Kolonel Ilmi Qazimi Kur kryetari vjen në karrike, “Arena Kombëtare” delir, zinxhir dhe veprim antikombëtar i Rilindjes

143

Që kryetarët kanë rolin e tyre shumë të rëndësishëm në ecurinë e shoqërisë, kjo dihet. Kur ky rol është përparimtar kjo përbën një arritje që historia e shënon me germa të hekurta, bronzta apo të arta. Problem është përse kryetarët të jenë promotorë te ecjes mbrapa të zhvillimit shoqëror të atij vendi apo atij grupi njerëzish që ata ka nën urdhër. Kjo strategji e të dy pistave, e përbërë nga disa stratagjema të vogla e taktika operative të shumta, qëndron aksiomatikisht e zbatueshme për çdo lloj kryetari qoftë në një grup me tre vetë, qoftë në krye të një vendi me tre apo treqind milionë banorë. Cilido kryetar, gjëja e parë që bën porsa ulet në karrigen e re (të marrë, të merituar, të rrëmbyer, të dhuruar apo të vjedhur), është rregullimi i zyrës sipas gustos individuale. (Në kllapa duhet thënë se këtë ves ne njerëzit e kemi të trashëguar nga kafshët, të cilat, së pari, rregullojnë strofullin e tyre e pastaj shkojnë për ushqim e riprodhim…). Më tutje vjen përpunimi i rrjetit informativ dhe krijimi i strukturës së sigurisë, si detyra e dytë. Më tej vijon përpunimi i rretheve të dashamirësve dhe paskëtaj hidhet në sulmin e punës për të bërë ndryshime rrënjësore në të gjithë sferat e veprimtarisë së tij qeverisëse apo thjesht drejtuese. Po qe njeri me mend, nuk e fyen aspak paraardhësin dhe njëherazi lavdërimet për të i ka të kursyera e, njëkohësisht nuk iu largohet gjërave të vogla, si dhe këshillimin me specialistët nuk e harron asnjë herë. Po i nënvlerësoi këto, shpejt ka për të marrë të tatëpjetën. Shtypja e kokës së kundërshtarëve të tij të njohur, të vjetër e të rinj si dhe ata të maskuar, kjo është detyrë e dorës së parë dhe e çdokohshme.

Kultivimi i delirit

Me kalimin e ditëve, pas joshjeve të parellinjve, lëvdatave të servilëve, të cilët kurrë nuk mungojnë në asnjë kohë e në asnjë vend, ai me ose pa dashje ushqen delirin e vetë madhështisë (i cili, që të jemi objektivë, i ka lindur qysh herët në fëmijëri) dhe, pikërisht këtu nis rrënimi që do të shpjerë në rrëzimin e tij nga detyra e kryetarit. Deliri i madhështisë, me siguri nuk do t’iu pëlqejë më të mëdhenjve, prandaj, fillimisht do ta përkëdhelin e pastaj do ta çukitin pak e nga pak, vendas apo të jashtëm. Sepse, për fat të keq, çdo kryetar shpesh harron se në këtë rruzull, nuk ka asgjë e asnjë që të mos ketë dikë mbi vete, dua të them një shef, epror. Kryetari më i lartë i sotshëm, (apo mbreti i dikurshëm) edhe pse është më sipër të gjithëve, faktikisht, me logjikën e ftohtë njerëzore, është thjesht shërbëtor i popullit, pra ka popullin mbikëqyrës. Për kushtet e kapitalizmit çdo kryetar i kujtdo shteti të globit, veç sa më sipër, ka si xhandar mbi krye imperializmin e moderuar amerikan me të gjithë universin e të këqijave monstruoze që pjell e mbjell ai ngado deri nëpër skaje të botës. Dhe ky soj çekiçi mbi kokë do të kthehet shpejt në një zinxhir rreth qafës që e shohin shumë të tjerë, por e ndjen vetëm kryetari, se sa ia rëndon qafën dhe se si ia shtrëngon grykën. Dhe kështu burri i kreut, gjithë dëshira, premtime e delire ecën dhe realizon ëndrrën që të mbetet në histori (të grupit apo të shtetit) me bëmat e tij.

Brenda kësaj traseje me dy shina e bëri çapitjen edhe kryetari ynë i nderuar Edi Rama. Ai fatmirësisht me punë, me huqe, me dorashka e me sëpatë, me fjalor e me vizatim, me diplomaci, dhunti e dituri, aq sa edhe me shoqëri, miqësi dhe zgjuarsi, i ngjiti shkallët nga kryetar grupi, sektori, partie, bashkie dhe deri qeverie. Përpiloi plane e reklamoi logo, derdhi fjalime e bëri betonime, prishi shumë nga e kaluara komuniste dhe solli goxha risi nga borgjezia e sotme e sofistikuar për mashtrim, e rufianizuar për kompromentim, por përherë e prezantuar si shoqëri e kohëve moderne. Kështu p.sh. gjatë periudhës qeverisëse të Edi Ramës, Shqipëria u rendit vrullshëm në radhën e vendeve më të para për prodhimin dhe trafikimin e drogës; u rendit e pesta për respektimin e gjinisë femërore në rang ministror; u anëtarësua ndër të parat vende lindore në Organizatën e Atlantikut Verior; është ndër të vetmit, në mos i vetmi shtet në botën e sotme që nuk ka ushtri mbrojtëse për vendin e vet, por vetëm fare pak batalione kompjuterike…etj.

Punës përgjatë kohës së tij të kryetarllëkut, qysh në “krye të herës”, kryetari ynë, ia vuri emrin qeverisjes së vet “Rilindje”! Motivet që u propaganduan ishin: Të mbushim gropën që la sundimi berishian dhe pastaj të ngremë një kodër drejt modernizimit në ekonomi, infrastrukturë dhe mirëqenie. Ku është baza dhe argumenti për emërtimin”Rilindje” këtu? Kjo është thjesht detyrë funksionale. Por nej

  Rilindje, …e kujt?

Natyrshëm lindi pyetja: Shqipëria si komb, si shtet, si vend,ka vetëm një Rilindje, atë që njeh historia e shkruar, e cila ka në radhët e saj të gjata tërë ata dëshmorë, yje të diturisë e atdhetarisë, të gjuhës e të luftës për pavarësi. Ka nisje dhe kurorëzim. Atëherë përse lindi një tjetër emërtim i tillë për karshi saj, pas një shekulli? Vallë, sepse erdhi në postin e kryetarit, Edi Rama?! Mos qoftë e thënë! Kësaj pyetjeje iu përgjigj deri tani vetëm heshtja, e cila është përgjigja më fyese që njeh historia e bashkëbisedimeve ndër-njerëzore. Në vazhdën 11-vjeçare si kryetar bashkie (ku, mos t’ia hamë hakun, punoi me guxim, vizion dhe forcë) dhe për gjashtë vjet e gjysmë si kryeministër, burri i shtetit tonë solli shumë përkrahje për biznesin e madh, (sidomos atë të huaj, e përkthyer kjo në shqip:”skllavërim sistematik modern”); dha jo pak goditje për biznesin e mesëm; tregoi aftësi asfiksuese për biznesin e vogël, dhe fare pak (kjo është e kuptueshme) të mira, vegimthi u shfaqën e u zhdukën edhe për të varfrit. Në përgjithësi me qeverisjen e tij, Edi Rama, u mundua që të vendosë shtetin shqiptar në binarë të rregullt drejt kapitalizmit;sidomos në dy pikat më të sigurta: taksat dhe vdekjet. Po kjo nuk do të thotë aspak se ai rilindi Shqipërinë!

Më të rëndat bëma të tij, për ne shqiptarët që e duam Shqipërinë barabar me jetën tonë, janë ato që kanë lidhje me traditat luftarake e liridashëse të popullit të këtij trualli pellazgjik, me përpjekjet e tij që të dëmtojë sa më shumë e të çrrënjosë mentalitetin komunist, të shkatërrojë tërësisht të bukurën e ndërtuar gjatë 45 viteve dhe ta zëvendësojë atë me çdo gjë që ky me stafin e vet e konsideron të bukur. Pra, për deformimin dhe groposjen e anës shpirtërore të këtij populli ky lloj kryetari bëri goxha punë. Pse pak iu duket rehabilitimi i Mid’hat Frashërit? Po muzeumet “Bunk-art” e “shtëpia me gjethe”, po shkrirja e ngrirja deri përsëri ‘ringritja’, por me ngjyra të tjera e Akademisë së Shkencave? Po nënvlerësimi i organizatës së veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe atë të Dëshmorëve të asaj Lufte dhe të tjerë të këtij populli, të cilën, këtë të dytën, e ka lënë pa asnjë të drejtë financiare, e paktë është? Po pranimi si emigrantë të organizuar të popullatave të çdo lloj kombësi edhe ngulimin e tyre në truallin tonë si ju duket? Për këto nxori ligje, vendime, detyrime etj. Këtu gaboi rëndë, sepse e ka harruar (apo nuk e ka ditur fare!) se forca e traditës është gjithnjë më e madhe se sa fuqia e ligjit. Po heshtjen dhe miratimin e emigrimit, fatkeqësisht të pandalshëm të rinisë sonë, me anë të mos plotësimit të kërkesave për punë e strehim në atdhe, si mund ta vlerësojmë? Ka edhe të tjera…

Le të heshtë ai, madje le të bëjë edhe indiferentin e zilishëm ndaj librave e shkresave të të ashtuquajturit “Institut për veprat kriminale të komunizmit”, me heqjen e emrave të vendosura një herë për rrugë e shkolla, institucione apo objekte e ndërmarrje shqiptare, përsëri nuk e mbulon dot prirjen e tij personale kundër gjithçkaje komuniste. Lexuesi nuk duhet të harrojë se kjo që bën ai është edhe detyra nr.1 që i ka vënë ustai i matanë oqeanit kur ky erdhi në karrigen e lartë të kryetarit. Moskryerja e detyrave, shtrëngon zinxhirin në fyt. Realisht kryetari Edi Rama është më i miri i këtyre tridhjetë vjetëve të ardhjes së frymës dhe sundimit të kapitalit në Shqipërinë e virgjër, të vogël dhe të vobektë. Prandaj,si rrjedhojë,aktualisht tani shoqërisë shqiptare i ka hyrë virusi që nuk ka askund antivirus për të; i janë injektuar sëmundjet që do t’i shkaktojnë çdo ditë e më tepër plagë dhe hemorragji shumë të rënda;plagë të cilat do ta ketë vështirë çdo lloj kryetari pasardhës për t’i kuruar pa le për ‘t’i shëruar.

Pse nuk duhet ‘Arena kombëtare’, por Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”

 

Ndër bëmat më antishqiptare është edhe përpjekja e tërë ‘arenës politike ku përplasen biznese e pisllëqe, të vjetër e të rinj, modernë dhe tradicionalë, nostalgjikë dhe anemikë,” para syve të tij për heqjen e emrit që mban Stadiumi Kombëtar i Futbollit, emrin e Heroit të Popullit “Qemal Stafa”. Sillen lloj-soj arsyetimesh e pseudoargumentesh. Me që jemi duke folur në kohën e “Rilindjes” më duhet të rikujtoj diçka për kuptimin e fjalëve Arenë dhe dëshmor, me qëllim që të shtoj sadopak informacion në të mirë të çështjes.

Arenë do të thotë: shesh i rrumbullakët i shtruar butë në mes të një cirku,stadiumi a amfiteatri, ku zhvillohen lojna ose ndeshje,jepen shfaqje akrobatike etj.

Shembuj:arenë e cirkut,guximtarët e arenës,dolën në arenë(boks, mundje gjithfarësh,).

Në përdorimin figurativ kjo fjalë ka këtë nuancë: fusha ku zhvillohet një përleshje, një luftim etj; lëmë veprimtarie ku ndeshen palë a rryma të kundërta;skenë,shesh;

 Shembujt: arenë politike;arenë ndërkombëtare,botërore;arenë lufte, betejash;doli në arenë politike;shfaqet në arenën e historisë;

Me sa lexuat, a kuptuat gjë se ku lidhet fusha e futbollit tonë kombëtar me fjalën ‘arenë’?

Dëshmor do të thotëai (ajo) që vritet në luftën për liri e për drejtësi shoqërore, ai që fal jetën për të mirën e popullit e të atdheut.

 Shembujt janë: dëshmor i Rilindjes Kombëtare; dëshmor i Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare; Dëshmor i Gjuhës Shqipe; Dëshmor i Demokracisë; Dita e Dëshmorëve;

Duket qartë se ata që i vendosën këtë emër, para afër treçerek shekulli, këtij Stadiumi si objekt kombëtar, kanë qenë të mençur dhe e kanë bazuar dhe argumentuar. Për më tepër, që dita e rënies së Qemal Stafës, është shpallur edhe Ditë Kombëtare e Dëshmorëve të Shqipërisë.

Dëgjojmë në media se, prej vjeshtës së këtij viti, pas rikonstruksionit të pjesshëm të tij, Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa” nuk do të quhet më kësisoj, por do të marrë emrin “Arenë Kombëtare”. Qoftë thashethem! Dihet që në këtë sistem ekonomiko-shoqëror, gjithçka është biznes, por ama nuk duhet të cenohet kombi! Ky stadium e mban këtë emër të plotmerituar për 71 vjet rresht. Është Qemal Stafa, heroi simbol i Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Heqja e këtij emri do të jetë një tjetër akt tradhtie kombëtare.

Po qe se do të ndërtohej një stadium i ri, në një terren tjetër, do të ishte e natyrshme që do të kishte emërtimin përkatës, ndoshta sipas dëshirës së kryetarit të qeverisë, i cili për fatin tonë të mirë është edhe njeri i artit dhe i sportit. Por ky dhunim që i bëhet objektit të vetëm kombëtar madhor për futbollin, është më tepër se kaq, është goditje kundër emrit të dëshmorëve të kombit. Rrugëzgjidhja:  emri i stadiumit kombëtar të rikonstruktuar të futbollit, po qe se e kërkon deliri i kryetarit që të hiqet, kjo të vendoset vetëm me referendum popullor, ndryshe ne njerëzit e thjeshtë do të ngrihemi në këmbë kundër tradhtarëve.

Me që jemi këtu, është vënë re se disa kryetarë qeverish kanë frikë nga referendumet popullore. Kjo është domethënëse. Ata kanë frikë nga populli dhe nga e vërteta. Janë katandisur në këtë batak moral, sepse motoja e jetës së tyre ka qenë premtimi (lexo: mashtrimi), manexhimi i rregullt (lexo: vjedhje e kujdesshme dhe e pa ndërprerë) dhe lufta kundër korrupsionit (lexo: rrih ujë në havan).

Për ta mbyllur për sot, Stadiumi ynë Kombëtar do të mbajë emrin “Qemal Stafa”, mbasi nuk ka arsye të qëndrueshme që të ndërrohet. Me siguri, do t’ia përforcojë këtë emër edhe një referendum i mundshëm mbarëpopullor. Kryetari ynë Edi Rama me servilët e vet që nuk dinë apo nuk duan të respektojnë objektet kombëtare dhe dëshmorët e atdheut, le të mbeten relikte e njollosur në “arenën e politikës” së çakërdisur shqiptare, bashkë me deliret dhe zinxhirët. Kjo, sepse, e kupton apo jo ai, kryetari ynë i qeverisë së radhës, Historia e Shqipërisë nuk është pronë e kryeministrit dhe e askujt individi tjetër, por e tërë shqiptarëve kudo ku janë nëpër botë.