Shpend Nikoçi: Gështenja, pemë e bekuar  por e harruar

1367
Sigal

Nëse ekziston një pemë që ka qenë kaq e dobishme dhe ka dhënë kaq kontribut për jetën e njerëzimit në epoka si për të shuar urinë, zbutjen e varfërisë, strehimin, meremetimin, mobilimin, ngrohjen dhe përmirësimin e infrastrukturës së jetës në fshat, protagoniste dhe zotëruese e rolit vendimtar për komunitetet malore, kjo pemë është gështenja.

Gështenja është njëkohësisht, një fryt i këndshëm, ushqim me vlera universale ushqimore, që ka zëvendësuar bukën duke kompensuar ushqimet e munguara në një vazhdimësi mujore dhe vjetore, një kurë shëruese, dietë për shëndetin e njeriut dhe parandaluese e shumë sëmundjeve dhe epidemive, duke dëshmuar historikisht  zhvillim  ekonomik, përparim social, qytetërimi lokal, që mbart kapacitete dhe potenciale eko-turistike e rekreative dhe ka mundësi reale përhapjeje.

Gështenja është një specie ekonomikisht shumë e rëndësishme që ndikon në ekuilibrin ekonomik të shumë familjeve në rrethin e Tropojës .

Nga çfarë kërcënohet gështenja!

  1. A) Nga sëmundja e kancerit të lëvores shkaktuar nga Cryphonectria parasitica, si dhe dëmtues të tjerë dhe bimët parazitare dhe gjysmë parazitare .

Gjendja biologjike dhe fito-patologjike e pemëve të vjetra që përfaqësojnë vlerat gjenetike të kultivarit autokton gjendet e rënduar aq sa ka arritur nivelin kritik të tolerancës përtej të cilit, po vazhdoi degradimi me këtë ritëm, brenda një periudhe të shkurtër dëmi bëhet i pakthyeshëm dhe pasojat të pa rikuperueshme

B ) Konvertimi  (Kthimi në cungishte)

Çfarë është Konvertimi?  Konvertim është kthimi i pemëve me prejardhje nga farat, në pemë me prejardhje nga lastarët e cungjeve të prerë .

Cungishte janë pemët që kanë prejardhjen nga lastarët e cungjeve.   Pema si çdo organizëm bimor, mbin, rritet, zhvillohet dhe plaket në mënyre të njëtrajtshme në të gjitha organet e pemës. Gështenja është një ndër pemët me jetëgjatësinë më të madhe. Kur shohim një pemë të degraduar biologjikisht me kurorë dhe pjesë të trungut të thara, tregon se ajo është plakur. Pemët që kanë prejardhjen nga lastarët e cungjeve sipas klasifikimit silvikulturor emërtohen cungishte. Pemët e ardhura nga lastarët e cungjeve, jetëgjatësia e tyre është e ndërvarur prej gjendjes biologjike të sistemit rrënjësor të pemës së prerë nga cungu i të cilës ka lindur lastari. Lastarët që lindin mbi këto cungje vitet e para kanë një rritje të lakmueshme, konkurrojnë në rritje  fidanët që mbijnë nga farat,  por janë pemë të reja të lindura mbi një cung të vjetër, që mbahet mbi një sistem rrënjësor të vjetruar dhe të degraduar, edhe pse rriten më shpejt vitet e para te jetës së tyre  Të gjitha pemë kur fillojnë frutifikimin kanë nevoja më të shtuara për ujë dhe lëndë ushqimore! Kontingjenti i pemëve me prejardhje lastarore, që e kanë prejardhjen nga cungjet – pra nga një sistem rrënjësor me moshë të madhe dhe në degradim e sipër e ka të vështirë, deri të pa mundur t’i plotësojë kërkesat në rritje të pemës me lëndë ushqimore dhe këtu fillon kontradikta mes pjesës nëntokësore dhe asaj mbitokësore të pemës. Ky është momenti kur pema ndërpret rritjen, frutifikon, por frutat nuk mund t’i rritë në dimensionet e duhura dhe t’i pjekë, nga fundi i verës fillon zbehja e gjetheve dhe e zhguajve të frutave dhe në një vit me thatësirë të zgjatur, pema mund të pësojë tharjen e plotë. Në lastaret e këtyre cungjeve që shkaktojnë konvertimin në cungishte, në vitin e pare ose të dytë të jetës së tyre, mund të ndërhyhet në përmirësimin gjenetik të tyre nëpërmes shartimit, operacion kirurgo-gjenetik ky që rikthehen parametrat gjenetikë të pemëve amë dhe kështu mund të ruhet trashëgimia gjenetike e kultivarëve tradicionalë.

Konvertimi në cungishte shkakton humbjen e trashëgimisë  gjenetike të kultivarit vendor dhe humbet statusin e prodhimit të frutave i cili shkaktohet nga:

  1. a) Eliminimi i pemëve që kanë pësuar vdekjen biologjike nga sëmundja e kancerit, sëmundja e bojës, nga bimët parazitare, gjysmë parazitare dhe sëmundje të tjera që eliminohen nëpërmes prerjes rrafsh.
  2. b) Eliminimi i pemëve që kanë pësuar vdekjen biologjike nga degradimi biologjik natyror për shkak të moshës.
  3. c) Eliminimi i pemëve që kanë pësuar tharjen nga faktorët natyrorë si furtunat, stuhitë, akulli, bora etj.

ç ) Eliminimi i pemëve të thara nga zjarret, prerjet abuzive për trafik të lëndës drusore, por edhe nga shfrytëzimet që bëjnë fermerët për të plotësuar nevojat e tyre  me material drusor.

Bashkimi Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Natyrës” IUCN . e ka rreshtuar Gështenjën  në listën e kuqe të specieve të kërcënuara dhe  si e tillë është specie në mbrojtje në të gjitha vendet ku kultivohet.      

Gështenjën të gjithë e dimë që e kemi të sëmurë! Si çdo qenie apo organizëm i sëmurë edhe gështenja kërkon ndihmë nga mjeku i saj me kurime dhe shërbime suplementare për të mbijetuar, por do edhe statusin e mbrojtjes.

Shoqata “Gështenja e Tropojës” e krijuar si alternativë për të minimizuar efektin shkatërrues që ka shkaktuar informaliteti i kësaj prone, braktisja dhe lënia pas dore si nga komuniteti i fermerëve dhe strukturat shtetërore, mungesa e statusit, mungesa e drejtimit teknik, dhe vakumi juridiko-ligjor, për të ndërprerë degradimin dhe për të filluar ripërtëritjen e ekosistemit, shpreh mirënjohjen për gjeneratat tona që nga antikiteti për ta ruajtur trashëgiminë e këtij kultivari me vendosmëri e përkushtim, shpreh nderim për mundin dhe djersën e mijëra punëtorëve që u shërbyen  me dashuri prindërore  këtyre pemëve në vitet e sistemit monist  dhe vlerësim për punën eksperimentuese e kërkimore-shkencore të specialistit të talentuar, inxhinierit të ndjerë  Beqir Elezaj, i teknikut pasionant e të palodhur të ndjerit Gani Shaqirukaj, si dhe specialistëve pasionant, si  Dr . Prof. Bashkim Lushaj, Ing. Ali Hajdari, Ing. Agim Shpati, Tek. Nezir Margjekaj, Niman Papa, Sami Hyka etj., si dhe për të ruajtur vazhdimësinë e këtij burimi natyror jetik për këtë komunitet, fermerët dhe organet e pushtetit vendor duhet të bëhen pjesë e zgjidhjes së statusit të gështenjës, ndërprerjes së degradimit dhe fillimin e ripërtëritjes së këtij ekosistemi, për të siguruar trashëgiminë natyrore të këtij ekosistemi natyror.

Për t’i kryer shërbimet kulturore dhe sanitare të nevojshme që sigurojmë ruajtjen e materialit biologjik riprodhues për vijuar trashëgiminë natyrore të gështenjës kërkohet detyrimisht, formalizimi dhe zgjidhja e statusit të pronësisë, krijimi i një strukture teknike të trajnuara dhe specializuara , për të kryer operacionet e shërbimit tekniko – patologjik me hipje në lartësi të pemëve, operacion dendro-kirurgjikal i klasifikuar si :

  1. Operacioni me shkallen me të lartë të kualifikimit profesional dhe të vështirësisë fizike ku vetëm një numër i kufizuari fermerëve i kanë aftësitë për ta realizuar këtë operacion.
  2. Operacioni me shkallën më të lartë të rrezikshmërisë për shëndetin dhe jetën e punëtorëve që marrin pjesë në operacion;

Ky operacion  kërkon organizim, trajnim profesional , përgatitje fiziko-teknike dhe pajisje me mjete të sigurimit teknik për mbrojtjen nga aksidentet në punë, mjete dhe vegla pune, medikamentet e nevojshme si dhe një personel inxhiniero-teknik i motivuar, të kualifikuar dhe të përgjegjshëm. Objektivi i më sipërm mund të plotësohen kur te formalizohet ekosistemi dhe t’i jepet statusi i mbrojtjes si pronë private me administrim Bashkiak, të miratohet projekt ligji i personalizuar i ekosistemit shoqëruar me planin e zhvillimit perspektiv.

Shpend Nikoçi   

Kryetar i shoqatës “Gështenja e Tropojës”