Agron KAJADritëhijet, kurbat që shëmtuan sportin e 2014-ës

439
Sigal

Më i miri i 2014-ës në Maqedoni, futbollisti shqiptar Agim Ibraimi

Futbollisti me origjinë shqiptare i Kombëtares së Futbollit të Maqedonisë, që aktivizohet për skuadrën e Mariborit është shpallur si lojtari i vitit në shtetin fqinj, duke lënë pas vetes futbollistë si Goran Pandev apo Noveskin që aktivizohet tek skuadra e Mainz në Gjermani. Bashkë me Ibraimin është vlerësuar edhe futbollisti tjetër me origjinë shqiptare Jasir Asani, por që aktivizohet për U21, si “Lojtari i ri më i mirë” për vitin 2014.

 Mërgim Mavraj, një ndër më të mirët në Bundesligë

Mërgim Mavraj, në bazë të statistikave të kampionatit gjerman të futbollit, rezulton një ndër futbollistët me përqindjen më të lartë të pasimeve të sakta. Futbollisit i Këlnit dhe i Kombëtares Shqiptare në këtë renditje “rivalizohet” dhe kalohet vetëm nga futbollistët e Bajernit të Mynihut, që për nga saktësia zënë vendet e para. Në listën prej 10 pozicionesh, Mavraj është i gjashti me 88% të pasimeve ë sakta, ndërkohë që 8 janë futbollistë të Bajernit dhe dhjetëshen e plotëson një ish i Bajernit, Luiz Gustavo.

 Partizani miqësore me Xhenovan?

 Sipas të gjitha gjasave, skuadra e Partizanit do të zhvillojë nj miqësore me skuadrën italiane të Xhenovas gjatë fazës së pushimit dimëror. Në fakt kjo miqësore, më shumë sesa provë force do të vlejë si “vitrinë” për futbollistët e Partizanit, që të mund të kapen nga syri i zbuluesve të talenteve për skuadrat e huaja. Nga sa bëhet me dije, ata që duket se po bëjnë gati çdo gjë janë zv/trajneri i Kombëtares Tramexani dhe Luca Di Marcio, gazetari i SkyItalia që ishte i pranishëm në ndeshjen Partizani-Tirana.

 FOKUS 2014/ “B”-ja e Romelës dhe “B”-të e tjera të peshëngritjes, “njollat e murrme” për by pass të pastër

Të flasësh, dhe aq më shumë të sjellësh në memorie gjithçka që është përjetuar në atmosferën sportive të një viti kalendarik, kjo nuk është gjë e thjeshtë për ta sjellë atë në disa radhë gazete. Por, duke prekur dukuritë më të spikatura në të dy kahet, mund të themi se këtë vit po e sitim për ta ndarë miellin nga krundet. Kësisoj, do të ishte më e udhës që të mos e nisnim me “radhë të zeza” këtë fokus për vitin sportiv që po lemë pas, 2014-ën, por duke u nisur nga fakti se fundi i tij ishte aq shumë gri në sfondin e sporteve tona, na detyron të jemi konkretë dhe të mos e lemë jashtë memories, së pari për njollën që na la në disa aspekte të tij. Në fakt, është mbyllur një vit sportiv që në shumëllojshmërinë e tyre ai kulmon me disa momente, të cilat shqiptarët mund t’i kishin menduar më parë, por që ndoshta në këtë vit nuk mund ti kishin kaq pranë. E për ta nisur këtë rrugëtim fokusi, le të themi se kemi prekur Europën dhe Botën në tre shtylla, nga të cilat njëra thuajse ka rënë plotësisht. Peshëngritje-Futboll-Xhudo, ky është aksi në të cilin gjatë një viti kalendarik udhëtuan së bashku e mira dhe e keqja. Për ta nisur me njërën nga këto shtylla, me xhudisten kosovare Majlinda Kelmendi, për atë çka ajo arriti gjatë vitit 2014 ka bërë krenar të gjithë kombin shqiptar, ndërsa këto radhë i bën edhe më të afërta me lexuesin  në gjithë kuptimin e tyre. Kelmendi sfidoi gjithçka që sportivisht i doli para, duke qenë ajo më e mira në Botë. Bukur, dhe aty, në atë kulminacion botëror ka pjesën e saj edhe Shqipëria, pasi një shqiptare Kampione Bote, nuk është vetëm “pronë” e Kosovës. Ndërkohë, duke lënë xhudon me këtë “përkëdhelje” disa radhëshe, me sinqeritet rrokullisja vazhdon te futbolli, tek ky sport që në Shqipëri nga viti në vit po jep shenjat e një rrugëtimi pozitiv në rritje. Jo vetëm futbolli që luhet brenda kampionateve në Shqipëri, por mbi të gjitha ai futboll që Kombëtarja jonë është duke luajtur në kompeticionet ndërkombëtare gjatë vitit 2014, ku duhet thënë se këtu jemi në mes Europës së kohës, por me standarde më larg prej saj. Gjithsesi, viti për të nisi me disa miqësore, më shumë të fituara, vazhdoi me eliminatoret e “Euro 2016”, ku në mes të tyre 14 tetori me ndeshjen Serbi-Shqipëri tregoi se shqiptarët dhe Kombëtarja e tyre e futbollit janë dinjitoze në fushë dhe jashtë saj. Një dron me flamurin e Shqipërisë së Madhe, egërsoi jo vetëm Ivanoviçin në shkallët e stadiumit të Beogradit, që më pas hyri në fushë si “kalorës”, por edhe Nikoloçin si President me Vuçicin Kryeministër, të cilët në gjykimin e tyre për atë që u gatua pas minutës së 42-të, morën me vete edhe Mishel Paltini-çin me UEFA-n. Na ndëshkuan edhe ne që u rrahëm, u shamë dhe çfarë nuk na thanë, ndërsa droni ishte rreziku që tronditi Disiplinën dhe Apelin në dhënien e gjykimit të tyre. Kjo tregoi se tashmë Kombëtarja jonë është bërë faktor me futbollin që po tregon, edhe pse vitin 2014 e mbylli si e 58-ta në Botë, por sikur kjo të mos na mjaftonte me kaq padrejtësi që na dha drejtësia evropiane e futbollit, Peshëngritja i dha një goditje të rëndë atmosferës sonë sportive. Fillimisht me bujën e Kampionëve të Botës dhe Europës, ku që në Rinas u shpallën heronj, dhe më pas me prapavijën e zezë se këto rezultate ishin kapur nën efektin e dopingut. Kjo është ajo shtylla sportive e vitit 2014, e cila kësisoj ka rënë dhe ka zënë brenda saj të gjithë ata që e përdorin këtë doping, të gjithë ata që drejtojnë këta peshëngritës të dopuar, njëherësh edhe ata që këtë situatë e kanë quajtur si një hile të bërë me dashakeqësi në palestrat greke të peshëngritjes. Thënë më troç, peshëngritja shqiptare është për një bypass të shpejtë, për një bisturi që duhet të heqë nga trupi i saj jo vetëm dopingun si substancë të ndaluar në përdorimin, por edhe ata njerëz që po e përdorin këtë sport për ego personale karrieriste. Çdo federatë sportive e ka bërë një analizë të saj për vitin që po mbyllim, ndoshta me më shumë përgjegjësi për ato rezultate që kanë arritur, dhe kaq radhë në gazetë duhet të mjaftojnë për të kuptuar se në vitin 2014, Shqipëria sportive u rrokullis si zakonisht, ku bukurinë e përfituar gjatë rrugës ja prishën “njollat e murrme” në Beograd e në peshëngritje. Këtu do të drejtojë bisturinë viti 2015. Gëzuar!

“Shqipëria e Madhe” e 2014-ës

Në futbollin shqiptar çdo gjë po merr nota pozitive, e kjo vihet re si në kampionatet brenda Shqipërisë ashtu edhe tek Kombëtarja, që mund të themi pa frikë se ka pasur një nga vitet më të mira të të gjitha kohërave. Fitoret, barazimet por edhe “humbjet” kanë bërë që Kombëtarja të jetë çdo ditë e më e vendosur sa i përket objektivave, e në këtë rast janë përballë objektivit “kualifikim 2016”. Nuk ka ndonjë rëndësi të madhe që e mbyllim renditjen e 2014-ës në vendin e 58 të FIFA-s. As që e humbëm një ndeshje në tavolinë ndaj Serbisë dhe nuk ndodhemi më shumë sesa në vendin e tretë në renditjen aktuale për EURO 2016. Janë të shumta gjërat që nuk kanë rëndësi para faktit se ky vit ka qenë viti i shpërthimit të Kombëtares, viti i afrimit të talenteve të reja, viti i pranimit të peshës së fanellës e mbi të gjitha viti ku Kombëtarja Shqiptare e Futbollit krijoi një imazh të ri në sytë botëror të sportit, krijoi imazhin e skuadrës që nuk e vuan më termin “skuadër e madhe” dhe arriti atë që trajneri De Biazi donte: Të hiqej petku i inferiores! U hoq, të paktën për vitin që lamë pas, duke u bërë kështu një faktor në grup dhe në futbollin ndërkombëtar. Arsyeja e këtij ndryshimi pozitiv? Më saktë do të ishte po qe se thuhej “arsyet”, pasi janë shumë, por një ndër këto arsye e ka emrin De Biazi! Trajneri ju bashkua që në nëntor të 2011 Kombëtares Shqiptare dhe që atëherë me plot bindje mund të thuhet se ka bërë një punë të madhe, të palodhur, kolosale. Afrimet e lojtarëve që ka bërë, që në fillim dukeshin si tallje dhe eksperimente që bëheshin në kurriz të skuadrës, kanë qenë shumë të goditura, ku disa nga ata e kanë fituar me meritë pozicionin e titullarit. Ky vit mund të quhet i artë për shumë arsye, për ndeshjet, jo vetëm për paraqitjet shumë të mira në ndeshje zyrtare dhe miqësore, por edhe për shkak të afrimeve të shumë futbollistëve me origjinë shqiptare që kanë pranuar së fundmi ftesën për të luajtur për Shqipërinë, duke e bërë kështu skuadrën edhe më të plotësuar.

Pak statistika: Shqipëria për 2014 ka luajtur 9 ndeshje, nga të cilat gjashtë kanë qenë miqësore ndërsa 3 kanë qenë për kualifikueset e EURO 2016. Nga gjithë këto ndeshje, Shqipëria ka fituar tre, ka barazuar dy dhe ka humbur katër, një ndër të cilat është edhe humbja në tavolinë me Serbinë (nëse mund të cilësohet humbje, me ato 41 minuta të luajtura).

Ndeshjet që ka luajtur Shqipëria në 2014-ën

Shqipëri 2-0 Maltë

Shqipëri 0-1 Rumani

Hungari 1-0 Shqipëri

San Marino 0-3 Shqipëri

Portugali 0-1 Shqipëri

Shqipëri 1-1 Danimarkë

Serbi 3-0 Shqipëri *

Francë 1-1 Shqipëri

Itali 1-0 Shqipëri