Mbështetja Amerikane për një demokraci në lindje

230
Sigal

Drejtor i Euroazisë në “Zëri i Amerikës” rrëfen tranzicionin në Shqipëri në vitet 1990-1992 dhe rolin e SHBA-së. Veprimet e Ramiz Alisë, hapja e ambasadës, çfarë ndodhi me Berishën, Pashkon e Kapllanin në Uashington dhe vizita e Bejkerit

Pas më shumë se katër dekadash të mungesës së kontakteve zyrtare diplomatike dhe me shtimin e pakënaqësisë publike kundër regjimit të Ramiz Alisë, Shtetet e Bashkuara panë në vitin 1990 një mundësi për të bindur komunistët të pranonin pluralizmin politik dhe për të ndihmuar drejt një ndryshimi paqësor të pushtetit në vendin e fundit stalinist të Evropës. Duke shfrytëzuar mësimet e nxjerra nga revolucionet në vendet e tjera të Evropës Lindore dhe duke punuar nga afër me aleatët kryesorë evropianë, Shtetet e Bashkuara hartuan dhe filluan të shprehin qartë qëndrimin e tyre, duke marrë përsipër një rol më të madhe dhe të drejtpërdrejtë në përpjekje për të përforcuar prirjet e brendshme demokratike në Shqipëri. Uashingtoni u përpoq t’i zbatonte këto synime politike në disa mënyra:

  • Duke kushtëzuar qëndrimin e tij ndaj Tiranës. Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike dhe mbështetja për anëtarësimin e Shqipërisë në Konferencën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (KSBE) do të vareshin nga përparimi drejt pluralizmit politik.
  • Duke nxitur forcat reformiste në Shqipëri, duke mbështetur publikisht kërkesat demokratike të lëvizjes studentore të dhjetorit 1990 dhe duke ofruar mbështetje politike për partitë opozitare të sapo krijuara.
  • Duke ndihmuar shqiptarët në krijimin e bazave për ndryshimin e kornizës politike dhe institucionale.
  • Dhe krijimin e një rend të ri kushtetues bazuar në ndarjen e qartë të pushteteve dhe sundimin e ligjit.

Përmbysja e komunizmit në vendet e tjera të Evropës Lindore në vitin 1989 pati një ndikim të drejtpërdrejtë mbi Shqipërinë. I izoluar dhe i paaftë për të përballuar sfidat e mëdha ekonomike dhe shoqërore, regjimi i Ramiz Alisë u përball me kundërshtime në rritje. Megjithëse në pranverën e vitit 1990 ai bëri disa reforma, Alia nuk synonte ndryshmin, por vetëm reformimin e sistemit.

Megjithatë, pakti shoqëror – mënyra se si kishte funksionuar shoqëria shqiptare për gati gjysmë shekulli – që e kishte mbajtur në këmbë regjimin, po shembej me shpejtësi. Pyetja nuk ishte më në se regjimi do të binte apo jo, por kur do të binte dhe sa e dhunshme do të ishte rënia, meqenëse nuk kishte asnjë shenjë se komunistët në pushtet ishin gati të hiqnin dorë nga terrori si një instrument kontrolli. Shpërthimi i demonstratave sporadike anti-qeveritare në muajt e parë të vitit 1990 krijoi një mundësi për Shtetet e Bashkuara për të nxitur forcat reformiste dhe për të mbështetur ndryshime politike dhe ekonomike. Uashingtoni ushtroi trysni mbi Tiranën duke përkrahur hapur thirrjet për liri e demokraci dhe duke e kushtëzuar politikën e tij ndaj Tiranës. Në qershor të vitit 1990, Sekretari i Shtetit James Baker e kushtëzoi rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe anëtarësimin e Shqipërisë në Konferencën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë me përparimin drejt pluralizmit politik. Sekretari Baker i theksoi shumë hapur kushtet që Shqipëria duhet të plotësonte në se dëshironte të bëhej pjesë e komunitetit të vendeve të lira: përparim drejt pluralizmit politik, respekt të plotë për të drejtat e njeriut, lirimi i të burgosurve politikë, zgjedhje të lira, dhe reforma të ekonomisë së tregut. Kongresi dhe komuniteti me ndikim shqiptaro-amerikan e mbështesnin plotësisht këtë qëndrim.

Gjatë kësaj periudhe kritike, “Zëri i Amerikës”, si i vetmi radiostacion perëndimor që transmetonte shqip, e zgjeroi mbulimin e ngjarjeve në Shqipëri. “Zëri i Amerikës” kishte fituar emër si burim i besueshëm, alternativ lajmesh për shqiptarët, të cilëve u ishte mohuar e drejta e informimit. Në muajt maj-qershor, “Zëri i Amerikës” ishte në gjendje të zhvillonte intervista telefonike me opinion-bërësit në Shqipëri. Duke ndjekur me kujdes shtypin në Shqipëri, Zëri i Amerikës u përpoq te identifikonte dhe theksonte deklaratat dhe masat reformatore. Për herë të parë, zyrtarët shqiptarë dhe intelektualët me prirje liberale dhe reformiste ishin të gatshëm të shprehnin pikëpamje që shkonin përtej standardeve të lejuara nga Partia Komuniste. Duke ofruar lajme dhe informacione shpresë-dhënëse dhe duke tërhequr në dialog elitat intelektuale dhe politike për çështje delikate, si të drejtat e njeriut dhe liritë fetare, pluralizmin politik dhe reformat e ekonomisë së tregut, “Zëri i Amerikës” ishte në gjendje deri diku të përcaktonte debatin politik në Shqipëri dhe të shërbente si një ndërmjetës jetik ndryshimesh.

Vërshimi i banorëve drejt ambasadave të huaja në korrik të vitit 1990, që tronditi gjithë sistemin, nxori në pah të metat e regjimit dhe ishte tregues i qartë se desintegrimi i tij i ngadalshëm por merrte tashmë hov. Por këto zhvillime, po ashtu tregonin se Shqipëria nuk ishte ende plotësisht gati për një ndryshim regjimi. Megjithëse vite të tëra të një politike shkatërrimtare të ndjekur nga regjimi i izoluar dhe tejet shtypës, kishin shkaktuar pakënaqësi dhe zhgënjime në masë, në vend nuk kishte lindur një opozitë e organizuar.

Ngjarjet e korrikut tërhoqën vëmendjen e botës dhe regjimi u përball me një trysni të pashembullt nga komuniteti ndërkombëtar. Një delegacion i Komisionit Amerikan të Helsinkit, i kryesuar nga Senatori Dennis DeConcini (demokrat nga Arizona) vizitoi Shqipërinë nga 19-21 gusht 1990. Delegacioni arriti në përfundimin se qeveria nuk kishte zbatuar “reformat e thella” dhe i bëri thirrje Departamentit të Shtetit të kundërshtonte kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në Konferencën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, që ishte një nga përparësitë kryesore për regjimin e Ramiz Alisë.

Periudha që pasoi futjen në ambasada, shënoi një kthim pas të procesit të reformave të kontrolluara nga regjimi, dhe u shoqërua me kërcënime të intelektualëve. Veprimet e qeverisë patën një ndikim demoralizues tek ata që kërkonin ndryshime, gjë që u pasqyrua edhe në hezitimin e shumë intelektualëve për të dhënë intervista për Zërin e Amerikës. Në javët që pasuan ngjarjet e ambasadave, Zëri i Amerikës transmetoi një seri intervistash me refugjatët e porsa dalë nga vendi, duke u përqendruar tek kriza ekonomike dhe politike e Shqipërisë, tek gjendja e të drejtave të njeriut dhe mundësia për reforma thelbësore. Refugjatët jepnin një këndvështrim të ri politik dhe analiza të asaj që në të vërtetë po ndodhte në Shqipëri.

Në tetor të vitit 1990, Ismail Kadareja njoftoi se kishte kërkuar strehim politik në Francë. Largimi i Kadaresë tronditi nga themelet sistemin politik të Shqipërisë dhe frymëzoi intelektualët të vepronin.

Në fillim të dhjetorit 1990, shpërthyen demonstratat e studentëve të Universitetit të Tiranës, duke e vënë Shqipërinë në krye të rendit të vëmendjes ndërkombëtare. Me shtimin e përkrahjes për studentët dhe duke pasur frikë nga një kryengritje popullore, Alia nuk pranoi të përdorte forcën për të shtypur demonstratat dhe ra dakord të lejonte krijimin e partive opozitare. Shqipëria kishte mbërritur në prag të një transformimi dramatik politik.

Rrethanat në Shqipëri, gjithsesi, ishin më të pafavorshme për tranzicionin, se sa në vendet e tjera të Evropës Lindore.

  • Për shkak të natyrës tejet të ashpër shtypëse të regjimit, Shqipëria ishte vendi i vetëm i Evropës Lindore që nuk ishte në gjendje të krijonte një lëvizje opozitare para se të përmbysej rendi i vjetër politik.
  • Për më shumë, ndryshe nga vendet e tjera të Evropës Lindore, mungesa e kontakteve dhe e pranisë në Tiranë, nuk u kishte krijuar mundësi Shteteve të Bashkuara të identifikonin, angazhonin dhe zhvillonin marrëdhënie me individë, që mund të shërbenin si faktorë ndryshimesh, duke marrë përsipër përgjegjësitë kur vendi të hynte në rrugën e ndryshimeve demokratike.
  • Shembja e sistemit një-partiak çoi në rënien e rendit shoqëror dhe institucional.
  • Ekonomia ishte praktikisht e falimentuar dhe kishte pak njohuri për ekonominë moderne, privatizimin e pronave shtetërore dhe mekanizmave për ndarjen e të ardhurave me popullsinë.

Ndërsa disa e konsideronin tranzicionin drejt demokracisë në Shqipëri si të pamundur, shumica e shqiptarëve dhe përkrahësit e tyre ndërkombëtarë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, kishin shpresa të mëdha për të ardhmen demokratike të Shqipërisë.

Menjëherë pas protestave të studentëve, në Shqipëri u krijuan disa parti opozitare jo-komuniste. Udhëheqja e forcave të reja opozitare ishte një kombinim i ish komunistëve dhe përkrahësve të regjimit, liberal demokratëve, studentëve, dhe një numri të vogël njerëzish që ishin burgosur për veprimtarinë e tyre kundër regjimit. Të pa-provuar dhe pa përvojë, udhëheqësit e opozitës u përballën me vështirësi të panumërta. Kuptimi i tyre për demokracinë dhe ekonominë e tregut, në rastin më të mirë, ishte foshnjarak. Ishte e qartë se elitat e reja drejtuese kishin nevojë urgjente për ndihmë dhe drejtim në përpjekjen e tyre për të detyruar komunistët të largoheshin nga pushteti.

Pas protestave të dhjetorit, Shtetet e Bashkuara ashpërsuan qëndrimet, intensifikuan kritikat ndaj qeverisë Alia, duke bërë thirrje për një ndryshim paqësor pushteti, duke shprehur mbështetje për opozitën e re demokratike që po lindte, dhe duke kërkuar lirimin pa kushte të të gjithë të burgosurve politikë. Përmes deklaratave publike, zyrtarët amerikanë u përpoqën të ndikonin për shmangien e ekstremizmave duke theksuar pajtimin kombëtar dhe nevojën që shqiptarët të linin pas të kaluarën tragjike dhe të përqa-fonin parimet demokratike.

Ndërsa komunistët dhe opozita e sapo-formuar po luftonin për kontroll dhe ndërsa Shqipëria po përballej me dështim total politik dhe ekonomik, Uashingtoni vendosi të normalizojë marrëdhëniet me Tiranën. Në një vendim të pazakontë, por domethënës, udhëhe-qësit e Partisë Demokratike Sali Berisha dhe Gramoz Pashko u ftuan nga Departamenti i Shtetit për të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të normalizimit të marrëdhënieve më 15 mars 1991 dhe për t’u takuar me zyrtarë të lartë amerikanë. Ky ishte takimi i parë i drejtpërdrejtë mes dy udhëheqësve opozitarë dhe zyrtarëve amerikanë. Me gjithë se përfaqësuesi zyrtar i Shqipërisë ishte ministri i Jashtëm Muhamet Kapllani, vëmendja e amerikanëve u përqendrua thuajse ekskluzivisht tek Berisha dhe Pashko.

Pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, Shtetet e Bashkuara ishin në gjendje të ofronin ndihmë të drejtpërdrejtë dhe të efektshme për kauzën e lirisë dhe demokracisë në Shqipëri. Vizioni amerikan për Shqipërinë ishte ai i një vendi me një sistem pluralist, që respekton plotësisht normat demokratike. Një ekip diplomatësh u dërgua në Shqipëri për të përgatitur kushtet për hapjen e ambasadës amerikane. Komisioni Amerikan i Helsinkit dërgoi një delegacion të madh për të vëzhguar zgjedhjet e para shumë-partiake të 31 marsit 1991.

Megjithëse komunistët fituan në zgjedhje, mbështetja për ta ra me shpejtësi dhe në fillim të qershorit 1991, ata u detyruan të hynin në koalicion me opozitën. Duke e parë këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm në tranzicionin kaotik të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara u përgjigjën duke mbështetur anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Konferencën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe Sekretari i Shtetit Baker vizitoi Tiranën më 22 qershor 1991, duke ofruar mbështetjen morale dhe politike të Amerikës për tranzicionin demokratik të Shqipërisë.

Vizita e Sekretarit Baker ishte shprehja më e drejtpërdrejtë dhe konkrete e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë. Ndërsa qindra mijëra banorë kishin dalë për të shprehur ndjenjat e tyre të dashurisë për Shtetet e Bashkuara, por edhe mes pritshmërive të mëdha, Sekretari Baker tha para mbi 200,000 shqiptarëve të mbledhur në Sheshin Skënderbej se, “Amerika po kthehet tek ju!”, “Liria jep rezultate!” dhe “Ju jeni me ne dhe ne jemi me ju!” Në takimin e tij me Ramiz Alinë dhe udhëheqësit e opozitës, Sekretari i Shtetit theksoi se Shqipëria kishte nevojë për ndryshime të shpejta dhe se rendi i ri politik duhej të bazohej në institucione të forta demokratike, një sistem të pavarur gjyqësor, respekt për shtetin ligjor, një shtyp të lirë e pluralist, zgjedhje të lira e të drejta, garanci kundër pushtetit arbitrar dhe masa të përshtatshme për të mbrojtur liritë civile.

Pas vizitës së Sekretarit Baker, Shtetet e Bashkuara miratuan disa programe ndihmash, që filluan të zbatohen gjatë periudhës deri në zgjedhjet e marsit 1992. Ndihmat u përqendruan në krijimin e institucioneve të qëndrueshme demokratike:

  • Forcimin e parlamentit dhe zhvillimin e paanshmërisë në funksionimin e sistemit politik.
  • Ndihmë për zhvillimin e partive politike; trajnime për teknika elektorale dhe për mënyrën se si funksionojnë në përgjithësi zgjedhjet demokratike.
  • U dërguan ekspertë për të ndihmuar në hartimin e kushtetutës së re dhe për të krijuar një sistem ligjor funksional post-komunist.
  • Ndihmë për shtypin e pavarur.

Uashingtoni gjithashtu dërgoi një ekip për të bërë vlerësimin e ndihmave ekonomike që kishte nevojë Shqipëria dhe për të ndihmuar autoritetet të hartonin strategjinë e rimëkëmbjes ekonomike. Veç kësaj, Shtetet e Bashkuara mobilizuan mbështetje ndërkombëtare dhe ishin instrumentale për anëtarësimin e Shqipërisë në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.

Hapja e ambasadës amerikane në Tiranë në tetor 1991 përfaqësonte një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe. Grupi i vogël i diplomatëve amerikanë, i kryesuar nga Ambasadori William Ryerson dhe zëvendësi i tij Chris Hill, luajtën një rol të jashtëzakonshëm në mbështetje të procesit të demokratizimit në Shqipëri dhe në ndihmën për hartimin e një plani tranzicioni. Ndërsa vazhduan komunikimet me Presidentin Alia dhe drejtuesit e tjerë të lartë komunistë, diplomatët amerikanë i përqendruan aktivitetet e tyre në ndihmën për opozitën demokratike që ishte ende e dobët. Në takimin me përfaqësuesit e opozitës gjatë vizitës së tij të qershorit 1991 në Tiranë, Sekretari Baker u bëri hapur thirrje për t’u bashkuar që të fitonin ndaj komunistëve në zgjedhjet e ardhshme. Diplomatët amerikanë, përfaqësuesit e Institutit Republikan Amerikan dhe të Institutit Kombëtar Demokratik ndihmuan opozitën të hartojë një strategji koherente për të larguar komunistët nga pushteti, duke ofruar ndihmë para-zgjedhore, mësime për rolin e qytetarëve në qeverisje, trajnim për funksionimin e partisë dhe ndihmë teknike.

Në periudhën deri në zgjedhjet e marsit 1992, mbështetja amerikane për opozitën shihej qartazi. Kjo pasqyrohej tek deklaratat e zyrtarëve të lartë të Departamentit të Shtetit, tek ambasada amerikane në Tiranë dhe anëtarët e Kongresit.

Fitorja e Demokratëve në mars të vitit 1992 shënoi fundin e makthit të gjatë komunist për Shqipërinë. Ndërsa shqiptarët filluan rrugën e vështirë të konsolidimit të arritjeve demokratike, Shtetet e Bashkuara vazhduan të luajnë një rol kritik, duke shërbyer si faktori më i rëndësishëm i jashtëm që nxiste demokratizimin e Shqipërisë, zhvillimin ekonomik dhe integrimin Euro-Atlantik. Me gjithë vështirësitë e mëdha dhe zik-zaget gjatë 27 viteve të fundit, eksperimenti demokratik i Shqipërisë ka mbijetuar. Shqipëria ka përjetuar transformime të thella dhe normat demokratike, në masën më të madhe, janë pranuar. Shumica dërmuese e shqiptarëve ka përqafuar linjën e lidhjeve historike me Evropën, me vlerat demokratike. Vend anëtar i NATO-s që nga 2009, Shqipëria pritet të hyjë vitin e ardhshëm në fazën kritike të bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian. Dhe reforma e tanishme e drejtësisë i jep Shqipërisë një mundësi për të riparuar dëmin e madh që i është bërë imazhit të saj nga korrupsioni i gjithë-përhapur dhe krimi i organizuar.

Mirëpo, tranzicioni është shoqëruar me sfida të shumta dhe shumica e shtyllave të demokracisë së Shqipërisë janë ende të dobëta. Më shumë se një çerek shekulli pas përmbysjes së komunizmit, qeverisja shqiptare është mbizotëruar nga marrëveshje gjysmë-demo-kratike, nga një sistem sipërfaqësor kontrollesh e balancash, korrupsion i thellë, krimi i organizuar dhe sfida madhore ekonomike dhe sociale. Prirjet e përhershme polarizuese të politikës shqiptare, të shprehura më së qarti tek paaftësia e udhëheqësve kryesorë për të gjetur konsensus për çështjet madhore dhe mentaliteti i elitave të pas vitit 1990 për të kufizuar konkurrencën e lirë politike, kanë penguar përpjekjet për qeverisje të mirë dhe kanë minuar bazat institucionale të rendit të ri.

Ka shumë faktorë që shpjegojnë përparimin e dobët demokratik të Shqipërisë: mungesa e një kulture demokratike, trashëgimia komuniste, dhe dobësia ekonomike. Por, nuk ka asnjë dyshim se shumë prej vështirësive me të cilat përballet Shqipëria janë pasojë e drejtpërdrejtë e qëndrimeve dhe vendimeve të elitave të saj qeverisëse. Gabime, dështime, politika jo të drejta, dhe raste të humbura kanë qenë tipare të përbashkëta të qeverive demokrate edhe të atyre socialiste.

Shqipëria e gjen sot veten në një udhëkryq kritik. Ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian mbeten fuqimisht të angazhuara për të dhënë mbështetje politike dhe ekonomike, përgjegjësia për përparimin demokratik të Shqipërisë i takon plotësisht udhëheqësve të saj politikë. Statuskuoja ka një çmim të lartë dhe Shqipëria ka nevojë urgjente për një frymë të re drejtimi. Për të konsoliduar plotësisht demokra-cinë, Shqipëria ka nevojë të kryejë një transformin të vërtetë institucional, të reformojë sistemin e tanishëm mos-funksional të qeverisjes dhe të përmbysë kulturën e rrënjosur thellë të mos-ndëshkimit.

Mbetet për t’u parë në se elitat shqiptare do të tregojnë vullnet politik për të shfrytëzuar këtë mundësi që është krijuar dhe për të plotësuar pritshmëritë demokratike të popullit të tyre, ose thjesht të hiqen sikur e mbështesin domosdoshmërinë e zbatimit të reformave thelbësore.

(Fjala e mbajtur në Konferencën: “Roli i Ndërkombëtarëve në Tranzicionin e Shqipërisë”, organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri)

(Botuar më 7 Dhjetor 2017)