Ish-Ambasadori Vili Minarolli takim me kreun e “Vatrës” dhe editorin e “Diellit”, u dhuron libra për bibliotekën e shoqatës

102

Publicisti dhe ish-Ambasadori Minarolli dorëzon libra për Vatrën

 

Kryetari i “VATRËS dhe editori i “Diellit” u takuan në Manhattan me Dr. Vili Minarollin, i cili  dhuroi 8 libra të shkruara prej tij për bibliotekën e “VATRËS

 

Dr. Vili Minarolli është një figurë e njohur e politikës, diplomacisë, por edhe e publicistikës dhe letërsisë shqipe. Edhe pse ai zyrtarisht është tërhequr nga politika, herë pas here, shfaqet me prononcime publike, kryesisht në faqen e tij në rrjetet sociale dhe analizon apo jep këshilla për politikën, siç ka qenë rasti i mesazhit publik me të pakënaqurit e Partisë Demokratike ose Letra publike drejtuar së bijës së Azem Hajdarit etj. Dr. Minarolli e kalon jetën mes Tiranës dhe Otavës në Kanada, ku ka marrë edhe shtetësinë kanadeze. Të  mërkurën e  8 Maj 2019, ai ishte për vizitë turistike në Nju Jork, në kryeqendrën e biznesit botëror, në Manhattan dhe në pamundësi për të ardhur në “Vatër”, për shkak të kohës së kufizuar, ai u takua në Manhattan me Kryetarin e Federatës Pan Shqiptare të Amerikës VATRA, z. Dritan Mishto, dhe Kryeredaktorin e Diellit, Dalip Greca. Ishte një takim i ngrohtë miqsh për një kafe të mëngjesit. Kryetari i Vatrës e informoi z. Minarolli për veprimtaritë dhe qëndrimet e Vatrës, ndërkohë që editori i përcolli detaje nga veprimtaritë e Vatrës të organizuara për 110 vjetorin e Gazetës “Dielli”. U shkëmbyen mendime për situatën në Shqipëri dhe krizën politike që ka mbërthyer vendin si dhe për rolin e diasporës në zhvillimet e vendit të lindjes. Dr. Minarolli ka qenë dhe mbetet një figurë me kontribute cilësore në politikën dhe Diplomacinë shqiptare, por edhe në publicistikë me analiza e opinione, ndërsa pas dorëheqjes nga funksionet që mbante në politikë e diplomaci, i është kthyer pasionit të vjetër të Letërsisë. Ai i ka dhënë lexuesit shqiptar romane, që pasqyrojnë jetën e shqiptarëve jo vetëm në rreth 3 dekadat e tanzicionit, por më gjerë. Shkrimtari Minarolli dhuroi për bibliotekën e “VATRËS” romanet e tij: “Apokalips” botuar nga Shtëpia botuese “Dituria”, “Kontrabandisti”- 2016; “Në kafenenë e Benit në sheshin OMONIA”- 2016; “Fytyra dhe MASKA”- 2016; “Trafikanti” – 2016, “Ndodhi nga xhungla”- 2017, “Jeta e dyfishtë e një agjenti”- 2019, si dhe librin “Ngjarje që nuk harrohen-bisedë me vetveten”- 2017, me përkushtimin: “Prindërve të mi, të cilët vuajtën fizikisht dhe shpirtërisht gjatë regjimit të egër e antinjerëzor komunist në Shqipëri. Të gjitha librat mbajnë dedikimin për bibliotekën e Federatës “VATRA” prej autorit Vili Minarolli.