Rexhep Alimemaj: Kontributi i Shqipërisë në Luftën e II Botërore

87

Populli shqiptar bëri sakrifica të mëdha

Dëshmi për këtë kontribut më mirë se gjithë tjetër, na e jep rruga luftarake dhe rënia heroike e heronjve dhe e 28 mijë dëshmorëve, si dhe e mijëra partizanëve të tjerë. Pjesëmarrja e popullit shqiptar në luftë, ishte një akt madhor, ku bënë sakrifica të mëdha njerëzore e materiale, u përmbush një detyrë morale e jashtëzakonshme duke i dhënë Shqipërisë dinjitet dhe prestigj midis shteteve të botës. Rëndësia dhe vlera e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare qëndrojnë në trimëritë, heroizmat dhe sakrificat e partizanëve, jo vetëm që u hodhën me forcë, të organizuar dhe dhanë kontribut të mëdha për çlirimin e Atdheut. Para së gjithash ky është një problem moral, kombëtar dhe historik. Rëndësia qëndron në atë se Shqipëria rifitoi pavarësinë dhe nuk u copëtua, qëndron në atë që ajo u jep brezave të rinj mesazhin e atdhetarisë dhe patriotizmit. Është edhe më se e padrejtë, madje anormale dhe antikombëtare, mënyra se si pasardhësit e bashkëpunëtorëve nazi-fashistë, njerëzish të ditëve të sotme i janë kundërvënë me të gjitha mënyrat dhe mjete, për ta mohuar atë, për ta quajtur antikombëtare, madje për ta quajtur deri fatkeqësi për Shqipërinë. Kategoria e këtyre njerëzve, grupimeve ose partive politike që mohojnë Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe që hedhin baltë mbi gjakun e dëshmorëve të lirisë e veprën atdhetare të mbarë popullit shqiptar, janë ata që kanë bashkëpunuar me pushtuesit, ose nuk kanë marrë pjesë në atë luftë, janë ata që nuk e kanë haberi se çfarë ka ndodhur në Shqipëri dhe në atë botë gjatë asaj lufte dhe kryesisht janë bijtë dhe nipërit e atyre që bashkëpunuan me nazi-fashizmin. Dikush nga kjo kategori njerëzish, mundohen ta minimizojnë ose të zhvleftësojnë Luftën, duke thënë se kontributi i Shqipërisë në këtë Luftë pothuajse është fare i parëndësishëm. Shqipëria ka më shumë heronj e dëshmorë në krahasim me popullsinë në Luftën e Dytë Botërore.

Të mohosh Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare do të thotë të mohosh rëndësinë që ajo pati për rivendosjen e pavarësisë kombëtare, do të thotë të mohosh atë kapital politik të rëndësishëm që e shpëtoi Shqipërinë prej copëzimit, do të thotë të mohosh gjakun e atyre bijve dhe bijave, të cilët me ideale të pastra në gji, nuk e kursyen as jetën e tyre, do të thotë të mos i quash fare burgosjet, internimet, torturat që pësuan patriotët shqiptarë antifashistë, do të thotë të mohosh ndihmën materiale pa shpërblim që dha populli fukara i fshatrave dhe qyteteve të Shqipërisë, do të thotë se je një popull pa dinjitet, që e pranon me përulje çizmen e të huajve. Është skandaloze dhe e neveritshme, se si disa gazetarë dhe analistë të disa mediave të shkruara dhe elektronike, disa drejtues programesh artistike dhe televizive dhe disa politikanë, mohojnë, ironizojnë dhe mundohen të bëjnë humor me partizanët dhe luftën e sakrificat e tyre.

Vlerat e radhitën me Aleatët

Në kohën e sotme është e çuditshme, vetëm në Shqipëri, sesi vesi sulmon virtytin, tradhtia atdhetarinë, egoizmi idealizmin dhe pasioni arsyen. Faktet dhe të vërtetat janë të tilla që prej një popullsie prej një milionë banore, dolën rreth 70.000 partizanë të organizuar në çeta, në batalione, brigade, divizione e korparmata. Në çdo fshat të Shqipërisë, gjatë luftës vepronin edhe forcat territorial, çeta e batalione në të cilat merrnin pjesë popullsia civile që angazhohej në luftë, sa herë e lypte nevoja në mbështetje të forcave partizane. Në këtë luftë u vranë 28.000 shqiptarë një pjesë e të cilëve janë dëshmorë, pjesëmarrës pjesëmarrës në formacione të rregullta partizane dhe pjesa tjetër janë viktima të asaj lufte. Fatkeqësisht mohuesit e LANÇ-it, bëjnë përpjekje për ta zvogëluar këtë numër dhe për t’i mohuar këta therorë të lirisë. Kjo është një përpjekje e tyre e dëshpëruar, pasi ata që janë vrarë, njihen me emra dhe gjithë gjeneralitetet e tyre. Ata që përpiqen ta mohojnë tokën që është njohur prej tij, mohojnë atdheun e tyre.

Falë luftës partizane dhe luftës së mbarë popullit shqiptar, kundër fuqive të Boshtit, Italisë e Gjermanisë, falë edhe qëndrimit objektiv që mbajtën disa pjesëmarrës me influencë në Konferencën e Paqes, pavarësisht se nuk u pranuam që në fillim, ose që nuk u ftuam në Konferencën e San-Franciskos, por përfundimisht më 25 tetor 1946, Shqipëria u pranua si fuqi shoqe e vendeve fituese të Luftës së Dytë Botërore, duke fituar edhe disa dëmshpërblime të luftës. Qëndrimin e ballistëve në Luftën e Dytë Botërore na e sqarojnë edhe më mirë, vetë ushtarakët që drejtonin trupat gjermane në Shqipëri. Kështu hitleriani në Ballkan, Nojbaher shkruante se “burrat e Ballit Kombëtar, kurrë nuk u ndeshën me forcat tona. Ata i përdornin energjitë e tyre kundër partizanëve në jug të vendit. Praparoja jonë nga banditët shqiptar, sigurohej nën drejtimin e fiseve dhe klaneve të tyre. Ata na mbronin nga partizanët”.

Gruaja shqiptare në Luftë

Ëndrra e partizanëve dhe atyre që ranë dëshmorë, për barazi gjinore që gruaja të kishte të drejta të barabarta me burrin, ishte nder, ato kërkesa, e cila u bë realitet që gjatë LANÇ-it. Pjesëmarrja e vajzave dhe grave në luftën për çlirimin e atdheut, ishte një ndër visaret më të rëndësishme dhe më të çmuara të asaj lufte. Edhe më përpara gruaja shqiptare kishte dhënë shembuj të shkëlqyer të atdhetarisë dhe trimërisë, që nga Nora e Klemendit, Maro Kondi, Shotë Galica, Sado Koshena etj., por këto nuk ishin raste të shkëputura, por ishin ato që ju bënë mbështetje trimave dhe luftëtarëve në këto luftëra. Pjesëmarrja e grave dhe vajzave në LANÇ, ishte masive, me objektiv të rëndësishëm patriotik dhe e organizuar mirë. Ato ishin nga të gjitha shtresat e shoqërisë. Oficerët britanikë, Ridell dhe Hibbert i shkruante komandës së aleatëve në Bari të Italisë se “disiplina partizane eshët me të vërtetë e rreptë, ndërsa marrëdhëniet morale ndërmjet burrave dhe grave janë nga më të rreptat, që oficerët tanë kanë pasur mundësi t’i shohin”. Në rreshtat e brigadave partizane u radhitën rreth 7.000 vajza dhe gra, prej të cilave 600 u flijuan në luftën për lirinë e Atdheut. Vajza e djem partizanë u varën në litar nga pushtuesit nazi-fashist dhe bashkëpunëtorët e tyre. Kënga popullore thotë: trima që vdekjen sfiduan/ sfiduan dhe armikun fort/ në litar pa frikë shkuan/ thanë “Shqipëria rroftë”. Ata ishin heronj me fletë, sepse çdo njeri ishte një legjendë, atdhetarë të vendosur, ishin shqiptarë të mëdhenj, ku secili meriton të shkruhet në vijimësi, sepse kanë bërë histori. Ata qëndruan stoik para torturave dhe masave shtrënguese të armikut, por emrat e shokëve dhe të shoqeve partizanë nuk i treguan, ata qëndruan grusht hekur, gjuhë brisk e falë bombë…

Bule Naipi, flutura e Gjirokastrës, një lule e bukur e luftës. Bulja partizane e Brigadës VI Sulmuese, veprimtare e shquar shoqërore, me trakte e komunikata të Luftës në duar e shihnin vetëm kalldrëmet, por spiunët e diktuan. E kapën armiqtë, e torturuan, por ajo qëndroi heroinë dhe, më 17 korrik 1944, ballistët me Idriz Jazon e varën në litar tek rrapi, në Sheshi i Çerçizit, së bashku me Persefoni Kokëdhimën.

Fato Berberi nga Gjirokastra, pioniere 14 vjeçare, dallohej për guxim dhe zgjuarsi. Doli në mal partizane në çetën e “Rinisë”. Pushka e saj u dëgjua në Kurvelesh, në Sarandë, Tepelenë e Gjirokastër. Në operacionin armik të qershorit 1944, në luftime të ashpra në malet e Kurveleshit, rrëshqiti dhe ra në humnerë. E kapën nazistët, e torturuan dhe e nisën në kampin e Selanikut dhe para trekëndëshit ajo qëndroi krenare dhe thirri “Rroftë liria!”.

Ganimete Terbeshi, punoi me trimëri për Luftën, armiku e zbuloi veprimtaren e palodhur dhe e arrestoi së bashku më hallën e vet Shefikën. E burgosën, torturuan në kampin e Prishinës, dhe së fundi e varën në litar.

Vasil Laçi, trimi nga Piqerasi, 18 vjeçar, i cili qëlloi me plumba mbi perandorin Italian, duke e përshëndetur perandorin e madh-xhuxh. Ai ngriti dorën dhe me rovolverin e tij shtiu 5 plumba. E torturuan dhe e varën në litar.

Teki Hanaj, duke e varur në litar thirri “Roftë djemëria shqiptare, poshtë fashizmi”. Muhamet Gjollesha, në dimrin e vitit 1944 kthehet në Tiranë, por nazistët dhe Xhelal Staravecka e arrestuan dhe e torturuan. Nuk u mësua gjë prej tij dhe më 29 shkurt 1944 e varën në mes të pazarit të ri në Tiranë.

Shyqyri Ishmi, i ri patriot vepronte me guxim nën hundën e armiqve në Tiranë, kur e arrestuan dhe para litarit ju tha se rinia është si bari i livadheve, që i kositur len i ngjashëm. Hamdi Mëzezi, Nikolla Tupe dhe Ferid Xhako, u spiunuan nga bashkëpunëtorët e armikut, i arrestuan, i torturuan dhe i varën në litar, në oborrin e burgut në Tiranë.

Hamdi Shijaku, atdhetar i shquar, antifashist sypatrembur, njeri i aksionit, fashistët e kapën, torturuan dhe e varën në oborrin e burgut në Tiranë.

Met Hasa, pionieri gjoks çelik, djalosh 12 vjeçar nga Kërçukja e Ndroqit, ku fillimisht u aktivizua me organizatën e pionierit të qytetit të Durrësit. Kryente detyra si shpërndarje traktesh, aksione të vogla, të cilat i kryente me guxim dhe kaluar përmes armiqve. Meti mbeti në histori. Në Shqipëri janë 29 fëmijë dëshmorë, ku 2 prej tyre janë 14 vjeç, 9 janë 15 vjeç, 12 me moshë 16 vjeç dhe 6 janë 17 vjeç.

Realisht në Shqipëri luftuan partizanët

“Desh perëndia dhe dolën në shesh partizanët dhe jo vetëm e nxorën Shqipërinë nga hendeku i vdekjes, por edhe e vunë në radhën e të gjallëve, pranë shteteve aleate”, ka theksuar Fan. S. Noli. Bashkëpunimi i Ballit Kombëtar dhe legalitetit me pushtuesin e huaj, tashmë është i vërtetuar katërçipërisht dhe është i qartë për këdo. Balli ka qenë kundër Luftës Antifashiste, që në kohën e pushtimit Italian dhe këtë e tregon komploti “protokolli Dalmaco-Këlcyra” i nënshkruar në mars 1943, ndërmjet komandantit të forcave pushtuese italiane në Shqipëri, Dalmaco dhe përfaqësuesit të Ballit Kombëtar Ali Këlcyra. Instituti nazi-fashist i Tufës dhe nostalgjikut të Hitlerit Ergys Mërtiri, duhet të përgjigjen para popullit shqiptar për veprimtarinë dhe frymën nazi-fashiste që kanë dhe që e propagandojnë atë.