Zabit Ahmetaj: Çeta e Çerçizit dhe 111-vjetori i luftës së Mashkullorës

330

Çeta e Çerçiz Topullit dhe 111-vjetori i Luftës së Mashkullorës

 

Zabit Ahmetaj, Sekretar i Komitetit të Veteranëve, Gjirokastër

 

Te rrapi në Mashkullorë

Kujtoj trimat o Çerçiz si ty

Lëri djemtë e mi të shkojnë

Këtu i thonë more Shqipëri

  

Çeta e Çerçiz Topullit radhitet në atë plejadë figurash të shquara të patriotizmit shqiptar, të aksionit e të organizimit luftarak, politik e propagandistik, të cilët u vunë në krye të luftës për realizimin e qëllimit kryesor të lëvizjes kombëtar shqiptare për çlirimin e vendit nga zgjedha osmane. Kjo çetë e krijuar nga Bajo e Çerçiz Topulli. Në fillim të vitit 1906, pa marrë parasysh ndjekjet dhe vështirësitë e sakrificat, ajo iu kushtua tërësisht veprimtarisë patriotike dhe çështjes shqiptare. Shtëpia e Topullarajve ishte një nga vatrat patriotike, ku propagandoheshin idetë e rilindësve për liri e gjuhë shqipe.

Zeman Mashkullora, pjesëtar i çetës që në krijimin e saj, ka arsyet e veta të lidhjeve miqësore. Lulja, nëna e Zemanit dhe Hasoja, nëna e Çerçizit, ishin motra, bija nga fshati Kardhiq. Një natë vere të vitit 1906, Bajoja, i shoqëruar nga vëllai i tij, Çerçizi, Zeman Mashkullora, Abdul Mersini dhe dy shokë të tjerë nisen në drejtim të Korçës. Betimi i Çerçizit ishte: “Për hair të bëhet çdo gjë! O të rrojmë siç rrohet, o të vdesim siç duhet!”, ndërsa Zemani thotë: “Pa më ardhur keq për jetën, dua të vdes për lirinë e mëmëdheut!”

Më 22 shtator të 1906-s, në Korçë, kjo çetë vret dhespot Fotin dhe kënga popullore thotë:

“Për tërë natën ç’u dinë (u gdhinë)

në Korçë e zunë pusinë

vranë dhespot mjekërzinë

duke marrë kështu hakën e Papa Kristo Negovanit, i vrarë nga shovinistët grekë.

Autoritetet turke këtu në Gjirokastër u sollën shumë keq me familjen e Topullarajve, duke burgosur e internuar burrat në Janinë e duke u plaçkitur e rrëmbyer pasurinë me urdhër të bimbashit Halit Boshnjaku.

Komiteti Shqiptar, i formuar në Gjirokastër më 1906-n, i përbërë nga Idriz Guri, Refik Budoja, Shemshi Hajroja, Nazif Hadëri, Kapo Topulli etj, vendosën që Bajoja, Çerçizi e Zemani të largohen nga Shqipëria për të dimëruar në Sofje të Bullgarisë për t’i shpëtuar çdo rreziku që u kanosej. Kalimi në Sofje të Bullgarisë e më vonë në Bukuresht të Rumanisë, ku takohen edhe me Mihal Gramenon, e që ky u lutet ta marrin për shok, nisen nga Rumania në drejtim të Serbisë, ku ndaluan për disa ditë, për arsye dokumentesh dhe me shumë vështirësi, kalojnë në Brindisi të Italisë e që andej, me një varkë, më 18 maj të 1907-s, zbritën në bregdetin e Himarës, në Vuno, ku u pritën nga fshatarët, por edhe nga prifti i kishës, duke kaluar në fshatrat e Kurveleshit; në Kuç, në Golëm e më tej në Zhulat, në Kardhiq. Në këto fshatra u pritën për drekë e për darkë. Në Kardhiq, çeta takohet edhe me Abdul Mersinin, që i furnizoi me opinga, të cilat u ishin grisur nga gurët e maleve. Ajo vjen në Gjirokastër e qëndron disa ditë dhe merr përsëri rrugën për të kaluar në zonën e Zagorisë, të Dangëllisë, të Kolonjës, të Korçës, në Ohër e deri në Selanik. Në këto udhëtime, Zeman Mashkullora ishte pararoja e çetës.

Ja një rast: Duke kaluar në fshatin Suhë ku ndodhej karakolli turk, Zemani shkon afër për të parë. Rojet ishin në gjumë e ai kthehet e merr shokët, duke kaluar me shpejtësi. Mihal Gramenoja, me një vlerësim të lartë, ka përshkruar figurën e Zeman Mashkullorës: “Ky ishte mëma e çetës tonë. I papërtuar, do rrinte pranë nesh, do të na jepte ndihmën e tij në çdo nevojë. Hera-herës do të na merrte trastat, gunat dhe shumë herë na ngarkonte mbi kurrizin e tij për të kapërcyer ndonjë udhë, të cilën me vështirësi e kalonin edhe dhitë. Zemanin, me një karakter të pashembullt, i urtë, i qeshur, i dashur, por edhe trim, më i shkuari nga të gjithë shokët, kurrë s’e pashë të zemërohej, por përkundrazi, me gëzim të madh, kërkonte të na kënaqte me buzën e tij të qeshur”. Në janar të vitit 1908, çeta kthehet në Gjirokastër në shtëpinë e Topullarajve. Ajo shkon edhe në Mashkullorë në shtëpinë e Zemanit, në Manastirin e Cepos, në Kardhiq ku takohet me Abdul Mersinin, në Zhulat ku pritet nga Veipi. Ajo kthehet përsëri në Kardhiq e në Prongji, por edhe në Plesat ku pritet nga Sadiku e në Mashkullorë, përsëri në shtëpi të Zemanit. Nga Komiteti u vendos që çeta të kalonte disa kohë edhe në fshatrat e Dropullit dhe, më 12 janar çeta kalon në Lazarat, në Derviçan, në Goranxi deri në Bodrishtë, duke qëndruar në pyjet e Livinës. Që këtej, ajo kthehet në Manastirin e Drianos, ku u mirëprit nga igumeni. Nja dy incidente edhe i ndodhën kësaj çete: Njëri është ai në stanin e Birçes në Kuç, “ku shokët flinin ashtu, – siç thotë Mihal Gramenoja. Unë dhe Ilo Myzeqari, çobani i stanit, po pastronim armët. Në mënyrë të pakontrolluar, arma që po pastroja unë plagos çobanin Ilo dhe megjithëse e mjekova, ai fshehurazi iku dhe raportoi në qeveri.” dhe banorët e Vunoit dhe prifti i kishës dhe Birçja u burgosën në burgun e Gjirokastrës. Ndërsa incidenti tjetër është ai që ndodhi në Manastirin e Drianos, ku shërbëtori i manastirit, nuk i linte të bënin qitje, dhe Çerçizi duke e qëlluar me grusht shërbëtorin, ndodhi që ai ishte i armatosur dhe nxori gjashtoren nga brezi për të qëlluar kapedanin. Zeman Mashkullora, si djali më i shpejtë dhe më i shkathët, nxjerr thikën nga milli dhe ia ngul në ije shërbëtorit e ky ra përtokë. “M’u desh që ta mjekoja unë, – thotë Mihal Gramenoja.” Për këtë ndodhi, shkon edhe Idriz Guri në manastirin e Drianos ku i njeh me gjendjen në Gjirokastër dhe u kërkon që bimbashit duhej t’i bëhej dermani. Shokët e çetës këtë propozim e pritën me gjithë qejf. Çeta vjen në fshehtësi në Gjirokastër. Një ditë më parë Zemani dhe Asllani dalin në qytet për të vrarë bimbashin, por ai nuk lëvizi dhe në çetë ata u kthyen duarbosh dhe më 13 mars ajo ngarkon Hito Lekdushin e Bajram Prongjinë për të vrarë bimbashin, ndërsa forcat e tjera u vendosën: Zemani e Asllani te kisha e Palortosë, Çerçizi e Mihali te Teqeja e Shtufit, ndërsa Hajredin Tremishti te shkëmbi i Palortosë, aty ku sot ndodhet lapidari i dëshmorit Pertef Kokona. Aty nga ora 1100 u dëgjuan krismat e armëve. Revolverët e Bajramit dhe i Hitos e shtrinë bimbashin përdhe. Forca të shumta turke po i ndiqnin mbrapa, por ndeshën në zjarrin e Zemanit dhe të Asllanit, të Çerçizit e të Mihalit, por edhe të Hajredinit, duke qëlluar jo vetëm forcat turke, por edhe në prefekturë, duke thyer xhamat e saj, duke u thënë kështu qeveritarëve turq që: “Edhe bimbashin ta vramë, edhe hyqymetin ta shkatërruam!” Çeta që këtej largohet në drejtim të Malit të Gjerë dhe vjen në Mashkullorë, në shtëpinë e Zeman Haskës, ku natën e 17 marsit rrethohet i tërë fshati. Thirret edhe kryepleqësia para xhamisë, oficerët turq iu bënë presion duke iu thënë se komitat këtu rrinin. Mirëpo kryepleqësia iu përgjigjën atyre me atë gjuhën përbetuese: “Vallahi që ne nuk dimë”. Në mëngjes herët ata çajnë rrethimin dhe zbresin me të shpejtë te hauri i Abaz Çanos, ku u zhvillua ajo betejë. Pesë luftëtarë kundër mbi 150 forcave turke. Zëri i trumbetës të tmerronte e plumbat binin si breshër. “Kësaj i shtohej edhe shiu që binte si litar, -thotë Mihal Gramenoja. Dy hapa para meje bie Hajredin Tremishti. E kishte marrë plumbi në ballë. “Do të ishin vrarë të gjithë po të mos qenë futur të parët në haur Çerçizi, Zemani dhe Asllani, të cilët qëlluan duke zmbrapsur sulmin, duke vrarë tre ushtarë turq. Lajmi që iu dha kapedan Çerçizit, ai nuk e humbi toruan, por fjalët e tij ishin betuese:

Hakën s’ia lë pa marrë

qafsha Kapon dhe Bajramë

do mbush rrapin me të vrarë

me mazapë e me xhandarë”

dhe kjo betejë që vazhdoi gjatë gjithë ditës e kapedan Çerçiz Topulli na porosiste: “Mos harxhoni fishekët kot shokë!”. Ai, me mauzer në dorë e gjashtore, flokëlëshuar, vërtitej sa në një cep në cepin tjetër të haurit, duke qëlluar pa mëshirë mbi turqit, por një celfë guri e godet në ballë dhe një curril gjaku po i rridhte kur Mihali i thotë: “Ç’na bëre o derëzi, se na preve krahët!” dhe ai i thotë: “Mos u tremb Mihal se një celfë guri më gërvishti.” “Kjo luftë që përfundoi me 20 turq të vrarë e të plagosur, ndërsa nga ana jonë, u vra Hajredin Tremishti e u plagos Myftar Axhemi nga Salaria. Natën, duke u larguar, Zemani dhe Asllani, duke mbajtur në krahë Axhemin e plagosur, shkuan në konakët e Dino Çiços midis Mashkullorës dhe Gjirokastrës, ku na priti shërbëtori Shahin Evgjiti dhe na dha për të ngrënë ato çka i ndodheshin.” e të nesërmen çeta niset në drejtim të Malit të Gjerë dhe zbret në Gjirokastër e me shumë vështirësi strehohet në shtëpinë e Resul Berberit. Më 19 mars, prefekti i Gjirokastrës i dërgon telegram valiut të Janinës se Lufta e Mashkullorës përfundoi me 20 të vrarë e të plagosur. Çerçiz Topulli ka dalë nga rrethimi. Vazhdojnë kërkimet. Mihal Gramenoja thotë: “Pena ime është e dobët për të shkruar betejën e Mashkullorës. Duhet pena e një historiografi të sosur për ta shkruar ashtu sikurse ndodhi me luftën e Mashkullorës.” Lëvizjet e kësaj çete janë të shumta; në rrethin e Gjirokastrës, si në pyjet e Livinës, në Sarandë, në Çamëri, në Kurvelesh, në Zagori, por edhe në zona të tjera: në Dangëlli, në Kolonjë, në Korçë, në Ohër, në Manastir e në Selanik, duke u ndjekur nga forcat turke e duke çarë gjithmonë rrethimet, ku kjo çetë është pritur e strehuar nga populli, nga miq e dashamirës, nga stanarë, si Refik Budoja, Halim Karagjozi, Çarçani i Lekdushit në Çajup, Birçja në Kuç, Abaz Nivica në Këndervicë etj, por edhe nga klerikë, si prifti i Vunoit, igumeni i Manastirit të Drianos, ai i Derviçianit, At Stath Melani, Baba Abedini i Teqesë së Frashërit, Baba Fetahu i Backës etj. Lufta e Mashkullorës që bëri një bujë të madhe brenda dhe jashtë vendit, kërkohej me çdo kusht të mësohej për fatin e çetës e që telegrafisti Haxhi Shapllo lajmëronte Kolonjën, Elbasanin, Vlorën e kolonitë shqiptare jashtë atdheut deri në Amerikë, se çeta ishte shëndoshë e mirë. Nga burgu i kalasë së Gjirokastrës u thurën vargjet e këngës:

“Te rrapi në Mashkullorë

foli Çerçizi me gojë”

ose edhe këngë të tjera ironike

Gjirokastër u vra bimbashi,

kokëkau e gjuhëtrashi”.

Shumë personalitete të kohës e kanë kujtuar betejën e Mashkullorës: Kështu, në maj të 1932-shit, vjen “Mësuesi i Popullit” Jani Minga, që te Rrapi mbajti një fjalim e vendosi një pllakatë me mbishkrimin:

“Gjëmojnë male e gjëmojnë honë

po gjëmon muza kaonë

te rrapi në Mashkullorë

foli Çerçizi me gojë”

Dhjetë vjet më vonë, në 34 vjetorin e luftës së Mashkullorës, Qarkori i Partisë Komuniste për Gjirokastrën, do të dërgonte bilbilin e Labërisë, Mustafa Matohitin, i cili mbajti një fjalim ku hodhi kushtrimin: “Në luftë kundër fashizmit për liri të atdheut!” para popullit të Mashkullorës dhe gjimnazistëve të ardhur nga qyteti i Gjirokastrës, duke u shoqëruar nga mësuesi i tyre Mustafa Krantja dhe duke nxjerrë edhe një flamur:

“Sot vlon në zemrat tona

nesër me pushkë në male të Shqipërisë!”

Mustafa Matohiti u largua nga ky takim pa asnjë incident, megjithëse autoritetet filluan të lëviznin, po kur panë se i tëri populli filloi të lëvizte e që s’ishte duarbosh, nuk bënë asnjë përçapje.

Pas çlirimit, kjo ngjarje, Lufta e Mashkullorës, u kthye në një festë ku merrte pjesë rinia shkollore, rinia punëtore, kooperativiste, qytetarë nga qyteti i Gjirokastrës, por edhe nga fshatrat përreth, ku merrte pjesë edhe bashkëshortja e Çerçizit, Qamoja, bija mashkullorite, ku dëgjoheshin fjalimet e përfaqësuesve të pushtetit vendor, por edhe të bashkëkohësve që e kishin jetuar këtë ngjarje, si Veip Myrtaj, Avdul Haska, Abaz Çani etj.

Në 3 vizitat që Enver Hoxha ka kryer në Mashkullorë, 2 ia ka kushtuar çetës së Çerçiz Topullit: ajo e 27 majit 1969, ku ai u kthye nga vizita në Picar, i shoqëruar nga Shefqet Peçi, erdhi te vendi i ngjarjes, te hauri ku qe zhvilluar beteja dhe veterani Veip Myrtaj i shpjegonte itinerarin e lëvizjes së çetës dhe luftën që u zhvillua atë ditë, por edhe në 70-vjetorin e kësaj beteje, më 20 mars të 1978-s, ku ai vendosi te basorelievi kushtuar kësaj çete një tufë me lule, e te rrapi shekullor, në bisedën që zhvilloi mes pjesëmarrësve, midis të tjerave tha: “Ngjarje si kjo e Mashkullorës edukojnë brezin e ri me frymë të lartë patriotizmi!” Shumë shkrimtarë, artistë, dirigjentë, skulptorë kanë ardhur në Mashkullorë. Shkrimtari Dritëro Agolli, dirigjenti Mustafa Krantja, artisti Timo Flloko e bashkëshortja e tij, Vera Grabocka, skulptori Mumtaz Dhrami e Klement Koloneci, poeti Agim Shehu e kompozitori Limos Dizdari, e shkrimtari Tasim Gjokutaj etj.

Luftëtarët e kësaj çete, i derdhi në bronz skulptori Ksenofon Kostaqi, por e paharruar ka mbetur në kujtesën e mashkulloritëve ardhja në Mashkullorë e Asllan Starjes në fillim të viteve ‘70, pjesëtar i çetës, që rronte akoma, ku ai nga rrapi shekullor shikonte shtëpinë e Zemanit ku kishin qëndruar dhe solli kujtime nga lufta që qe zhvilluar poshtë te hauri në marsin e 1908-s, ndërsa kinostudioja “Shqipëria e Re” i kushtoi filmin “Liri a vdekje” kësaj çete. Orkestrinat popullore të Gjirokastrës, të Delvinës, të Sarandës, të Përmetit, të Tepelenës, të Vlorës këndonin këngën;

“Te rrapi në Mashkullorë

foli Çerçizi me gojë…”,

por edhe shumë grupe popullore labe i këndonin kësaj ngjarjeje, por edhe këngëtarja e muzikës së lehtë Ema Qazimi këndon këngën:

“Hapi yt i rëndë tundte dhenë

shkrepte vetëtima syri i zi

këngë trimash ti këndojë

dhe nëpër këngë çetë o mbete ti”.