Mjeshtri i njohur i atletikës, Isa Tare, legjenda e sportit shqiptar

1696
Sigal

Kreu i Shtetit vlerëson kontributin e jashtëzakonshëm të atletit të nivelit të lartë duke i akorduar titullin “Mjeshtër i Madh”

Isa Tare, një nga personalitet e shquara të sportit shqiptar është dekoruar nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani me Titullin “Mjeshtër i madh”, me dekretin Nr. 8764. Kreu i shtetit ka vlerësuar kështu kontributin e jashtëzakonshëm të atletit të nivelit të lartë, vlerat kombëtare që ai përfaqëson në mbështetjen, zhvillimin dhe masivizimin e sportit në vendin tonë. Kjo shprehet fare qartë dhe në motivacioni domethënës të këtij titulli: “Për veprimtari të shquar ndër vite, atlet i nivelit të lartë në disiplinën sportive të atletikës me një kontribut të jashtëzakonshëm, me vlera të mëdha kombëtare në mbështetjen, zhvillimin dhe masivizimin e sportit në vendin tonë”, është sintezë e veprimtarisë së këtij kolosi të sportit shqiptar.

Isa Tare, me kontribut prej afro pesë dekadash, si sportist dhe drejtues i klubit shumësportësh “Partizani” ka marrë pjesë në të gjitha aktivitetet e rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare, dhe si ikonë e atletikës ka thyer rekorde të shumta duke u shndërruar në vlerë për kombin tonë.

Karriera akademike dhe sportive e “Mjeshtrit të Madh”

70-vjeçari Isa Hamza Tare, lindur në Nivicë-Tepelenë dhe banues të Tiranë, gjatë karrierës së tij akademike dhe sportive prej pesë dekadash, është nderuar me dhjetëra ‘Urdhra’ e ‘Medalje’.

Pas diplomimit në Akademinë e Sporteve Tiranë, si dhe mbarimit me rezultate të shkëlqyera të Kursit pasuniversitar dhe të Kurseve të tjera kualifikimi në Shqipëri dhe në Kinë shërbeu për 10 vjet (1970-1980) si pedagog dhe Shef i Departamentit të Fizkulturës në Akademinë Ushtarake.

Për gjashtë vjet(1980-1986) ishte pedagog në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve dhe më pas për 10 vjet(1986-1995) kreu me devotshmëri, përkushtim e kompetencë funksionet e Inspektorit të Sporteve bazë: not, shah, atletikë, gjimnastikë dhe Drejtor Ekzekutiv i Klubit Shumësportësh “Partizani”. Gjatë kësaj periudhë si Drejtor Ekzekutiv i Klubit Shumësportësh “Partizani” ka punuar për ngritjen e të gjitha strukturave të këtij klubi.

Prestigji i Mjeshtrit të Merituar, Isa Tare, do të rritej ndjeshëm, pasi duke e drejtuar me kompetencë e profesionalizëm arriti ta shpallë atë Klubin më të mirë të Republikës për disa sporte. Gjatë kësaj kohe janë fituar disa medalje ndërkombëtare në sportet si mundje, atletikë, gjimnastikë, peshëngritje, boks dhe karate.

Përsa i përket karrierës sportive, z. Isa Tare është shpallur Rekordmen i Ballkanit për “Flakjen e Diskut për Mosha”. Po ashtu është fitues i tre Medaljeve të Arta në Spartakiada Kombëtare.

Ka marrë pjesë në të gjitha aktivitetet e rëndësishme kombëtare, ku përfshihen 300 gara kombëtare,(në 180 gara ka fituar vendin e parë, si dhe në 83 takime ndërkombëtare ku në 50 gara ka fituar vendin e pare).

Në vitin 1972 ka plotësuar normën e pjesëmarrjes në Kampionatin Europian të Helsinkit. Po ashtu në takimin e Pekinit më 1965 është fitues i vendit të parë midis tre fituesve të Lojërave të Ganefos, duke thyer dhe rekordin kombëtar në flakjen e diskut.

Është shpallur Kampion dhe Rekordmen  i Flakjes së Diskut për 27 vjet me radhë, duke fituar 27 medalje të kampionit kombëtar (15 në hedhje disku dhe 12 në shtytje të gjyles).

Trofetë janë shumë: Për disa dekada fitues i vendeve të para në të gjitha aktivitetet kombëtare (kupa, kampionate, spartakiada) ballkaniada, lojëra mesdhetare, kampionate evropiane dhe aktivitete të tjera ndërkombëtare. Të gjitha kujtime të bukura të “Mjeshtrit të Madh”Isa Tare. Kudo dhe kurdoherë atë e ka karakterizuar shpirti i garës. “Nëse do të bëjmë një krahasim të sportistit të sotëm dhe sportistit të atëhershëm, do të doja të nxirrja në pah disa veçori: Unë mendoj se në atë kohë një sportist aktiv kishte shpirtin e garës. Pavarësisht konkurrencës me kolegët brenda ose jashtë vendit, pavarësisht nëse ishte një garë lokale, apo kombëtare, shpirti i garës nuk mungonte. Përgatitja fizike dhe psikologjike shtrihej për një kohë të gjatë përpara se të dilje në pistën e vrapimit. Kjo e bënte më të motivuar sportistin e atëhershëm. Sot, më duket se kalkulohet më shumë se sa duhet” thotë Isa Tare, kjo ikonë e atletikës shqiptare.

Medaljet dhe dekoratat në “gjerdanin e artë” të Isa Tares

Karriera e shkëlqyer sportive ka bërë që Isa Tare të mbajë “gjerdanin e artë” të disa dekoratave. Ai nderohet me titujt “Mjeshtër Sporti” (1964) dhe “Mjeshtër i Merituar Sporti”  (1981).

Z. Isa Tare është dekoruar me: Urdhrin e Punës të Klasit të Dytë me Dekret Nr. 7334 dt. 13.11.1989;

Me Urdhrin e Artë “Naim Frashëri”, me Dekret nr. 1516 dt. 04.07.1996 të Presidentit të Republikës;

Me Medaljen e Artë “Për Merita të Veçanta në Fushën e Sportit”, nga ish Ministri i Kulturës dhe Sporteve Teodor Laço më 08.06.1996 si dhe “Nderi i Sportit Shqiptar”.

Z.Isa Tare ka qenë për tetë vjet anëtar i Kryesisë dhe zv/President i Federatës Shqiptare të Atletikës. Si drejtues, ka shoqëruar dhe drejtuar dhjetëra herë ekipet sportive shqiptare(atletikë, gjimnastikë, mundje, boks etj) në takime ndërkombëtare.

Këshilli Bashkiak i Tiranës, me Vendimin Nr. 59. dt. 21.04.200, i ka dhënë Medaljen “Mirënjohja e Qytetit të Tiranës”.

Federata Shqiptare e Atletikës, me Shkresën Nr. 129 Prot, dt 9 shkurt 2006 konfirmon se të gjitha rezultatet dhe arritjet e Mjeshtrit të Merituar të Sportit z.Isa Tare janë të evidentuara në dokumentet e FSHA”.

Gjatë karrierës së tij sportive është shpallur Kampion dhe Rekordmen në Flakjen e Diskut dhe gjyles për 27 vjet me radhë, duke fituar 27 medalje të kampionit kombëtar, dhe tre medalje të arta në spartakiadat kombëtare..

Mirënjohja e “Mjeshtrit” për Nishanin dhe Nikollin

Isa Tare edhe sot në të 70 vitet e ka ruajtur më së miri formën sportive. Shtati i lartë, trupi prej gjimnasti e atleti vazhdojnë ta mbajnë në gjendje shumë të mirë sportive. Në vigjilje të festave të fundvitit, Krishtlindjeve dhe Vitit të ri 2015, ai ka kënaqësinë të ndaj me miqtë dhe shokët e shumtë, gëzimin e veçantë për dekorimin me Titullin “Mjeshtër i Madh”, nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Ky titull është shprehje e vlerësimit të kontributit të tij prej afro pesë dekadash, si sportist dhe drejtues i klubit shumësportësh “Partizani” dhe si pjesëmarrës në të gjitha aktivitetet e rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare. Ndaj dhe “Mjeshtri i Madh” falënderon përzemërsisht Presidentin e Republikës Bujar Nishani për nderin që i bëri dhe shpreh bindjen se ky vlerësim i përkushtimit të tij 48-vjeçar do të jetë dhe një premtim për të kontribuar për arritje të tjera për të mirën e kombit shqiptar. Vetë ceremonia mbresëlënëse e dekorimit në Presidencë i dha Isa Tares dhe familjarëve e miqve që e shoqëronin, një kënaqësi që nuk beson se do t’i vijë ndonjëherë. Me modesti ai shprehet: “Gjej rastin të falënderoj kreun e shtetit dhe stafin e tij që kishin organizuar së pari një takim special posaçërisht vetëm për mua. E pranoj me kënaqësi këtë dekorim, e konsideroj si institucionalizim, mbështetje dhe lartësim të asaj që më mungonte. Duke pranuar këtë dekoratë, mendoj se kemi pranuar një Shqipëri tjetër, më të mirë, më të bukur, të lirë dhe demokratike. E ndiej veten produkt i saj. Jeta ime dhe ajo që arrij i takojnë kësaj kohe!”. “Mjeshtri i Madh” i shpreh gjithashtu mirënjohje të veçantë Ministres së Arsimit dhe Sporteve, Znj. Lindita Nikolli për propozimin që i bëri Presidentit të Republikës, që atij t’i jepej ky titulli lartë. “Falënderoj me gjithë zemër Presidentin Nishani dhe Ministren Nikolli për këtë vlerësim të lartë që më bënë në këtë vit të 70-vjetorit të çlirimin të atdheut nga pushtuesi nazifashist. Urime të gjithëve! Gëzuar festat dhe një 2015 sa më të mbarë!”, shprehet Isa Tare.

Besara IBRAJ