Teuta dhuron spektakël në Lushnjë

466
Sigal

Durrsakët fitojnë 4-2 në “Roza Haxhiu” dhe hedhin një hap të sigurt drejt gjysmëfinaleve

Një Teutë në versionin italian “Sorrentino” dominoi plotësisht sfidën me Lushnjë vendase, duke korrur një fitore të merituar 4-2 në “Roza Haxhiu”, në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Edhe pse u ndodh dy herë në disavantazh, “djemtë e detit” reaguan fuqishëm në pjesën e dytë, duke garantuar një fitore me shumë vlerë dhe hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit për në gjysmëfinalet e edicionit të 62-të të Kupës së Shqipërisë. Ndeshja nisi e qetë, me të dy ekipet që tentonin të fitonin duelet në mesfushë, nga ku dhe nisnin sulmet drejt portave respektive. Rasti i parë i mirë i takon durrsakëve, të cilët fituan një 11-metërsh, pas rrëzimit në zonë të nigerianit Kalou. Mbrojtësi Tefik Osmani mori përsipër të gjuajë, por në mënyrë të gabuar e dërgon topin jashtë. Lushnja merr forca pas humbjes së penalltisë dhe është Mikel Canka, që shkon shumë pranë golit, ndërsa dy minuta më pas, në të 44’, ja del të shënojë dhe të kalojë në avantazh ekipin e tij. Pjesa e parë mbyllet me rezultatin 1-0. E dyta nis menjëherë me gol për miqtë, të cilët barazojnë me anë të mesfushorit 20-vjeçar Arbër Çyrbja (47’), ndërsa në të 60’ ishte Osmani që gjeti golin e shumëkërkuar dhe kaloi në avantazh Teutën. Durrsakët patën në zotërim mesfushën dh e lojë, dhe ishte sërish djaloshi Çyrbja ai që i çoi shifrat në 1-3 në minutën e 84-t, por një minutë më pas Lushnja u kundërpërgjigj me anë të Mikel Cankës, për të shkurtuar diferencën në 2-3. Në fund ka kohë dhe për një gol të brazilianit Da Silva që vendos rezultatin përfundimtar në 2-4. Me këtë rezultat, ndeshja e dytë pritet të jetë thjesht formalitet, teksa çështja kualifikim është thuajse e mbyllur. Teuta e ka fituar tri herë Kupën e Shqipërisë në edicionet 1994/95, 1999/00, 2004/05, ndërkohë që ka qenë jo pak, por 9 herë në finale (1957, 1974/75 1993/94, 2000/01, 2002/03, 2006/07) dhe 27 herë në gjysmëfinale.

KUPA E SHQIPËRISË

ÇEREKFINALET

NDESHJET E VAJTJES

LUSHNJA–TEUTA 2-4

Shënues: Canka 44’, 85’/ Cyrbja 47’, 84’, Osmani 60’, Da Silva 90+2’

VLLAZNIA–FLAMURTARI 0-0

LAÇI-SKËNDERBEU 0-1

Shënues: Pejiç 84’

BYLIS-KUKËSI 1-2

Shënues: Meto 48’ / Cikalleshi 56’, 82’

Ndeshjet e kthimit do të luhen, më 26 shkurt

Kryeqyteti, pa kupë

 Për të dytin sezon radhazi, Kupa e Shqipërisë do të dalë jashtë kryeqytetit. Tirana është skuadra e fundit e kryeqytetit që e ka fituar këtë trofe në vitin 2012, kur mundi Skënderbeun në finale. As bardheblutë dhe as Partizani nuk kanë arritur të kualifikohen në çerekfinale këtë sezon. Tirana u eliminuan nga Lushnja, Partizani nga Vllaznia dhe Dinamo nga Bylisi. Ia vlen të kujtojmë se Tirana dhe Partizani e kanë fituar nga 15 herë trofeun, ndërsa Dinamo 13 herë.

 Anulohet goli i Bushiçit,protesta në Shkodër

  Sulmuesi kroat i Vllaznisë, Tomislav Bushiç, shënoi me kokë në minutën e 92-të ai që mund të quhej goli i ndeshjes (1-0), por gjyqtari anësor e anuloi atë për pozicion jashtë loje, teksa pamjet pamjet filmike treguan se goli ishte i rregullt. Gjithsesi, takimi në “Loro Boriçi”, midis Vllaznisë dhe Flamurtarit u mbyll pa gola, ndërkohë që ndeshja e kthimit dy javë më pas favorizon vlonjatët. Ndeshja nisi mirë për shkodranët, të cilët krijuan disa raste me Hajdarin, por nuk mundën të përfitojnë, teksa Moçka, ndryshe nga ndeshja me Besën ishte në një ditë të mirë sot. Në pjesën e parë, vendasit patën raste të mira edhe me anë të Bushiç dhe Krujës, por u treguar të paqartë, ndërkohë që Flamurtari nuk u bë asnjëherë i rrezikshëm. Pjesa e dytë është fotokopje e të parës dhe është sërish Vllaznia që dominon, por sërish gabimet amatoreske të sulmuesve kuqeblu bëjnë që rezultati të mos ndryshojë deri në fund. Në minutat e fundit, Bushiç kishte një rast të shkëlqyer, teksa me kokë vetëm pak metra larg portës gjuan jashtë. Gjithçka tashmë do të vendoset në Vlorë. Vllaznia e ka fituar gjashtë herë Kupën e Shqipërisë, ndërsa Flamurtari vetëm tri herë.

Tifozët shkodranë fyejnë Likën

 Nën shënjestrën e tifozëve shkodranë është vendosur mesfushori i Flamurtarit, Gilman Lika, i cili ka qenë i fërshëllyer gjatë gjithë lojës, në momentet që prekte topin. Fakti që Lika shkoi të Flamurtari dhe jo te ekipi i vendlindjes së tij i acaroi tifozët e Vllaznisë, të cilët e kanë kontestuar gjithë kohës.

 Kukësi fiton 2-1 me Bylisin në “Adush Muça”. Heroi i ndeshjes është Sokol Cikalleshi

  Epoka “Starorva” nis me fitore

 Falë dy golave të realizuar në pjesën e dytë nga Sokol Cikalleshi, Kukësi hodhi një gjysmëhapi të sigurt drejt gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë, ndërkohë që njeriu më i lumtur i takimit të fituar 2-1 kundër Bylisit në “Adush Muça” është padyshim trajneri Sulejman Starova, i cili vetëm 48 orë më parë zëvendësoi në bankinë të vetëlarguarin Naxhi Shensoi. Në ndeshjen e luajtur në Ballsh, kuksianët kanë arritur një fitore me shumë vlera ndaj finalistëve të sezonit të kaluar dhe tani janë vetëm një hap larg kualifikimit për në katërshen më të mirë të kompeticionit. Takimi pati ritëm të lartë. Skuadrat u treguan të rrezikshme duke e kërkuar golin me çdo kusht. Megjithatë, pjesa e parë përfundon në barazim me rrjeta të paprekura. Në pjesën e dytë, Bylisi e gjeti golin shumë shpejt, duke shënuar qysh në minutën e 48-të me anë të Agim Metos, i cili shënoi një gol të bukur nga rreth 22 metra. Reagimi i Kukësit ishte i menjëhershëm. Tetë minuta më vonë ishte Sokol Cikalleshi, ai që në minutën e 56-të çoi shifrat në 1-1. Niveli i lojës të Kukësit u rrit, teksa Starova kërkoi me insistim golin e dytë, i cili shënohet përsëri nga Sokol Cikalleshi në të 82’, me kavajasin që realizoi një dopietë në këtë takim. Rezultati favorizon së tepërmi Kukësin. Ndeshja e kthimit luhet mbas 2 javësh në Kukës, teksa kuksianëve u mjafton edhe humbja 1-0 me ballshiotët. Duhet të kujtojmë faktin, se Kukësi ishte edhe sezonin e kaluar në gjysmëfinale (u eliminua nga Laçi), ndërkohë që Bylisi shkoi deri në finalen e humbur me laçjanët (1-0).

 Mjafton një Pejiç për Skënderbeun

 Sulmuesi kroat Pero Pejiç mund të konsiderohet “macja e zezë” e Laçit, pasi gjiganti i Skënderbeut u ka shënuar kurbinasve tre gola në dy ndeshjet e zhvilluara në harkun e tri ditëve të fundit. Korçarët kanë arritur një fitore të madhe 1-0 në transfertë përballe një kundërshtari shumë të fortë siç është Laçi, të luajtur për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë. Skënderbeu luan disi i tërhequr duke u munduar të dalë me kundërsulme. Në fundin e pjesës së parë do të shënohet dhe rasti ideal për korçarët ku Lilaj lëshon një predhë nga jashtë zone por topi është ndalur në traversë. Në minutën e 56-të një goditje dënimi e realizuar shkëlqyeshëm nga Vuçaj është ndalur po aq bukur nga Shehi i ndihmuar dhe nga shtylla e djathtë. Në minutën  83-të është kroati Pejiç i cili shfrytëzon një krosim të bukur nga Muzaka dhe me koke e çon topin në rrjetë. Fitore me vlera kjo për ekipin e Josës, i cili pret pas 2 javësh Laçin në ndeshjen e kthimit, shumë më i qetë.