Sevo Tarifa: Plumbi shpoi gjoksin dhe librin e heoit të luftës

714
Sigal

Plumbi  shpoi gjoksin  dhe librin e partizanit!                                                   

Në kuadrin e 75-vjetorit të Çlirimit të Atdheut

Nga Sevo Tarifa

Mustafa Asllani, ky trim i rrallë, luftëtar i lirisë, nuk e kishte zakon të mburrej duke folur për vete. Në marrëdhënie me shokë ishte gjithnjë nën dritën dhe bukurinë e thjeshtësisë. Dhe zbukurohej më tepër! Mund të bisedoje me të, por diçka nuk ia mësoje dot: ai ishte i një viti me lindjen e Flamuri Kombëtar, që u ngrit në Vlorë, më 1912-n nga patrioti i madh Ismali Qemal Vlora! Edhe pse kjo ishte një përkim i rastit, ai e kishte për nder dhe do të vinte një ditë që në emër të Atdheut dhe të Flamurit Kuqezi Kombëtar të binte dëshmor e të merrej vesh masivisht se në kraharor, bashkë me zemrën nga e majta mbante dhe një libër, me domethënie interesante…Ishte me moshë aq sa Flamuri: 32 vjeç…

Ra me armë e thikë në dorë dhe me bombë në brez!

Ishte zëvendëskomandant i batalionit III “Baba Abaz” të të Brigadës VI Sulmuese. Ky batalion, në gjysmën e parë të shkurtit 1944, kishte zhvilluar një varg luftimesh në luginën e Shushicës. Më 30 mars ndodhej në fshatin Vajzë të Vlorës. Iu ngarkua detyra të godiste forcat armike që ishin përqendruar në Mavrovë. Dhe nuk ishin pak: tri kompani me 523 gjermanë e bashkë me ta edhe 300 ballistë, të cilët mbroheshin në mënyrë rrethore në llogore e qendra zjarri të fortifikuara në kodrat dominuese të Mavrovës. 31 mars 1944, ora 01 pas mesnate. Forcat partizane u nisën nga Buhallari drejt Mavrovës. Errësirë nate. Gati s’shihte njeriu njerinë! Dy ditët e fundit kishte rënë shi. Përroi i Brunjës kishte dalë dhe partizanët e kaluan me vështirësi, me pushkë krahaqafë e dorë më dorë me njëri-tjetrin. Forcat e luftëtarëve iu afruan fshatit. Pa zhurmë, pa fjalë. Tri kompanitë e batalionit morën pozicione luftimi. Sulmi filloi pa u zbardhur mirë dita. Mustafa Asllani, me sy drejt armikut, i vendosur, i patrembur, me guxim, me zë të lartë, priu përpara në sulm me thirrjen luftarake: “Para partizanë!”. Dhe beteja nisi e ashpër, në kushte të pabarabarta. Armiku u alarmua. Nga Vlora u nisën  dhe 1000 gjermanë të tjerë, forca të freskëta. Por pavarësisht nga kjo, partizanët kishin superioritetin moral: zhvillonin luftë të drejtë në vendin e tyre, ishin të vendosur, luftonin trimërisht, me shpirt sulmues. Megjithatë batalioni u gjend përpara një qëndrese shumë të fortë të armikut. Që në dy orët e para u hodhën granatat dhe u arrit të luftohej trup me trup. Me sulme e kundërsulme. Lufta zgjati 18 orë. Armikut iu shkaktuan dëme të mëdha. U vranë 80 prej tyre e u plagosën shumë të tjerë. Në këto luftime  ra trimërisht Mustafai. Në krye të partizanëve me sulm, ai shkuli nga llogoret  armiqtë dhe pati çaste që luftoi trup me trup me thikë në dorë. dhe ra trimërisht. Ra dhe zëvendës komisari i batalionit, Mitat Gjoliku, që mori plagë të rëndë dhe u shtri në tokë, pa se po i afrohen gjermanë për ta kapur të gjallë dhe i qëlloi me breshëri e me granatë duke lënë në vend katër prej tyre, por një plumb i armikut e la të vdekur. Duke luftuar ranë edhe kuadro e partizanë të tjerë, si Veiz Mane, Hamit Azbiu, Anastas Kapo etj.  Gjithë batalioni luftoi me heroizëm. Hamit Azbiu, një djalë i ri nga Kalivaçi i Tepelenës, me një dorë, se  e majta i qe këputur nga bomba, ndonëse para 6–7 muajsh, i ishte vrarë vëllai, Xhemali, luftoi me trimëri ne ballë të shokëve dhe me mitralozin e tij i detyroi nazistët e ballistët të mos nxirrnin kokë nga llogoret. Vajza e re Kafaze Brahimaj, ende pa mbushur 15 vjeç, e cila ishte aktivizuar duke qepur e qëndiste tesha për partizanë, në luftën e  Mavrovës u tregua trime, dhe një bombë e armikut e la pa frymë. Beteja e Mavrovës mbeti në histori.  

Emocione pozitive njerëzore…

Shefqet Peçi e Jaho Gjoliku takohen e bisedojnë për trimin Mustafa Asllani, për djalin e xha Jahos, Aliun që kishte rënë në luftë për çlirimin e Rrëzomës së Delvinës dhe për Mitatin që ra në Mavrovë.“Eh, psherëtiu xha Jahua, edhe Dervish Hekali m’u vra në duar pardje në Kuç. Ishte trim me fletë. “Trimi trimin e njeh”,- iu përgjigj Shefqeti. Dhe xha Jahoja vazhdoi: “U vra dhe Mustafa Asllani, u vranë 26 shokë me Mitatin. Mustafa Asllani la dhe një vajzë të vogël, asnjë vit nuk ka mbushur, Shefqet! Nuk pati moshë, të mbajë mend të atin. Si të rritet, ti dhe unë do t’i tregojmë si u vra babai i saj…”   Kaluan 16 vjet. Po rikujtohej beteja e Mavrovës. Luftërat e partizanet nuk harrohen, kujtohen përherë. Dhe ja se ç’ndodhi një ditë. Në Sinanaj të Tepelenës zhvillohej një festival folklorik. Njerëz plot, mizë lisi. Janë lodhur dhe tani çlodhen në një veprimtari kulturore. Gjëmojnë kënga dhe vallja labe. U këndohet dëshmorëve në krye që ndritin si yje. Në festival, midis të tjerëve merrte pjesë edhe Heroi i Popullit, Shefqet Peçi. Diletantë këndojnë e kërcejnë, njëri më mirë se tjetri. Por një vajzë, që hiqte aq bukur vallen tërhoqi vëmendjen. Një bisedë e rastit, por aq prekëse: Rebani Shehu, ish-sekretar i parë i partisë të rrethit e pyet gjeneral Shefqetin: “E njeh atë vajzë që heq vallen aq mirë?”. “Jo,- përgjigjet Heroi. “E di kush është? Është vajza e dëshmorit Mustafa Asllani”,- iu përgjigj ai. Të dy shikohen sy më sy. Shefqet Peçi ndryshon në fytyrë. Merr një pamje tjetër. Në shpirtin e tij rrokullisen emocione. Përfytyron atë betejë që tundi Mavrovën, trimërinë e luftëtarëve partizanë, gjakun e dëshmorëve që skuqi tokën! Në çast i tingëlluan fjalët që i kishe thënë Mustafai para sulmit në Mavrovë që kishe një vajzë të vockël. Tani, ajo vajzë, atëherë tetë muajshe, merr pjesë në këtë festival, është rritur, është në lule të rinisë, 17 vjeçe. Dhe hedh valle e këndon këngën “Ju kish rritur nëna për një botë të re”! Atmosferën gazmore të festivalit e përshkoi një çast tjetër, i bukur, emocionues, i papritur, njerëzor. E thirri vajzën gjeneral Shefqeti dhe e përgëzoi, e puthi dhe e pyeti: “Si të quajnë? Salife Asllani”. “Sa qenke rritur, atëherë ishe tetë muajshe, unë me babanë tënd luftonim në Mavrovë. Atë këngën që këndove, e lindi Mavrova”. “E di,-  i tha vajza, me emocion”. ”Këndoje, këndoje gjithnjë, Salife…” Dhe gjenerali u prek! Edhe burra e trima vështirë se i mbajnë lotët! Po vajza e dëshmorit, që s’e ka njohur të atin e saj? I duket sikur takohet me babain e vet!

Predha e armikut, tok me gjoksin shpon dhe një libër!

Dëshmori Mustafa Asllani, që kur doli partizan ishte betuar të luftonte për lirinë e popullit. Me vete kishte  pushkën dhe një armë tjetër, nga e cila nuk ndahesh. Këtë nuk e dinin të gjithë, e mban në gjoks, pasi u vra,  s’mbeti njeri pa e mësuar. Ra dëshmor dhe libri iu gjend në gjoks i gjakosur, shpuar tejpërtej bashkë me zemrën! Ai plumb i mallkuar i armikut kishte shpuar jo vetëm gjoksin e partizanit, por edhe një libër me një domethënie të veçantë. Shokët që e dinin tregonin se edhe pse kalonte nga dallga në dallgë  të luftës, nga mali në mal, nga beteja në betejë Mustafai  e gjente kohën dhe lexonte, por ajo që kishte rendësi përmes faqeve të atij libri me përmbajtje luftarake, ishte se ai mësonte e frymëzohej. Se nuk ishte libër i thjeshtë, pa rëndësi, sidokudo, por libër që fliste për Stalinin… Mustafa Asllani luftonte me dy armë! Si pleksen emocionet: gjak në gjoks, gjak në libër! Ishte një nga librat më të dashur të tij, që e ruante me kujdes, të mos lagej nga djersa e nga shiu, se ky libër, sa herë që do t‘i kthehej ta rilexonte, do ta armatoste me ide revolucionare dhe do merrte forca të reja në luftë antinazifashiste për çlirimin e Shqipërisë së dashur.  Me luftën që zhvillonte dhe librin që mbante në gji, Mustafa Asllani mbeti në histori. Mustafa Asllani lindi në Matohasanaj të Tepelenës, në vitin 1912. Kur ishte 10 vjeç familja e tij u shpërngul dhe u vendos në fshatin Sinanaj. U lidh me Abaz Shehun dhe nën ndikimin e tij iu ndez edhe më shumë urrejtja kundër pushtuesit fashist. Më 3 janar 1942, në shtëpinë e tij u bë një mbledhje me antifashistët e fshatit. Në demonstratën e bukës që u zhvillua në Tepelenë në prill 1942 është nga më aktivët. Në gusht të atij viti emërohet komandant i çetës territoriale të këtyre tri fshatrave. Derisa dha jetën mori pjesë në të gjitha luftimet e Brigadës VI Sulmuese Heroinë e Popullit. Trimërisë së tij dhe rënies dëshmor, populli i këndoi:

“Marsi në njëzetenëntë

Ditën e xhuma

 Një pjesë e Brigadës Gjashtë

u ngrit nga Vajza

Me drejtim për në Mavrovë

Dhe në sulm se ç’ra

Briti Mustafa Asllani

Burra përmbi ta”!