Alfrd Zijai: “Ishim një brez i artë”

1816
Sigal

Intervista për “Telegraf”: “Si eliminuam Partizanin e Beogradit dhe mundëm Barcelonën”

 Alfred Zijai ishte pjesë e brezit më të artë të futbollit vlonjat, në atë grup lojtarësh të Flamurtarit, që eliminoi Partizanin e Beogradit në Kupën UEFA dhe fitoi me Barcelonën, të përbërë nga yje si Mark Hjuxh, Geri Lineker, Julio Albertos, Zubizareta, Viktor, etj. Gazeta “Telegraf” po riboton një intervistë të legjendës vlonjate.

 – Flamurtari është skuadra e vetme në Shqipëri, që ka arritur të futet në turin e tretë të një kompeticioni ndërkombëtar të organizuar nga UEFA. Në edicionin 1987-1988 të Kupës UEFA, eliminoi Partizanin e Beogradit dhe u ndalur nga Barcelona. Një sukses i jashtëzakonshëm apo jo?

 – Absolutisht! Në edicionin 1987-1988 të Kupës UEFA, nën drejtimin e trajnerit Leonidha Çuri eliminuam në turin e parë Partizanin e Beogradit. Fituam 2-0 në Vlorë (autogol i Gjorxhevic dhe Roland Iljadhi) dhe humbëm 2-1 në Beograd. Sokol Kushta shënoi një eurogol që na dha edhe kualifikimin. Ishte një fitore sportive, por me një karakter të theksuar politik. Pati një sfond politik, aq sa natyrshëm edhe ne si lojtarë ishim të frymëzuar me një ndjenjë të theksuar nacionaliste. Më pas, po ta shohim hollësisht, nga pikëpamje thjesht teknike, ne kemi bërë ndeshje shumë më të mira me spanjollët e Barcelonës, gjermanët e Vizmutes Aue, pa e përjashtuar faktin se ndaj Partizanit të Beogradit, si në Vlorë, ku fituam 2-0, ashtu dhe në Beograd, luajtëm shumë mirë, sidomos pas golit tonë, kemi pasur disa raste të pastra. Ishin ndeshje, që i përkisnin të gjithë sportit shqiptar, jo vetëm Flamurtarit të Vlorës. Në ato vite dolën shumë mirë dhe Tirana me Vllazninë. Kur u kthyem nga Beogradi, në Shtoj na pritën me lule dhe duartrokitje, ndërkohë që në turizmin e Shkodrës na shtruan koktej. Kudo që kalonim me autobusin tonë,     na përshëndesnin. Në Vlore ishte katastrofë. Mbi 20-30 mijë veta na pritën. Ishte një shi i tmerrshëm atë ditë dhe gjithë njerëzit ishin përjashta. Mbaj mend se kam ecur mbi kurrizin e 5000 vetave, për të shkuar në shtëpitë tona.

 – Në turin e dytë eliminuat gjermanolindorët e Vismute Aue: humbët 1-0 në Gjermani dhe fituat 2-0 dhe Vlorë (golat nga Rrapo Taho dhe Vasil Ruci). Dhe erdhi ndeshja me Barcelonën, me të cilët më parë kishit zhvilluar dy ndeshje të paharruara?

– Po, ishin ndeshje të mëdha. Në turin e tretë, u eliminuam nga Barcelona, por të paktën i mundëm në Vlorë. Në ndeshjen e parë humbëm 4-1 në “Kamp Nou” (gol i Vasil Rucit), ndërsa fituam 1-0 në Vlorë, me golin e Kushtës). Gjithsesi, mbaj mend se dueli i parë kundër Barcelonës, barazimi 0-0 është edhe më i famshmi kundër spanjollëve, ai barazim 1-1 në Vlorë. Ishte një ndeshje e mrekullueshme, në një stadium tërësisht të ndezur. Më i bukur se kurrë. Ka qenë një Barcelonë me emra të mëdhenj, si Mark Hjuxh, Geri Lineker, Julio Albertos, Zubizareta, Viktor, atëherë ata ishin ndër lojtarët më të mirë në botë. Shënuam të parët, me anë të Vasil Rucit dhe pësuam gol në minutën e 90-të. Duelet e mia ishin me Viktor, Hjuxh. Isha mesfushor kontrollor, por dhe organizator.

– Zijai, ju keni qenë pjesë e Flamurtarit të famshëm, që fitoi titullin kampion në sezonin 1990-1991, me trajner Edmond Liçajn. 21 vjet më pas, çfarë emocione ruani?

– Ka qenë me të vërtetë një brez i artë, jo i vetëm i yni, por i gjithë futbollit shqiptar. Ishte fryt i stërvitshmërisë sonë, impenjimit dhe përgjegjësisë maksimale të secilit. Në vitet 1980-1990, jo vetëm futbolli, por dhe sporte të tjera, si volejbolli për femra dhe meshkuj, peshëngritja, pati bumin e tij cilësor, sidomos me paraqitjet pozitive në aktivitet ndërkombëtare. Pati një rritje cilësore të sportit në Shqipëri. Më pas gjërat u dobësuan. Për ekipin tim, pra të Flamurtarit, ne ishim 18 lojtarë që pretendonim për 11 vende. Dhe nuk është si sot, që një lojtar ri gjashtë muaj pa bërë stërvitje dhe e ka vendin në formacion. Ne po të rinim tri ditë pa stërvitje, të linin jashtë formacionit, dhe hajde ta gjejë vendin në formacion më pas, pasi të gjithë lojtarët bënin dy apo tre seanca stërvitore në ditë. Kishim më shumë përgjegjësi, ndershmëri dhe karakter sportiv.

 Ndaj Vizmutes, ndeshja më e bukur

 Alfred Zijai është një ndër lojtarët më të mirë të Flamurtarit të të gjitha kohërave. Ka fituar një kampionat (1990-1991) dhe dy Kupa të Shqipërisë (1984-1985 dhe 1988-1989). 50-vjeçari Zijai ka shumë për të treguar, pasi ka luajtur qindra ndeshje për kuqezinjtë. Por ndeshjen më të mirë të tij ai e ka zhvilluar kundër gjermanolindorëve të Vizmutes. “Ajo është ndeshja ime më e mirë, e kam dhe në kasetë dhe e shoh shpesh dhe tani”, – tregon Zijai.

 Tri ndeshjet me Kombëtaren

 Alfred Zijai ka luajtur tri ndeshje me Kombëtaren shqiptare. Pikërisht ato kundër Austrisë, në humbjen 3-0, më 15 tetor 1986, në Grac të Austrisë, e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian (trajner Agron Sulaj), në Shqipëri-Rumani 0-1, më 28 tetor 1987, por për eliminatoret e Kampionatit Europian (trajner Agron Sulaj), kur zëvendësoi Sulejman Demollarin në të 46’ dhe ajo me Spanjën, e humbur 5-0 në Sevilje (18 nëntor 1987), kur zëvendësoi Artur Lekbellon në minutën e 80-të.

 Shuhet në moshën 52-vjeçare legjenda vlonjate

 Alfred Zijai, 9-ta i paharruar i futbollit

Futbolli shqiptar humbi dje një nga emblemat e tij, Alfred Zijain (52 vjeç), ndërsa Flamurtari “fanellën me numër 9”, dhe një nga “Mjeshtrit e Sportit” që ka nxjerrë shkolla vlonjate. Një herë kampion i Shipërisë dhe dy herë fitues i Kupës së Shqipërisë, mesfushori Alfred Zijai ishte një ndër strategët e mesfushës kuqezi, në dy triumfe historike ndërkombëtare, eliminimin e Partizanit të Beogradit (Liga e Europës, 1987-1988) dhe fitoren 1-0 ndaj Barcelonës (Liga e Europës, 1986-1987). Alfred Zijai ishte anëtari i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit. Ai është themeluesi i Shoqatës së Futbollit në Sallë, duke qenë dhe presidenti i parë i saj.

 SËMUNDJA

Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare ndodhej prej gjashtë ditësh, i shtruar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në reanimacion. Gjendja e tij ishte shumë e rëndë, për shkak se vuante nga insuficienca e mëlçisë, dhe sipas mjekëve më të cilët kontaktoi gazeta (prof. Ilir Ohri dhe mjekja Elida Mjekaj), ishte e pamundur që të kryhej një transplant, pasi Zijai mbahej në jetë nga aparaturat. Në mbrëmjen e së enjtes, gjendja e Alfredit u rëndua së tepërmi, ndërsa zemra e tij pushoi përfundimisht në orën 07.25 në mëngjesin e së premtes. Në ambientet e reanimacionit ishin vëllai i tij, Loli, së bashku me vajzën e tij, ndërkohë që i ati i Fredit, Kujtimi, ishte nisur drejt Vlorës vetëm një ditë më parë. Para tre viteve ish-futbollisti i Flamurtarit, i ishte nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale në Libi, por sëmundja e tij nuk mundi të ndalte, pasi dy vite me parë ai sëmuret sërish. Të enjten, Alfredi mbushi 52 vjeç dhe shumë prej miqve të tij i dërgonin mesazhe urimi, ndërkohë që 24 orë më pas, Zijai ndërroi jetë.  Alfred Zijai ishte babai i dy fëmijëve.

Gjatë kohës, që Fredi ishte i shtruar në reanimacion ai u vizitua nga miq të tij të botës së sportit dhe të politikës.

TROFETË

Alfred Zijai ka qenë një ndër futbollistët më të mëdhenj të viteve 1980. Ai ka luajtur me skuadrën e qyteti të tij të lindjes Flamurtarin. Karriera e tij sportive ka nisur që prej vitit 1979 e deri në vitin 1991. Flamurtari e ka fituar vetëm një herë titullin kampion, pikërisht në sezonin 1990-1991, kur në bankinë ishte trajner Edmond Liçaj. Një nga protagonistët e atij sezoni të paharruar ishte dhe Alfred Zijai, si bashku me futbollistët si Viron Daullja, Elidon Lameborshi, Alfred Zijai, Sokol Kushta, Agim Bubeqi, Gjergji Dema, Erion Mehilli, Gezim Muka, Roland Iljadhi, Luan Birçe, Eqerem Memushi, Rrapo Taho, Viktor Daullja, Latif Gjondeda, Anesti Arapi, Kreshnik Çipi, Bashkim Shaqiri, Ardian Ciruna, Edmond Lutaj, Anesti Vito, Tajar Arapi, Roland Muka, Vasillaq Ziu, Dritan Sadedini, Viktor Paço dhe Gramoz Murati. Alfred Zijai ka dalë dhe katër herë nën kampion i Shqipërisë, pikërisht në sezonet: 1981-1982, 1985-1986, 1986-1987 dhe 1987-88. Me Flamurtarin, Fredi fitoi edhe dy herë Kupën e Shqipërisë: 1984-1985 dhe 1987-1988, ndërkohë që ka humbur pesë herë në finale” 1982-1983, 1983-1984, 1986-1987, 1989-1990, 1990-1991. Ish-mesfushori i talentuar i vlonjatëve ka luajtur tri ndeshje me Kombëtaren shqiptare. Pas viteve 2000 ai formoi vetë shoqatën e minifutbollit dhe futbollit të sallës ndërsa prej vitit 2009 ai është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, dhe njihej si një nga njerëzit më realistë në Komitetin Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit,

 Ngushëllime nga miqtë; sot, homazhet në stadium

 Njerëzit e njohur të botës së futbollit shprehën më dhimbjen e tyre dhe pikëllimin e thellë për ndarjen e parakohshme nga jeta të Alfred Zijajit. Homazhet për “Mjeshtrin e Sportit” do të bëhen nga ora 10-12.00 në stadiumin “Flamurtarin”, pikërisht atje ku Fredi luajti gjatë gjithë karrierës së tij, 1949-1991. Federata Shqiptare e Futbollit i shprehu ngushëllime familjes, përmes një deklarate të publikuar në faqen zyrtare. “Në kujtim të Alfred Ziajit Federata Shqiptare e Futbollit dhe e gjithë bota e futbollit shqiptar është përfshirë në heshtjen e zisë, për t’i dhënë lamtumiren e fundit futbollistit, mikut, shokut dhe drejtuesit te njohur. Lamtumire Fredi!”, – thuhej në mesazhin e FSHF-së. “Ngushëllimet e mija familjes dhe sportdashësve të futbollit dhe në veçanti vlonjatëve”, – shkruante ish-kapiteni i Dinamos dhe i Kombëtares, Sulejman Demollari. Kolegjiumi i Arbitrave: “Ngushëllimet më të sinqerta familjes Zijai, për humbjen e Alfredit, këtij kolosi të futbollit shqiptar!”.

  

Fredi i të gjithëve!

 Eno Cacaj

 Dje (të enjten), kishim ditëlindjen e Fre-së. Dje u bëmë tapë tëe gjithë nga dollitë “për kokë të atij apo atij”. Të gjitha këto të imponuara nga Fre-ja. Nuk linte askënd pa përmendur. I donte të gjithë të ishin prezent në tavolinë. Deri tek Lalush Kakaci apo Vironi i Dritës. I donte të gjithë se ata e mbanin gjallë. Donte të qeshte. Të gajasej. Të qeshte. Vetëm të qeshte. I donte të gjithë të ishin aty. Fizikisht ose me dolli. Mjafton që, sapo t’i shihte ose të kujtohej se ishin apo nuk ishin aty nuk kishte rëndësi. I donte të gjithë. Të bardhë. Të zinj. Tek “Kali i Trojës”. Në “Ujë të Ftohtë”. Në Cole. Vrenez. Në Llonxhe. Karabash. Topana. Të gjithë. Të gjithë ishin. Ishte ditëlindja e tij. Të gjithë. Nga Durrësi. Elbasani. Shkodra. Tirana. Gazetarë. Sportistë. Nga Vlora të ardhur në Tiranë. Nga Vlora-Vlora. Tifozë. Sportistë. Kafexhinj. Pije-dashës. Politikanë (le të ishin dhe ata). Të gjithë. Donte të dehej me ata. Ishte ditëlindja e tij. Harrova një detaj. Donte edhe poetët. Piktorët. Artistët. Donte Dorin. Teodor Kekon. Të dëgjonte poezitë e Dorit të Vogel teksa i recitonte vargje. Donte ta dehte. Donte të dehej me të. Donte ta shikonte kur kërcente nga gëzimi bashke me të mbi tavolina ne ditëlindjen e “xhentilit-qejfmosprishurit-alegro” Fre. I donte të gjithë Fre-ja aty. Në ditëlindjen e tij. Donte ta zbardhte me ata agimin. Ta trembte natën me të bërtitura. Me shfrenime. Qejfi i tij të vinte policia nga shqetësimi i banorëve përreth. Po gëzon Fre-ja. Jo shaka. Ta marrë vesh i madh e i vogël. Ai që kur gëzon (ritual ndoshta çdo ditë), e merr vesh gjithë dynjaja. Ky ishte fiksim i tij. Imagjino kur i vinin shokët. Shokët. Ata që falë tyre dhe energjisë që ju dedikoi i kishte gjithmonë pranë. Sapo shkelnin në Tiranë “brraf” zile e telefonit: “Fre, erdhëm. Ku je?”. Edhe ata ishin aty. Duke pritur agimin e diellit. Me Fre-në. Të gjithë. Niku Cipi. Kol Kushta. Petrua. Latua. Rrapua. Fre-ja tjetër, Ferkua. Vasili. Të gjithë me radhë. Aty, deri në mëngjes. Deri kur festohen ditëlindjet e njerëzve që i duan të gjithë. Te ishin aty. Kjo ishte ditëlindja-ëndërr e tij.

 Shënim: Përvjetori i tij i 40-të u festua deri ne agim. Fredi si gjithmonë Fredi në fund të ditëlindjes në orën 06.00 të mëngjesit. I fton të gjithë ata që i rezistuan “batareve” me dolli për të ngrënë një pjatë fasule. Ditëlindja e tij e 53-të, 13 vjet më pas u festua në heshtje, një ditë para ndarjes nga jeta.

R.I.P. Alfred Zijaj!