, ai nuk mund t’i bashkohet Shqipërisë, shkaku është largësia e madhe mes dy vendeve. Në vijim të intervistës Berisha tha se ai mund të angazhohet sërish për të luajtur me Kombëtaren Shqiptare vetëm nëse rikthehet sërish te një klub Europian, por duke ditur faktin që vetëm pak para muajsh 29-vjeçari firmosi një kontratë 2-vjeçare me Melbourne Viktory, që të ndodhë diçka e tillë është thuajse e pamundur. Ish-lojtari i Brisbane Roar theksoi gjithashtu se dëshira për të luajtur përsëri me Shqipërinë apo qoftë edhe me Kosovën ekziston, megjithatë për momentin një gjë e tillë është e pamundur. Transferimi nga Brisbane Roar te Melburne Viktory ishte një nga më të rëndësishmit për Berishën në karrierën e tij sa i përket aspektit financiar, pasi për dy vite te skuadra e drejtuar nga trajneri Kevin Muskat lojtari i lindur në Prishtinë do të përfitojë 1,5 milionë dollarë.

 Kukësi, gati formacioni për titull

 Pas emërimit të trajnerit të ri, Artim Shaqiri, situata te Kukësi është optimale. Pas dy sezoneve me “petkun” e nënkampionit, Kukësi synon titullin kampion. Kur kanë mbetur edhe më pak se dy javë nga nisja e sezonit 2014-2015 formacioni duket i konfirmuar. Duke përjashtuar ndonjë afrim cilësor të ditëve të fundit, trajneri Artim Shaqiri duket të ketë të qartë 11 titullar për skuadrën verilindore. Nisur edhe nga miqësoret e zhvilluara në Ohër, rreshtimi taktik i Kukësit pritet të jetë 4-2-3-1, me 5 afrime të reja në formacion. Trajneri i sapoemëruar Artim Shaqiri, do t’i besojë çelësat e portës vlonjatit Halili, teksa mbrojtja njeh vetëm një ndryshim, me Dushkun që i bashkohet në qendër Malotës. Krahët pritet të jenë pronë e Smajlit në të djathtë dhe kapitenit Hallaçi në të majtë. Përpara mbrojtjes të konfirmuarit Musolli do t’i bashkohet shkodrani Hasani, një tjetër afrim në merkaton e verës. Ndërkohë pjesa sulmuese e skuadrës ka pësuar një ndryshim rrënjësor, me Hysën që mbijeton nga edicioni i kaluar. Maja e sulmit do të udhëhiqet nga kroati Pero Pejic, që pas do të ketë në mbështetje treshen Hysa, Zeqir dhe Lushtaku. Edhe pse ky pritet të jetë formacioni titullar, konkurrenca e madhe mund të bëjë që trajneri Shaqiri të vlerësojë alternativat, të cilat pritet t’i rrisin cilësinë grupit, që pas dy viteve si nënkampion, kërkon kurorën e mbretit në futbollin shqiptar.

Ish-mesfushori i Skënderbeut dhe i Kombëtares firmosi një kontratë njëvjeçarë me skuadrën polake

 Sabien Lilaj vishet “blu”, firmos me Ruch Chorzov

 Sabien Lilaj është zyrtarisht një lojtar i Ruch Chorzov, skuadër që militon në Superligën e Polonisë. Ish-mesfushori i Skënderbeut, aktualisht në radhët e Kombëtares shqiptare firmosi një kontratë njëvjeçare me opsion edhe për 12 muaj të tjerë në rast se ai do të përmbushë besimin e klubit polak. Për 25-vjeçarin ky është klubi i dytë i huaj në karrierën e tij, pasi më parë ka luajtur në radhët e Lokomotivës së Zagrebit në Kroaci. Lilaj bëhet kështu lojtari i katërt shqiptar që luan në Poloni, pas Edgar Çanit, Sebino Plakut, Bekim Balajt. Klubi i Ruch Zochar publikoi në faqen zyrtare një profil të gjatë të futbollistit korçar, duke theksuar momentet pikante të karrierë së tij. Lilaj është lindur në Korçë, më 10 shkurt 1989, ndërkohë që pas aktivizimit me ekipet e të rinjve të Skënderbeut, ai debutoi në futbollin profesionist shqiptar me ekipin e Tiranës. Me ngjyrat e klubit kryeqytetas ai fitoi Kupën e Shqipërisë në vitin 2011, përpara se transferohej në verën e po atij viti në Kroaci te Lokomotiva e Zagrebit, me të cilin luajti një zezon. Në vitin 2012 ai u kthye te Skënderbeu i Korçës në kampionatin shqiptar. Me skuadrën e qytetit të tij ai fitoi dy tituj kampionë (2012-2013 dhe 2013-2014). Gjatë sezonit të kaluar, Lilaj luajti 29 ndeshje në kampionat duke shënuar 2 gola. Në total, ai ka luajtur 95 ndeshje në kampionatin shqiptar dhe ka realizuar shtatë gola.

Termat financiarë janë të kënaqshme, me një pagë dy herë më të lartë se ajo që merr aktualisht tek Skënderbeu. Ruch Chorzov që sezonin e kaluar u rendit në vendin e tretë, ishte pranë firmës me mesfushorin tjetër të kampionatit shqiptar Erjon Vucaj, dhe tashmë duket të ketë kthyer sytë drejt mesfushorit të Skënderbeut. Sabieni është lojtar i ekipit Kombëtar, ai ka bërë debutimin më 7 tetor 2011 në një ndeshje kualifikuese të Euro 2012 kundër Francës (0-3). Në total ai ka lujtur 10 ndeshje. Lilaj luan në pozicionin e një mesfushori shkatërrues apo në të majtë. Lilaj gjithashtu është një futbollist, i cili është në vëmendjen e trajnerit të Përfaqësueses Shqiptare, Xhani de Biasi dhe ky kalim mund të shtojë shanset për të qenë pjesë e kuqezinjve në edicionin e Eliminatoreve të Euro 2016.

  4 ekipe

ka në karrierën e tij Sabien Lilaj: Tiranën e Skënderbeun në Shqipëri, Lokomotivën e Zagrebit në Kroaci dhe Ruch Chorzov në Poloni.

 10 ndeshje

ka luajtur 25-vjeçari me Kombëtaren shqiptare. Ai ka debutuar, më 7 tetor 2011 në një ndeshje kundër Francës, për eliminatoret e Euro 2012.

  Kalamishi, administratori i ri Vllaznisë

 Këshilli Mbikëqyrës i Shoqërisë Aksionare “Vllaznia” emëroi Neritan Kalamishin si administratorin e ri të Klubit të Futbollit “Vllaznia”. Ai u prezantua nga presidenti i shoqërisë “Gea Sport”, Roberto Nava, shoqëri që do të administrojë klubin verilindor për tre sezonet e ardhshme.

 Tavekio zgjedh Antonion Konten si trajner të Italisë

 Presidenti i ri i Federatës Italiane të Futbollit, Karlo Tavekio, preferon Antonio Konten si trajnerin e ri të Italisë. 71-vjeçari, ish-drejtues i ligave amatore të futbollit italian, u zgjodh ditën e hënë në Romë pasi mposhti rivalin e tij, Demetrio Albertini, në garën për zëvendësimin e të dorëhequrit, Xhankarlo Abete. Tavekio tha dje se, ai i është përveshur menjëherë punës për përzgjedhjen e emrit që do të drejtojë Italinë pas largimit të Prandelit. Ai tha se ka zhvilluar biseda telefonike me 3-4 kandidatë potencialë, mes të cilëve edhe ish-trajneri i Juventusit, Antonio Konte. Për Konten ai ka shprehur simpati gjatë fushatës për t’u zgjedhur president. “Konte me duket personi i duhur dhe unë jam optimist për kombëtaren italiane”, deklaroi ai për mediat italiane. Këto të fundit e cilësojnë një çështje të mbyllur. Sipas tyre Konte do të jetë trajneri i ardhshëm i Italisë dhe kjo do të zyrtarizohet ditën e hënë. Nëse do të emërohet trajner i “Axurrëve”, sfida e parë e ish-trajnerit të Juventusit në aventurën e tij si trajner i Italisë do të jetë përballë Holandës, në miqësoren e 4 shtatorit.

  Sulmuesi Media Kagere vjen nga Ruanda, ndërsa mbrojtësi David Domgjoni është i Shqipërisë U-17

 Dy goditje të tjera të Tiranës

 Tirana prezantoi dy afrimet me të fundit në radhët e bardhbeluve sulmuesit nga Ruanda, Medie Kagere dhe qendërmbrojtësit të U-16 të përfaqësueses shqiptare David Domgjoni. 17-vjecari pjesë e përfaqësueses së drejtuar nga Xhemal Mustedanagiç, ka firmosur kontrate dyvjeçare me 24 herë kampionët e vendit, duke kompletuar një repart me shumë konkurrencë. Ndërkohe sulmuesi 27-vjeçar i përfaqësueses së Ruandës Kagere mësohet të ketë firmosur kontratë tre vjeçare me bardheblutë e kryeqytetit. Një rikthim në shtëpi mund të konsiderohet edhe afrimi i ish portierit Egbo qe i bashkohet stafit teknik. Kagere është dukur i kënaqur me ketë transferim, teksa në fjalët e para ka treguar se e njeh ambientin në të cilin është afruar. “Jam i lumtur për këtë transferim. E di qe Tirana është një ekip me rekorde në Shqipëri, e njoh historinë e saj dhe e di që ka tifozë të zjarrtë”. Kagere do të ketë një luftë të fortë për të zënë vendin ne formacion, por kjo gjë nuk e tremb sulmuesin. “Mendoj se nuk e kam vendin e sigurt duke parë përbërjen e ekipit, por do luftoj për një vend titullari. E di që është e vështirë por do të përpiqem të zë një vend në formacion.  Këtë të mërkurë, Tirana do të provojë një test miqësor, kundër Besës në stadiumin “Selman Stermasi”.

Bajern-Dortmund, finalja e Superkupës gjermane

 Vetëm pak orë para përballjes me Dortmundin për finalen e Supekupës së Gjermanisë (sot ora 18:00), Pep Guardiola u shfaq i shqetësuar para gazetarëve. Trajneri i Bayernit të Mynihut deklaroi se ndryshe nga një vit më parë, në dispozicion ka shumë pak lojtarë që janë në formën optimale. Në këto kushte, hakmarrja bavareze për humbjen 4-2 në Signal Iduna Park, duket një mision më shumë se i vështirë për teknikun spanjoll. “Vitin e shkuar ishim më të fortë në Superkupën e Gjermanisë. Kam vetëm 8 apo 9 futbollistë në formë, asnjë më tepër. Do të vendos për formacionin pasi të kem biseduar me të gjithë lojtarët. Kjo është një finale, jo një test stërvitor dhe unë e kam të qartë se çfarë duhet të bëjmë. E njohim kundërshtarin dhe e dimë sa të vështirë do ta kemi. Dortmundi është një ekip me kundërsulme të rrezikshme dhe strukturë të fortë në mbrojtje”. Më pas vëmendjen Guardiola e kaloi te merkatoja e verës, duke paralajmëruar se te Bayerni nuk do të ketë më prurje të reja, pavarësisht disa mungesave nga dëmtimet. “Jo, jo. Nuk do të vij asnjë lojtar tjetër, pasi jam i kënaqur me këtë skuadër. Tani presim vetëm rikthimin e atyre që janë në proces rikuperimi”. Ashtu si në Superkupën e vitit të shkuar, Dortmundi dhe Bajerni do të përballen në shtëpinë e verdhezinjve, në një finale që veç trofeut, vlen për të treguar edhe potencialin e dy gjigantëve të Bundesligës.