Speciale nga Ëngjëll Musai/ Lamtumira trishtuese për mikun, mësuesin dhe ushtarakun model Vladimir Bega, “Gjeneralin” e portës së “5 Shtatorit”, “Tomorrit” dhe “Shkëndisë”

579
Sigal

Lamtumirë miku dhe mësuesi ynë i shtrenjtë Vladimir Bega!

Ëngjëll Musai

Kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri”

Ndarja e papritur dhe e parakohshme e njërit prej figurave më të shquara të qytetit të Skraparit, Beratit, Tiranës dhe mbarë vendit ka krijuar një pikëllim të madh jo vetëm për familjen e Profesor Ladit, por edhe për mbarë miqtë, shokët dhe dashamirësit e tij, kudo që jetojnë dhe punojnë. Shoqata Atdhetare Kulturore “Tomorri”, ndihet e trishtuar dhe pikëlluar për largimin e parakohshëm të anëtarit aktiv të saj dhe i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve të Vladimir Begës. Profesor Ladi do të mbahet mënd gjatë në memorien e të gjithë atyre që kanë jetuar, punuar apo që puna, gëzimet dhe hallet e kanë bërë të mundur kontaktin me të. Ai do të mbetet ikona e vlerave qytetare, njerëzore dhe humane. I palodhur, i papërtuar, i kudondodhur, i dashur dhe me shpirt të pastër njerëzor. Profesor Ladi do të kujtohet nga qindra nxënës së shkollave ku ai me pasion dhe profesionalizëm bëri gjithçka për edukimin dhe përgatitjen cilësore të tyre. Mjeshtri dhe gardiani i portës së “ 5 Shtatorit” do të kujtohet për vlerat e jashtëzakonshme që shpaloste në fushën sportive, për edukatën dhe kulturën sportive. Si portier, si kapiten dhe si trajner ai ka ngritur peshë dhe në ovacione qindra dhe mijëra tifozë të ekipeve të “5 Shtatorit”, “Tomorrit” dhe “Shkëndisë” që patën fatin ta shikojnë apo dëgjojnë në transmetimet sportive. Puna e mëvonshme në strukturat e ministrisë së Brendshme dhe atë të Policisë së Burgjeve është një tjetër etapë e rëndësishme e karrierës profesionale por edhe qytetare për mbrojtjen e rendit dhe sigurisë. Personalisht, sot ndjej pikëllim, dhimbje të thellë dhe trishtim për mësuesin tim të shkollës 8-vjeçare dhe për trajnerin e ekipit të nxënësve të shkollës “Kahreman Ylli”. Takimet e vazhdueshme deri në muajt e fundit të ndarjes nga jeta të Prof. Ladit kanë qenë të veçanta dhe do të mbeten të rralla. Ne e shikonim si mësuesin tonë të shenjtë, por ai tashmë na trajtonte si shokë dhe miq të tij. Do na mungosh Prof. Ladi, do na mungojnë takimet, bisedat, kafet, telefonatat, urimet dhe humori juaj i këndshëm. Edhe kur kishe ngarkesë pune, përgjegjësinë e saj, apo problemet me shëndetin që ju vetë filluat të preokupoheshit, përsëri buzëqeshja, nuk mungoi, kuraja ishte në plan të parë dhe këshillat për familjen ishin të vazhdueshme, pasi për Ju ajo ishte e shenjtë.

Familja e Prof. Ladit, shokët dhe shoqet e jetës së tij, miqtë, kolegët, ish-nxënësit, dashamirësit që sot jetojnë në Shqipëri por edhe ata qindra dhe mijëra të tjerë që jetojnë jashtë atdheut apo në vendet e largëta ku ika çuar fati, dëshira apo hallet do ta kujtojnë me mirënjohje njeriun e mirë me emrin Vladimir Bega. Ne mund të shkruajmë pa pushim, në kujtim të mësuesit dhe mikut tonë Ladi Begës, për të lehtësuar sado pak dhimbjen për humbjen e tij. Pasi nëpërmjet kujtimeve, ne sjellim emocionet, fytyrën, gjestet, imazhin dhe çastet e veçanta që të ofronte prania dhe miqësia me Prof. Ladin.

Me trishtim më duhet t’i mbyll këto radhë për Ju Prof. Ladi, megjithëse do të dëshiroja që shkrimi të ishte për sukseset dhe arritjet tuaja, (pavarësisht se ju karakterizonte modestia) dhe jo për ndarjen e parakohshme nga jeta. Lamtumirë, mësuesi dhe shoku ynë i paharruar, Prof. Ladi Bega!