Agron KAJA/ Kukësi në pit-stop real, Skënderbeu “driblon” ethet

506
Sigal

EUROPA LIGË/ Si i shohim skuadrat tona edhe pas humbjeve në ndeshjet e para play-off

Futbolli shqiptar nuk kishte njohur asnjëherë periudhë kaq të gjatë në Kupat e Europës sikundër në këtë sezon, ku dy skuadrat tona: Skënderbeu dhe Kukësi po thyejnë çdo parashikim me përfaqësimet e tyre, ndërkohë që Teuta dhe Laçi e kishin “braktisur” këtë garë që në Turin e Parë eliminator. Për skuadrën korçare kjo nuk ishte përvoja e parë evropiane, ndërkohë që për kuksianët ishte sefte ky sezon në Europë dhe për gjithçka që të dyja këto skuadra kanë arritur deri më sot në këtë edicion evropian, natyrisht që duhen thënë fjalët më të mira. Por që kjo e mirë të shkojë edhe më larg në edicione të tjerë, këtu më shumë duhet që të flasin specialistët e futbollit, pse jo edhe pjesa më vitale e futbollit për kohën, biznesi shqiptar. Këto skuadra i thyen tabutë, na bënë dikush në mesin e Evropës së futbollit dhe kjo duhet shkruar qartë, duke e parë edhe si modelin e një të ardhmeje për më shumë sukses. Gjithsesi, nëse do të flisnim për ndeshjet e tyre veç e veç, kjo duhet të jetë pjesë e një tjetër këndvështrimi, por për t’i inkurajuar skuadrat edhe për ndeshjet e kthimit, le të themi se në çdo lloj rezultati nderi e krenaria shqiptare janë kësisoj në Korçë e në Kukës. Sepse kur Kukësi hyri në aventurën e ndeshjeve të Europa Ligë, shumë skeptikë (midis tyre edhe unë) nuk menduan dhe nuk parashikuan se kjo skuadër do të shkonte kaq larg në këtë kompeticion evropian. Kjo për dy arsye: sepse ishte një debutuese në Superligën shqiptare, e së dyti se ishte edhe debutuese në kompeticionet evropiane. Kështu që në mesin e kësaj përvoje kaq të brishtë nuk mendohej se kjo skuadër do të ishte historia më e pasur e topkëmbës shqiptare në Europë. Ndodhi ndryshe dhe skeptikët u thyen sepse Kukësi luan 7 ndeshje (më 29 gusht edhe ndeshjen e 8-të) në Europa Ligë, si askush nga skuadrat e tjera shqiptare, edhe ato që në historinë e futbollit shqiptar kanë luajtur për sezone me radhë në Europë. Emra si Partizani, Tirana, Dinamo, Vllaznia, Flamurtari e ndonjë tjetër, tashmë renditen pas Kukësit në përfaqësimet evropiane të tyre, në raport me kalimin e tureve eliminatorë. Ky tashmë është një realitet i pranuar de fakto, por asnjëherë nuk duhet të përdoret si një rast që do të mbetet i paprekur në këtë udhë të gjatë që Europa ka në axhendat e saj. Po nëse do të pyesnim së pari se: pse Kukësi shkoi kaq larg Europa Ligë, a duhet të kritikohet kjo skuadër për humbjen me Trabzonsporin? Realisht jo, për arsyen e vetme se skuadra kuksiane këtë herë kishte përballë një skuadër e cila qëndron shumë më lart në përfaqësimet e saj në Europë, e nga ana tjetër, Kukësi luajti ndaj një skuadre që përfaqëson futbollin e një shteti me më shumë emër se ai shqiptar. Këtu ndalet ky marshim i Kukësit, por nuk është dështak. Përkundrazi, ky është marshimi më i gjatë dhe më i suksesshëm për një skuadër shqiptare në Europa Ligë, për të cilin analizat e komentet do të nxjerrin në dukje edhe ndonjë prapaskenë që ka ndikuar si për kualifikimet ashtu edhe për humbjen e fundit. Po Skënderbeu çfarë do të na servirë me Odesën në ndeshjen e dytë? Natyrisht që na ka ndalur frymën e na ka shtuar ethet për një kualifikim më shumë se historik, nisur nga rezultati 0-1 në Ukrainë. Dhe për këtë fakt, nata e 29 gushtit në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” duhet të kthehet në një festë kombëtare nëse Skënderbeu fiton për t’u kualifikuar.

Ndeshjet e Skënderbeut

Liga e Kampioneve

Neftçi-Skënderbeu          0-0

Skënderbeu-Naftçi          1-0

Shahtjor K.-Skënderbeu     3-0

Skënderbeu- Shahtjor K.    3-2

Ndeshjet e Skënderbeut

Liga e Europës

Ç. Odesa-Skënderbeu        1-0

Bilanci:

Nd 5, F 2, B 2, H 1, Golat 4:6

Ndeshjet e Kukësit

Liga e Europës

Flora Talin-Kukësi         1-1

Kukësi-Flora Talin         0-0

Kukësi-Sarajevo            3-2

Sarajevo-Kukësi            0-0

Kukësi-Metalurg D.         2-0

Metalurg D.-Kukësi         1-0

Kukësi-Trabzonspor         0-2

Bilanci:

Nd 7, F 2, B 3, H 2, Golat 6:6

 Indiferenca e Bashkisë rrezikon mospjesëmarrjen ekipi i beachvolley-t në turneun e Peskarës

 1500 euro mbajnë peng ekipin e Pogradecit

 Era ÇELA

Ekipi i “beach volley”-it (volejbollit në plazh) i Pogradecit rrezikon pjesëmarrjen ne Peskara të Italisë për mungesë fondesh, në “Mediterraneo Beach Cup”, apo “Kupa Mesdhetare e sporteve të plazhit”. Ai është i vetmi përfaqësues nga Shqipëria që merr pjesë në këto lojëra. Një manifestim shumëplanësh sportiv. Olimpiadë e sporteve që luhen në plazh e të cilat janë: “beach volley (2×2)”, “sand volley (4×4)”, “foot volley” (2×2), “Beach tennis (2×2)”, handball beach, beach soccer – triathlon ( bicikleta montain bike 2,5 km) + not (1 km) + vrapim (2 km). N ë të mund të marrin pjesë atlete nga 14 vjeç deri më 18 vjec per femra e meshkuj. Manifestimi do të zhvillohet nga 4-9 shtator 2013 në Peskara. Sipas ftesës së bërë nga Bashkia e  Peskarës, ekipi i “beach volley”-it të Pogradecit është i vetmi ekip ahqiptar i ftuar, një ekip që ka marrë pjesë në shumë evenimente kombëtare e ndërkombëtare, ku ka fituar dhe disa kupa kampione, në vitin 1995 dhe 2005 Kampion kombëtar për 10 vjet dhe nenkampioni ballkanit në vitin 2004. Që nga viti 2005 nuk funksion komisioni i “beach volley” dhe nuk ka pasur kampionate te rregullta, pasi nuk ka funksionuar ky komision dhe nuk janë zhvilluar kampionate,kjo për mungesë fondesh. Vlerësohet për arritje te treguesve Divjaka e cila ka vazhduar traditën dhe ka bërë disa turne me mbështetje te bashkisë. Ekipi i “beach volley”-it i Pogradecit është më i mirë në Shqipëri dhe një ndër nismëtarët e këtij sporti është trajneri dhe gazetari sportiv Llazi Kërxhalli së bashku më bashkëshorten e tij. Ftesa e bërë këtë vit për në Itali rrezikon pjesëmarrjen në këtë eveniment sportive për shkak të fondeve, sipas trajnerit Llazi Kërxhalli, për 1750 euro neve nuk mundet të marrim pjesë në kampionat. “Bashkia nuk na mbështet, kur qyteti i Pogradecit ka privilegjin për ketë ftesë dhe pjesëmarrje”, tha trajneri Kërxhalli.

  Klei Bezhani, djaloshi i talentuar i karatesë

 Shpesh shumë të rinj merren me sport për të hequr disa kile të tepërta në trupin e tyre. Por, rrugës, duke vijuar stërvitjen përditë, ky sport kthehet në një pasion, pa të cilin nuk mund të rrish dot pa bërë asnjë edhe një ditë të vetme. Karateja është një disiplinë sportive, e cila këto vitet e fundit po përqafohet gjithnjë e më shumë nga brezi i ri. Klei Bezhani, djaloshi nga fshati Kuqan i Elbasanit prej pak vitesh ka filluar të merret me karate dhe deri më tani ka mundur të fitoj gjashtë medalje, tre ari dhe tre bronzi në aktivitete ndërkombëtare. Synimet e tij janë që të bëhet dikushi në këtë sport dhe nëse vazhdon me këto ritme, atëherë e ardhmja pritet të jetë e ndritur. Bezhani harxhon shumë kohë duke u stërvitur edhe në këtë periudhë vere, ku shumë prej moshatarëve të tij ndodhen me pushime, ndaj pret shumë nga vetja e tij. Në një bisedë për “Telegraf”, djaloshi 18- vjeçar i datëlindjes 30 janar 1995, shprehet se detyra e tij është të bëjë stërvitje dhe nuk është kthyer në një obsesion më vete domosdoshmëria për t’u bërë numri “1” në këtë sport. “Unë përpiqem që të mos e lë asnjëherë pas dore stërvitjen, pasi në këtë sport është shumë e rëndësishme të përgatitesh dhe të jesh sa më në formë kur të kesh përballje me kundërshtarët. Dëshiroj të bëhem numri “1” një ditë, por këtë dëshirë nuk e kam kthyer asnjëherë në një obsesion. Nëse kjo ndodh, ajo do të vijë normalisht për shkak të punës që do të bëj unë edhe trajnerët që më stërvitin”, shprehet Bezhani, një nga sportistët e karatesë  më të talentuar të rrethit të Elbasanit.

E. Çela